U ndërpritet kontrata, testim personelit mjekësor pa kredite!

June 12, 2019 12:14

U ndërpritet kontrata, testim personelit mjekësor pa kredite!

Profesionistët e kujdesit shëndetësor janë të detyruar që t’i nënshtrohen edukimit të vazhdueshëm, për të përditësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre, në mënyrë që të përmirësojnë cilësinë e kujdesit shëndetësor që duhet të ofrojnë për pacientët. Në të kundërt nuk do të mund të ushtrojnë dot profesionin e tyre. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve të bëra në ligjin e kujdesit shëndetësor, Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV) u ka kërkuar të gjithë profesionistëve të shëndetit (mjekë, infermierë, farmacistë, stomatologë, etj), që të dorëzojnë lejen e ushtrimit të profesionit pranë këtij institucioni deri në mbyllje të muajit qershor. Drejtuesit e kësaj qendre kanë njoftuar të gjithë profesionistët e shëndetësisë se programi i edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë përputhet me afatet kohore të licencimit. Çka do të thotë se të gjithë punonjësit që kanë refuzuar e krediteve të përcaktuara nga programi i certifikimit, u ndërpritet leja profesionale, e cila do të mund të rifitohet vetëm pas kalimit në provimin e certifikimit. “Njoftojmë të gjithë profesionistët e shëndetësisë që nuk kanë përmbushur detyrimin e Programit të Certifikimit dhe duhet të rinovojnë lejen e ushtrimit të profesionit, se duhet të regjistrohen për provimin e certifikimit pranë zyrave të QKEV-së, brenda datës 30 Qershor 2019”, bëjnë me dije ekspertët e kësaj qendre.

Ndërprerja e kontratës

Profesionistit të shëndetësisë, që nuk përmbush kriteret e programit të certifikimit, i pezullohet/ndërpritet kontrata me institucionin shëndetësor dhe nuk i rinovohet leja e ushtrimit të profesionit nga urdhri profesional përkatës. Aktualisht ka përfunduar edhe programi i dytë katërvjeçar i certifikimit. Pas verifikimeve të bëra, Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim ka zbardhur listën e profesionistëve që kanë plotësuar kushtet e përcaktuara për kreditet për secilin specialitet mjekësor. Ndërkohë që për bluzat e bardha që nuk janë pjesë e kësaj liste është bëhet e ditur se jo vetëm u pezullohet licenca, por që duhet të regjistrohen deri në mbyllje të këtij muaji për ta fituar sërish atë. Këta specialistë të shëndetit, përgjatë zbatimit të programit të certifikimit nuk kanë siguruar kreditet e kërkuara për secilin specialitet. Një pjesë e konsiderueshme e profesionistëve të shëndetit rezultojnë të jenë me zero kredite.

Kur mund të rifitoni lejen?

Rifitimi i lejes së ushtrimit të profesionit bëhet vetëm pasi profesionisti i nënshtrohet provimit të certifikimit. Provimi i certifikimit zhvillohet nga komisionet e provimit të certifikimit, të ngritura pranë strukturave të përcaktuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë për organizimin e provimit të certifikimit. Tarifat e provimit të certifikimit janë të njëjta me ato të provimit të shtetit dhe të ardhurat nga provimet e certifikimit i kalojnë strukturës përkatëse që zhvillon provimin e certifikimit. Institucionet e kujdesit shëndetësor duhet të lehtësojnë edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të tyre. Ato janë të detyruara të hartojnë dhe të zbatojnë programe të akredituara të edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e tyre.

Kushti për kreditet

Sa i takon ndryshimeve të bëra në Ligjin e Kujdesit Shëndetësor, në funksion të zhvillimit të edukimit të vazhduar profesional ministria përgjegjëse për shëndetësinë krijon program të detyrueshëm për edukimin e vazhdueshëm profesional, i quajtur “Programi i Certifikimit për Profesionistët e Shëndetësisë”. Profesionistët duhet të mbledhin një numër të caktuar kreditesh të edukimit të vazhdueshëm profesional, sipas procedurave dhe kritereve të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Certifikimi është procesi që profesionisti i shëndetësisë përfundon me përmbushjen e kritereve të programit të certifikimit, i cili përputhet me afatet kohore të licencimit.

