U krijua në kulmin e operacionit armik të qershorit, 76-vjetori i Brigadës XV Sulmuese

June 29, 2020 13:45

U krijua në kulmin e operacionit armik të qershorit, 76-vjetori i Brigadës XV Sulmuese

Brigada XV Sulmuese partizane u formua më 29 qershor 1944 në Protopapë të Oparit në Rrethin e Korçës. Edhe pse, për shkak të situatës, inagurimi nuk mundi të përfundonte më 29 qershor, ajo u formua, u organizua dhe u provua si formacion i konsoliduar në zjarrin e luftës në përgjigje të detyrave luftarake që iu ngarkuan. Që të nesërmen, më 30 qershor partizanët nisen për aksion, mbasi ushtria gjermane ishte në lëvizje nga fusha e Korçës e deri në Çorovodë. Njeri nga formacionet e rinj të Brigadës niset nga Gora për në Mokër. Aksionet e njëpasnjeshme e evidentuan vlerat, nevojat dhe drejtësinë e Urdhërin e Shtabit të Përgjithshëm për të krijuar Brigadën XV Sulmuese partizane që, sipas historikut të vet dhe dëshmive të ishpartizanëve: – “Ditën e martë, më 25 korrik 1944, në qafën e Panjës, afër Gurit të Kamjes në Pogradec, u bë inagurimi i plotë i brigades së XV Sulmuese partizane!”

750 partizanët e parë të kësaj brigade vinin nga batalioni “Fuat Babani” me partizanë nga Devolli, batalioni “Hakmarrje” me partizanë nga rrethi i Kolonjës, nga batalioni “Skënder Çaçi” dhe batalioni i Rinisë nga rrethinat e Korçës, nga batalioni “Reshit Çollaku” nga Pogradeci, nga batalioni “Tomorri”. Që në formimin e saj kishte 8% të efektivit vajza partizane. Në përbërje të brigades ishin 128 antarë të Partisë Komuniste, dmth vetëm rreth 17% e të gjithë efektivit! Gjatë veprimeve luftarake u rritën numerikisht radhët e luftëtarëve të lirisë me bij e bija të tjerë nga populli.

Veprimet luftarake të brigades XV Sulmuese u zhvilluan nën drejtimin operativ të komandës së brigadës me komandant Heroin e Popullit Teki Kolaneci dhe komisar Shahin Ruka. Veprimet e kësaj brigade ishin në mbështetje dhe në zbatim të strategjisë luftarake të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, kombinuar me veprimin e strukturave në batalione dhe kompani.

Sipas historikut të Brigadës dhe dëshmive të protagonistëve, më 3 korrik 1944, partizanët goditen me forcat balliste për herë të parë si luftërtarë të një formacioni të madh luftarak si Brigada e XV Sulmuese në veprimet luftarake në territorin nga Gora në Mokërr.

Kjo brigadë përballoi me veprime konkrete të suksesshme propagandën reaksionare në popull, ngjalli shpresën dhe besimin në luftën e drejtë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ata fituan dashurinë, respektin dhe mbështetjen në popull falë fitoreve të arritura në çdo aksion e në çdo pritë. Partizanët fituan popullaritet tek banorët ku vepronin. Ata u bënë realisht njerëzit më të besuar! Ata u prezantuan në popull edhe me veprimtari artistike që nuk munguan për të festuar fitoret e arritura me çlirimin e qyteteve në Pogradec apo Elbasan!

Luftëtarët e lirisë dhe drejtuesit në çdo njësi ishin edhe komunikues të thjeshtë e bindës, propagandues të besueshëm në mbrojtje të të vetmes rrugë të drejtë të luftës për liri e antifashizëm! Me të gjithë prezantimin si luftëtarë të lirisë ata fituan dashurinë, mbështetjen dhe  popullaritetin e merituar tek banorët.

***

Që në formimin e saj kësaj brigade iu ngarkua spastrimi i zonës së rrëzës së Korçës, Gorë-Oparit dhe Mokrrës prej forcave pushtuese dhe reaksionit vendas në mbështetje e bashkëpunim me armikun. Në këta territore ishte krijuar situatë e rëndë në sajë të raprezaljeve të pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në kuadrin e operacionit armik të qershorit që kish filluar të zbatohej në mënyrën më të egër e më mizore të mundëshme që më 8 qershor 1944!

