U lënduan krerët e Greqisë?!

Dashamir Tahiri December 2, 2012 17:57

U lënduan krerët e Greqisë?!

Sa qenkan lënduar krerët e Greqisë e të Maqedonisë nga një deklaratë, e cila i referohej fjalëve të 100 viteve më parë, të të mençurit Ismail Qemali. “…Nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë…”. Asnjë prej këtyre vendeve, të përmendura dikur nga Ismail Qemali, e të ripërsëritura pak ditë më parë në 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar nuk janë sot nën juridiksionin e Shqipërisë.  Presheva, nuk I është bashkangjitur Kosovës së lirë, Shkupi është kryeqyteti I një tjetër shteti, FYROM (Maqedonisë), Podgorica kryeqytet I Malit të Zi (dy qytete shqiptare, kryeqytete te dy shteteve jo shqiptare). Ndërsa Preveza, ende kullon gjak, gjakun e çamërve të shpërngulur, të vrarë e të dhunuar që 100 vjet më parë.  Janë lënduar krerët e Greqisë, se është përmendur Preveza si tokë shqiptare. Kanë reaguar. Mos vallë as këtë fakt nuk duhet ta përmendim? Prej kaq kohësh, madje prej shumë dekadash e shekujsh, ne dëgjojmë pretendimet e Greqisë për një farë Vorio Epir, madje edhe për strategji të Idesë së Madhe, madje Shqipëria në emër të këtyre pretendimeve e ideve ka duruar agresione, sulme e pabesira të jashtëzakonshme.

 

Jo pak kohë më parë, një video qarkulloi në gjithë botën me fjalë luftarake të ushtarëve grekë që do të bënin lidhëse me zorrët e shqiptarëve. Ushtarë të një vendi anëtar të NATO-s e të Bashkimit Europian. Nuk kanë qenë të rralla “ekspansionet” diplomatike në vendin tonë, në Himarë e gjetkë, me deklarime se është tokë greke dhe duhet t’i bashkangjitet Greqisë. Apo të tjera, deri në sakrilegje zhvarrosjesh e rivarrosjesh, vetëm për “tokë greke”, aty ku flitet e jetohet shqip. Por nga ana e diplomacisë shqiptare, ka pasur gjithmonë një reagim tolerant, duke I quajtur këto lajthitje të ekstremistëve grekë, reagime brenda të gjitha normave të një shteti që kërkon të aderojë në Bashkimin Europian. Por krerët e Greqisë këtë rradhë janë lënduar. Po sa të lënduar janë shqiptarët a e kanë pyetur ndonjëherë veten? Sa e lënduar është popullsia çame e Prevezës, që ka lënë në atë vend, varret e të parëve, pasurinë e katandinë. Po sa të lënduar janë edhe sot e kësaj dite shqiptarët e Çamërisë, që u vranë, u therrën, e u vodhën për ditë, muaj e vite me rradhë nga paraardhësit e grekëve të sotëm, a e kanë pyetur veten ndonjëherë? Po sa të lënduar janë gjithë shqiptarët, breza të tërë shqiptarësh, që një pjesë të konsiderueshme të trojeve të tyre, të pavarësuara në 28 nëntor 1912 ua morrën me forcë vetëm një vit më pas, a e kanë menduar ndonjëherë?

 

Preveza në çdo faqe të historisë, në çdo kujtim është tokë shqiptare, e banuar prej shqiptarëve dhe e grabitur prej grekëve. Ky është një fakt, dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë. Ndoshta krerëve të lënduar grekë, u duhet kujtuar përplasja e tyre e përhershme me Turqinë për Qipron dhe ishuj të tjerë… Shqipëria nuk ka kërkuar asnjëherë të ndryshojë kufijtë me dhunë, ashtu siç I ka ndryshuar Greqia, apo shtete të tjerë fqinjë me ne, në dëm të trojeve shqiptare. Shqipëria ka respektuar përherë konventat ndërkombëtare, megjithëse është shteti më I prekur dhe më I dëmtuar në Ballkan, pikërisht nga fqinjët e saj. Eshtë absurde sot, kur çështja shqiptare është kthyer tashmë në një çështje ndërkombëtare, të bësh presione të stilit “më mbeti qejfi”, kur shqiptarët vetëm përmendin, e theksoj vetëm përmendin trojet e tyre. Askush nuk mund të na mohojë të drejtën e ëndrrës për një Shqipëri normale brenda kufijve të shpallur në 1912. Askush nuk mund t’u ndalojë çamëve ëndrrën për t’u rikthyer një ditë në vendin e të parëve të tyre. Askush nuk mund të ndalojë shqiptarët të ëndërrojnë të kenë një shtet të plotë dhe jo të shpërndarë copa-copa në Ballkan.   Greqia duhet ta harrojë se çamët dhe shqiptarët nuk “do të kujtohen” më për Prevezën dhe gjithë Çamërinë. Sot “historia” nuk shkruhet më vetëm nga Homeri i verbër.

Dashamir Tahiri December 2, 2012 17:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*