Udhët e Serembes

Nasho Jorgaqi March 13, 2016 09:59

Udhët e Serembes

Në 115 vjetorin e ndarjes nga jeta (1901-2016)

Kam zbritur në Kalabri dhe kam ardhur në trevën e njohur të muzës arbëreshe, në të djathtë të lumit Krati. Një peizazh mesdhetar, me reliev të thyer, me kodra, ku ngrihen krah njëri-tjetrit katundet Maqi, Strigari, Mbusati … Janë viset nga dolën De Rada, Serembjeja, Variboba. Që të tre linden e u rritën nën dritën e hijen e këtyre kodrave. Mendoj këto dhe, ndërsa vështrimi më hapërdahet rreth e rrotull, më bëhet se tingëllojnë zërat e harpës arbëreshe.

Është një pasdite e kuqërremtë vjeshte, e heshtur, disi e menduar. Koha më e pafajshme e ditës, siç do ta quante poeti, kur dita zë e mpaket dhe hapësirat nuk e kanë më transparencën e parë. Zërat sikur marrin një kumbim joshës. Vërtet. Gjuha jonë në këto vende të huaja ka rrokëzuar këngë, këngë nga më të bukurat?

Prapa kemi lënë Maqin dhe vemi për në Strigar. Këto dy katunde janë fare afër, aq sa nga larg, dritaret duken sikur i kanë përballë. Diku në një kthesë të rrugës, rrëzë kodrës, poshtë së cilës hapet gryka e një honi, shohim rrënojat e mullirit të De Radës. Ndizet rishtas biseda për poetin. Kuptojmë se ai ishte nip në Strigar dhe që i vogël shkonte shpesh tek e gjyshja nga nëna. Këtu, më vonë, do të niste të mblidhte të parat këngë popullore. I pat dëgjuar nga një plakë arbëreshe. Ia përmendim dhe emrin, Tortoshlja ia thoshin. Ajo ia këndoi këngët për Milo Shinin, për Dede Skurën, për Rado Vanin, që poeti i ri i botoi pastaj në libër.

Por na duhet të ndahemi nga De Rada tani që po hyjmë në kufijtë e vendlindjes së Serembes. Për disa çaste të bëhet se ke rënë në një fushë të përbashkët graviteti. Tërhiqemi nga poeti i Strigarit dhe nuk shkëputemi kollaj nga këngëtari i Maqit. Gjendemi te burimet e poezisë së tyre dhe askund sa këtu nuk e ndiejmë forcën dhe magjinë e saj.

Të takosh Seremben në katundin e tij! Një ëndërr, një dëshirë, që buron nga zemra. Ti pëshpërit vargje dhe Strigari ja, sikur del prej tyre dhe merr trajtë pak nga pak me dritëhijet e kësaj mbasditeje vjeshte, në mes të rrezeve të perëndimit, që llamburitin nga gjiri i kaltëryer i detit Jon dhe ngjyrave të mugëta që bien mbi malet e Polinit. S’mund të ketë vizion më të hijshëm të vendlindjes së poetit se sa kjo pamje e parë. E vështrojmë të ngazëllyer. Strigari na qëndron përballë, sado që rruga gjarpëron sa andej-këndej. Ai ngrihet mbi çukën e një kodre, që zotëron të katër anët e horizontit. Duken shtigje e dhiare, monopate e udhëza, endur si një rrjetë e kuqërremtë lart e poshtë katundit. Janë me siguri po ato shtigje nëpër të cilat shtegtoi dikur poeti. Udhë fshatare e monopate që shkojnë në Maqi e zbresin në fushën e Sibarit, që ngjiten kodrave përtej dhe malit të Akrit, që të nxjerrin deri në brigjet e detit Jon. Rrugë të jetës e të historisë arbëreshe në këto anë.

Kalojmë udhën kryesore dhe i ngjitemi kodrës së Strigarit. Nga bregu i përtejmë befas përhapen tingujt e kambanave. Bien kambanat e moçme të katundit. Janë po ato të kohës së poetit dhe një atmosferë tjetër sikur përftohet, atmosfera përtej kohës sonë. Po hyjmë në botën e Serembes dhe në mënyrë të pavullnetshme lëshohemi pas tij.