Kjo brigade duhet të kthente qetësinë, sigurinë e popullit të terrorizuar, të masakruar e të gjymtur, kryesisht të moshuar gra e fëmijë të atyre anëve, të djegur e të plaçkitur. Kjo brigade duhet të ringrinte strukturat këshillave antifashiste nacionalçlirimtare, të punonte edhe drejtpërdrejt me propaganda bindëse me popullin që të ngrinte lart besimin tek lufta e drejtë antifashiste e nacionalçlirimtare dhe tek fitorja mbi pushtuesin e forcat reaksionare vendase. Kjo Brigadë do të kishte rol të fuqishëm realizues si në zbatimin korrekt të detyrës luftarake që iu ngarkua nga shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe duhet të justifikonte konkretisht këtë besim! Krahas kuptimit, zbërthimit e konkretizimit të detyrës luftarake, komanda e brigadës dhe komandat e batalioneve, që u formësuan në dinamikën e aksioneve e luftimeve, pa pritur situata më të qeta, u organizua hap pas hapi në luftë, përpjekje e rezultate! Brigada u formësua, u organizua, u konsolidua nëpërmjet aksioneve! Sukseset e aksioneve provuan forcën realizuaese të këtij formacioni të ri, forcuan e kompaktësuan strukturat e saj dhe lidhjet brenda strukturave dhe, në të njejtën kohë vërtetuan se vendimi që u muar për krijimin e saj ishte i duhuri për të gjithë treguesit në kohë, hapësirë, kuadrot dhe formaciotnet e përzgjedhur! Ishte zgjidhja që diktonte analiza konkrete e situates konkrete!

 

Çdo strukturë brenda brigadës e kishte të qartë e konkrete detyrën që do të kryente!

I gjithë efektivi dëshmoi atdhetarizëm, antifashizhëm, dashuri për lirine, dashuri për popullin e pafajshëm dhe për çdo pëllëmbë trualli që po masakrohej, dëshmoi por edhe aftësi të larta luftarake dhe disipline të forte në respekt e në përputhje me kërkesat e çdo detyre të ngarkuar, pavarësisht nga vështirësitë dhe rreziku! Kuadrot dhe partizanët e kësaj brigade e kishin filluar shkollën e luftës për liri në terren, por edhe në formacione të tjerë më të vegjël luftarakë nga njesitet guerrilje, çetat territorial dhe batalionet partizane.

Veprimet kryesore luftarake më të rëndësishme të kësaj brigade janë zhvilluar kryesisht në Korçë, Pogradec, Elbasan Ato ishin kryesisht në përpjekje kundër forcave të bashkuara të pushtuesve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre xhandaro balliste.

Brigada XV Sulmuese partizane është quajtur ndryshe “Brigada e Aksioneve dhe pritave të suksesshme”!

– Kjo brigadë çliroi një territor prej 4000 km2 dhe iu dha lirinë qyteteve:

Pogradec, Elbasan dhe kontribuoi për çlirimin e qytetit të Tiranës

– Ka goditur vazhdimisht kolonat armike në rrugët:

Korçë-Strugë dhe Elbasan-Tiranë ku ndër veprimet luftarake më të përmendura është mbajtja nën kontroll e rrugës Elbasan – Qafë Kërrabë – Tiranë, beteja e Mushqetasë për të mbështetur veprimet luftarake për çlirimin e Tiranës!

– Ka mbyllur forcat gjermane në fortifikata në:

Korçë, Pogradec, Librazhd, Elbasan, Çervenakë, Qafë Thanë, Prrenjas, Qukës, Xibrakë, Kaçolitë (Kërrabë) me mbi 3000 ushtarë e oficerë e me armët më moderne të kohës.

– Ka shpartalluar dhe çarmatosur mbi 2000 forca xhandaro-balliste

– Ka kryer 37 aksione kryesore. Në këto aksione ka vrarë mbi 533 ushtarë e oficerë gjermanë e ka kapur 72 robër lufte.

– Shkatërroi 200 makina, 4 tanke e autoblinda.

– Zuri 36 topa, mortaja e mitraloza të ndryshëm si edhe sasi të mëdha municioni.

Nga kjo brigade dhanë jetën 50 dëshmorë e u plagosën 73 partizanë e partizane.

Kjo brigade ka dy heronj të Popullit: ish komandantin e saj trim e luftarak Teki Kolaneci dhe Llazi Pulluqin.

Në luftën për liri kontribuan të gjithë shqiptarët që e deshën lirine dhe antifashizmin pa dallim krahine, bindje politike, feje, gjinie, moshe! Edhe në Brigadën XV Sulmuese kishte luftëtarë nga i gjithë qarku i Korçës, kishte nga fshati e qyteti, kishte bujq e puntorë, por edhe intelektualë, kishte të rinj e shumë të rinj në moshë, kishte djem por edhe vajza! Brigada numëronte 58 vajza trimëresha gjithashtu!

 

Nga ditari i ish komandantit të kompanisë së tretë, batalioni II në Brigadën XV Sulmuese, dëshmorit të LANÇ Murat Abazi Selenica:

 

 

Në muajin mars e prill, si u çel koha, lëvizim deri në Mësar, Luaras, Rehovë, Kurtes, Mësiçkë. Ballit i kanë rënë pendët.

 

Masat përgatitore të formimit të Brigadës XV Sulmuese po ndiheshin që në ditët e Kongresit të Përmetit. Formacione të ndryshëm partizane koordinonin veprimet luftarake në përgjigje të detyrave luftarake nga qendra. Me përfundimin me sukses të punimeve të Kongresit, formacionet e ngarkuar në mbrojtje të tij morrën urdhër të largohen dhe të marrin detyra të tjera. Batalioni “Hakmarrje” u nda me batalionin e brigades së V S. Brigada e V S erdhi në vijën e parë në Kolonjë. Brigada e V S mori urdhër për t’u larguar. Batalioni “Hakmarrja” vepronte në kodrat e Gjançit. Mbas një përpjekje u tërhoqën në Selenicë dhe Stratobërdhë ku u bë një rezistencë. U vranë mjaft gjermanë. Në kalimet e Rungajës u vranë 20 gjermanë. Batalioni “Tomorri” ishte në Bellovodë e Leshnjë. Ndërkohë pushtuesi, ditën e mërkurë, më 7 qershor, filloi operacionin e qershorit, operacioni II gjerman në stil të gjerë. Ky operacion gjerman filloi në anën e Pogradecit në Qarkun e Korçës, doli në Opar e në krah të Tomorricës dhe në Përmet. Në këtë operacion gjermanët lëshuan tre divizione për të shkatërruar ushtrinë tonë. Sipas strategjisë së operacionit gjerman synohej të ngjallej tmerr në popull! Ata dogjën e plaçkitën gjithçka mundën në popull! Nga ana tjetër, duke bashkëpunuar me forcat reaksionare në vend, synuan të ushqenin ambiecjen të rritnin besimin dhe moralin e Ballit Kombëtar. Gjermanët hedhin trakte: “poshtë anglezët dhe sovjetikët”! Këta përfytyronin që partizanët t’i fshinin nga Shqipëria dhe Ballistët të merrnin flamurin në dorë!

Forcat tona rezistuan sa patën fuqi. Batalioni “Hakmarrje” luftoi në Rungajë e në pyllin e Radovickës. Dëme nuk patëm në forca njerëzore dhe duallëm mirë. Ekonomikisht patëm dëme si ne ashtu edhe populli. Me gjithë dëmet, përkundrazi, ne si ushtri dolëm më të forte!

Batalionit “Hakmarje” i kërkohet një pjesë e partizanëve.

E enjte, 8 qershor! Gjermanët kalojnë Osumin. Operacioni ishte me stil të gjerë. Patën ardhur forca edhe nga Jugosllavia. Ishin gati 3 divizione!

E shtunë, 10 qershor neve kemi kaluar në pyllin e Radovickës. Gjermanët ishin përtej lumit dhe ne, forcat partizane ishim përkëtej. U kthyem mbas prapavijave gjermane duke kaluar tërë natën pranë Qinamit të Radovickës të lodhur e të raskapitur. Një pjesë bashkë me intendencën i nisëm për në Frashër dhe tani po rrimë ilegalë.

E hënë, 12 qershor batalioni u nis për në Opar. Kishim me vete antarin e komandantin e qarkut Teki Kolanecin dhe po shkojmë në Opar për spastrimin e ballistëve.

E mërkurë, 14 qershor shkuam nga Shtylla në Rungajë.

E enjte, më 15 qershor sulmojmë bashkë me Nasi Vithkuqin. Këtu çlodhemi. Zumë 10 kuaj e një sasi bukë e miell. Xhandarët patën ikur.

E djelë, më 18 u kthyem për në Selenicën e Pishës. Erdhëm në Lubonjë e Rehovë.

E hënë, më 19 qershor, një pjesë e batalionit “Hakmarrje” u rreshtuam për në brigadën e 15!

Kemi qenë në Lubonjë së bashku. Roja e Qesarakës goditet me Ballin. Balli sulmon Selenicën e Pishës e për ta rrethuar me xhandarë.

Ditën e martë, më 20 qershor balli e xhandarët kanë vajtur në Selenicë të Pishës dhe po i shtërngojnë fshatarët për pushkë. Në këtë lajm na vjen korrieri i Rizajt[1] nga Batalioni “Tomorri” që ndodhej në Panarit. Që këtej, nga mbrapa me mitraloz e murtaja kalon Rizaj. Ne nisemi e sulmojmë nga Mësari, mbasi ishim në Stratobërdhë. Ballistët shpartallohen. Nga ky aksion i përbashkët u vranë 7 ballista duke përfshirë me ta Osman Gaduçin. Ne na u vranë 6 shokë dhe një u plagos. U zunë 8 mushka të ngarkuara me material! Ballistët u shpartalluan! U zunë 2 robër, u vranë gjithsej 22 ballistë. Ata morrën përgjigjen që u takonte! Ne qendrojmë në Mësar dhe Luaras.

Ditën e mërkurë, më 21 qershor shkojmë në Qytezë dhe aty na arrin një pjesë e batalionit “Fuat Babani” e bashkë me të shkojmë në Luaras, Kurtes, Mësiçkë, Navoselë. Në kodrat e Navoselës goditemi me rojet balliste të Gostivishtit. Në Mësiçkë e Navoselë rrinë për dy ditë pjesa e partizanëve të Devollit me partizanë të Batalionit “Hakmarrje”.

E shtunë, 24 qershor, një skuadër e jona shkon në Gostivisht për të kontrolluar në kishte ballistë.

E djelë, 25 qershor, kthehemi në Blush për të tërë natën të lodhur dhe pa bukë. Tani nisemi për në Lubonjë. Këshilli na ndan në baza ku edhe mundëm të hamë bukë. Tani ndahemi për herë të fundit nga batalioni 80 vetë e 20 antarë partie. Shkojmë në Vithkuq drejt Luarasit, Lekasit, Shkozanjit bashkë me batalionin “Fuat Babani”. Duket që brigada XV do të formohej nga partizanë të këtyre batalioneve: të “Rinisë”, të Vithkuqit, “Fuat Babani”, “Tomorri”, “Reshit Çollaku”,  “Hakmarrja” që vepronin kryesisht në qarkun e Korçës.

E hënë, 26 qershor, ndahemi e përcillemi me shokët në Lubonjë.

E martë, 27 qershor, jemi në Vithkuq e udhëtojmë drejt Lavdarit

E mërkurë, 28 qershor jemi në Lekas e Shkozanj. Bashkë me Batalionin “Fuat Babani” arrijmë në Lavdar dhe po kalojmë për në Protopapë. Këtu marrim racione ushqimi e shkojmë dhe qendrojmë në Pulahë.

Ditën e enjte, më 29 qershor mblidhemi të gjitha forcat për formimin e Brigadës XV tek kroi i Buzos në malin e Protopapës. Këtu u bë ndarja e batalioneve nga pjesa e Batalionit “Hakmarrje” me pjesën e Leskovikut e një pjesë të rinisë. Batalioni II ku jam edhe unë, përfshin 160 veta. Inagurimi nuk u bë i mirë. Ndahen batalionet: I, II, III, IV. Nuk mbaroi inagurimi e organizimi se nuk pati kohë. Forcat balliste vinin rrotull në Mokërr dhe bënin tortura. Armiku ishte venë në lëvzje.

Më 30 nisemi, mbasi ushtria gjermane ishte në lëvizje nga fusha e Korçës e deri në Çorovodë. Në këtë ditë marrim lajmin se gjendja përmirësohet. Forcat gjermane largohen. Ne nga Gora shkojmë në Mokërr.

 

Në bllokun kalendar të xhepit “An every day reminder”, ishte shkruar një listë emërore e partizanëve sipas strukturës organizative dhe armët që ata dispononin. Edhe nga renditja e emrave të partizanëve në skuadra duket që organizimi dhe inagurimi i Brigadës XV Sulmuese nuk mundi të përfundonte në ditën që duhet të inagurohej, por në zjarrin e veprimeve luftarake.

