Turqia, më shumë gazetarë të burgosur se Irani

Editor November 5, 2012 21:03

Turqia, më shumë gazetarë të burgosur se Irani

Liria e shtypit

Pavarësisht protestave se burgosja e përfaqësuesve të medieve është bërë pa të drejtë, vetë shteti turk i cilëson gazetarët e ndaluar si hajdutë bankash, piromanë, madje edhe terroristë

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e lirisë së shtypit janë shprehur njëzëri se Turqia mban rekordin botëror të gazetarëve të arrestuar, numri i të cilëve ka shkuar në 76. Janë më shumë se në Kinë, Iran dhe Eritrea, të konsideruara si shtetet me masat më të forta represive të kontrollit, frenimit dhe ushtrimit të forcës shtetërore ndaj zërave kundërshtarë të pushtetit aktual.

Ishte Federata Evropiane e Gazetarëve ajo që dha sinjalin e para për shtypjen e lirisë së shprehjes dhe rrjedhimisht censurimin e një pjese të gazetarisë në Turqi, nga ana e qeverisë. Në 5 tetor, ajo shpalli programin për mbrojtjen e gazetarisë me titull  “Në këmbë me gazetarinë”, duke u solidarizuar kështu me gazetarët turq të mbyllur në paraburgim për shkak të ligjit anti-terrorizëm. Liria e shtypit është një nga problemet më të theksuara të Turqisë, në kohën kur një numër i madh gazetarësh ndodhen aktualisht në burg.

Ministrja gjermane e Drejtësisë gjatë vizitës së fundit të saj në Turqi kritikoi mungesën e lirisë së shtypit dhe të shprehjes në këtë vend. Gjatë bisedës me homologun e saj turk, Ergin Sadullah, ajo shprehu shqetësimin për kufizimin e fjalës së lirë dhe për gazetarët e burgosur. Por kritikat e saj nuk u pranuan nga ministri Sadullah i cili u shpreh se shumë nga të arrestuarit nuk ishin gazetarë, por të akuzuar për vjedhje bankash, zjarrvënie, madje edhe terrorizëm.

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan, që sapo festoi 10-vjetorin e parë të qeverisjes së partisë së tij AKP, ka vendosur një afat kohor për anëtarësimin e Turqisë në BE deri në vitin 2023, vit kur republika turke mbush 100-vjetorin e saj. Por është e qartë se çështje të tilla si ajo e të drejtave të njeriut peshojnë mbi pasqyrat financiare të mandatit të tij. Ndërsa Turqia mban rekord sa i përket numrit të gazetarëve të vënë pas hekurave, Federata Evropiane e Gazetarëve e cila përfaqëson më shumë se 310 mijë gazetarë nga 30 vende të botës, i ka kërkuar ambasadorit turk në BE, zotit Olkai Mehmet Hakan, që t’i bëjë apel qeverisë turke “për lirimin e të gjithë gazetarëve të burgosur, të cilët janë arrestuar mbi bazën e profesionit të tyre”.

Kërkesa vazhdon me rekomandin “për t’i dhënë fund zbatimit të ligjit antiterrorizëm , i cili bie në kundërshtim me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut “.

Edhe sipas një raporti të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me bazë në Nju Jork, në Turqi po zbatohet  “një prej operacioneve më të rënda të shkeljes së lirisë së shprehjes në historinë e kohëve moderne”. Nga 76 gazetarë, të paktën 61 prej tyre janë burgosur për shkak të publikimit të informacioneve që kanë grumbulluar gjatë punës kërkimore në lidhje me veprimtarinë e qeverisë turke, ndërsa gjendja e 15 gazetarëve të tjerë është ende e paqartë”.

Komiteti vazhdon raportin me akuzat që rëndojnë mbi gazetarët, të cilat lidhen me pretekstin e luftës kundër terrorizmit. Theksi vihet mbi “presionin që ushtrohet për të bindur gazetarët që të vetëcensurohen”. Raporti vëren se 70 për qind e gazetarëve në burgje janë të dyshuar për lidhje me PKK-në, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila i ka shpallur luftë të armatosur Turqisë me synim pavarësinë kurde. Pjesa tjetër e gazetarëve janë hetuar për anëtarësim në organizatat ilegale dhe pjesëmarrje të supozuara në projekte për grusht shteti. Më shumë se tre të katërtat e gazetarëve të burgosur janë në pritje të gjykimit, edhe pse dhënia e vendimit mund të zgjasë disa vite.

 

Somario: Në Turqi po zbatohet  “një prej operacioneve më të rënda të shkeljes së lirisë së shprehjes në historinë e kohëve moderne”

Editor November 5, 2012 21:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*