U internova si kushëri i Beqir Ballukut, vranishtjotët më trajtuan si bashkëfshatar
Rrëfimi i 92-vjeçarit Xhemal Balluku, kushëri i Beqir Ballukut. Si më internuan në Vranisht të Vlorës pasi Beqir Balluku u pushkatua si armik. Si ma lehtësuan jetën mua e fëmijëve mikpritja dhe ndihma e vranishtjotëve, vitet e gjata mes tyre, vështirësitë e jetesës, miqësia me vendasit dhe kontaktet e vazhdueshme me ta pas kthimit nga internimi në Tiranë.
92 vjeçari Xhemal Balluku: Bashkë me gruan e fëmijët, me një automjet të hapur na lanë në një kasolle në Vranisht të Vlorës. Por dhe pse ishim “me njollë”, banorët na u gjendën pranë, na afruan bukë, djathë e dru për zjarr pasi ishte dimër i ashpër. Burrat, fillimisht vinin e më bënin vizitë natën. U miqësuam. Kur erdha në Tiranë, shtëpia ime vazhdon të presë çdo ditë miq nga Vranishti i Vlorës.
Xhemal Balluku, kushëri i Beqir Ballukut (që u pushkatua si kryetari i “Grupit Puçist në ushtri”), e vuajti familjarisht internimin shumëvjeçar si i afërt i “armikut”. Ai u urdhërua të lwrw vendlindjen, Tiranën dhe të shkoj në Vranisht të Vlorës. Vetë si rrobaqepës e fëmijët në punët më të rënda në bujqësi, ai u detyrua t’i nënshtrohet fatit të dhimbshëm, ndonëse nuk kishte bërë asnjë faj… Edhe pse me “njollë” ai u prit me dashuri e respekt nga vendasit, të cilët iu gjendën pranë dhe e ndihmuan në kohën më të vështirë të jetës së tij… Në moshën 92-vjeçare, pak para se të ndahej fizikisht nga jeta, ai rrëfen kalvarin e mundimshëm të jetës së tij në internim dhe miqësinë e vazhdueshme me Vranishtin e banorët e tij…
MYSAFIR TEK 92-VJEÇARI
Aty, përpara një shtëpie përdhese, mbuluar me gjelbërimin e një hardhie, na pret i zoti i saj, Xhemal Balluku me dy vajzat. Është një shtëpi lufte, me Pllakë Përkujtimore në murin e portës. I vëllai i Xhemalit, Kasëmi, ka rënë dëshmor. Dhe i gjithë fisi ka qenë i lidhur me luftëtarët e lirisë. Kur e pyesim për këtë, Xhemali shprehet shkurt: “Po ja, të gjithë burrat e fisit tim, patën në dorë pushkën, kurse unë, gjilpërën…” Ai ishte kushëriri i Beqir Ballukut, ish-Ministrit të mbrojtjes Popullore, nga fisi i njohur i Ballukajve të Tiranës. Por që nuk harron të thotë, “se vetëm Beqiri, nuk shkelte në shtëpinë e tij, i vëllai i tij, Qemali, po, ai vinte shpesh gjatë
luftës, kur strehohej në konakët e mi si ilegal…” Xhemal Balluku ishte në punët dhe hallet e veta dhe si njeri i punës gjithë jetën ushtroi zanatin e rrobaqepësit. Po edhe ky zanat kishte patur
prejardhjen nga një ngjarje e papritur e disi aventureske.
RRËFIMI
Në vitin 1936 kishte kryer katër muaj shërbim ushtarak. Dhe qeveria e Mbretit Zog, ngaqë i mungonin fondet për të mbajtur ushtrinë,
do të lironte nga shërbimi shumë të rinj, ndërmjet tyre edhe Xhemalin. “Unë mbeta rrugëve të Tiranës, e më duhej të gjeja një punë”, tregon. Kur një ditë takova një turist të ardhur nga Gjermania. Ai erdhi drejt meje, a unë drejt atij, kjo s’më kujtohet. Veç mbaj mend që ai më
pyeti ku punoja. Merreshim vesh nëpërmjet gjermanishtes, që e kisha mësuar, falë ndihmës së profesorit të njohur të asaj kohe në Tiranë, Naim Vretos”, rrëfen Xhemali.
