Turqia – një vend me një shoqëri të përçarë?

DW July 12, 2013 16:04

Turqia – një vend me një shoqëri të përçarë?

Protestat në Turqi po vazhdojnë me javë të tëra. Demonstruesit kërkojnë largimin e qeverisë së Erdoganit, por shoqëria turke është e përçarë. Sa do të zgjasin protestat?

Protestat nuk do të ndalen, rezistenca do të vazhdojë. Njerëzit do të protestojnë deri në forcimin e shpirtit liberal në shoqëri”, thotë Lale Akgün. Politikanja socialdemokrate nga Këlni dhe deputete e Bundestagut ishte pjesëmarrëse e një debati të organizuar nga Shoqata për Evropën Juglindore, Shoqata gjermano-turke dhe Deutsche Welle, për gjendjen në Turqi. Në debat morën pjesë edhe tre ekspertë: gazetarja Canan Topcu, drejtuesi i redaksisë turke të Deutsche Welles Bahaedin Güngör dhe profesori Maurus Reinkowski nga Universiteti i Bazelit.

“Në rrugë kanë dalur të gjithë ata që janë kundër regjimit autoritar të Erdoganit. Në rrugë mund të shihen nëna me fëmijë, çiftë të reja, të rinjtë, futbollistë dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme minoritare. Kjo është një shoqëri plurale, të cilën Turqia nuk e ka parë kurrë më parë së bashku”, thotë Lale Akgün.

 

Lindja e despotit

Në vend të kursit demokratik, Erdogani po ndjek rrugën e konfrontimit dhe politikën e tij autoritare. Po si është e mundur që një politikë e këtillë të mbetet në pushtet që nga viti 2002?

“Erdogani është pasojë e përçarjeve mes partive politike, para kohës së tij”, thotë Bahaedin Güngör. “Askush nuk ka dashur të heqë dorë nga kërkesat e veta dhe nuk ka mundur t’i realizojë dëshirat e popullit. Ndaj Erdogani erdhi dhe tha: ju i keni provuar të gjitha këto parti, po le të provojmë një herë me partinë tonë. Ky ishte sekreti i suksesit të tij.”

Situata tani ka ndryshuar. Recep Tayyip Erdogan ka më shumë kundërshtarë, jo vetëm në popull dhe tek opozita, por edhe në radhët e vetë Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Edhe presidenti Abdulah Gül e ka kritikuar kryeministrin. Dhuna policore e ka dëmtuar imazhin e Turqisë, të krijuar me mund në 10 vitet e fundit. “Sjellja e Erdoganit po prodhon edhe më shumë rezistencë. Nëse shkatërrohet AKP, edhe fundi i Erdoganit mund të vijë shumë shpejt”, mendon Lale Akgün.

 

Sukeset e protestave

Ajo pohon se protestat kanë arritur disa suksese, në radhë të parë e kanë zgjuar interesimin e të rinjve për politikë. “Të rinjve u është shtuar shija për politikën dhe duan të ndërtojnë një shoqëri tjetër. Por politika nënkupton edhe luftën për pushtet, që do të thotë se entuziazmi dhe dëshirat e tyre duhet të kanalizohen në struktura të qarta të pushtetit. Ata më pas duhet të lëgjitimohen për të mundur të sundojnë.”

Protestat kanë bërë të ditur edhe mbi përçarjet e thella që ekzistojnë në shoqërinë turke, mes grupeve të ndryshme si alavitët, grupet sekulare apo kemalistët, pohon profesori Maurus Reinkowski. Sipas tij, në Turqi po shihen valë të ndryshme të protestave, që e bëjnë këtë shoqëri edhe më të larmishme. Ai thekson edhe rëndësinë e shoqërisë civile në Turqi, që mund të jap rezultate në vitet e ardhshme.

 

Solidariteti – një çështje shumë delikate

Protestat kundër Erdoganit kanë mobilizuar shumë njerëz edhe në Gjermani. Gazetarja Canan Topcu thotë se megjithatë ka shumë dallime. “Këtu kam parë më shumë ndarje dhe përçarje. Ka njerëz të cilët thonë: ne nuk duam me kemalistët të protestojmë së bashku. Mendoj se në Turqi gjendja është ndryshe, sepse njerëzit atje janë të pakënaqur dhe duan të protestojnë së bashku kundër qeverisë së AKP-së dhe Erdoganit.”

Gazetarja mendon se protestat e turqve në Gjermani mund të krijojnë edhe një bindje të gabuar për realitetin në këtë vend.

Sidoqoftë, qëndrimet e Gjermanisë ndaj Turqisë janë shumë të rëndësishme, të paktën sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kancelarja Merkel është kundër vazhdimit të negociatave me Turqinë, në kohën kur vazhdon dhuna ndaj demonstruesve. Po cili mund të jetë rezultati i negociatave?

Turqia nuk mund të krahasohet me Rumaninë apo Bullgarinë, sepse problemet janë krejt të ndryshme. Turqia ka edhe fqinj problematik, gjë që edhe më shumë e vështirëson gjendjen atje. “Turqia kufizohet me Sirinë, Irakun, Iranin dhe Kaukazin. Ndërkohë që Turqia është një vend i komplikuar politikisht, ekonomikisht dhe në politikën e jashtme, ndaj është shumë vështirë që këtë vend ta paramendosh në Bashkimin Evropian”, mendon Bahaedin Güngör, drejtues i redaksisë turke në Deutschen Welle.

DW July 12, 2013 16:04
Komento

3 Komente

  1. DR XHELIL KARAVIDAJ July 13, 10:21

    VESHTRIM ANALITIK I QELLUAR.

    Reply to this comment
  2. DR XHELIL KARAVIDAJ July 13, 10:21

    veshtrim i qelluar!

    Reply to this comment
  3. ardi July 13, 13:32

    Ne momentin kur shteti Turk shleu kestin e fundit te borxhit ndaj Bankes Boterore menjehere filluan demostratat.Turqia ishte shum e mire ne kohen qe ishte roja e pare e ariut rus.Nqs nje komb ka nje udheheqje “autoritare”,e cila e udheheq vendin drejt rritjes te mireqenjes,ska pse te shqetesohet zboristja kristiane e Gjermanise Lindore.Mu kujtua nje histori qe para 25-30 vjetesh tregoheshte midis miqve ne Tirane.Hitleri beri kerkese qe nga Ferri ku iu kishte caktuar vendi,ti jepnin leje per te jetuar 24 ore midis te gjalleve.Leja ju aprovua dhe e cuan ne Slloveni.Aty pa shume turiste dhe pyeti -Nga jane keta turiste-Nga Gjermania ju pergjigjen.-Po sllovenet ku jane?,-pyeti perseri.-Ne Gjermani,duke punuar ju pergjigjen.E njejta pamje e dialog u perserit ne Kroaci,Mal te Zi dhe Greqi.Posa u kthye perseri ne Ferr,Hitleri filloi te protestonte perse ate e kishin caktuar ne Ferr,pasi ai gjith jeten e tij,kishte luftuar qe :e Gjithe bota te punonte ne Gjermani dhe te gjithe gjermanet te benin turizem ne te gjith boten.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin