Udhëheqja shqiptare e përfshirë nga revolucioni kultural kinez

June 17, 2016 10:24

Udhëheqja shqiptare e përfshirë nga revolucioni kultural kinez

 

Prof. Dr. Dine Merja

 

(Vijon nga dje)

Nga fundi i specializimit, kalova në Pekin, në Institutin e Energjisë Atomike dhe në disa institute të tjera shkencore të Akademisë së Shkencave të Kinës në rajonin e Pekinit. Gjatë kësaj periudhe pata rastin të takohem me Kryetarin e Këshillit të Shtetit të RP të Kinës, Çu En Lain, si dhe në takime të posaçme me anëtarin e Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të KQ të PK të Kinës dhe nënkryetar i Këshillit të Shtetit Li Fu Çun, një nga themeluesit e sistemit socialist të ekonomisë kineze dhe Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit të RP të Kinës, si dhe me anëtarin e Byrosë Politike të KQ të PK të Kinës dhe nënkryetar i Këshillit të Shtetit Li Hsien Nien (Li Xianian), i cili pas vdekjes së Maos, u bë president i RP të Kinës dhe zv.kryetar i PK të Kinës. Ai arriti të shpartallojë “Bandën e të katërtëve”, t’u hapë rrugë reformave ekonomike në Kinë dhe të rehabilitojë në udhëheqje Ten Hsiao Pinin.

 

Furtuna e Janarit në Shanghai

Për fillimin e “Revolucionit Kultural” Mao Ce Duni dhe grupi i tij zgjodhën qytetin e Shanghait si qendrën më të madhe urbane, ekonomike dhe industriale të Kinës, si test paraprak ku do të përqendrohej e gjithë forca, dhuna dhe represioni nga të katër anët e vendit për të përmbysur pushtetin legjitim me dhunë. Eksperienca e Shanghait do të shtrihej pastaj në të gjithë vendin.

Prova dhe eksperienca e Shanghait për rrëmbimin e pushtetit me dhunë, filloi qysh në verën e 1966, me formimin e grupit të gardistëve të kuq që propagandonin “autokritikë”, diskutim kolektiv, fletë rrufe, besnikëri ndaj Kryetarit Mao, luftë ndaj përbindshave të zinj. Lëvizja u bë shpejt një fraksion radikal, me atakime ndaj autoriteteve lokale dhe institucioneve qeverisëse të qytetit, duke shfrytëzuar në maksimum konfliktet e interesave ndërmjet punonjësve dhe qytetarëve në raport me drejtuesit e institucioneve të ndryshme. Në vjeshtën e 1966-s, shpirti i rebelimit dhe kaosi u përhap me shpejtësi nga shkollat në uzinat dhe fabrikat, duke përçarë punonjësit e tyre në shumë grupe me pikëpamje dhe konflikte interesash. Grupet me interesa dhe pikëpamje të njëjta Maoiste, në ndërmarrje të ndryshme formuan aleanca midis tyre dhe mbështeteshin nga repartet ushtarake dhe organet e sigurimit publik të komanduara nga drejtuesit e tyre të emëruar nga Mao Ce Duni dhe bashkëshortja e tij Çian Çini.

Përkthyesi im Uani, ditët e para të janarit 1967,më informoi se gjendja në Shanghai po përkeqësohej, po bëhej më e rënduar, bëhej fjalë për përmbysje të pushtetit me forcë, prandaj sipas tij duhej të qëndrojmë në Institut dhe në apartament për efekt sigurie, duke evituar daljet në qytet. I thashë Uanit se do të vazhdojmë si gjithmonë të dalim lirisht në qytet, se nuk ndieja asnjë rrezik, dhe se nga unë nuk ndjehej i kërcënuar kurrkush, dëshiroj të përjetoj zhvillimet në qytet midis qytetarëve të Shanghait dhe të gardistëve të kuq të ardhur nga të gjitha rajonet e Kinës.

Ndërkaq, Furtuna e Revolucionit të Shanghait vazhdonte ende më e ashpër, dy palët kundërshtare e kishin kthyer qytetin më të madh të Kinës në një arenë lufte me të gjitha llojet e veprimeve  politike, ushtarake, ekonomike, mediatike, protestave, mbledhjeve, mitingjeve dhe përplasjeve të dhunshme. Qyteti 12-milionësh jetonte në ditët më të vështira të tij, nga shkatërrimet, vrasjet, pasiguria, arrestimet, shkarkimet nga detyra, torturat, shëtitjeve të kundërshtarëve politikë nëpër qytet, të hipur në kamionë, me sende të varura në qafë, të poshtëruar, të rrahur, në mot të ftohtë, me dëborë, e cila vazhdonte të binte sikur përcillte zemrat e ftohta dhe të ngrira të shangajanëve. Shumica e qytetarëve të Shanghait, të organizuar në mbrojtje të ish-udhëheqjes së qytetit të tyre, u përplasën me ushtrinë dhe forcat e sigurimit publik dhe me mbi 1 milion nxënës e studentë “Gardistë të Kuq” Maoistë, të ardhur në Shanghai nga rajone të

ndryshme të Kinës. Pas një përleshjeje të ashpër, mbrojtësit e qytetit arritën të kapin dhe arrestojnë ish-Shefin e Sigurimit Publik dhe zv. Kryetarin e Këshillit të Shtetit të Kinës që drejtonte përmbysjen në Shangai, duke e detyruar atë për lirimin nga burgu, të mijëra qytetarëve shangajanë, të arrestuar nga pala tjetër.

Më 5 janar të 1967, Shtabi i Përgjithshëm i Revolucionit në Shanghai i bëri thirrje gjithë qytetarëve të Shanghait të ngriheshin dhe bashkoheshin për rrëmbimin e pushtetit në Shanghai, mbi 1 milion gardistë të kuq të ardhur nga shumë rajone të Kinës, nën drejtimin e Çan Çun Çiaos, Jao Ven Juanit dhe Van Hun Venit, në përplasje me qindra mijëra qytetarë dhe punëtorë të Shanghait që ishin në mbrojtje të Komitetit të Partisë të Shanghait, me forcën e Ushtrisë dhe të Organeve të Sigurimit Publik, përmbysën me forcë Organet Partiake dhe Shtetërore të zgjedhura në Shanghai dhe rrëmbyen forcërisht pushtetin në Shanghai, madje duke trumbetuar se tashmë pushteti në qytetin e Shanghait dhe në rrethinat e tij do të drejtohej nga një formë e re qeverisëse popullore revolucionare që u quajt Komuna e Shanghait e bazuar në Komunën e

Parisit të Revolucionit Francez. Kjo formë e re qeverisëse në Shanghai nuk zgjati më shumë se

një muaj, pasi nuk u miratua nga Mao Ce Duni, i cili urdhëroi që Shanghai si dhe qytetet dhe rajonet e tjera të Kinës, pas përmbysjeve të pushtetit me dhunë dhe rrëmbimit të tij nga gardistët e kuq me forcë, të drejtoheshin nga Komitetet Revolucionare që do të formoheshin, kështu që në Shanghai komunarët e vetëquajtur u kthyen në Komitetin Revolucionar të Shanghait me Çan Çun Çiaon në krye.

 

Shpëtimi i “Floririt të vogël”

Çu En Lai, një politikan dhe diplomat i shquar, mbajti një qëndrim të ekuilibruar gjatë Revolucionit Kultural, nuk mbështeti veprimet ekstremiste të “Bandës së të katërtëve”. Falë qëndrimit të Çu En Lait si Kryetar i Këshillit të Shtetit dhe dy zëvendësve të tij: Li Fu Ҫun dhe Li Hsien Nien, mund të thuhet se Kina i shpëtoi ndofta një humnere të vërtetë gjatë Revolucionit Kultural. Këtë trojkë unike, “Banda e të Katërtëve” e pati pengesë të fortë për ta goditur e përçarë atë.

Çu En Lai ishte jo vetëm Kryetar i Këshillit të Shtetit të RP të Kinës që nga themelimi i saj, por një nga personalitetet më të shquara të Kinës. Me një kulturë dhe edukim të gjerë, kineze, japoneze dhe europiane. Zotërues i disa gjuhëve të huaja: anglisht, japonisht, frengjisht etj., të përvetësuara gjatë studimeve, punësimit dhe të aktivitetit të tij të gjerë revolucionar në këto vende. Ai ishte një nga personalitetet me të spikatura të luftës dhe përpjekjeve për çlirimin e Kinës dhe themelimin e RP të saj. Orkestrues i politikës së jashtme të Kinës, i vendosjes së paqes në luftërat e Koresë së Veriut dhe në Vietnam, i anëtarësimit të Kinës në OKB dhe përjashtimit të Taivanit prej saj.

Çu En Lai ishte kundër dënimit dhe torturimit të intelektualëve dhe të personaliteteve kineze nga gardistët e kuq si ndaj Liu Shao Çisë, Ten Hsiao Pinit, Pen Çenit, Vu Hanit etj. Ai nuk mund ta pranonte dhunimin e Ten Hsiao Pinit nga gardistët e kuq në stadiumin e Pekinit, dënimin e këtij personaliteti të shquar me të cilin ai kishte studiuar, punuar e aktivizuar në jetën revolucionare për disa dekada jo vetëm në Kinë por edhe në Europën Perëndimore. Nuk mund të pranonte aktin barbar të torturimit dhe flakjes së djalit të Tenit që nga dritaret e katit të tretë të një ndërtese 4-katshe duke e sakatuar për jetë, prej gardistëve të kuq. Çu En Lain e shikonin me ligësi anëtarët e “Bandës së të katërtëve” dhe mbështetësit e tyre duke ndërsyer gardistët e kuq kundër tij. Por Çu En Lai, arriti të mbajë deri në një farë mase ekuilibrin e anijes në një tufan dhe kaos kundër saj, duke shpëtuar vendin nga një humnerë e vërtetë. Me intelektin dhe aftësinë e tij diplomatike arriti ta bindë Maon në disa vendime shpëtimtare për vendin dhe për të. Në rrethanat kur gardistët e kuq dhe drejtuesit e tyre akuzonin kundërshtarët e Maos për afrim me amerikanët dhe bënin thirrje gjithë ditën për shpartallimin e Metigoxhuisë (Amerikës), Çu En Lai e bindi Maon, për afrimin dhe bashkëpunimin e Kinës me SHBA-në, për të ftuar ardhjen për herë të parë në Kinë të personaliteteve të larta amerikane, siç ishte vizita e Sekretarit të Shtetit të SHBA Henri Kisingerit dhe më pas të vetë Presidentit Amerikan Riçard Nikson në Kinë (1972). Ai e bindi gjithashtu Maon për marrjen e Tenit nga internimi si punëtor në një uzinë traktorësh në jugë të Kinës dhe për ta emëruar atë zëvendës të tij, duke i kujtuar Maos se “Floriri i Vogël” mund t’i shërbejë ende Partisë dhe popullit kinez.

Ten Hsiao Pini, qysh në vitet djaloshare të veprimtarisë revolucionare, fare i ri dhe trupvogël, shquhej për idetë dhe variantet e zgjuara revolucionare, e në këtë kontekst ishte etiketuar nga vetë Maua si “Floriri i vogël” i Partisë. Ai i përkiste krahut më elastik, moderator dhe liberal në PKK. Pikëpamjet ideologjike të tij, shpesh binin ndesh me ato te krahut radikal dhe diktatorial brenda PKK, të drejtuar nga Mao Ce Duni. Kështu, në orientimin ideopolitik të Partisë lidhur me përzgjedhjen e kuadrit, qysh në vitet 1961, Ten Hsiao Pini hodhi idenë e famshme në Konferencën e Partisë në Guanxhou, se sipas tij, “nuk ka rëndësi nëse macja është e bardhë apo e zezë, por mace e mirë është ajo që kap miun”. Kjo ide binte në kundërshtim flagrant me pikëpamjet e Maos dhe të mbështetësve të tij, sipas të cilëve kuadrot duhej të zgjidheshin jo sipas aftësive por vetëm në se ishin militantë të Partisë, studiues dhe zbatues besnikë të veprave marksiste të Maos i cili konsiderohej dhe trumbetohej me 4 madhështi: Udhëheqës i Madh, Strateg i Madh, Mësues i Madh dhe Timonier i Madh. Vlerat e këtyre madhështive u provuan më së miri me “Hopin e Madh” dhe “Revolucionin e Madh Kultural Proletar” të ideuar dhe udhëhequr prej tij, të cilat i sollën shkatërrime kolosale ekonomisë dhe shoqërisë kineze në tërësi.

 

Shqetësimet e udhëheqjes shqiptare

Zhvillimi i Revolucionit Kultural në Kinë përbënte një shqetësim të madh për udhëheqësit partiakë e shtetërorë të Shqipërisë, sepse Shqipëria atëherë ishte një vend i vetizoluar dhe se ekonomia e atëhershme shqiptare bazohej kryekëput nga mbështetja kineze. Udhëheqja shqiptare e shqetësuar nga përçarja e udhëheqjes kineze, intensifikoi ecejaket e personaliteteve më të larta partiake e shtetërore me vizita zyrtare dhe konfidenciale në Kinë, nga njëra anë për të marrë informacion dhe për të ndjekur nga afër balancin e forcave në këtë përplasje dhe nga ana tjetër për të siguruar e përshpejtuar ndihmat ekonomike të Kinës për Shqipërinë, për t’i dalë përpara të papriturave në marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve. Trupi diplomatik në Kinë, përfshi edhe atë shqiptar, në periudhën e ashpërsimit të Revolucionit Kultural deri në luftë civile (1967-68), ishte i izoluar totalisht në Pekin, ndërsa të gjithë të huajt e tjerë ishin përzënë nga Kina përfshi edhe studentët apo specialistët shqiptarë që ndodheshin në Kinë. Në këto rrethana, mbeta për një farë kohe ndofta i vetmi i huaj në Shanghai dhe në të gjithë Kinën, përveç trupit diplomatik të izoluar në Pekin. Kjo ishte edhe arsyeja që udhëheqësit shqiptarë në vizitat e tyre në Kinë që vinin edhe në Shanghai, më thërrisnin në biseda konfidenciale lidhur me situatën e Revolucionit Kultural në Shanghai. Ndërkohë, me statusin e Konsullit Shqiptar kisha krijuar një marrëdhënie zyrtare jo vetëm me Komitetin e Partisë të Shanghait në pushtet, por edhe me drejtues revolucionarë të Shanghait, isha ftuar e angazhuar në disa parti dhe organizata revolucionare të gardistëve të kuq në Shanghai (rreth 36 organizata), në qendra të ndryshme industriale, të cilat kishin platforma politike të kundërta me njëra-tjetrën, që pasqyronte në fakt dy platformat politike të kundërta brenda Partisë Komuniste të Kinës.

Në rrethanat e sipër përmendura, pata takime të shpeshta dhe te njëpasnjëshme në kohë të ndryshme në Shanghai, me ish-ambasadorin shqiptar në Pekin Vasil Nathanaili dhe me disa udhëheqës e personalitete shqiptare në përbërje të delegacioneve të ndryshme partiake e shtetërore që vinin në Kinë, si për shembull me Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Beqir Ballukun, Ramiz Alinë, Behar Shtyllën, Hito Ҫakon, Shefqet Peçin etj.

 

Mbështetje të gjithanshme për Kryetarin Mao

Në fazën e parë të fillimit të Revolucionit Kultural (Maj-Tetor 1966), udhëheqja shqiptare në pritje të balancës së forcave në përplasjen e udhëheqësve kinezë, mbajti një qëndrim vëzhgues, duke mos u prononcuar me asnjërën palë dhe duke e konsideruar atë si një çështje të brendshme të Kinës. Madje, nga ana e ambasadës tonë na u dha orientimi që të mos prononcoheshim dhe të mbanim një qëndrim asnjanës ndaj atij revolucioni. Kjo natyrisht nuk i pëlqeu krahut Maoist dhe ata kërkuan angazhimin e udhëheqjes shqiptare në mbështetje të Maos. Në këto rrethana, nuk vonoi porosia nga Tirana për një mbështetje të gjithanshme ndaj revolucionit dhe kryetarit Mao, jo vetëm me fjalë por edhe me veprime konkrete duke i zbatuar idetë e Maos edhe në Shqipëri. Për rrjedhojë, filluan edhe në Shqipëri dacibaot (fletë-rrufetë), heqja e gradave në ushtri, zbehja e gradave shkencore, qarkullimi i kuadrit në zonat rurale, ngritja në organet drejtuese të punëtorëve dhe fshatarëve komunistë, besnikë të partisë, pa arsimin përkatës, shtypjes së mendimit intelektual etj. U dërguan në Kinë, në mbështetje të Revolucionit Kultural dhe Mao Ce Dunit, delegacione të nivelit të lartë partiak dhe shtetëror, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve me solistë dhe artistë të njohur të Teatrit të Operas dhe Baletit, të Ansamblit Artistik Amator të Tiranës etj. për periudha të gjata kohore (2-3 muaj), duke mbajtur fjalime e koncerte me këngë për Mao Ce Dunin dhe Revolucionin Kultural në shumë provinca e qytete të mëdha, sidomos në zonat më të nxehta të revolucionit kultural në të gjithë Kinën. Madje ansamblet artistike shoqëronin delegacionet partiake e shtetërore. Kështu, vizita e Hysni Kapos dhe Beqir Ballukut u shoqërua njëherazi me ardhjen e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe të Teatrit të Operas dhe të Baletit për një periudhë rreth 2 mujore në Kinë, ndërsa vizita e Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisë u shoqërua njëherazi me ansamblin artistik amator prej rreth 100 vetësh, për një periudhë rreth 3 mujore në Kinë.

Këto aktivitete artistiko-politike luajtën një rol të rëndësishëm në propagandimin e Mao Ce Dunit si një udhëheqës i madh dhe marksist-leninist i shquar në lëvizjen komuniste botërore, krahas Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit. Nga Tirana u nxitën kolektiva punonjëse nga të katër anët e vendit, për të shprehur me letra e telegrame, solidarizimin dhe mbështetjen e fuqishme për Kryetarin Mao dhe për rrëmbimin e pushtetit në Shanghai. Një delegacion i madh ushtarak shqiptar, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore si dhe Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH Hysni Kapo, mbërritën në Kinë pothuaj njëkohësisht, në periudhën më kritike për balancën e forcave midis klikës Maoiste dhe kundërshtarëve të saj. Ata shëtitën shumë rajone, qytete dhe fshatra kineze, duke propaganduar dhe mbështetur Mao Ce Dunin dhe klikën e tij, me mitingje, konferenca, fjalime, ham-hame e brohoritje, këngë e valle në gjuhët kineze dhe shqiptare për Mao Ce Dunin, duke u bërë qesharakë në opinionin e shëndoshë publik kinez. Kjo skenë qesharake, pas dështimit të Revolucionit Kultural, kur në udhëheqjen e PKK u kthyen ish-kundërshtarët dhe të persekutuarit nga “Banda e të katërtëve”, shpuri në divorcin e pashmangshëm midis PKK dhe udhëheqjes shqiptare, gjë që u justifikua nga udhëheqja e Tiranës me pretekstin e afrimit të udhëheqjes kineze me imperializmin amerikan, që ishin në të njëjtën linjë me “Bandën e të Katërtëve” te Revolucionit Kultural.

 

Takimi me Hysni Kapon dhe Beqir Ballukun

Sikundër u përmend më sipër, në kulmin e ashpërsimit të përplasjeve në Shanghai dhe në shumë qytete të tjera të Kinës, për përmbysjen me forcë të pushtetit partiak, më 10 janar 1967, mbërriti një delegacion i madh ushtarak shqiptar i kryesuar nga zv. Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Mbrojtjes i RPSH, Beqir Balluku dhe i përbërë nga shumica e gjeneralëve të Ministrisë së Mbrojtjes, Hito Çako, Vaskë Gjino, Todi Naço, Muhamet Prodani etj. si dhe shumë specialistë ushtarakë, ndërsa 3 ditë më vonë, më 13 janar 1967, mbërriti po në Shanghai Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH Hysni Kapo i shoqëruar nga Anëtari i Komitetit Qendror të PPSH Behar Shtylla. Në takimet e veçanta me ta, në praninë edhe të ambasadorit Vasil Nathanaili, ata u befasuan nga faktet dhe argumentet e padiskutueshme të ekspozuara me ta, për katrahurën që po ndodhte në Kinë, duke mos bërë asnjë lloj interpretimi nga ana ime.

Pyetjes intriguese të Hysni Kapos ndaj meje, se çfarë qëndrimi do t’i propozoja udhëheqjes shqiptare ndaj Revolucionit Kultural kinez, iu përgjigja se mbaja përgjegjësi para Partisë për vërtetësinë e fakteve dhe të argumenteve të ekspozuara para tyre, ndërsa për interpretimet dhe vendimet që duhen marrë i konsideroja jashtë mundësive dhe aftësive të mia si një anëtar i thjeshtë i PPSH. Në përfundim të këtij takimi, Hysni Kapo shumë i befasuar dhe i pezmatuar nga biseda, nga faktet dhe argumentet për Revolucionin Kultural në Shanghai dhe në të gjithë Kinën, bëri aluzione për ndonjë influencë mikroborgjeze nga pala kundërshtare në ndërgjegjen time, vlerësoi rëndësinë e Revolucionit Kultural kinez dhe domosdoshmërinë e mbështetjes të Mao Ce Dunit nga Shqipëria. Shokët Behar Shtylla dhe Vasil Nathanaili jashtë takimit e në mënyrë konfidenciale, kishin një mendim dhe qëndrim të kundërt me atë që shprehu Hysni Kapo në fund të bisedës. Një bisedë të tillë e kisha bërë edhe 3 ditë më parë, si dhe një muaj më vonë me personalitetet kryesore të delegacionit ushtarak të sipërpërmendur: Beqir Ballukun, Hito Çakon, disa gjeneralë të tjerë dhe në prani të ambasadorit Vasil Nathanalili që i shoqëronte. Në përfundim të bisedës, ata ishin në një linjë mendimi me shokët Behar Shtylla dhe Vasil Nathanaili ndaj Revolucionit Kultural dhe shprehën mendimet dhe konkluzionet më të sinqerta dhe mbështetëse ndaj meje. Në këtë linjë ishin gjithashtu pjesëtarët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, pas turneut rreth dy mujor në shumë rajone të Kinës, si dhe shumë delegacione të ndryshme që vinin për vizitë në Kinë, duke përfshirë edhe delegacionin e miqësisë Shqipëri-Kinë të kryesuar nga Shefqet Peçi, anëtar i KQ të PPSH dhe kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit në atë kohë, në bisedat dhe diskutimet që pata me ta gjatë qëndrimit të tyre në Shanghai.

 

Vijon nesër

 

Nesër do të lexoni:

Çfarë kërkonin udhëheqësit e revolucionit kultural kinez shqiptarëve

Vizita e Kryeministrit Mehmet Shehu në Kinë, nervozizmi i tij dhe heshtja e Ramiz Alisë

Fundi i revolucionit dhe notat vlerësuese për Stalini dhe Mao Ce Dunin

 

June 17, 2016 10:24
Komento

6 Komente

  1. demo June 17, 18:41

    Revolucioni kulturor kinez ishte nje revansh i Maos per te qene efektiv ne pushtet pas dorezimit te pushtetit ne vitin 1961.Nga 1949 deri ne 1961 Mao udhehoqi katastrofen ekonomike te Kines me politika amatoreske dhe kriminale.Udhehoqi kolektivizimin e sforcuar dhe rrembimin e drithit fshatareve,qe coi ne vdekjen nga uria te 30 miljon kinezeve.Ideoi fushaten e
    prodhimit familjar te celikut,ku cdo shtepi duhet te ndertonte nje furre shkrirjeje per prodhimin e celikut nga orendite skrap.Ideoi fushaten e vrasjeve te harabelave,qe hanin prodhimin,qe perfundoi ne shtimin e paraziteve te bimeve dhe frutave.Ne fushen ushtarake e futi ushtrine kineze ne nje kasaphane te kote ne Kore,qe as per nder nuk ja diten.Pas gjithe deshtimeve e la qeverisjen ne dore te Liu Shao Cise,Li Hsen Nienit,Cu en Lait dhe Ten Hsiao Pinit,te cilet per 6 vjet e ngriten ekonomine kineze ne nivele boterore,sa ne 1966,Kiona do te testonte bomben e pare berthamore.Gjata kesaj kohe Mao ishte nje president honorifik,qe i ishte kushtuar defrimit me vajza minorene,rekordeve te notit ne lumin Jance,dhe batutave filozofike me delegacionet e huaja.Kur e kuptoi se ishte jasht loje filloi represionin me gardistet e kuq,per te cuar ne vend kapriciot kriminale.Ne kete aksion te fundit pati nxithjen e dy personave.;Gruaja e tij e trete Cian Cin(Nje ish prostitute e qytetit te te huajve ne Shangai para lufte dhe aktore filmash) dhe Enver Hoxha,qe kishte nje urrejtje patologjike kunder Ten Hsiao Pinit.Qe Enver Hoxha fushatat kriminale te spastrimeve te luftes se klasave i kishte metode drejtimi,kete e tregon fakti se keto fushata ne Shqiperi nuk u zhvilluan vetem ne 1967 nen ndikimin kinez,por ne vitet 1945-48 nen ndikimin Jugosllav;ne 1951-52 nen ndikimin sovjetik,ne 1973-1982 krejtesisht me forcat tona>Nga viti 1967 deri ne 1972 gazeta Zeri Popullit jepte cdo dite demaskimet qe pesonte Hrushovi i Kines Ten Hsiao Pin nga kolektivat rrevolucionare.Enver Hoxha kishte leshuar fermanin dhe po priste koken e Ten Hsiao Pingut ne sini te argjente.E pesoi si ai veterani Napoleonit,qe i kishin thene se trupat franceze kishin pushtuar Berlinin dhe kur del ne dritare te pershendese garden triumfuese sheh trupat Prussiane qe po marshonin ne Paris.Atehere i ra damllaja.Keshtu e pesoi Enver Hoxha kur pa ne edicionin e lajmeve tek RAI,takimin mes Nixonit dhe Mao Ce Dunit ne Pekin ne 1972.I ra damllaja e pare.Aq e papritur i erdh sa nuk arriti te ndaloje nga qarkullimi revisten e illustruar Kina e Re qe e pasqyronte gjere e gjate kete takim.Atehere si kunderpergjigje te demokratizimit te Kines moter,ne 1973 ndermori fushaten rrepresive te luftes se klasave ne frontin ideologjik,kulturor,ekonomik,ushtarak deri sa ja hengri koken kryeministit te tij kriminel,duke lene shtetin ne duart e gruas se tij,qe e kishte mbeshtetur ne te gjitha fushatat kriminale,qe nga 1945.

    Reply to this comment
    • boll karaduze te tropojes June 18, 12:48

      o demoni demo

      ndegjo dy llafe dhe perdori ne vend te ilacit

      cdo njeri ka te drejte te jete antienverist deri dhe ne kanibalizem ekstrem por vetm nje gje nuk duhet ta beni se po na I beni enverin LEGJENDE…mos luftoni kunder historise dhe ta shtremberoni ate
      me konkretisht:

      Pse po shikon me “mikroskop” gabimet e enverit dhe nuk shikon me gjere problemin:
      per shembull:
      Si e turperoi veten Niksoni dhe shkoi te “Matufi Mao” ne 1972 kur ky I fundit nuk kishte shume kohe qe kishte thene se Amerika ishte nje tiger prej letre?

      Ose tjetren:
      Ndihma ekonomike e Kines dhene Shqiperise qe llogaritet ne miljarda dollare nuk u dhe per gopin e mamase Demos por per politiken eksellente qe ndoqi Enveri me Kinen.
      Vetem 5 perqind te ndihmes Kines ten a kishte dhene Amerika sidomos ne teknollogji) ne do te ishim nje vend I lulezuar
      ————————-
      Me habit fakti qe jo vetem po jepen disa tema te kalbura pa vlere te gazeta Dita dhe jo vetem kaq po jepen dhe si demaskim I qeverise (regjimit) tiranes qe u lidh me Kinen dhe blab la bla

      Me habit fakti qe ky zoti Merja ka qene pjese e atij pushteti apo regjimi si e quan ai gabimisht.
      Jo vetem ai por dhe ky komentuesi demo kane qene sperma te enverit pra kane sindromen e Is Kadarese qe jane pergjegjes bashke me enverin per ate system dhe jo te na shesin pordhe….
      —————–
      Komentuesi “demo” duket qe I takon hordhive tropojane te mehmut elezit qe personalisht enver hoxha I mori nga zgeqet e bjeshkeve te nemuna dhe jo vetem I coi dhe I shkolloi ne Tirane por dhe I coi edhe ne Kine.
      Dhe tani na del “demo” per te na bere politiken e botes dhe e dermoi “enverin e shkrete”

      Rri o demo demoni se me cfare shkruan per te “nxire me bojete zeze ” enverin qe te nxorri nga shpella me shume po ja rrit lavdine jo vetem tip or dhe banda krimianle e tropojes qe e shkaterruat ate vend ne ate menyre qe as serbi me grekun nuk e imagjinonin

      Reply to this comment
    • Sander Dogani June 18, 13:14

      Demo, je i sakte. Kur Kina hodhi menjane leckat dhe paçavuret ideologjike, dhe vuri perparesi interesat e Kines, ahere beri kapercimin nga nje vend i prapambetur ne nje vend me kapacitet e peshe ballore ne bote.

      Ndersa Dulla me banden e tij u gjenden ne qorrsokak, dhe per te siguruar mbijetesen e tyre, hapur flaken tej interesat e vendit e te popullit, e shtyne katastrofikisht e me plage te medha per ne fund te viteve ’80 e fillim te ’90.

      Reply to this comment
  2. antifashisti June 17, 23:33

    O demo,na rrufsh bythen per te gjitha sa ke zhgarravitur!
    Te gjitha i ke halucinacione,o koqe kandari!
    Pa na rrefe ndonje sukses te ketyre 26 viteve kapitaliste ne Shqiperi?
    A ke pyetur se pse eshte kaq i “LUMTUR” populli shqiptar nga sundimtaret kapitaliste?

    Reply to this comment
  3. Amb....amerik...LU_dv June 18, 13:00

    Demua me Dinen duan te revizionojne historine!!!!
    Dinen e njohim qe eshte nje koqe kandari Prof.Leshi…
    Ka rjepur ne socializem dhe kerkon te rruaj edhe kapitalizmin…
    Hajde Dine
    Prite Demo…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*