Atëherë Xhemali ishte 20 vjeç, i ri, me ëndrra të bukura për jetën. Dhe propozimi i gjermanit, që të shkonte të punonte në Gjermani e atje mund të mësonte edhe zanatin e rrobaqepësit, e joshi. Mori adresën e pas një muaji do të ndodhej në Berlin, në shtëpinë e mikut të tij gjerman, i cili edhe e strehoi për disa muaj, edhe e futi në një kurs rrobaqepësie. “Ditën punoja dhe natën mësoja për rrobaqepës”, tregon Xhemali. “Puna ishte shumë e vështirë dhe jeta në Gjermaninë e Hitlerit me ato ethet e përgatitjes për luftë, ishte akoma më e vështirë, sidomos për ne të huajt që përbuzeshim”, vazhdon rrëfimin i moshuari. Por, Xhemali do të ndjente edhe frikën se mos e rekrutonin ushtar. Kjo kishte ndodhur edhe me të tjerët që s’ishin gjermanë. Qëndroi 12 muaj në Gjermani e nxitimthi do të kthehej në Tiranë. “Ato muajt në Gjermani, kujton ai, ishin pjesa më e vështirë e jetës sime.” Sidoqoftë atje kishte fituar zanatin.
KTHIMI NË TIRANË
Hapi një rrobaqepësi në Tiranë dhe ndjeu kënaqësinë që ishte bërë i njohur. Në fillim si privat e më vonë në sektorin e shtetit. Na përmend se nga dora e tij priteshin e qepeshin rrobat më të mira. Vinin tek ai njerëzit që u pëlqente të visheshin bukur. Kjo do të ndodhte deri në vitin 1975. Atëherë Beqir Balluku, bashkë me ushtarakë të tjerë, do të dënohej si “puçist”. E pas kësaj, do të merrej një vendim i papritur e absurd edhe për Xhemalin. U internua familjarisht në fshatin Vranisht të Vlorës. Pse të ndodhte kështu? Ç’faj kishte bërë? Më vonë, duke njohur atë, dhe familjen e tij, të gjithë e kishin kuptuar se Xhemali nuk ishte fajtor për asgjë, veç ishte viktimë, viktimë e mbiemrit të tij “Balluku”. Por për këtë ai nuk dëshiron të flasë. “Eh, çdo gjë ishte e lidhur me kohën. Dhe, për atë që ka ndodhur me mua, as që e vlen të debatohet shumë. Le ta kujtojmë, por të dimë edhe të falim, se “viktima më e madhe ishte vetë populli”,- thotë Xhemali i menduar, me atë fisnikërinë e zemrës së tij të madhe.
INTERNIMI
Ishte dëbuar nga Tirana familjarisht për faje të panjohura për të e për të tjerët. Dhe vranishtjotët edhe sot e kujtojnë atë me dashuri e me dhimbje, siç i kujton edhe ai ata që iu bënë miq të dashur në kohë të vështira. Kishin kaluar me shumë se 25 vite, që ish ndarë me Vranishtin. Por Xhemali veç sa e përmend, ngjarjen që trondit çdo zëmer. E kishin larguar nga Tirana me familjen e tij të mrekullueshme, me bashkëshorten, Elenin, djalin e tyre, Skënderin, inxhinierin qe e vunë te punonte në brigadën e ndërtimeve të Kooperativës bujqësore, Ndërsa tri vajzat, Ariana, (ekonomiste), Luiza (argjendare), dhe Vera (arsimtare), së bashku me nënën e tyre, do të punonin në arë… Kjo ishte e dhimbshme për këdo, por Xhemali fisnik edhe sot e kapërcen dhimbjen me fjalën popullore: “Të shkuara”, edhe pse mbeten të pa harruara. E si për të gjetur ngushëllim, shton: “Ishte punw e vështirë të punoje në kooperativë, po këtu punonin të gjithë djemtë e vajzat e fshatit, madje edhe pleqtë.” E rëndësishme është, që ne dhe fëmijët tanë, na deshnin e na trajtonin si njerëzit e tyre. Dhe nuk më harruan kurrë edhe mua që më thërrisnin “mjeshtër i madh”, duke më falënderuar, që siç thoshin, u prisja e u qepja bukur rrobat, burrave e grave të fshatit, u stolisja pajën nuseve dhe çantat e fëmijëve të shkollës…”
RIKTHIMI NË TIRANË
Ai qëndroi për 9 vjet në fshatin Vranisht të Vlorës. Në vitin 1984 e kthyen në Tiranë. Për jetën në internim, që Xhemali e quan “internim, por midis miqve vranishtiotë”, i kërkuam një intervistë, që ai e priti me kënaqësi. Kjo ka ndodhur atëherë kur Xhemali sapo kish mbushur moshen 95 vjeçare. Dy vjet më vonë ai u nda nga jeta. Në shënimet e mia të shumta, intervista e tij më mbeti si një nga materialet më me vlerë. Këto ditë, në një takim të rastësishëm me Arben Saliun, vranishtiotin qe e njihte mirë Xhemalin dhe ishte bërë edhe shkak i bisedës me të, më lindi edhe mendimi, qe ajo intervistë mund të botohej edhe për mesazhet interesante që përcjellë, edhe për ta kujtuar Xhemalin, atë njeri të mirë e të dashur për të gjithë ata që e njohën…
INTERVISTA
Zoti Xhemal, a dinit gjë për Vranishtin e Vlorës, para se tw shkonit atje?
-Të them të drejtën, s’dija asgjë të saktë për fshatin ku do të më çonin në internim. E parafytyroja si një fshat malor, të largët e të humbur, futur në thellësi të vendit. Se, atje na dërgonin ne të internuarve…
Dhe, si e gjetët?
Krejt ndryshe… Fshat malor, po, por me një pamje natyrore shumë të bukur. Sa për njerzit, më të mirë nuk i përfytyroja dot: të dashur, besnik e mikpritës. Si ata, rrallë më kishin zënë sytë edhe në kushtet, kur isha i lirë, këtu, në shtëpinë time në Tiranë…
Si ta kuptojmë këtë, më konkretisht?
-Po ja, mendoni për një çast: Ti zbret nga kamioni, shoqëruar nga dy policë, në një vend të panjohur, ngarkuar me plaçka, me familjen prej 6 vetash, me gruan, tri vajzat dhe djalin, të tregojnë shtëpinë ku do banosh dhe ti mbetesh aty, i heshtur, i vetmuar. Në këtë situatë, i thua mendjes, siç i thashë dhe unë: “Këtu do të banojmë? Po si do të jetojmë, me se do të ushqehemi?” Dhe të kap trishtimi… Pastaj ndodhi, si me atë njeriun në një dhomë të errët, që dikush, pa e ditur as vetë, i ndez dritën për të parë.
Dhe, kush ua “ndezi dritën”?
-Të parët ishin fëmijët. Ata na ndihmuan, na çuan plaçkat në shtëpi. Pastaj, të rriturit… Ata në ditët e para vinin tek ne natën, se kishin druajtje. E dinin që ishim të internuar dhe megjithatë na pyesnin se çfarë nevojash kishim dhe si mund të na ndihmonin.
Si ju ndihmuan vranishtjotët?
-Pothuaj për gjithçka. Që në ditët e para na sollën bukë, djathë, fasule dhe disa barrë me dru. Ishte prag dimri dhe drutë e zjarrit qenë dhurata më e çmuar.
Ju thatë se burrat vinin tek ju natën?
-Jo, jo, natën na vinin në fillim. Pastaj filluan të vinin edhe ditën. Me sa duket kishin mësuar se cilët ishim, pse na kishin prurë aty… E vranishtiotët, si “kokë më vete” që janë (të paktën, kështu thuhet për ta), nuk pyesnin më. Na vizitonin shpesh e na ndihmonin. Bile na ofronin edhe miqësinë e tyre. Kjo ndodhi, kur të tri vajzat nisën të punonin në kooperativë, djali në brigadën e ndërtimeve e unë në rrobaqepësinë e fshatit. Atëherë u bëmë edhe miq, sikur të ishim njohur prej kohësh.