Poeti strigariot Vincens Belmonte që më shoqëron, një burrë i qetë e më sy meditativë, buzëqesh në heshtje, sikur t’i kuptojë mendimet e mia. Pastaj thotë se katundi i tyre u ngrit më 1540 dhe se emrin e tij e sollën nga Arbëria. Në vend të emrit San – Kozmo që gjetën, i thirrën Strigar për të kujtuar Strugën e tyre. Se sollën dhe gjuhën, zakonet e këngët, të cilat ruhen dhe sot e kësaj dite; për këtë, shton ai, katundi i detyrohet dhe Serembes.

Krejt pa u kuptuar vëmë re se kemi arritur sipër dhe kemi shkelur në Strigar. Dikush ndalet dhe duke vështruar përpara shqipton disa vargje të poetit për katundin e tij:

Në një kodër të bukur,

Ku puhia lehtas fryn,

Ku i gjerë hapet deti!

Në vend të çukës së kodrës, para nesh del katundi me shtëpitë, rrugicat, sheshet e kopshtet. Muret e vjetra dhe kalldrëmet e lëmuara, gurishtat e rrënojave dhe rrëpirat që varen anash, të krijojnë mbresën se po shkel në një kështjellë mesjetare.

Vinçensi na tregon se pjesa më e lashtë e katundit ngrihet e tëra në lindje, nga ajo anë që shikon detin Jon. Ky ishte pozicioni që zgjodhën arbëreshët e parë. Duke u vendosur përballë diellit, kishin ngaherë përballë Arbërinë. Më vonë, katundi u rrit e u zgjerua në anën tjetër, nga veriperëndimi dhe në këtë pjesë shtrihet sot Strigari i ri.

Vështrojmë përqark dhe vëmë re se katundi është shumë i përmbledhur, ka një dendësi të çuditshme strehësh e muresh dhe shtëpitë duken sikur janë vazhdim i një të tëre. E menjëherë pas tyre zbresin ngastra ullishtash e vreshtash, shkurrishte, hone të vegjël e bokërima. Kurse më përtej ngrihen rishtas kodra të tjera, nga të cilat më afër nga të gjithë është Serra e Kristës. Poshtë Strigarit, në krahun e djathtë, nëpër një shtrat të thellë malor, rrjedh lumi i vogël Sabatino, ndërsa sipër tij gjarpëron rruga që shkon për në Vakarico, Mbuzat e më tutje. Të gjitha këto janë vende të përmendura në jetën dhe poezinë e Serembes.

 

   Takimi i parë me poetin

Takimin e parë në të hyrë të Strigarit e bëjmë me bustin e poetit, që është vendosur në sheshin e vogël para Bashkisë. Është një bust i bukur, që e tregon poetin me pamje burrërore. Vargjet e Serembes, të skalitur në mermer, flasin me ne arbërisht:

Shkuan katërqind vjet,

Të harruar nga fati.

… e pranë u rritë,

Trimëria ç‘e bëri hije.

Pra, shekuj kanë kaluar e do të kalojnë, po arbëreshi mbetet e nuk vdes, nderi dhe trimëria e tij sa shkon e rritet. Dhe me këto mendime që të ndjell poeti, marr e ngjis të përpjetën e rrugicës së kalldrëmtë, që të shpie për në brendi të katundit. Të bëhet se nga ky çast, një i njohur i vjetër e i dashur, sikur vjen e të shoqëron. Është ky shëmbëllimi i vetë poetit apo zgjimi i asaj pjese të vetëdijes kombëtare derdhur në kulturën tënde shpirtërore që lidhet me të? Atë çast vetëm mund të kuptosh e të ndiesh se disa fije qysh moti të lidhin dhe ty me këtë katund arbëresh, mbirë në këtë cep të Kalabrisë. A thua të jenë kaq të thella e të ngatërruara rrënjët e poezisë së një kombi?

– Kjo është udha kryesore e katundit, – dëgjoj të thotë Vincensi. – Udha që të shpie në shtëpinë e Serembeve.

Më shumë se rrugë, ajo është rrugicë, që kalon në mes balleve të gurta të shtëpive, nën ca strehë të vjetra nga varen degë lulesh. Ngjyra e verdheme dhe e përhimët, që këmbehen nga faqet e mureve të shtëpive dhe gurët e kalldrëmeve, tregojnë për moshën e lashtë të vendlindjes së poetit.

Ne çapitemi nëpër rrugicën që dredhon sa djathtas e majtas. Ndërkaq kalojnë më të rrallë strigariotë, burra e gra, kafshë të ngarkuara, ndonjë makinë që ecën me kujdes. Pas çdo kthese, pamja ndryshon. Ndryshon dhe emri i udhës. Në krye mban emrin “Antonio Gramshi”, pastaj “Shqipëria”, më tej “Guljem Toçi”. Në qetësinë e asaj pasdreke të vonë dëgjohen hapat tanë nëpër kalldrëm. Kështu kanë goditur dhe hapat e poetit dikur. Është pikërisht kjo udhë e asnjë tjetër, ku ai hodhi hapat e parë. Prej këtu nisën udhët e tij pa mbarim nëpër botë. Sepse, është një e vërtetë e njohur, askush nuk i rrahu e nuk i deshi rrugët si Serembja. Rrugët u bënë kuptimi kryesor i ekzistencës dhe qenies së poetit. Në rrugë, në lëvizje e sipër, lindën dhe shumë nga këngët e tij.

Kështu dhe do ta mbajnë mend Zefin në katund, duke shkuar për rrugë e duke u kthyer nga rruga, duke zbritur e duke u ngjitur udhëve të Strigarit, fill i vetëm, me një trastë në krah, me një shkop në dorë, me kapele në kokë. Kujtojmë këto dhe padashur na bëhet se mund të na fanitet pas çdo kthese poeti, me atë pamje siç e ka vizatuar portretin e tij vetë: I gjatë, flokëgështenjë, të ndarë me vijë në mes, me vetulla të trasha e me mustaqe. Do të na vështrojë me ata “sy si lule dielli”, “ku lëviz një dritë e çuditshme që të zgjon përshtypjen e një ëndërrimtari”. A thua vërtet, dukej ashtu siç e përshkruajnë ata që e panë në kohën e tyre: si një njeri të sapozbritur në ato anë, nga malet e Shqipërisë?

Vallë ç’gjë të veçantë do të kishte poeti, që krijonte këtë mbresë tek të tjerët? A thua ne, që vinim nga malet e Shqipërisë, do të mund ta dallonim? Këto janë arsyetime të çastit, por ne mundohemi të thërrasim në ndihmë dëshminë e kohës e të kridhemi në poezinë e tij.

Dëgjoj Vinçensin të më thotë se udha nëpër të cilën po kalojmë është udha kryesore e Strigarit të moçëm. Ajo ngjitet dhe zbret, duke e ndarë më dysh katundin e vjetër. Pas kemi lënë Drejtlartin (anën e sipërme) dhe ecim nëpër Drehqim (anën e poshtme). Aty ku ato ndahen është “Sheshi” dhe ne aty qëndrojmë, një shesh I vogël, që hapet në mes të mureve dhe rrugicave. Fill pas sheshit nis pjesa e udhës që merr emrin “Zef Serembe” dhe më tutje vjen vetë shtëpia e poetit. Ajo bie në sy menjëherë që larg nga pllaka e bardhë.

Ecim dhe afrohemi. Në krahu e djathtë të një ndërtese të lartë lexojmë fjalët e gdhendura në mermer:

“Te kjo shtëpi u le Zef Serembe 1843 – 1901, poet i zgjedhur. Vjershat e tij shkëlqejnë ndë lartësinë arbëreshe. Mallit, artit, atdheut i kushtoj jetën çë fati i zi parë motit i këputi. Bashkia demokratike e Strigarit e ringjallur ndë Italinë republikane, brezave të ri ia kushton ndë 90 vjetorin e vdekjes sa të mos humbet trashëgimi kulturor i pakicës arbëreshe.”

Shtëpia e poetit, sado që e rindërtuar pjesërisht, është prej shtëpive më të vjetra të katundit. Kjo duket sidomos nga muret e katit të parë, ngritur me gurë e tulla të murrme, të çngjyrosura nga koha. Duket edhe nga porta me hark dhe pragu i gurtë. Këto pjesë të shtëpisë thuajse nuk kanë ndryshuar. Kanë ngelur ende ahuri, ku mbanin kafshët, dhe mulliri i vajit.

Fisi i çuditshëm

Në shtëpinë e Serembeve, më tregon Vinçensi, nuk ka mbetur njeri prej të zotëve. As dhe nga fisi i tyre, në katund nuk gjen. Serembet në ditët tona ose kanë vdekur, ose kanë ikur në mërgim. I fundit i Serembeve në Strigar ka qenë një nga nipat, Xhovani Serembe, që vdiq në moshë të thyer nga fillimi i viteve 70. Atë e mbajnë mend në katund. E kujton mirë dhe Vinçensi që thotë:

– Ka pas qenë njeri shumë i çuditshëm. Dukej e zhdukej si një hije nëpër katund, sikur vinte e ikte nga një botë tjetër. Gjithnjë vetëm e gjithnjë i heshtur. Nuk e teproj po të them se të gjithëve na ngjante pak misterioz. Nuk para fliste, më shumë do ta shihje të shkruante, sepse shkruante dhe ai vjersha. Të ungjin e admironte si perëndi. Ia dinte përmendësh gjithë veprën, të njohur e të panjohur, po ishte shumë e vështirë të komunikoje. Vetëm Vinçens Selvaxhi, një studiues nga katundi ynë, mundi t’iregjistrojë ndonjë gjë.

Ç‘është e vërteta, të gjithë Serembet kanë qenë fis i çuditshëm. Të paktën kështu tregojnë pleqtë. Ishin disi të veçantë nga të tjerët, kokë më vete. I tërhiqte ngaherë vetmia. Qenë ca nervozë dhe tepër të ndjeshëm. Zefi, ndoshta më shumë se të tjerët, përfaqësoi Serembet, sepse Serembet në të vërtetë qenë jo vetëm njerëz të ndershëm e të zgjuar, po dhe natyra të forta liridashëse dhe krijesa me shpirt të hollë artistik.

E ëma e Zefit rridhte nga Toçët, një fis i njohur në Strigar, që ka nxjerrë njerëz të ditur në lëvizjen arbëreshe, por poeti i ngjante më shumë të atit, Mikelanxhelos, i cili, siç e dini, ka hyrë tanimë në historinë e Risorxhimentos në këto anë. Ai që herët u tregua një luftëtar i lirisë dhe mbeti i tillë deri në fund, sado që e pagoi shtrenjtë. Zefi u rrit e u formua në shembullin e tij…

Dëgjojmë këto fjalë dhe nuk na bëhet t’i heqim sytë nga shtëpia e Serembeve. Ajo pushon në heshtje dhe përmes saj na vijnë vargjet:

Të madhe qetësi kam te shtëpia,

                Kur mblidhem i mërzitur nga kjo jetë,

                Dhe rreth e rrotull më pushton vetmia etj.

Pas këtyre mureve tani banojnë njerëz të huaj. Asnjë relikte s’ka mbetur nga të zotët e shtëpisë. Stuhia e kohës ka fshirë çdo gjë pothuaj. Bisedojmë për këtë me Vinçensin. Edhe atë e trishton kjo gjë.

– Vërtet, – thotë ai me keqardhje, – do të ishte një pasuri për katundin dhe kulturën tonë etnike, pot ë kishim diçka nga poeti në këtë shtëpi. Ai këtu lindi, kaloi fëmininë dhe rininë e parë. Këtu ai u burrërua dhe u kthye rishtas para se të ikte përgjithmonë në lulen e moshës. Tani ne kërkojmë jo aq këto, sa gjëra të tjera që janë themelore për të. Kërkojmë fillet e vjershave të tij, të cilat i këndoi si një zog nëpër katund e përqark dhe pastaj iku e fluturoi krejt i shkujdesur …

Vinçensi qëndron një hop, na shikon i vërejtur pas syzeve të trasha dhe me një ton tjetër vazhdon.

– Ashtu si poezia edhe jeta e tij duhet kërkuar. Shumë fakte e dokumente mbeten ende në errësirë. Kështu, i kemi rënë në gjurmë kohës së saktë të lindjes së poetit, megjithëse në regjistrat e gjendjes civile të bashkisë dhe në listën e pagëzimit të kishave të katundit tonë, ai nuk figuron gjëkundi. Vetëm tani vonë dr. Salvatore Beluçi, duke hulumtuar në regjistrat e rekrutëve të vitit 1864 dhe në listat elektorale të vitit 1897 në Strigar, gjeti datëlindjen e plotë të poetit, që i takon të jetë 6 marsi 1844 dhe jo viti 1843, siç është mbajtur deri më tani. Dokumente të tjera dëshmojnë se prindërit e tij Maria dhe Mikelanxhelo janë celebruar në Vakaricio më 21 mars 1841, kurse, nga ana tjetër, del se po në regjistrat e kësaj komune s’është shënuar asgjë për lindjen e djalit të tyre të dytë. Sigurisht, kjo mund të shpjegohet vetëm me pozitën e të atit dhe rrethanat politike të kohës. Ai ishte një antiburbon i paepur, prandaj përndiqej dhe detyrohej të jetonte shpesh në arrati. Në këto rrethana mund të mos e ketë bërë regjistrimin e të birit në aktet zyrtare të gjendjes civile të Strigarit.

Kur Zefi ishte pesë vjeç dhe ndodhën ngjarjet e Revolucionit të 1848-ës, i ati, me sa shkruajnë dokumentet, ishte zëvendëskomandanti i “Rojës kombëtare” dhe qe ai, sëbashku me të famshmin Aleksandër Mauron, që ngriti në këmbë popullin e Strigarit e të Vakaricios dhe e hodhi në anën e revolucionit. Vullnetarët arbëreshë, me ata në krye, luftuan trimërisht mbrëmjen e 29 qershorit kundër pararojës së trupave burbone dhe fituan mbi të. Pas dështimit të revolucionit, si del në faktet e zbuluara nga Domeniko Kasiani, gjykata e lartë ushtarake nga të parët dënoi me vdekje Mikelanxhelon.

Por ai ndërkaq ishte hedhur në arrati dhe s’kishte zot ta kapte. Fshihej nëpër pyje e shpella dhe vinte fshehurazi në shtëpi. Kjo zgjati me vite dhe gjatë kësaj kohe të vështirë familja e tij pësoi si mos më keq. Zefi i vogël do t’i përjetonte bastisjet dhe kërcënimet e policisë burbone, ndjekjet dhe varfërinë dhe këto do ta tronditnin thellë e s’do të mbeteshin pa pasoja më vonë. Por dhe kur pas disa vjetëve i ati u fal nga qeveria dhe u kthye në shtëpi, ai ishte krejt i rraskapitur fizikisht dhe jo vetëm fizikisht. Veç kësaj, ngjarje të tjera do ta rëndonin më vonë gjendjen e Zefit dhe do ta rrisnin frymën e pakënaqësisë e të revoltës kundër tiranisë. Një ditë gushti të vitit 1862 bandat barbare vranë në kodrën e Sera-Kristës të ungjin, Vinçens Vinaçianin, të respektuar si demokrat në këto anë. Zefi e donte shumë dhe këtë ngjarje nuk do ta harronte, aq sa më parathënien e librit me vjersha, që botoi më 1883, do të shkruajë se ai “ishte mbështetja e vetme që më kishte mbetur” dhe se që nga ajo fatkeqësi “nuk m’u kthye më gazi i rinisë dhe zemra ime mbeti e vrarë”. Edhe në një letër dërguar Dhimitër Kamardës do t’i flasë për këto fatkeqësi, që ranë mbi jetën e tij dhe do ta quajë veten “pre të shumë dhimbjeve dhe shqetësimeve krenare”.

Nga rrëfimi i Vinçensit marr vesh se të parët e Serembeve në Strigar kanë qenë në gjendje të mirë ekonomike. Ata i takonin asaj shtrese, që u krijua në Kalabri, në fund të periudhës feudale, aty nga mbarimi i shekullit të 18-të. Pozita e saj ekonomike qëndronte në mes të aristokracisë dhe fshatarëve të pasur, prandaj dhe morën titullin Don. Të tillë qenë Serembet e poetit tonë. Kjo shtresë u forcua ekonomikisht me të ashtuquajturën Reformë Agrare në shekullin e 19-të dhe deri atëherë intelektualët e dalë prej saj qëndruan në pararojë të luftës. Pas Revolucionit të 1848-ës ata nuk deshën të shkonin më tej, sepse kishin frikë se mos humbitnin privilegjet, kurse i ati i poetit, Mikelanxheloja, bën përjashtim jo vetëm sepse merr pjesë aktive në revolucion, por, duke i qëndruar besnik idealeve të luftës, shkatërrohet keq nga ana ekonomike. Janë këto pasoja rrënuese që do ta bënin poetin e ardhshëm të kalonte një fëmijëri e rini të vështirë.

(Vijon nesër)

Nasho Jorgaqi March 13, 2016 09:59
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*