TURPI / E tmerrshme, lumenjtë e Shqipërisë prapë e kanë me Shqipërinë!

December 3, 2018 18:51

TURPI / E tmerrshme, lumenjtë e Shqipërisë prapë e kanë me Shqipërinë!

Në serinë e kushedisatë të kundërvënies flagrante ndaj Shqipërisë, lumenjtë e vendit e kanë bërë prapë proçkën.

Siç raportojnë burime të indinjuara mediatike, këtë rradhë ishte Vjosa ajo që mbushi brigjet e Zvërnecit me materiale plastike, duke ndotur një breg të virgjër ku dikur, edhe vetë plazhistët hiqnin pantoflat në fillim të rërës për të mos e bërë pis.

Por zullumi nuk mbaron këtu, shtojnë burimet: Përveç lumit të ndyrë, ka qenë edhe bashkëpunimi i poshtër i detit ai që duke i shtyrë sërish në breg shishet, poçet, qeset plastike, shiringat dhe këpucë të çdo numri, i bëri ato kapicë në vijën bregdetare.

“Vjosa mbush plazhet me pisllëqe”, “Plastika e sjellë nga lumenjtë ndot bregdetin” etj, ishin disa nga titujt e shqetësuar të mediave, që me të drejtë fajësonin këto rrjedha të paparashikueshme e madje, qëllimisht harbute ujrash, që bëjnë çfarë u shkrepet për t’i sjellë telashe vendit.

Kujtojmë këtu se poshtërsia e lumenjve ka qenë në vijimësi një problem i madh për Shqipërinë. Më herët, lumenj harrakatë si Semani, Ishmi, Mati, Drini, Devolli, Osumi etj, kanë paketuar pa mëshirë togje plastike në plazhet shqiptare, por kjo është më e pakta.

Miq të huaj, si malazeztë, kroatët e italianët, janë ankuar për lumenjtë albanezë që në furi e sipër, i kanë çuar ngarkesat plastike deri në brigjet e tyre.

Së fundi, edhe presidentja kroate, bukurania Kolinda Grabar-Kitarovic iu qa Shqipërisë se vërtet jemi miq të patundur, “por lumenjtë tuaj na kanë hapur shumë probleme, duhen disiplinuar. Ndryshe na mori lumi”.

Edhe sot e kësaj dite, ka mbetur enigmë për ekspertët lumologë se si ka mundësi që lumenjtë shqiptarë prodhojnë kaq shumë plastikë, dhe në bashkëpunim me detin, e rrasin lëndën e padurueshme në brigjet shqiptare dhe ato të komshinjve.

Sipas lumëmadhit (për kujtesë, është gradë shkencore në lumologji) Lumo Vrëngo, gjasat janë që vetë lumenjtë të mos kenë dhe aq shumë faj.

“Me ndihmën e një projekti prej 3 milionë eurosh nga BE, kam vëzhguar se terreni ynë prodhon vetë plastikë si lëndë e parë. Vetë lumenjtë, e marrin këtë lëndë si mineral nga malet dhe përgjatë qindra kilometrave kanë kohë ta përpunojnë në trajtë shishesh, qesesh dhe prezervativësh,” shpjegoi lumëmadhi, duke shtuar se megjithatë, do të duhej dhe një projekt tjetër i ngjashëm për ta vërtetuar deri në fund këtë vëzhgim.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike anës lumit e palarë…    

December 3, 2018 18:51
Komento

3 Komente

  1. Bushi December 3, 23:14

    Mjere ne per keta lumenj qe kemi. Perpiqet klosi shkrete ti binde, more mos hidhni plastike ne det, ata hic

    Reply to this comment
  2. Aliu nga Selenic December 4, 01:20

    Jo mjer ne per keta lumej, pore mjer lumejte ke popull lagin.!

    Reply to this comment
  3. Toni December 5, 12:56

    plastik mbillni PLASTIKE do korrni, do hani, do ushqeheni dhe do frymoni….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*