Kush ishin ndër të parët që ju ndihmuan?
-Tw parët ishin ata që kishin autoritetin te njerëzit dhe u dëgjohej fjala. Ishte Maman Saliu, një veteran lufte, kolonel, që kishte lënë Tiranën në ato vite e kishte ardhur vullnetarisht, me gjithë familjen për të ndihmuar vendlindjen… Po ishte edhe Alush Majko, një babaxhan qw na donte. Kishte edhe shumë të tjerë, njerëz te thjeshtë. Me sa kisha kuptuar unë, ata në heshtje donin edhe Beqir Ballukun, se kishin luftuar me të e ndjenin keqardhje për atë që i kishte ndodhur. Por për të folur, kuptohet, nuk flisnin hapur… Do tu tregoj një rast që mbetet i rëndësishëm për jetën time. Pas qëndrimit disa vjet në Vranisht, na erdhi vendimi për t’u larguar në fshatin Babicë. Se kështu veprohej me të internuarit, nuk i mbanin për shumë kohë në një vend. Unë nuk desha të largohesha, punoja si rrobaqepës e kisha krijuar miqësi me vendasit. Vërtetë gruaja e fëmijët punonin në arë, po në arë do të punonin kudo. Pastaj, na ngushëllonte mendimi se në arë punonin të gjithë të tjerët, djem edhe vajza të fshatit, që të cilët i trajtonin fëmijët e mi… Dëshpërimi im u bë i njohur dhe për fshatarët, të cilët nuk e deshën largimin tonë… I thamë Mamanit të na ndihmonte dhe ai, “në emwr të fshatit”, ndërhyri e ne nuk u larguam, deri sa erdhëm në Tiranë… Kam shumë miq në Vranisht, sikundër dhe në vend lindje, në Tiranë…
Ku keni më shumë miq, në Vranisht apo në Tiranë?
-Të them të drejtën, më shumë miq kam në Vranisht. Thonë që njerëzit, kur janë në vështirësi, kanë nevojën e miqve. Unë isha në vështirësi dhe nevoja më bëri të kisha shumë miq të mirë, që më kuptonin dhe më nderonin. Këtë, unë nuk kam për ta harruar kurrë.
Kanë kaluar më shumë se dy dekada e gjysmë që e keni lënë Vranishtin, gjatë kësaj kohe, cilat kanë qenë lidhjet tuaja me të e banorët e tij?
-Për shkak të moshës, unë nuk kam qenë këto kohë në Vranisht. Po ç’rëndësi ka kjo, kur Vranishti ka ardhur tek unë? O sa vranishtiotë kanë shkelur në shtëpinë time, këtu, në Tiranë! Pak kohë më
parë, më erdhën në shtëpi, pa trokitur fare, 13 vranishtiotë. Ata e ndjenin se vinin si në shtëpinë e tyre. E kjo më gëzoi. Biseduam gjatë, pimë raki, kujtuam ato vite, u çmallëm. Ja sot ka ardhur këtu Arbeni, djali Mamanit. Ai ka ardhur edhe herë të tjera. Kemi qenë miq e miq kemi mbetur…
Vetëm kaq?
-Mos doni të thoni se jemi edhe vëllezër? Shkruaj që, edhe vëllezër jemi, po vëllezër të vërtetë dhe të pandarë.
Vetëm labçen nuk mundët ta mësonit dot, apo jo?
-Oh, për këtë mos më pyet, se më vjen keq që edhe ison e heq zvarrë. Çfarë nuk ka bërë profesor Muhamet Tartari, ai drejtori i Shtëpi së Kulturës që t’mi mësonte ato këngë aq të bukura, që tundin edhe malet. Edhe së fundit, dy herë e ka sjellë grupin polifonik, këtu, në shtëpinë time. Koncertin e dytë e dhanë në oborrin e shtëpisë. Gjëmoi kënga e vallja gjer vonë. Atë natë njerëzit dilnin nëpër dritaret e pallateve përreth e thoshnin: “Ç’ka ndodhur vallë në shtëpinë e Xhemal Ballukut, po bëhet dasmë?”
Megjithëse i internuar, “me njollë” nga Beqir Balluku, jetove i respektuar mes vranishtiotëve e mbetët miq?
-Sigurisht. Ashtu vërtetë. Në Vranisht kam dëgjuar të thonë: “Mikut jepi besën dhe i ke dhënë edhe shpirtin. Dhe shpirti i tyre është i mbushur plot me dashuri e me këngë. Dhe, unë uroj që atyre njerëzve të mirë përherë t’u këndojë zemra…
Bere mire,o Duro Mustafai,qe na njohe me kete burre babaxhan,me Xhemal Ballukun,packa se ai nuk jeton sot.O Duro vellai,po pse ,i varferi Beqir Balluku a nuk ishte babaxhan e fisnik si Xhemali(ndjese pacin te dy)???!!!
Enveri , o Duro, Enveri na mori ne qafe!
Nuk ia ka fajin ENVER HOXHA ketyre,por B.Balluku,qe u vu ne sherbim te te huajve!Prandaj mallkoni Beqirin per vuajtjet tuaja!
Respekt per vuajtjet e Xhemalit. Por, njeriu sojlli mbetet fisnik e nuk prishet, pavaresisht rrethanave qe i krijohen ne jete. Rrahmet paste.
Respekte dhe i paharuar qofte kujtimi dhe emri i te madhit Maman Saliu- pjelle e legjendarit Sali Vranishti. Rrace patriotesh e fisnikesh.
Pershendetje Arbenit e Gezimit-djemte e babes.
Po qekur gazeta e bllokut shkruan per dhimbjet e internimet ? Cfare hipokrizie…..
pse cprisje ti more lani qe te shkruanin per nenen tende, po ik more kelysh i saliut
Ti LANI mos u merr me diversion ,por kije mendjen ne mesim .
Shume jane internuar ne kohen e ENVERIT ne LABERI ,mirepo leberit ,i takonin dhe nuk e canin menderen se cthoshin sigurimsat ,se LABERIA ka pasur ,ka dhe do te kete HIJE te RENDE dhe VALLEN e hedh rende ,pavaresisht se behet fjale per LUMIN e VLORES apo dhe per 2 anet e VJOSES , si ate te rretheve VLORE ,,TEPELENE edhe per MALLAKASTREN e EGER .
Ne asnjeher nuk i kemi trajtuar te INTERNUARET NDRYSHE NGA VETJA ,POR I KEMI RESPEKTUAR DHE ATA NA KANE RESPEKTUAR .
Nje shoku im ,ka patur ne pune djemte dhe nusen e djalit te ABDYL KELLEZIT .
Kur ata iken ne TIRANE ,MBAS VITEVE ’90 , njeri nga djemte takoi GRUAN e atij qe e kishte patur drejtues dhe pa e njohur i tha :
Pse kete ke marre burre ti qe vec punes se shtetit rrinte dhe me ne te INTERNUARIT .dhe se per shkak tonin e merrte ne pyetje si sigurimi dhe levat e shkerdhyera ter partise se PUNES .
Mire ka bere autori qe na e risjell kete shkrim sa per njohje por dhe per ate qe ne SHQIPTARET JEMI NJE ,SHQIPERI E jugut ,e MESME e veriut ,nuk kemi te ndare duke perfshire dhe gjithe TROJET ETNIKE qe do te behen nje me siguri ne nje te aferme .
ehhhhh babai im ndjese paste kur mori vesh se do pushkatohej sa nuk i ra te fiket iai thoshte bure trim dhe luftetar si beqiri nuk kish ne ate lufte ,,ai u be tmeri i gjermaneve dhe kur kujtonin ate ne breke u shpetonte por xhelati ata njeres nuk i donte ,,,i pa haruar qofte kujtimi i tyre
Jam rritur me ate dhimje per historine e Beqir Ballukut dhe te tjerve
a i vran ndergjegjja ate NEXHMIJEN E BIJT E SAJ per ato vrasje e denime qe kan bere ZOTI I DENOFT ATA GJAKPIRSA