Turqi, policia spastron sheshin “Taksim” dhe parkun “Gezi”

Redaksia Online June 16, 2013 10:07

Turqi, policia spastron sheshin “Taksim” dhe parkun “Gezi”

Policia turke përdori dje gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për të larguar protestuesit nga parku “Gezi”, pasi ata nuk përfillën ultimatumin për të ndalur protestat dyjavëshe në zonë.

Parku u boshatis shumë shpejt pasi qindra policë, me automjete të blinduara u futën në zonë dhe filluan të përdorin granatat zhurmuese dhe gazin lotsjellës. Një zjarr digjej në një rrugë pranë parkut dhe ka pasur raporte se është përdorur gaz lotsjellës edhe në lobin e një hoteli me pesë yje, ku u strehuan disa nga protestuesit. Policia paralajmëroi gazetarët që po ndiqnin zhvillimet të largoheshin ose mund të bëheshin objekt arrestesh.

Para masave policore, protestuesit kishin filluar të grumbulloheshin në park dhe në Sheshin Taksim aty pranë, në përgjigje të thirrjeve përmes medias sociale për një protestë masive. Organizimi i djeshëm u ndërmor në përgjigje të kritikave të kryeministrit Reçep Taip Erdohan ndaj demonstruesve.

Vetëm disa orë më parë në një tubim në Ankara, kryeministri tha para dhjetëra mijëra përkrahësve se demonstruesit në Stamboll ishin njerëz të shtresave të izoluara dhe nxori paralajmërim kundër tyre.

Kryeministri Erdogan tha se parku nuk u përket organizatave të paligjshme dhe parku “Gezi” e sheshi “Taksim| duhet të lirohen, përndryshe situatën do ta marrin në dorë forcat e sigurisë.

Zoti Erdogan paralajmëroi më pas se do të ndërmerrej një operacion i ligjshëm, duke thënë se protestuesit do të nxirreshin para drejtësisë. Ai i akuzoi protestuesit se po shfrytëzoheshin nga fuqi të huaja që po bashkëpunonin me elementë brenda në Turqi.

Protesta fillestare në parkun “Gezi” u organizua për të ndalur planet qeveritare për një projekt komercial në këtë park. Por një përgjigje e egër nga policia dy javë më parë solli acarimin e protestave dhe shndërrimin e tyre në demonstrata mbarë-kombëtare me thirrjet kundër qeverisë. Kritikët e zotit Erdogan thonë se ai po përpiqet t’u imponojë turqve laikë pikëpamjet e tij konservatore islamiste.

Zoti Erdogan ende gëzon mbështetje të konsiderueshme në Turqi, pasi siguroi 50 për qind të votave në zgjedhjet e fundit. Por vëzhguesit thonë se trazirat e fundit civile tregojnë se Turqia mbetet një vend i polarizuar. / INA

Redaksia Online June 16, 2013 10:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*