Masa ndëshkimore edhe për drejtuesit

Krahas pezullimit të lejeve për bluzat e bardha që nuk sigurojnë kreditet e kërkuara, ndëshkimet do të prekin edhe drejtuesit e institucioneve mjekësore. Konkretisht, ndryshimet e bëra në ligjin e kujdesit shëndetësor specifikojnë se: “Në rast se profesionistët e punësuar në institucionet publike të kujdesit shëndetësor nuk përmbushin kërkesat e programit të certifikimit, për drejtuesit e tyre merren masa disiplinore deri në lirim nga detyra”. Ofrues të aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm janë të gjitha strukturat, publike ose jopublike, akademike ose joakademike, fitimprurëse ose jofitimprurëse, të vendit ose të huaja, të cilat janë të regjistruara për ushtrim aktiviteti në Republikën e Shqipërisë, sipas kritereve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Zgjedhja e profesionit

Profesionistët e shëndetësisë, të cilët kanë përfituar më shumë se një profesion në fushën e shëndetësisë, nuk mund t’i ushtrojnë njëkohësisht këto profesione, kur këto u përkasin dy urdhrave të ndryshëm profesionalë. Këta profesionistë duhet të deklarojnë profesionin që duan të zgjedhin pranë urdhrave profesionalë përkatës, duke pezulluar në këtë mënyrë të drejtën e ushtrimit të profesionit/profesioneve që u përkasin urdhrave të tjerë. Ligji përcakton se në çdo rast, profesionistët e shëndetësisë do të pranohen në institucionet e kujdesit shëndetësor publik bazuar në parimet e meritës, të konkurrimit të hapur dhe të transparencës.

Zbatimi i programit të certifikimit

Programi i Certifikimit është sistemi i bazuar në cikle periodike 4-vjeçare, brenda të cilave profesionistët e shëndetësisë duhet të mbledhin një numër të caktuar kreditesh. Profesionistët e përfshirë në programin e certifikimit janë: mjekët, stomatologët,farmacistët e ndihmësfarmacistët dhe infermierët e mamitë, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ofrojnë shërbime shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi, në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe terciar dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore. Profesionistët, të cilët punojnë me kohë të pjesshme, duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të programit si ata që ushtrojnë profesionin e tyre me kohë të plotë. Cikli i parë i programit të certifikimit filloi në 1 janar 2010 dhe mbaroi në 31 dhjetor 2014. Cikli i dytë ka filluar në 1 janar 2015 dhe mbaron në 31 dhjetor 2018.  Kështu deri në mbyllje të dhjetorit të vitit të shkuar, kohë në të cilën përfundoi edhe cikli i dytë i certifikimit, mjekët duhet të mblidhnin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Numri vjetor minimal i detyrueshëm i krediteve të edukimit në vazhdim për mjekët ishte  10 kredite, për farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët 5 kredite. Në fund të ciklit 4-vjeçar të certifikimit, përveç numrit të krediteve të kërkuara, profesionistët duhet të siguronin edhe 10 kredite përmes një testi vetëvlerësimi. Ky test kryhet online dhe lidhet me specialitetin e profesionistit. Nuk u përfshinë në programin e dyte të gjithë profesionistët që punojnë në administratë, ata që dilnin në pension brenda periudhës 4-vjeçare të ciklit dhe që nuk vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre në sektorin privat, përjashtohen nga detyrimet e programit të certifikimit për atë cikël. Po ashtu edhe profesionistët, të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit ndërpresin punën për një periudhë 4-mujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik.

Akreditimi i institucioneve mjekësore

  • Institucionet e kujdesit shëndetësor i nënshtrohen procesit të akreditimit, i cili kryhet nga institucioni përgjegjës për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor. Përjashtim nga ky rregull bëjnë laboratorët mjekësorë.
  • Akreditimi është proces i certifikimit të cilësisë së institucionit shëndetësor nëpërmjet vlerësimit të jashtëm të cilësisë, në përputhje me standardet e cilësisë për akreditim, të miratuara nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë.
  • Standardet e cilësisë për akreditim hartohen nga institucioni përgjegjës për akreditimin dhe ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
  • Standardet e cilësisë për akreditim shëndetësor ndahen në standardet bazë të cilësisë, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga institucionet e kujdesit shëndetësor, dhe standardet optimale, të cilat shërbejnë për akreditimin e institucionit.
  • Vendimi për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor jepet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, pas rekomandimit të Bordit të Akreditimit.
  • Mënyra e kryerjes së procesit të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor, tarifat për procesin e akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor, publik dhe jopublik, dhe afatet për procesin e akreditimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
June 12, 2019 12:14
Komento

1 Koment

  1. Arben June 12, 16:02

    Vete kane fajin mjeket,

    cfare bejne akoma ketu me popullin shqipetar,

    trim heroik, mashtrues, hajdut, trafikant e kriminel,

    njejte si eshte veten i zgjedh edhe udheheqesit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*