“Udha e shkronjave” për mësues Qani Zaimin

May 18, 2018 13:55

“Udha e shkronjave” për mësues Qani Zaimin

Nga Bashkim Koçi

Kam përpara një bashkëbisedues, një 85 vjeçar, mësuesin Qani Zaimin nga Skrapari. Ai është nga ata  mësimdhënës që ka bërë emër, që përfaqëson “specien” më fisnike, tashmë të rrallë, nga ku mund të mësosh e zbulosh vështirësitë e  “Udhës së shkronjave” në këtë zonë të njohur arsimdashëse. Por edhe për Shqipërinë, sepse e njëjta rrugë është përshkruar, ashtu si tek filmi i mirënjohur me të njëjtin emër.

Për këto vlera  të çmuara, të mbetura në memorien e dhjetëra breza nxënësish, Qani Zaimi mban titullin “Mësues i Merituar”. Sigurisht ky titull, i cili i është dhënë për punë të jashtëzakonshme në fushën e arsimit, e bën të ndjehet mirë, të mos bëhet pishman për sakrificat që ka bërë dhe, në fund të fundit, është vlerësim për atë çka ka dhënë në fushën e shkollimit të njerëzve

Por teksa e shikoj ashtu të mpakur, gjëja e parë që më bie ndërmend është një thënie anonime tek e cila gjen të sintetizuar figurën, përjetësinë e profesionit aq të dashur të mësuesit. Një mësues i mirë, paska thënë ky anonim, e që duhet të jetë populli, është si një qiri: Ai konsumon vetveten për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve. E, Qani Zaimi, nëse ndjekim hap pas hapi rrugën nga ka shkelur, herë-herë të mundimshme, e herë-herë me plot rreziqe për jetën, mund të themi se ai është sinonim, binjaku i qiriut të tretur për ndriçim. Ca më shumë që po flasim për një mësues, i cili i përket brezit të vjetër, të atij kontingjenti që mësimet e para për shkrim e këndim i kanë marrë në kohëra që “s’mbahen mend”, të pishës e të kandilit, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Por, mesa duket, profesionin “të konsumohesh për t’u ndriçuar rrugën të tjerëve” ai e paska marrë nga  mësuesi i klasës së parë, Riza Musaj nga Elbasani, i atij që i mësoi ABC-në. Ky mësues, që në ato kohëra thuhej “ka ardhur nga ana e anës”, ndikoi tek Qani Zaimi që, kur të rritej, të guxonte t’i përkushtohej mësuesisë. Po cila ishte “magjia” që i bwri mësues Rizai ( që i përkthyer në shqip, Riza do të thotë “i pëlqyer”)? Ishin fjalët e tij, ishte shpjegimi dhe lavdet që u thurte njerëzve që lexonin libra, ishin këshillat që u jepte vogëlushëve: shokun më të mirë duhet të kini atë që u dhuron një libër. Në ata vite librat ishin të pakët, në mos, për t’i gjetur, të duhej t’i kërkoje me qiri. Kjo gjë e bënte akoma më mistik librin dhe profesionin e mësuesit i cili nuk kishte asnjë kuptim pa librin, “lëndën e parë” për të mësuar të tjerët.

Ishin vite e kohëra që shkolla bëhej copa-copa, e filloje në një fshat dhe e përfundoje diku tjetër. Për Qani Zaimin hapi i parë për shkollim nisi në fshatin e tij të lindjes, në Vëndreshë të Skraparit, ku përfundoi vetëm pesë klasë, ndërsa dy të tjerat, të gjashtën dhe të shtatën, i mbylli   në qytetin e Beratit. Me vështirësi, larg ngrohtësisë së nënës e këshillave të babait. U sistemua tek disa të afërm të fisit të tij që, në ato mote, çuditërisht ndihma dhe gjendja e tjetrit për të përballuar një hall ishte e jashtëzakonshme. Veçanërisht kur ndihma kërkohej për shkollimin e fëmijës.

Qani Zaimi

I parritur, pa i dirsur ende qimja në faqe, djali “digjej” për të vijuar shkollën.  Me shtatë klasë ishte si të konsideroheshe “i ditur” brenda kufijve të fshatit. Ai diku kishte dëgjuar se bota ndritohej nga dielli e njeriu ndritohet nga dituria. Ndoshta këtë e ka të dëgjuar  nga mësuesit e Beratit, të cilët i quan ende, tashmë në moshë të thyer “të famshëm”. E, dituria, filozofon ai më tej, vjen nga shkollimi, vjen nga librat. Nuk e kishte harruar, e mbante vëth në vesh një  këshillë të mësuesit Riza Musait nga Elbasani. Ju, fëmijët e mi, i paskësh porositur ai, do të bëheni, por se çfarë, varet nga librat që do të lexoni.

Thuhet se rastësia është mbreti i gjërave. Qani Zaimit sa nuk i kish ikur  mendja  nga gëzimi kur kish marrë lajmin se e drejta e studimit për në shkollën “Skënderbe”, ish kthyer me vendim të organeve përkatëse të pushtetit të kohës, për në shkollën Normale të Elbasanit. Pra për atje ku kishte parë ëndrra vite me radhë, për mësues.  Më “qante” shpirti që të mbaroja edhe për Skënderbegas, sepse ato dy vijat me ngjyrë të argjende tek pantallonat, do të më dukej vetja si gjeneral.

Ky mësues i moçëm rrëfen “Udhën e shkronjave” të jetës së tij, por të përzier edhe me udhët e bashkëkohësve të tij, të brezave të tërë mësuesish, të cilët nuk e patën të lehtë të ndryshonin fytyrën e mjeruar të arsimit në rrethin malor të Skraparit. Rrëfimin e nis që nga bankat e shkollës, nga ku përgatitej “garda” e madhe për mësimdhënës. Të mos harrojmë faktin që ishin vitet e pasluftës. Vendi ishte i varfër dhe njerëzit shumë të prapambetur për t’u përshtatur me kërkesat që kërkonte koha. M’u rrëqeth mishi teksa dëgjoja mësuesin veteran, i cili tregonte për jetën konviktore, për trajtimin e nxënësve me veshje e ushqim, për nivelin mjeran të formimit. Nxënësit trajtoheshin si të ishin rekrutë të një reparti ushtarak. Na e qethnin kokën zero,  për shkak të përhapjes të sëmundjeve e parazitëve, tregon mësues Qaniu, duke iu kthyer kohës prapa, plot 60 vjet. “Uniformën” e veshjes e gjeje në variante nga më të çuditshmet, lara-lara dhe jo rrallë dikush mbante veshur “rroba partizani”. Ky mësues, i cili mban mend ngjarje e episode që nuk mund të harrohen, nuk la pa më thënë rastin që një shoku i tij i ngushtë mbante në dorë orën e vëllait, të rënë dëshmor  në luftën për çlirim.

Rrjedha e përgatitjes për t’u bërë mësues i mirë, i kualifikuar, i zoti për mbajtur mbi shpatulla detyra që të jep tereni ku do të ushtrosh profesionin, kërkon kualifikim më të thelluar. E, këtë ndjenjë për së brendshmi, pra që ishte i gatshëm t’u thoshte nxënësve “unë jam mësuesi juaj”, Qani Zaimi filloi ta ndjejë brenda shpirtit kur përfundoi Institutin e Lart Pedagogjik në Tiranë. Ishte viti 1956. Merret me mend sesi është gjendur ky djalë fare i ri kur iu komunikua detyra për drejtor shkolle në fshatin Gjerbës, në Tomorricë e më pas për të mbuluar si inspektor i arsimit të gjithë rrethin e Skraparit. Ishte e vështirë të dije emrat e mbi njëqind fshatrave, e jo më që të shkoje shkollë më shkollë për të ngritur nivelin e mësimdhënies, për nxitur e ngritur shkolla të reja, për të ndjekur anën ligjore për përfshirjen e të gjitha kategorive të popullatës për të ndjekur shkollat dhe kurset kundër analfabetizmit.

Dy ngjarje “mos i besoni po deshët”

Në shënimet që ka mbajtur në vite, në ditar, të cilin po e sistemon për të përgatitur librin “Mes tekave të jetës”, gjen ngjarje nga më të pabesueshmet, sidomos për brezat e sotëm. Po sjellim vetëm dy, nga dhjetëra të tjera, shumë të ngjashme me njëra tjetrën, që të çudisin. Inspektor Qaniut i ishte ngarkuar detyra për të kontrolluar, por edhe për të ndihmuar, shkollat e zonës të lokalitetit të Çepanit dhe të Qendrës, të Çorovodës. Pasi u ra çark shkollave të fshatrave Çepan, Sevran, Vlushë, Osojë,  e gjetkë, tmerrin  e vërtetë e përjetoi në rrugën nga shkolla e Qafës për mbërritur në Koprënckë. Edhe pse mësuesi Xhemal Veizi i kishte dhënë dy-tre nxënës për ta shoqëruar deri sa të orientonte mirë rrugën, inspektori ishte ngatërruar keqas dhe duke ecur e ecur përfundoi në pyll. Pyllit iu bë aleat edhe nata, sepse po errej. Iu desh të kapërcente përrenj, të futej nëpër shkurre që nuk i çante dot as derri. Vetëm mbas mesnate, mundi të shikojë siluetën e godinës së shkollës. E gjeti shkollën, po ku të vinte. Atëherë guxoi të shqyente kanatet e njërës prej dritareve dhe të futej brenda. Kur erdhën mësuesit në mëngjes dhe hapën derën e shkollës, inspektorin e arsimit, Qani Zaimin, e gjetën të shtrirë mbi një bankë ku e kishte zënë gjumi.

E dyta është e veçantë, me plot humor brenda. Thuhet se mësuesi e fillon orën e mësimit më gjetje gabimesh tek nxënësit. Për analogji edhe inspektimi në një shkollë fillon e mbaron për gjetjen e gabimeve, me mendimin e mirë për të përmirësuar punët aty ku nuk shkojnë mirë. Në kohë të shkuara, vitet që po bëjmë fjalë, inspektori shpesh përballej me vështirësi nga më të ndryshmet, që here-herë ngrije duart lart, nuk u jepje dot zgjidhje. Në ndonjë rast, si ky që po tregojmë, të mbetej dopio gjashta në dorë. Në shkollën e fshatit Vërzhezhë punët shkonin keq. Shefi i Seksionit të Arsimit, Abdulla Badronja, i kish thënë  Qaniut se do ta shoqëronte në kontrollin e radhës dhe, për të qenë të përgatitur, morën me vete një p/vendim të Komitetit Ekzekutiv për të “frikësuar” dy mësuesit e shkollës, të ardhur nga rrethe të tjerë, se nëse nuk reflektonin, p/vendimin do ta kthenin, aty për aty, në vendim. Pra do të pushoheshin nga puna. Kështu bënë, sipas skenarit të përgatitur. Ç’ndodhi? Dy mësuesit i kishin thelluar gabimet dhe nuk kishte më vend për këshillën “të reflektoni”. Madje as kishin ndërmend që të bënin një gjë të tillë. Atëherë nxorën vendimin dhe u thanë: jeni të pushuar nga puna! Aty, në sy të shefit të arsimit dhe të inspektorit, të dy mësuesit iu hodhën në qafë njëri-tjetrit e s’mbaheshin nga gëzimi. Vërtet, vërtet na keni pushuar?!-i pyesnin  të deleguarit e, sa hap e mbyll sytë, bënë gati plaçkat, i hodhën në krah, për të zbritur në Çorovodë e më pas të shkonin në rrethet nga kishin ardhur. Ata mbetën aty, në Vërzhezhë, për të mbajtur shkollën hapur, duke menduar që ato ditë të sillnin dy mësues të tjerë.

Kush guxon të japë mësim, kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari.

Shkallët e karrierës ngjiten, duke ndjekur kohën, përparimin që pëson shkenca, në rastin konkret ajo  që merret me edukimin dhe arsimimin, pedagogjinë. Por thuhet se i vetmi burim i diturisë është përvoja. Personazhi ynë, mësues Qani Zaimi, i kishte të gjitha këto ndaj, jo pa meritë, e caktuan në detyrën e përgjegjësit të Kabinetit Pedagogjik të rrethit, të cilin e drejtoi për një periudhë të gjatë me kompetencën e kryemësuesit. E bëri institucionin vatër mësimi, vatër përvoje. Disa tema të prekshme si “Vëzhgimi, eksperimentimi i disa testeve e programeve të shkollave 8-vjeçare e të mesme” e realizoi në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Pedagogjike. Kanë qenë të shumtë seminaret, ballafaqimet, leksionet për metodat mësimdhënëse etj. që kanë pasur si nismëtar, mbështetës të kualifikuar mësuesin Qani Zaimi. Kam parë e lexuar që në Fjalorin Enciklopedik të Shqipërisë është emri i këtij “Mësuesi të Merituar”, i cili e konsideron, pra Fjalorin Enciklopedik, si  “bashkëbisedimi me mendjet më të mira të vendit”.

Ka edhe një pikë kulmore në karrierë, qoftë edhe të një mësuesi. Qani Zaimi e arriti këtë pikë, sa të vështirë po aq edhe të dëshiruar prej tij, kur u emërua drejtor i shkollës së mesme të përgjithshme në Çorovodë. Ishte muaji shtator i vitit 1959. Çudia në këtë emërim ishte si të bëje dasmë pa nuse. Pra shkolla e mesme nuk ishte ngritur ende e Qaniun e emëruan drejtor. Por këtu qëndron edhe aftësia, zotësia dhe gjithçka tjetër që lidhet me personalitetin e një kuadri të devotshëm. Ai arriti të sistemonte e rregullonte të ashtuquajturën “godinë” që i ofruan, të përcaktonte dhomat sipas klasave dhe më kryesorja, ajo që ishte më e vështira ngado që ta kapje, sigurimin i personelit pedagogjik. Lista e emrave të dërguar nga organet kompetente në rreth, ishte nga fillimi deri në fund me arsimtarë që kishin përfunduar shkollën pedagogjike. E si do të kapërcehej ky ngërç, si mund që mësues me arsim të mesëm të mund të jepnin mësim në një shkollë të mesme? Drejtori i porsa emëruar e gjeti “zgjidhen”. Mësuesit më të mirë, kishte dëgjuar ai,  mësojnë më shumë nga zemra sesa nga librat. Dhe kjo iniciativë i doli për mbarë. Sigurisht, vit pas viti, mësuesit me arsim të mesëm u zëvendësuan me pedagogë të kualifikuar, të specializuar për lëndët mësimore që zhvilloheshin në gjimnaz. Fizikën e jepte një fizikan, kiminë një kimist, letërsinë një mësues që kish mbaruar fakultetin e gjuhë-letërsisë e kështu me radhë. Meqë është vendi, më duhet të them se gjimnazi “Ramiz Aranitasi” i Çorovodës renditej ndër gjimnazet më të mirë të vendit. Nuk ishte rastësi që nga ajo derë kanë dalë kuadro e specialistë të zotë, që kanë ngjitur shkallët e karrierës në rangje të larta. Jo të politikës, por të shkencës, të drejtimit të institucioneve me emër në shkallë vendi. Mund të përmendim rektori i Universitetit Bujqësor, Prof. Fatos Harizaj, dekanin i fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Prof. Gëzim Hasko, Prof. Doktor Përparim Laze, në fushën e bujqësisë, ish drejtori i Drejtorisë Arsimore të kryeqytetit, Prof. as. Doktor Kujtim Kapllani në fushën e gjuhësisë, Prof.as Doktor Haredin Xhaferi, Prof. as. Doktor në fushën e matematikës, Hysen Binjaku, kardiologu me emër të mirë i spitalit “Nënë Tereza” Edmond Zaimi,  pedagogun tjetër të matematikës, Prof.  Syti Hysko dhe shumë e shumë të tjerë. Dhe këta emra të nderuar nuk i kanë marrë këto vlerësime të larta tek i famshmi “Kristal” apo “Vitrinat”. Gradat shkencore që ata kanë janë fryt i djersës së balli, janë produkt i trurit të vënë në funksion për punë të ndershme. Tani më thoni: a kanë pasur të drejtë ata që e kanë radhitur gjimnazin “Ramiz Aranitasi” të Çorovodës tek elitat e gjimnazeve të vendit?

Puna e mësuesit është fisnike dhe është ndoshta profesioni më i çmuar. Nderohet nga të gjithë kombet, në të gjithë rruzullin tokësor. Gjatë shfletimit të disa shënimeve të mësues Qani Zaimit gjeta disa radhë, të cilat “ia vodha” për të mbyllur edhe shkrimin kushtuar këtij “Mësuesi të Merituar”. Viktor Hygoit, shkrimtar i madh i shekullit të XIX-të, i vinin shumë vizitorë. Një ditë i thanë se po vinin një grup zejtarësh.  “Ju jeni farkëtarë, u tha, u lumtë, bëni edhe vegla për bujqësinë”.

Më pas erdhën disa rrobaqepës. “Ju rrobaqepësit bëni punë të mirë. Bëni, prisni e qepni kostume. U shërbeni njerëzve dhe përfitoni ca para”.

-Zotëri, po vjen një grup mësuesish- tha njeriu që komunikonte me shkrimtarin e madh.

Hygoi u ngrit në këmbë. “Ju bëni njerëz, mësoni e përgatitni njeriun për jetën. U lumtë!”

Nderim për Qani Zaimin dhe për të gjithë mësuesit të cilëve u ka rënë barra e madhe dhe fisnike: të bëjnë njerëz.

 

 

May 18, 2018 13:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*