TVSH-ja, bretkoca që nuk e puth askush që ta kthejë në princ

Nga Koloreto Cukali December 2, 2013 14:45

TVSH-ja, bretkoca që nuk e puth askush që ta kthejë në princ

Besoj nuk ka shumë vetë që do mohonin se ka një çakordisje mes publikes e privates në Shqipëri. Madje, çakërdisje. Nganjëherë vetë shteti më duket sikur është një biznesmen i madh, burokratik, i keqmanaxhuar dhe inefektiv. Për shembull, jemi krejtësisht të pandjeshëm ndaj një gjëje që quhet Televizioni publik shqiptar. Dëmi emocional, artistik dhe informativ që vuajmë për shkak se i vetmi TV që është vërtet i yni nuk mundet e nuk di të sillet si i tillë, më duket shumë i madh. E pra, TVSh është një institucion i krimbur në para. Se sa, nuk e dimë.

 

Kush, dhe sa

Është e vështirë të gjykosh për mbarëvajtjen ekonomike të një medie, sepse nuk ka asgjë transparente. Bilancet vjetore të Televizioneve si të gjithë bizneseve do duhej të ishin transparente, dhe jo vetëm për shtetin, por dhe për publikun.

Auditeli, që pak vetë ndoshta e dinë ka nisur të bëhet. Shifrat mbahen sekrete dhe u shkojnë vetëm atyre që paguajnë për t’i parë. Nuk më interesojnë modalitetet, por do doja t’i shihja dhe unë. Mirë do qe t’i shihte edhe prokuroria. Nëse një program me audiencë të ulët përfiton të ardhura sa shumëfishi i një tjetri me audiencë më të madhe, këtu diçka ka.

Por, mbi të gjitha më intereson të di bilancet dhe audiencën e të vetmit TV që e financoj unë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për fat të keq, marrëdhënia ime me TVSh është thuajse si me Suden. Ne fusim lekë aty dhe nuk marrim asgjë. Për më tepër, nuk dimë as se ç’bëhet me ato para.

 

TVSh, si punë fajdexhiu

TVSh mbahet me paratë e shtetit e të sponsorave. Madje, kam dëgjuar që Kina derdhka si nja 3 milion dollarë në vit si punë qeraje për ca antena. Krahasuar me privatin që ka vetëm sponsorë dhe fut dorën vazhdimisht në xhepin e pronarit, është një superfuqi televizive nga ana ekonomike.

TVSh është një institucion në të cilin çdo rrogë paguhet prej nesh (dhe Kinës, me sa duket), edhe pse tranzicioni dy dekadash na bëri ta harrojmë një herë e mirë se kemi pushtet ekonomik mbi diçka, edhe kur e kemi. Në këtë pikëpamje, TVSh është si një Sude që merr paratë tona e nuk na jep asgjë.

 

TVSh-ja rurale

Sot, TVSh-ja është një mjet tërësisht rural. Unë nuk njoh asnjë person në rrethin tim të punës, miqve apo familjes që ta ketë pjesë të telekomandës. Nuk kam lexuar asgjë mbi TVSh e produktet e tij as online e deri as në gazetat bulevardeske. Nuk ka asnjë diskutim a debat publik a mediatike mbi produktet e TVSh-së me përjashtim të Festivalit, që tashmë nuk është i TVSh-së por i Eurovizionit. Edhe nëse ndonjë personazh i TVSh-së shfaqet në ndonjë gazetë rozë, kjo vjen falë investimit personal e jo fuqisë së ekranit.

Është e habitshme sesi keq-menaxhimi (kryesisht me qëllime politike) i këtij institucioni ka prodhuar një produkt kaq mediokër. Nuk flas për njerëzit. Shumë nga këta që shkëlqejnë tek TV-të private vijnë nga TVSh-ja. Flas për produktin final.

Jetojmë në një vend ku të tërë duam të identifikohemi me “qytetarin”. Jetojmë në një kohë ku TV-ja krijon një standard jete që duam ta imitojmë. Në këto kushte një TV rurale nuk i duhet askujt. As njerëzve të provincës.

Numëroni produktet e suksesshme në Shqipëri, asnjë prej tyre nuk ka logon e TVSh-së.

 

Me lek, por i varfër

TVSh-ja ose nuk di ose nuk do që të blejë të drejtat televizive të franchise-ve ndërkombëtare. Nuk po u kërkoj Champions League-n. Por, si është e mundur që TV-ja më i pasur në vend nuk ka fuqi të blejë as ndeshjet e kombëtares? Si është e mundur që nuk futet në garë për të blerë programe me sukses botëror, një pjesë prej të cilave kanë përmbajtje mjaft cilësore?

Nuk po them të blejnë Big Brother. Por mund të blejnë plot formate të tjerë të mëdha e cilësorë. Po them edhe që ka mijëra formate simpatikë, më të vegjël,  që përmbajnë argëtim e kulturë, që u drejtohen shtresave të ndryshme, e që një gjigant financiar si TVSh e ka për detyrë t’i blejë. Për të mos folur për produktet e veta, si informacioni.

 

Informacioni në kohërat e kolerës

Kam patur një përvojë rrënqethëse me një edicion informativ të TVSh-së pak kohë para zgjedhjeve. Nuk mbaj mend sa kohë kisha pa parë diçka aq joprofesionale, dhe aq të pozicionuar (shëmtuar) politikisht. Përveçse 4 lajmet e para ishin si video personale të kreut të Shtetit, të Qeverisë, të Bashkisë Tiranë e të Kuvendit (të tërë në pushtet), ato nuk mbanin fare era lajm. Ishte, si të raportoje që Kryetari i Shtetit lau duart me sapun, si ai tjetri hëngri byrek, si ky foli me komshinjtë.

Kishte një përpjekje po aq fëminore që kohën që mund t’i takonte opozitës së asaj kohe ta shfrytëzonin për ta nxjerrë sa më keq kreun e ish opozitës, sa edhe një fëmijë e kuptonte që montazhi i frazave dhe vetë xhirimet ishin bërë qëllimisht për propagandë negative.

Megjithatë, ne e duam TVSh-në. Më saktë, kemi dëshirë ta duam TVSh-në.

 

Si e përjetojmë TVSH-në

TVSh-ja është një medium me të cilin akoma shumica prej nesh (për sa kohë të lindurit pas 1997-s do jenë shumicë demografike) ka kujtimet e veta. Spektaklet e vitit të ri, festivalet, mbrëmjet poetike, Krasta i fillimit, ngjitja e Grabockës, ardhja e Gjebresë, fillimi i Fevziut e Xhungës, teatrot e kukullave të dielave, kanë ndodhur në atë medium. Pa dashje, por TVSh do të mbartë përjetësisht një pjesë të historive tona individuale.

Këtë element të jetës sonë na e kanë dhunuar, herë nën rrogoz, herë ashiqare e herë me forcë. Me sa di unë, në Britani çështjet e BBC-së janë të të gjithëve. Po u preke BBC-në, është më keq se t’u prekësh Mbretëreshën. Por, ndryshimi i TVSh-së NUK mund të fillojë nga mënyra sesi ne e shohim TVSh-në. Ndryshimi i TVSh-së nuk besoj se është më as çështje ndërrimi njerëzish. Një TVSh e re duhet të fillojë me një frymë të re.

Një TVSh e re

Në krye të TVSh-së mund të vihet një vajzë e re ambicioze, ose një djalë i mirë, ose një tip i hedhur, ose një gazetar i njohur, i lidhur me pozitën, ose kushdo tjetër që Kryeministrit mund t’i duket OK për arsyet e veta jo dhe aq të kuptueshme nga ana menaxheriale ose politike. Por, edhe ky do ta ketë vështirë të nxjerrë një princ nga një bretkocë. Jo vetëm ngaqë nuk njoh ndonjë shqiptar që do ulte hundën t’i bënte një nder të tillë një bretku, por dhe se askush nuk po kërkon për bretkosë.

Edhe sikur të ndërrojnë tërë njerëzit që punojnë aty, siç po ndodh në institucionet e tjera, kjo nuk e ç’bën TVSh-në e vjetër. Sepse, nuk është punë njerëzish. Është punë konkurueshmërie.

 

Si…

TVSh-ja është çështje konkurueshmërie. Që të bëhet konkuruese me privatët duhet të ngrejë një sistem konkurimi brenda vetes. TVSH e re duhet t’i japë mundësi kujtdo që ka ide të konkurojë. Si? Është e thjeshtë. TVSh nuk duhet të miratojë programe që janë të mira në letër, apo se moderatori e regjisori janë emra të shquar, apo se i ka qejf drejtori i ri.

Në TVSh nuk duhet të ketë njerëz që rriten e plaken aty duke tundur zinxhirin. TVSh duhet t’u japë mundësi të paguhen mirë atyre që bëjnë gjëra të mira.

TVSh e re duhet të funksionojë me pilotë projektesh, siç funksionon edhe bota. Këta pilotë mund të prodhohen me kosto modeste, dhe TVSh duhet që ato t’ia paraqesë publikut, në web, youtube apo dhe on air. Vetëm emisionet Pilot që marrin miratim nga audienca që i sheh ose i voton duhet të futen në prodhim.

Më duket e vështirë në një shtet që nuk po ngrihet mbi konkurueshmërinë, TVSh-ja të bëjë përjashtim. Sado djalë i mirë të jetë drejtori i ri, sado avantgardë të jetë bordi i ri, në rast se këta nuk zgjidhen as vetë mbi baza konkuruese nuk ka shpresë që do krijojnë shinat e konkurueshmërisë.

Ndaj s’ka pse habitemi do kemi një TVSh që do vazhdojmë ta harrojmë se paguhet me paratë tona. Derisa të shuhet tërësisht edhe lidhja emocionale që kemi me të, çka do të ishte dhe fundi i vet.

 

 

Nga Koloreto Cukali December 2, 2013 14:45
Komento

4 Komente

  1. Pac Martini December 2, 16:07

    Me shkrimin e z Cukali eshte çdoo njeri ne kte vend perveç atyre qe per habine e te gjitheve vazhdoje te u bejne karshidhek ne çdo program shumices se shqiptareve qe votuam per RILINDJEN ,.Mendoja se edhe te mos i leviznin keto njerez medioker ata vete dote ndryshonin punen e tyre por JO , mbeten besnik te se kalueres , dy shembuj krejt te thjesht diten e festes se çlirimit urohej festa e pamvarsise nga ky ekran , ose rubrika sportive krejtesisht private llomotitet vetem per dy skuadra , bej pyetjen a eshte TVSH televizion kombetar opo lokal .

    Reply to this comment
  2. Nje mik qe ju do te miren December 2, 17:10

    S’eshte analize e keqe ne pjese te vecanta, por ka shume pasaktesi. E para ne koncept, s’besoj se shteti mund te konsiderohet si biznesmen i madh, burokratik e i keqmanazhuar. S’eshte ky koncepti qe anglezet apo gjermanet kane per shtetin e tyre. Biznesmeni niset gjithmone nga qellimi i fitimit, ndersa shteti nga interesi publik, jane shume koncepte te ndryshme. Ju mund t’ju duket keshtu nga vitet e fundit, te gjithe shpresojne qe te mos jete me keshtu.
    Sigurisht RTSH – ja, keshtu eshte emertesa sipas ligjit, s’eshte simboli i transparences, por dhe s’eshte as ndonje institucion super sekret. Bilanci i RTSH – se depozitohet si ne Ministrine e Financave ashtu dhe ne parlament, cdo vit, kur kryetari i keshillit drejtues mban raportin vjetor. S’besoj se e keni kerkuar dhe s’e keni gjetur.
    Por buxheti perben dhe te fshehta, s’dime ndonje media private ne Shqiperi te bej publik bilancin. Dhe, meqe jemi tek kjo pike, pika 11 e rekomandimeve te parlamentit evropian per marrjen e statusit te vendit kandidat ne BE ben thirrje qe mediat private te bejne publike rruget e financimit.
    Matja e audiences ne Shqiperi nuk eshte mbi baza shkencore, deri tani te pakten. Dhe sa per sqarim s’quhet Auditel, Auditel quhet kompania italiane qe ben matjen e audiences, por jo vete procesi. Fakti qe ju s’dini c’behet me parate qe merr RTSH – ja s’do te thote se ka enigma, por qe ju s’keni informacion. Dhe s’shkruhen analiza mbi spekullime por mbi informacione.
    Edhe shuma qe Radio Film Televizioni i Kines paguan per sherbimin qe i ofron RTSH – ja s’eshte aspak e sakte, duhet ta pjestosh me 2 te pakten. Dhe kjo eshte pa llogaritur kostot qe perballon RTSH – ja per kete sherbim. Sigurisht qe ka fitim por jo ne keto shifra qe jepni ju, s’jane aspak te sakta.
    Dhe pushtet ekonomik kemi dhe mbi qeverine, edhe per te e institucionet e tjera paguajme taksa, keshtu qe s’eshte e vetmja dicka mbi te cilen populli ka pushtet ekonomik.
    Dhe kjo diference ne shuma mes RTSH – se dhe mediave private, diference qe perpiqen ta bejne gogol ka te beje me faktin se RTSH paguan gjithcka sipas ligjit, paga, sigurime, energji, programe, gjithcka. Ju sfidoj jo ta vertetoni kete gje per mediat private se nuk e vertetoni dot, por vetem ta gjeni se si dhe sa paguajne mediat private ne Shqiperi. Pastaj beni bilancin, ju e dini besaoj qe mediat private deklarojne qe gazetaret e operatoret e tyre punojne me pagen minimale qe te paguajne pak taksa e tatime e nga ana tjeter i kane super te paguar. Pa kontrolloni nje here sa paguahen taksa e siguracione per gazetaret me te njohur shqiptare e pse jo, beni nje artikull per kete me pas.
    RTSH eshte media rurale, edhe kjo eshte e sakte. Se si duhet ndryshuar, kjo mbetet per t’u pare. Por ama festivali s’eshte i Eurovizionit, por i RTSH – se, fituesi perfaqeson Shqiperine ne Eurovizion, sa per saktesi.
    Sigurisht faji per shume gjera eshte i politikes, ka nderhyrje politike te vazhdueshme. Dhe per kete arsye por dhe per arsye te tjera (burokracia e diktuar nga ligji specifik etj.), prodhimet televizive apo radiofonike te RTSH – se calojne, s’ka prodhim konkurrues ne treg.
    RTSH – ja di te bleje dhe ka blere produkte televizive plot. Ka deshtuar te bleje formate qe vlejne per nje media publike, kjo duhet korrigjuar menjehere, por do te mbetet per t’u pare se si dhe sa do te ndryshoje.
    Keni nje pasaktesi te madhe, RTSH – ja ka 7 vjet qe transmeton ndeshjet e kombetares se futbollit, do t’ju sugjeroja ta ndiqni me shpesh, sepse s’behen analiza mbi pasaktesira, me falni qe e perseris.
    Informacioni eshte pjesa me problematike, eshte i turpshem dhe jo professional, kjo eshte pjesa me e sakte dhe me e vertete e analizes tuaj.
    RTSH – ne e kane prekur dhe s’e ka vene njeri ujin ne zjarr, sa here ka pasur rrotacion politik, RTSH eshte goditur, jane larguar punonjes, por s’eshte kujtuar njeri. Ne 2007, pasi nderrimit te drejtorit te pergjithshem, u larguan mbi 60 vete nga puna, a u kujtua njeri? Kjo e fundit eshte pyetje retorike. Ndersa ne BBC, meqe e keni qejf si shembull, keto veprime, per arsye politike, nuk ndodhin.
    Eshte e veshtire te reformosh RTSH – ne, shume kane tentuar dhe kane deshtuar me sukses. Por per mendimin tim, aftesite qe duhet te kete drejtuesi apo drejtuesja e re eshte aftesia dhe te mos ndikohet politikisht apo mediatikisht, atehere ka shanse te realizohet.
    RTSH – ja duhet te kete nje sistem konkurrimi te brendshem, nuk e ka, dhe gjate gjithe ketyre viteve ka vuajtur nga njohjet e drejtorit apo politikes. Menyrat se si mund te perzgjidhen programet qe do te prodhohen jane te ndryshme, ajo qe ju propozoni vlen, por duhen pasur parasysh dhe detyrimet ligjore te RTSH – se per te prodhuar programe te ndryshme.
    Sigurisht qe RTSH – ja ka shume probleme, disa ju i keni ngritur me te drejte, por ka dhe probleme te tjera qe duhen zgjidhur per ta transformuar ne nje media realisht publike.

    Reply to this comment
  3. Xhorxh December 4, 02:05

    Eshte e tmerrshme kur mendoj sesi spikeret e e lajmeve ne TVSH vihen vetem ne baze te “afersise shpirterore” me drejtorin aktual te lajmeve e assesi vetem anes profesionale.TURP E MARRE ASHT KJO PUNE
    kur drejton M.Leka

    Reply to this comment
  4. djali i mamit December 16, 16:53

    hahahhahahah hiperbola

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*