 

 

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte periudha që evidentoi dhe lartësoi të gjitha karakteristikat dhe vlerat më të mira të shqiptarëve të kultivuara në shekuj! Në këtë luftë luftëtarët i dhanë besën atdheut për të luftuar deri në fund të jetës së tyre, U dhanë fjalën familjarëve se do të ktheheshin në vatrat familjare vetëm me fitoren e lirisë, i qendruan pranë njeri tjetrit më afër se mes vëllezërish dhe motrash. Ndanë mes tyre kafshatën e bukës. Iu mjekuan plagët e luftës me kujdes e me shumë dashuri. Populli i mbajti bijtë e vet me ushqime e veshmbathje. Populli i strehoi dhe ju gjend bijve të vet me të gjithë bujarinë, dashurinë edhe në kushtet e skamjes dhe të varfërisë! Armatimin e siguruan në luftimet me pushtuesin!

Edhe nga këto të dhëna fakti provohet se jo vetëm njihej gjendja e armatimit e pajimeve personale të partizanëve, por ishte i organizuar më së miri informacioni për gjendjen e nevojat e tyre me ushqime e veshmbathje apo nevojat për kujdesin për gjendjen shëndetësore si edhe kujdesi e nderimi për trupat e shokëve të rënë në beteja. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte e mirorganizuar. Veprimet e të gjithë formacioneve koordinoheshin e drejtoheshin nga strukturat përgjegjëse në mënyrë vertikale, pa lënë mënj’anë edhe karakterin e luftës partizane. Gjithashtu, ushtria antifashiste e nacionalçlirimtare dhe kjo luftë shumë shpejt u njoh si pjesë përbërëse e Aleancës Antifashiste Botërore si nga pikëpamja e organizimit, ashtu edhe nga pikëpamja e veprimeve luftarake dhe nga krakteri e misioni i saj. Kuptohet, baza kryesore, më e sigurt dhe më e besueshme ishte populli i bashkuar me luftën për liri.

Edhe pse intendenca partizane nuk e kishte të lehtë të plotësonte nevojat e aq më pak ku e kur duhej, populli u hapi zemrat e dyert e shtëpive luftëtarëve të lirsë, ndau me ta ushqimet e gjithçka kishte mundësi të kontribuonte për lirinë…

 

Nëntor 1944

 

… Ditën e martë, më 28 nëntor u bë parakalimi në Tiranë. Parakaluan partizanë të Brigadës së I, VIII, X, XV dhe brigada Proletare. Populli e priti me entusiazëm, brohori e me lule. Shkodra akoma nuk është çliruar në këtë ditë. Në këtë festë ishin edhe misionet jugosllave, ruse, angleze. Këtu mbajti një fjalim Mehmet Shehu. Komandanti Enver Hoxha theksoi veçanërisht aspekte të situatës politike jashtë nesh dhe sidomos lidhur me fqinjët tanë kufitarë. Si psh çështjen greke të P. Papandreut e Zervës dhe qëllimet e tyre mbi Shqipërinë. Ne synojmë vëllazërim mes popujve edhe me popujt e Jugosllavisë!

 

 

 

 

Llazi Dimo, Antar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ,

ish partizan dhe ish përgjegjës rinie kompanie në Brig XV

 

Docente Doktore në Sociologji Elidiana Canaj,

N/kryetare e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ – “Nderi i Kombit”

(bijë e Murat Abazi Selenica dhe e Përparime Abazi Grabocka,

 ishpartizanë të kësaj brigade)

 

June 29, 2020 13:45
Komento

3 Komente

  1. demo June 30, 13:42

    Te dish te perdoresh popullin llum per te mbajtur te pushtuar Shqiperine,kjo ka qene aftesia e vertete e pushtuesve te Shqiperise,qe jane:
    GREKET DHE SERBET.
    Keto reparte ushtarake banditesh,u krijuan nga serbet dhe u armatosen nga englezet per te pushtuar Kosoven,per te cfarosur Camerine dhe per te skllaveruar me dhune dhe terror popullin shqiptar.

    Reply to this comment
  2. Dhimitës M Xhoga . June 30, 21:55

    Faleminderit PENAVE atdhetare,një jetë aktivë,këtë vlerësim sjellë,që përket gjithë Njisive Partizanë sa popullit tonë,në atë luftë clirimtare të pashoqe.
    Lavdi të RËNËVE sa Përjetësi atij shëmbulli atdhetar. Shëndet figurave të tilla Pasardhës dhe Pasues Vetaranë,si Llazi Dimo dhe Elidiana Canaj- ELITA, e kësaj oranizatë.

    *Pasuesi veteran* 84 vjecar= Dhimiter M,Xhoga .

    Reply to this comment
  3. Arben July 2, 06:00

    Litari litari litari litari litari për sigurimin e shtetit sllavo-komunist.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim