U jepnin çdo leje çdo muaj vrasësve, 11 ish-funksionarë burgjesh në prokurori

March 5, 2014 09:39

U jepnin çdo leje çdo muaj vrasësve, 11 ish-funksionarë burgjesh në prokurori

Ministria e Drejtësisë çon në Prokurorinë e Tiranës 11 ish-funksionarë të Burgjeve për abuzime me lejet ndaj të dënuarve, mes të cilëve 6 ish-drejtorë në Lushnjë, Durrës, Fushë-Krujë, Korçë, Rrogozhinë dhe Peqin, 4 ish-përgjegjës sektorësh dhe një mjek. Ministri i Drejtësisë Nasip Naço kishte urdhëruar SHKB-në e Burgjeve që të ngrinte një Komision Verifikimi të praktikave të ndjekura gjatë vitit 2013 në burgje për të dënuarit dhe të paraburgosurit.

“Nga analizimi i këtyre dosjeve, u konstatua se janë dhënë rreth 2500 leje shpërblyese dhe të veçanta. Nga numri total i lejeve të dhëna, të veçanta janë 404, ku 97 prej tyre janë dhënë në kundërshtim të hapur me bazën ligjore me anë të së cilës rregullohet procedura e dhënies së lejes”, njoftoi dje Ministria e Drejtësisë. Dhe një fakt i dyshimtë është se lejet janë dhënë të gjitha në periudhën Korrik-Gusht-Shtator të vitit 2013, konkretisht rreth 800 leje shpërblyese dhe të veçanta.

Mësohet se nga Burgu i Kosovës janë dhënë 55 leje të veçanta, 9 prej tyre me shkelje. Gjithashtu konstatohet se për një të dënuar, gjatë kësaj periudhe janë dhënë 7 leje, çdo muaj nga një leje për shkak se i sëmureshin familjarët sipas raporteve të lëshuara nga i njëjti mjek ORL në Fier. Në Peqin janë dhënë 68 leje të veçanta, nga të cilat 41 me shkelje të rënda, ku ka mospërputhje raportesh e dokumentesh. Në Rrogozhinë janë dhënë 123 leje të veçanta, ku 40 prej tyre kanë shkelje ligjore, ku drejtori nuk ka marrë mendimin e mjekëve, ekspertëve dhe psikologëve. Gjithashtu konstatohet se gjatë kësaj periudhe, janë dhënë disa herë leje të veçanta, 4 deri në 5 leje për disa të dënuar. Në Korçë janë dhënë 3 leje të veçanta në kundërshtim me ligjin, ku lejet janë dhënë pa certifikatën e vdekjes së familjarit të të dënuarit. Po kështu në Zahari të Krujës u zbulua 1 leje me shkelje, pasi nuk është vërtetuar vdekja e familjarit. Në Shënkoll-Lezhë janë dhënë 2 leje abuzive, pasi familjari i sëmurë rëndë kishte dalë prej ditësh nga spitali dhe në Vaqarr një leje me të njëjtat rrethana. “Personat që kanë përfituar leje abuzive në pjesën më të madhe janë të dënuar me rrezikshmëri shoqërore të lartë, për veprën penale të vrasjes, në format e ndryshme të saj. Kontrolli konstatoi konsumim të veprave penale nga funksionarët dhe i gjithë dokumentacioni u përcoll në prokurori për shpërdorim detyre”, thuhet në njoftim.

Ministria e Drejtësisë bëri me dije se është vendosur që planifikimi i lejeve të mos jetë më një mujor, por një vjeçar dhe në çdo rast leje do të njoftohet Policia e Shtetit. Do ngrihet një data-base i veçantë ku do regjistrohen lejet e dhëna për çdo burg dhe sistem raportimi ditor për kërkesat. Këto masa merren për të parandaluar arratisjet, abuzimet dhe për të forcuar kontrollin në burgje apo goditur rastet korruptive.

 

Lista e të denoncuarve:

Në Lushnjë

Ish-Drejtori i IEVP Kosovë, Shkëlqim Krasniqi

Ish-Përgjegjësi i Sektorit Ligjor, Eris Bregasi

Ish-Përgjegjësi i Sektorit te Shëndetësisë, Ardian Gjini

 

Në  Rrogozhinë

Ish-Drejtori, Rezart Tusha

Ish-mjeku, Alban Haxhi

 

Në Peqin

Ish-Drejtori, Saimir Hasalla

 

Në Fushë-Krujë

Ish-Drejtori, Grigor Prifti

Ish-Përgjegjësi i Sektorit Ligjor, Saimir Leka

 

Në Korçë

Ish-Drejtori, Koço Bello

Në Durrës

Ish-Drejtori, Denion Shëngjergji

Ish-Përgjegjësi i Sektorit Ligjor, Dorian Oketa

March 5, 2014 09:39
Komento

1 Koment

  1. Coban March 7, 01:36

    Hi hi.ky koco bello kudo ku ka punuar per prokurori eshte.bravo

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*