Turqia një vend i sigurt, vizat liberalizohen së shpejti

July 22, 2016 22:23

Turqia një vend i sigurt, vizat liberalizohen së shpejti

Grusht shteti, vrasje, hedhje bombash, arrestime në masë, jo vetëm ndaj puçistëve, por edhe lista të gjata, që prekin sistemin e drejtësisë dhe botën akademike. Konventa e të Drejtave të Njeriut dhe protokollet e saj shtesë janë pezulluar. Pra, janë pezulluar një sërë të drejtash: e drejta për jetë; e drejta për t’u mos dënuar pa ligj; e drejta për një gjykim të drejtë; e drejta për të mos iu nënshtruar torturës dhe keqtrajtimeve poshtëruese, e drejta për jetë private dhe familjare, si edhe e drejta për të mos u dënuar me vdekje, apo ekzekutuar.

Por, pavarësisht përkeqësimit të situatës në Turqi dhe shenjave të hapura të një autoritarizmi në rritje, që po merr formën e pastër të një regjimi, vendi kandidat për në BE, konsiderohet një vend i sigurt. I sigurt për sa i përket, refugjatëve që i ikin zonave të luftës dhe të konfliktit.

“Turqia deri në këto momente ka pritur rreth 3 milionë refugjatë sirianë në tokën e saj dhe nuk ka indikacione, që trajtimi i tyre nuk është korrekt”, deklaroi ditën e sotme zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian.

Situatë, që ngjan paksa paradoksale, teksa nga njëra anë, jo vetëm lajmet në kohë reale, por edhe raportimet pas ngjarjeve, shfaqin një situatë të përkeqësuar në lidhje me të drejtat e njeriut, dhe nga ana tjetër, pezullimi i Konventës së të Drejtave të Njeriut, përfshin në vetvete një mekanizëm të tërë, që luan rolin e një instrumenti thelbësor në mbrojtjen ndërkombëtare të refugjatëve. Pa përmendur këtu, pirgun e raporteve të organizmave të të drejtave të njeriut, për raste të keqtrajtimeve të refugjatëve, deri në vrasje të tyre, nga forcat policore.

Pavarësisht kësaj, Turqia për BE, është një vend i sigurt.

Për më tepër, BE do të procedojë me liberalizimin e vizave për qytetarët turq, pas pushimeve të verës. Kjo, u konfirmua ditën e sotme, nga krye-zëdhënësi i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.

“Do të vazhdohet të punohet mbi zbatimin e Marrëveshjes BE-Turqi. Ne kemi thënë se, është e rëndësishme gjithashtu për Turqinë, të respektojë pjesën e angazhimeve, nga ana e saj. Ne do të vazhdojmë të punojmë për vizat, mbi legjislacionin anti-terror, ka një qëllim për gjetjen e një marrëveshje, që do t’i lejojë Turqisë të shkojë përpara me një përkufizim më të ngushtë, çka do t’i mundësonte qeverisë turke, të menaxhojë fenomenet terroriste, në mënyrë që kjo të mos ketë një ndikim mbi personat si shkrimtarët, gazetarët, mësuesit, që gjithsesi kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre. Ne shpresojmë ende që ky proces të mund të mbarojë pas pushimeve të verës.”

Procesi i liberalizimit të vizave, për Turqinë varet nga plotësimi i 72 kritereve të një natyre politike dhe teknike të kategorizuar në pesë fusha: siguria e dokumenteve; administrimi i migrimit; rendi publik dhe siguria; të drejtat themelore dhe ripranimi i migrantëve të parregullt. Në raportin e tretë mbi progresin e kryer nga Turqia, në vënien në jetë të kërkesave të udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave (4 maj 2016), Komisoni do të vlerësonte përpjekjet e intensifikuara të palës turke në këtë kuadër, dhe kryesisht në hapjen e tregut të punës për refugjatët, që nuk vijnë nga Siria dhe duke lejuar aksesin jo diskriminues dhe pa detyrimin për viza, për shtetasit e BE-28. Në këtë raport theksohej gjithashtu se 5 nga 72 kriteret, nuk ishin përmbushur, nga ku më e rëndësishmja, po më delikatja në sytë e qeverisë turke ishte rishikimi i legjislacionit anti-terror.

Për rikujtesë, pas publikimit të raportit të 4 majit 2016, Presidenti i vendit Erdogan do të kërkonte shtyrjen e liberalizimit për në muajin tetor dhe se nuk do të bënte asnjë lëshim në kuadër të rishikimit të ligjit anti-terror. Këto ligje, i kanë krijuar hapësirën e nevojshme regjimit, të kontrollojë opozitën dhe shtypin, siç u konstatua me rastet e proceseve ndaj gazetarëve Dundar dhe Gul, të përndjekur për “ndihmë ndaj një organizate terroriste”, apo në marrjen e masave të dyshimta në heqjen e imuniteteve parlamentare të 50 deputetëve të partisë pro-kurde, një pjesë e të cilëve të akuzuar për “propagandë terroriste”. Pavarësisht insistimit për të mos lëshuar terren, në kuadrin e rishikimit të ligjeve anti-terror, dhe përkeqësimit së situatës pas tentativës për grusht shteti, procesi i liberalizimit të vizave, pritet të realizohet së shpejti.

Pragmatizëm sfidues

Nëse shikohen reagimet e BE, pra deklaratat zyrtare, ato individuale-institucionale, apo të përbashkëta, mbartin një gjuhë të moderuar, me një lloj kujdesi, apo shqetësimi për vijimin e situatës. Nëse vëzhgojmë reagimin, qoftë edhe të sotëm të krye-zëdhënësit të Komisionit Evropian, konstatohet një lloj “zdrukthimi” diplomatik i çdo fjale të përdorur, apo e thënë shqip, një lloj “kafshim gjuhe” për të mos shpëtuar ndonjë shprehje apo fjalë, në përplasje e sipër, mes asaj që “realisht mendohet” dhe asaj që “praktikisht artikulohet”. Pra, për të evituar ndonjë “lapsus” të natyrës logjike, që mund të shkaktojë reagim diplomatik të padëshiruar nga pala turke.

Veprimet konkrete, flasin për një operim të natyrës pragmatike me Turqinë. Administrimi, mbajtja dhe bllokimi i flukseve të refugjatëve, në territorin turk, është shumë i rëndësishëm për Unionin. Kriza e refugjatëve, ka shkaktuar përplasje të forta brenda BE, duke dëmtuar jo vetëm Shengenin, por arriti të theksojë edhe një lloj ndasie dhe përçarje politike mes të ashtuquajturës “vijë ideologjike e dy kampeve të vjetra Lindje-Perëndim”. Pas tronditjes nga Brexit, kriza që mund të shkaktojë përplasja me Turqinë, ka kosto të lartë. Për më tepër, teksa në Britani zhvillohej referendumi, Erdogan do t’i rikujtonte qytetarëve turq rëndësinë e bërjes së një referendumi në Turqi, për të vazhduar më tej, apo jo, rrugën drejt anëtarësimit në BE. Në këto rrethana, Unioni do të vazhdojë të ruajë prioritetet e tij, duke mos ndërhyrë më tej, apo më thellë, mbi situatën në Turqi, përtej disa deklaratave zyrtare të natyrës formale, mbi rëndësinë e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, demokracisë, ruajtjen e parimeve bazë, etj. Në fund të fundit, në kohë krizash, prioritet merr gjithmonë “mbijetesa”, pasi vlerat fillojnë dhe rindërtohen sërish në kohë “paqe”! im.ta/DITA/

July 22, 2016 22:23