Turp është të kesh turp!

March 19, 2016 13:30

Turp është të kesh turp!

“Marrëveshja BE-Turqi, mbi migrantët dhe azilkërkuesit i vë ato në rrezik duke mos mbrojtur të drejtat e tyre. Refugjatët duan mbrojtje, jo të kthehen mbrapsht. Ne kemi frikë se marrëveshja mbi rishpërndarjen do të prekë vetëm një numër të vogël njerëzish dhe mund t’i vendos në rrezik shtetasit, që nuk i përkasin Sirisë”…..(UNHCR-Itali)

“Marrëveshje e turpshme! Edhe njëherë marrëveshja me Turqinë demonstron se liderët evropianë e kanë humbur tërësisht lidhjen me realitetin”…”Cinizmi i tyre është i pastër, për çdo sirian, që pasi të ketë rrezikuar jetën në det, do të refuzohet nga Greqia, një tjetër sirian do të ketë shansin të vijë në Evropë, nga Turqia. Duke aplikuar politikën e dyerve rrotulluese, njerëzit reduktohen në numra, duke i mohuar atyre trajtimin humanitar dhe të drejtën për të kërkuar mbrojtje në Evropë. Është koha që qeveritë evropiane, të fillojnë të përballen me realitetin, duke hapur rrugë ligjore të sigurta dhe të ofrojnë një përgjigje të unifikuar, të denjë, humane, të përgjegjshme kërkesave të vazhdueshme për mbrojtje dhe asistencë, ndaj njerëzve, që i ikin situata dëshpëruese”.( Organizata humanitare “Mjekët pa kufij”- Itali) 

“Marrëveshja dhunon ligjet ndërkombëtare dhe evropiane, duke tregtuar qeniet njerëzore me koncesione politike. Një tjetër hap drejt humnerës çnjerëzore, për më tepër e maskuar me hipokrizi përçmuese, si një mjet për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore. Kontrolli i kufijve evropianë nuk mund të paguhet me jetët njerëzore. I bëjmë thirrje Evropës të krijojë korridore ligjorë dhe të sigurt për azilkërkuesit. Shtetet anëtare duhet të marrin refugjatë sipas kuotave të caktuara. Nuk mund t’i vini kapak kësaj përgjegjësie themelore. Nuk mund ta ndaloni migrimin, vetëm ta menaxhoni atë sa më mirë të jetë e mundur, dhe Evropa që doli nga ky Samit është në mënyrë dramatike larg kësaj përqasje.”( Oxfam) 

“Jemi të zhgënjyer, ne duhet të mbrojmë njerëzit, jo kufijtë !” (Save the Children)

Këto ishin disa nga reagimet e menjëhershme ditën e djeshme të disa organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut, pas mbylljes së marrëveshjes BE-Turqi në lidhje me zgjidhjen e krizës së refugjatëve.

Por, çfarë përmban realisht marrëveshja me Turqinë dhe pse kemi një reagim të vazhdueshëm të organizatave, që mbrojnë të drejtat e njeriut ?

Marrëveshja që u finalizua ditën e djeshme, synon në thelb t’u japë fund flukseve të migrimit që vijnë nga Turqia për në Evropë nëpërmjet Greqisë, dhe jo vetëm. Por, marrëveshja që po kryhej me Turqinë, solli reagimin e ashpër të mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe kryesisht atyre të refugjatëve, të cilët akuzuan BE për shkelje të ligjeve evropiane dhe ndërkombëtare në lidhje me azilkërkuesit. Kjo, pasi këto ligje nuk lejojnë si kthimin mbrapsht të personave që i ikin zonave të persekutimit, të konfliktit dhe të luftës, por edhe ndalimin që imponojnë këto ligje për kthime në masë, apo të ashtuquajturat kthime kolektive, po të këtyre kategorive.

Në marrëveshjen që BE po kryente me Turqinë, përfshiheshin kthime mbrapsht në Turqi, të të gjithë flukseve të migrantëve, që hynin në tokën greke. Ky kthim do të përfshinte edhe sirianët që i ikin zonave të luftës dhe për çdo sirian të kthyer, Evropa do të merrte një tjetër sirian në tokën e saj. Që ky kthim të hynte brenda kornizës ligjore, duhet që Greqia të njohë Turqinë si një vend i sigurt, që do të thotë që edhe pse një azilkërkues sirian mund të kërkojë azil në Greqi, ai do të refuzohet teknikisht me motivacionin se nuk ka kërkuar azil në Turqi, si vendi i tij i parë hyrës dhe se Turqia është gjithashtu një vend i sigurt. Pra, një rrethrrotullim absurd, pasi teksa Greqia nuk refuzon në thelb kërkesën e azilit, por e refuzon vetëm teknikisht, ky azilkërkues do të rikthehet në Turqi, ku nuk i dihet sa kohë do të presë, pasi në vend të tij, një tjetër azilkërkues do të merret në Evropë ?! Pra, nuk është e qartë nëse konsiderimi i Turqisë si vend i sigurt, do të ketë thjesht rolin e qëndrimit brenda kornizës ligjore, për kthimet mbrapsht të azilkërkuesve sirianë, apo do të jetë e tillë edhe duke detyruar sirianët të kërkojnë azil në Turqi ?! Ndryshe ç’kuptim ka që pasi këto azilkërkues të kthehen mbrapsht nga Greqia, do të shkojnë sërish në Evropë ?! Nëse këto kthehen në Turqi, nën motivacionin se Turqia është vend i sigurt, përse duhet ta lënë Turqinë, për t’i rimarrë sërish Evropa ?!

Nëse kjo marrëveshje synon thjesht, bllokimin e trafikantëve dhe heqjen e mundësisë që azilkërkuesit të rrezikojnë jetën e tyre, Evropa siç edhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut rekomandojnë mund edhe të hapi një korridor ligjor, që këto refugjatë të hyjnë në territorin e saj. Por, Evropa i ka mbyllur kufijtë si edhe kanalet e mundshme për penetrim të flukseve në tokën e saj. A mund të jetë kjo marrëveshje me Turqinë, thjesht për të mundësuar shpëtimin e jetëve të njerëzve dhe marrjes së tyre në mënyrë të organizuar në Evropë ?! Përse do të rikthehen në Turqi flukset e azilkërkuesve, kur shumë mirë kush klasifikohet për azil, të transportohet direkt nga Greqia në vendet e tjera evropiane ? Fundja sa të bihet ndesh me ligjet ndërkombëtare, më mirë të shpërfillet rregullorja e Dublinit, që imponon kërkimin e azilit në vendin e parë hyrës, pra konkretisht në Greqi ?!

Kjo është dhe e vetmja pikë, që has në pakuptueshmëri dhe absurditet në rastin më të mirë dhe në abuzim në rastin më të keq. Pasi, garancitë që Turqia të respektojë marrëveshjen dhe mos daljen nga korniza e angazhimeve janë të vogla. Marrëveshja e parë e kryer me BE, në muajin nëntor, përfundoi në një marrëveshje ku autoritetet turke kishin ngritur kampe ku mbanin azilkërkuesit, për t’i kthyer më pas sërish, andej nga kishin ardhur. Fakt, që u denoncua nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, pasi gjithçka po kryhej me paratë e Evropës. A do të kemi përsëritjen e të njëjtit skenar, edhe me këtë marrëveshje ?! Dyshimet janë të larta, por le t’i shmangim paragjykimet dhe të shikojmë se si do të vijojnë më tej, bashkëpunimet në këtë çështje.

E rëndësishme është edhe hapësira që është krijuar ndërkohë (përgjatë dy samiteve) për të mundësuar si qëndrimin në platformën ligjore (ndonëse me nuanca të dyshimta- pasi refuzimi do të behet “teknikisht” dhe jo në “thelb”), pra marrjen parasysh të kërkesës për azil, kryerjen e intervistave dhe mundësinë për apelim, por edhe marrjen pjesë në këtë proces si të UNHCR, dhe të UN, që mund të vëzhgojnë apo monitorojnë këtë proces.

Turqia nga ana e saj, duket se po realizon objektivin më të dëshiruar, një liberalizim të afërt vizash për qytetarët turq. Nga 72 kritere që kërkohen, 37 prej tyre janë tashmë të realizuara, dhe deri në muajin maj, sipas kryeministrit turk, do të realizohen edhe 35 të tjerat, për të mundësuar në muajin prill rekomandimin për liberalizimin. Një prej këtyre kritereve, të paktën siç edhe theksoi paraprakisht kancelarja gjermane Merkel, lidhet me futjen në të drejtën turke, të masave juridike për sigurimin e mbrojtjes ndërkombëtare të refugjatëve.

Në lidhje me avancimin në dosjen e integrimit turk, sigurisht që Turqia është e vetëdijshme se mundësitë për integrim real në BE, kanë marrë me kalimin e kohës një karakter “iluzionar”, pavarësisht angazhimeve të palëve. Për këtë arsye ka edhe “elasticitet” në kërkesa për hapje të tjerë kapitujsh. Për të shmangur përplasjen me veton qipriote, është propozuar hapja e një kapitulli (33) që nuk bën pjesë në 5 kapitujt, që mund të bllokohen nga veto e Qipros. Duke premtuar dhe hapje të tjerë kapitujsh në një të ardhme të afërt.

Fatkeqësisht, Evropa ka shfaqur anën e saj më të dobët, në përballje me krizën e refugjatëve. Që prej fillimit të saj, ndasitë, përçarjet, ideologjitë e ndryshme refuzuese, mohuese, bllokuese u shndërruan në një normë, që herë pas herë filloi gradualisht të konsiderohej normale dhe shpeshherë, në mbrojtje të “vlerave kombëtare” dhe sidomos atyre “kristiane”. Barrikadat, gardhet me tela me gjemba, keqtrajtimi i njerëzve që i iknin terrorit dhe luftës, grabitja e tyre nga forcat policore, dhuna e pajustifikueshme, burgosja duke përfshirë edhe fëmijët e vegjël, gazetarë që kontribuojnë në vënien e stërkëmbëshit dhe rrëzimin në tokë të prindërve me fëmijë…. skena turpi që vështirë të ikin nga memoria historike e një Evrope, që promovon lirinë, tolerancën dhe barazinë! Azilkërkuesit nuk janë aventurierë, por viktima të terrorit. Shifrat e UNHCR, nuk korrespondojnë me propagandën politike dhe mediatike, pasi 60% e tyre janë fëmijë dhe gra.

Kryeministri turk, përgjatë konferencës për shtyp dje në Bruksel, e deklaroi “historike” këtë marrëveshje. Por, a mund të jetë e tillë edhe për Evropën ?! /im.ta/

 

 

 

 

 

March 19, 2016 13:30