Turqia mohon akuzat e rekrutimit të të rinjve shqiptarë për të luftuar në Siri

August 16, 2013 08:37

Turqia mohon akuzat e rekrutimit të të rinjve shqiptarë për të luftuar në Siri

Disa ditë pas publikimit të lajmit se një OJQ turke angazhon shqiptarë myslimanë për të luftuar kundër regjimit të Bashar al-Assad-it, Ministria e Jashtme e Turqisë, në një deklaratë të shkurtër, ka hedhur poshtë zërat e përfshirjes së autoriteteve turke në dërgimin e të rinjve shqiptarë për të luftuar në Siri. “Këto lloj lajmesh në shtyp janë të pavend dhe nuk reflektojnë të vërtetën”, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme./ Anadolu Agency

 

OJQ turke rekruton myslimanë shqiptarë për të luftuar në Siri

Një artikull mbi rekrutimin e myslimanëve shqiptarë nga organizata jo qeveritare turke IHH është publikuar së fundi në agjencinë iraniane të lajmeve FNA. Angazhimi i të rinjve shqiptarë ka si qëllim stërvitjen ushtarake të tyre në Turqi dhe më pas dërgimin në Siri, për të marrë pjesë në betejat e armatosura kundër qeverisë së Damaskut. IHH supozohet se ofron shërbime humanitare në rastet e shpërthimit të luftërave, tërmeteve, krizave të urisë apo konflikteve civile. Presidenti aktual i saj është Fehmi Bulent Yildirim, por  ai që merret praktikisht me çështjet e organizatës është zëvendësi i tij, Osman Atalay.

Një prej ish të rekrutuarve, i cili ruan anonimatin për arsye të kuptueshme sigurie, ka rrëfyer mbi veprimtarinë e kësaj organizate, e cila operon në në koordinim të plotë me ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu dhe grupe të tjera ekstremiste. Sipas burimit në fjalë, deri tani IHH ka rekrutuar 799 shqiptarë, të cilët janë dërguar në Siri për t’iu bashkuar të ashtuquajturës Ushtria për Çlirimin e Sirisë (e përbërë nga rebelë kundër Assadit). Pasi përzgjidhen, shqiptarët transportohen nga Tirana  drejt bazës ushtarake Reyhani (Turqi), për t’u stërvitur nga oficerë amerikanë të dalë në pension.

Në datë 30 qershor 2013, wshtw dwrguar nw Stamboll grupi i fundit prej 90 shqiptarwsh nga Tirana me fluturimin 1078 të “Turkish Air”. Por nuk përfundon këtu, sepse sipas fjalëve të burimit, 450 shqiptarë e kanë dezertuar Ushtrinë për Çlirimin e Sirisë për t’iu bashkuar grupeve të Al Kaedas në Siri, kryesisht me atë të al-Nusra Front (seksion i Al-Kaedës në Siri).

Burimi rrëfen se pasi u bë dëshmitar i krimeve të luftës nga grupet terroriste mbi civilët sirianë, u kthye në Shqipëri por nuk u takua menjëherë me familjen e tij nga frika e një agresioni të mundshëm nga oficerët e inteligjencës turke dhe mercenarëve të tyre në Shqipëri. Vetëm pasi u arratis nga Tirana, mundi të takohej me familjen e cila e ndoqi në destinacionin e sigurt të tij.

Dëshima me akuza të rënda drejtuar edhe eksponentëve qeveritarë turq, pason lajmin e ditëve të fundit për shqiptarin e dytë të vrarë në territorin sirian. Deri më tani ka pasur spekulime për numrin e shqiptarëve të përfshirë në konfliktin civil sirian. Dëshmia e raportuar nga një agjenci lajmesh iraniane mund të tingëllojë disi e besueshme për shkak të mbështetjes që Irani i ka ofruar presidentit Bashar al-Assad, megjithatë gjithçka mbetet për t’u vënë në diskutim.

Sipas fondacionit të Vëllazërisë islamike, ka dëshmi të konfirmuara që IHH po siguron terroristë në Siri, bashkë me artileri të rëndë ku përfshihen edhe raketat anti-ajrore. Edhe të përditshmet turke dhe zyrtarët perëndimorë në Siri e kanë përmendur ndihmën që ajo po u ofron rebelëve sirianë. /D.Gjuzi

August 16, 2013 08:37
Komento

1 Koment

  1. Gramoz August 16, 13:33

    shkoni shqipetare te lini kockat per te tjeret e perse////turp na hidhni shami te zeze ku kerkojme te veme ne ne arabi apo ne evrope turp turp turp

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim