“U bëfsh dhe 100! Por, mos u shqetëso…”

May 13, 2018 15:03

“U bëfsh dhe 100! Por, mos u shqetëso…”

Sot e takova sërish. Pasi dola nga puna, ai ishte aty duke më mbikëqyrur, teksa fshihej pas faqeve të nxira të reve. Bëra sikur se pashë, dhe më duket se nuk i pëlqeu kjo gjë. Me dëshirën për të më uruar për ditëlindje më preku hundën topolake e të skuqur nga i ftohti, buzët e fryra dhe qerpikët e lakuar plot dredhi.

“U bëfsh dhe 100! Por, mos u shqetëso! Unë nuk do të bëj keq. Çdo herë që ti rritesh, unë dua të të përqafoj me krahët e mia inekzistente, që ti ta kuptosh sesa e vogël më dukesh.”

Kështu më përshpëriti, dhe unë nuk arrita t’i thoja asgjë. Por jo nga frika se kalimtarët mund të më konsideronin të çmendur, sepse aq më bën. Thjesht, doja ta përqafoja pa fjalë, doja t’i ndjeja aromën që shkakton nën tokë të përdhunuar nga gjurmë këpucësh.

Që ta dini dhe ju, në marrëdhënien tonë gjithnjë zë territor frika. Por jo nga rrudhat jooo…ose të paktën jo nga rrudhat e fytyrës, por atyre të shpirtit. Kur ai më përkëdhel fytyrën, gjithmonë më kaplon trishtimi se mos ndoshta do shndërrohem dhe unë në ndonjë ditë si ato gratë e pispillosura, të sapo dalura nga ajri i thashethemeve të parukerive të lagjes, me flokë të krehura si koshere bletësh. Nuk dua kurrsesi ta shoh veten të hap, madje edhe në ditë me diell, një çadër langaraqe me tela të thyer.

Më zë paniku kur e mendoj që mund të përjetoj një metamorfizim të tillë. Kur i shoh aq të bezdisura nën shi, gjithmonë mundohem t’i justifikoj duke i vendosur në biografi pengesa lloj e soj, disfata, zhgënjime e humbje. Mbyll sytë dhe e vendos veten në ndonjë karrige të rëndomtë kinemaje. Me vështirësinë time për të mos lëvizur këmbët, gjendem përballë filmave me fund të trishtë.

Mesa duket, rritja të rrudhka shpirtin!

Prandaj i frikësohem numrit 3 dhe atij 2 sepse sëbashku formojnë një numër dyshifror, dhe numrat dyshifror dyfishojnë humbjet. Dhe sot, teksa shumë veta më pyesnin “Sa vjeç bëre?” iu përgjigjesha “Aq sa bëra një vit më parë”.

Nuk i shmangem pyetjes, mos më keqkuptoni…i shmangem thjesht pritshmërive!

Unë vazhdoj të qëndroj ashtu e vogël, dhe e llastuar mjaftueshëm sa për të mos marrë çadër, teksa qyteti gëlon nga ulërimat e shiut. Le  të më braktisin gjurmët e rimelit, nuk prish punë, vetëm pafajësia e vajzës me flokë të qullura e sy të mëdhenj të mos më lërë.

s.a/dita

 

May 13, 2018 15:03
Komento

4 Komente

  1. 13 Mai . Edhe 100 atyre qe kan sot Ditelindjen May 13, 15:41

    hm ,
    pershkrim interesant ,
    qe i ngjan asaj shetitje nen ato re gri malli ,
    qe pikojne melankoli …

    Reply to this comment
  2. shkrim i kendshem shum i ngroht May 14, 00:00

    Eeekur mendon per vitet qe kan ikur. Sa vite pas te jetes me ktheu ky shkrimMe ktheu ne ciltersine e dikurshme te moshes se njome e te pafajshme

    Reply to this comment
  3. GR May 14, 08:47

    Ahh sa bukur do ishte vërtetë sikur zhvillimi i mentalitetit te shoqerise tone ti bente “skip” ketyre fazave te ndermjetme ku ne imitojmë ne menyre te shemtuar ca fenomene te gjasme botes se zhvilluar… Sikur shumica e njerzve ta jetonin jeten ashtu si ju vjen e pa u hequr si dikush qe sjane e skane per te qene ndonjehere, ndoshta do kishte pak me shume doza lumturie nen kete qiell kaq gri…
    Nejse, shkrim shume i bukur e qe te ve ne mendime…

    Reply to this comment
    • 13 Mai . Edhe 100 atyre qe kan sot Ditelindjen May 14, 14:40

      GR,
      i paske hedhur prozhektoret ne thellesi te Fragmentit
      e rrezikon te besh kritikun .
      Jo, un s’kam asgje kunder sepse vet i kaloj shkrimeve ne menyre siperfaqsore ktu ,
      pa i kushtuar ate vemendje e syrin e kritikut sepse mendoj qe hajt mo pfff…(non mé frega nulla ) .
      Mundet te keni edhe te drejte . Mua me beri pershtypje se mungon emri Romanit /Tregimit dhe cfar eshte ´kyresorja Autori .
      Megjithate hajt mo … me mir dicka zbavitese qe ka te bej me Letersine sesa politike ose lajme idiote .

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*