“Udhëtimi im” – Cettina Mazzei

July 2, 2019 12:47

“Udhëtimi im” – Cettina Mazzei

Nga Entela Resuli

“Ne kemi nevojë të studiojmë të shkuarën për të ndërtuar të tashmen e etnisë arbëreshe”

Cettina Mazzei, u lind më 29 dhjetor të vitit 1955, në Caraffa (Garrafe), një komunë me origjinë shqiptare në provincën e Catanzaro-s. Piktore, skenografe, profesoreshë dhe njohëse shumë e mirë e botës shqiptare, ka udhëtuar disa herë në Shqipëri, përfshirë periudhën gjatë komunizmit për të thelluar studimet në glotologji, antropologji, etnografi dhe art. Në pikturat e saj janë të dukshme motivet etnike, të cilat e kanë shoqëruar gjatë gjithë krijimtarisë si artiste, përfshirë konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare.

Dashuria për traditën shqiptare dhe trashëgimin kulturore e ka shtyrë të shkruajë dhe tre libra: “Lojërat dhe lodrat në traditën popullore të Garrafës”, “Mjekësia popullore, si shëronin të parët tanë” dhe “Jeronim De Rada, hulumtim mbi letërsinë e shkruar dhe të transmetuar gojarisht në traditën e Garrafës”.

Aktualisht punon dhe jeton në vendin e saj të lindjes dhe se fundmi është dekoruar me titullin “Ambasadore e Kombit”, akorduar nga shteti shqiptare.

-Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë të mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?

Mund të them me plot gojë që profesioni im është fryt i një vokacioni të brendshëm. Që në fëmijëri, kur të rriturit më pyesnin çfarë doja të bëhesha në të ardhmen, me shumë vendosmëri, pa hezituar fare, përgjigjesha mësuese e pikturës dhe e historisë së artit.

-Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional / personal?

Jeta ime profesionale është shënjuar nga disa momente të rëndësishme. Momenti i parë i rëndësishëm ka qenë kur arrita të realizoj ëndrrën time të fëmijërisë. Isha vetëm 22 vjeç, sapo kisha mbaruar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, kur fitova në Romë konkursin kombëtar, për të dhënë mësim si titullare.

Pesë vite më vonë, në moshën 27-vjeçare , isha një ndër tre anëtarët e komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve që aspironin të bëheshin mësues, të cilët shpesh herë ishin dhe më të mëdhenj se unë në moshë. Në vitet në vazhdim përgjegjësia dhe detyrat sa vinin e rriteshin, duke kaluar nga sindikaliste, në anëtare të këshillit arsimor rajonal, më pas hartuese e projekteve arsimore kombëtare dhe zëvendëspresidente.

-Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?

Sekreti ka qenë se unë kurrë nuk kam pasur qëllim kryesor suksesin, nuk jam fiksuar kurrë pas tij. Çelësi që më ka hapur dyert e suksesit ka qenë dashuria, pasioni dhe vetëdija që kisha. Mund të them pa modesti false se përgatitja dhe aftësitë më kanë bërë të fortë, aftësitë janë pasuruar me kalimin e kohës, sepse dhe dashuria e pasioni për profesionin janë rritur me kalimin e kohës, gati si një forcë profetike, e cila me ka mundësuar të realizohem si grua dhe si profesioniste.

-Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetë?

Sfida më e madhe ka qenë të tejkaloj vetveten dhe të pasurit më shumë vetëbesim. Autostima, besimi tek vetja, ecin krah për krah me suksesin. Nuk kam menduar asnjëherë të jem dikush tjetër, nuk e kam krahasuar kurrë veten me të tjerët. Pavarësisht se pengesat mund të dukeshin të pakapërcyeshme, kam arritur t’ia dal përballë çdo sfide, falë forcës së brendshme dhe dashurisë për jetën. E kam dashur dhe e dua jetën edhe në momentet më të vështira.

-Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do të ishte jeta jone nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me zgjedhjet tuaja?

Nuk më ndodh asnjëherë të mendoj për jetën time ndryshe nga ç’është, ndjehem e kënaqur për zgjedhjet e mia dhe objektivat që kam arritur si në jetën profesionale ashtu dhe në raportet sociale e zgjedhjet kulturore. Jeta ime sigurisht, ka pësuar transformime për shkak të një sëmundje, e cila më ka shkaktuar paaftësi fizike në moshë shumë të re, por kjo nuk më ka ndaluar kurrë që të heq dorë nga dëshirat e mia ose të zmbrapsem nga qëllimet që i kisha vënë vetes.

-Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkaloje veten, cilat arritje përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?

Sigurisht është dashur shumë forcë dhe sakrifica për të tejkaluar limitet e krijuara nga kushtet e mia fizike, por nuk kanë munguar momentet triumfuese. Jam e kënaqur sepse ia kam dalë të realizoj projekte të rëndësishme, ku njerëz të tjerë dhe me më shumë pushtet dhe role më të larta institucionale, nuk ia kanë dalë. Kam eksploruar në fusha të palëvruara, kam hartuar plane inovative dhe kam arritur të mbledh rreth vetes mijëra njerëz në aktivitetet kulturore që kam realizuar.

Fitore të rëndësishme për mua janë dhe iniciativat e shumta të ndërmarra nga shoqata kulturore që kam themeluar, nëpërmjet saj është bërë e mundur hapja e një muzeu etnografik, një bibliotekë, gjithashtu dhe krijimi i një festivali kulturor e folklorik për mbrojtjen e minorancës etnike shqiptare, i cili ka përfshirë mbi 30 komunitete arbëreshe dhe rreth 10 mijë student. Tashme janë kthyer në një traditë disavjeçare dramatizimi i historisë se lindjes së Krishtit dhe “Nata Arbëreshe”

Dhe të fundit, por jo më pak të rëndësishme, kanë qenë akordimi i medaljes dhe diplomës për mëritë, nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës. Akordimi i titullit Ambasadore e Kombit nga ministri i diasporës Z.Pandeli Majko dhe gjithashtu një medalje tjetër e dhënë nga dhoma e deputetëve të Republikës së Italisë.

-Çfarë evokimesh te djeshme dhe te sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?

Mëmëdhe unë quaj Shqipërinë, kombin nga kane ardhur të parët e mi dhe që më evokon ndjenjën e përkatësisë. Duhet të pranoj që nuk ka qenë gjithmonë kështu, sepse në moshë të vogël nuk isha e ndërgjegjshme për historinë time për diversitetin kulturor. Kur me pas u transferova në Catanzaro për të ndjekur liceun, fillova te ndjehesha e huaj në vendin tim, sepse deri atëherë Italia ishte atdheu im. Njerëzit autoktonë më thërrisnin me një emër, të cilin deri atëherë nuk e kisha dëgjuar asnjëherë dhe nuk ja njihja etimologjinë, “gjegja”.

Qe prej asaj here pastaj fillova të hulumtoj mbi identitetin tim, mbi të qenit shqiptare. Them shqiptare sepse deri në atë moment as termin arbëresh nuk e kisha dëgjuar. Për të kaluar tek reflektimi mbi të ardhmen… Jam shumë e pasigurt për të ardhmen e kulturës arbëreshe, shumë komunitete shqiptare në Itali po kalojnë një periudhe agonie. Jam e mendimit se duhet të kthejmë kokën nga e kaluara, por në të njëjtën kohë duhet të rinovojmë dhe të tashmen, duhet të azhornojmë gjuhën, të fusim forma të reja, shprehje të reja për të ndërhyrë në natyrën e shoqërive tona, gjithmonë e më shumë homologe. E shikoj me vend propozimin e iniciativave te tilla si “Nata Arbëreshe”, që siç thashë dhe më lart për herë të parë është propozuar nga shoqata ime “Projekti Caraffa”, e cila përfaqëson paradigmën se si mund të ruhet identiteti kulturor, nëpërmjet organizimeve

– Çfarë do të thotë të jesh arbëresh?

Të jesh arbëresh është të ndjehesh krenare për historinë tonë, është të ndjehesh shqiptare pa dashur t’i provosh asgjë askujt, sepse jemi të tillë në gen. Sensi i përkatësisë ndërtohet ditë pas dite, duke edukuar komunitetin, duke e nxitur të ketë më shumë vetëdije dhe të jetë më koshient për identitetin kombëtar, nëpërmjet shprehjeve të traditës.

Nuk është më e nevojshme t’i gëzohemi vetëm të shkuarës dhe fokusohemi te një kulture arkaike, krahasuar me kohën kur jetojmë. Ne kemi nevojë të studiojmë të shkuarën për të ndërtuar të tashmen, për të rinovuar kodet me të cilat lexojmë kulturën e etnisë arbëreshe.

– Çfarë cilësie mendoni se ka qene më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të jeni i suksesshëm?

Qëndrueshmëria, vendosmëria, pasioni për gjerat në të cilat beson, kokëfortësia për të arritur objektivat, janë të gjitha veti që i gjej tek vetja dhe i kam vënë re dhe tek shqiptarë të tjerë. Ka dhe cilësi të tjera me të cilat populli i shqipeve përngjason me popullin kalabrez, siç janë lidhjet e forta familjare, sensi i komunitetit (gjitonia) apo dhe sensi i përkatësisë. Por, mbi te gjitha, karakteristika më dominante që më lidh me kulturën shqiptare është mbajtja e fjalës, besa, si një institucion dhe kod i mirëfilltë nderi. Më mjafton një shtrëngim i dorës, një fjalë e dhënë për të mbyllur një marrëveshje, me të njëjtën garanci si te një kontratë.

– Si mendoni se mund te përmirësohet bashkëpunimi ndër shqiptar?

Kam qenë gjithmonë e bindur se bashkimi bën fuqinë, ndaj jam shumë e gëzuar për këtë bashkëpunim të të gjitha komuniteteve shqiptare në mbarë botën. Nuk jam në gjendje t’ju jap sugjerime të tjerëve se çfarë do të duhej dhe nuk do duhej të bënin, strategjia që kam ndjekur me shoqatën time ka qenë të përfshij sa më shumë njerëz në aktivitetet tona, gjithashtu kam kërkuar një bashkëpunim me komunitet, shoqatat e ndryshme dhe institucionet italiane, por gjithashtu dhe ato  shqiptare dhe kosovare, të cilat kanë njohur kontributin tim koordinatore.

– Çfarë duhet të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Shqipëria ka ndryshuar për mirë pas rënies se komunizmit, edhe pse ka pasur disa situata te pakëndshme dhe pengesa, të kuptueshme për një vend që është nisur drejt një aventure të re. Shqipëria sot është një vend që po zhvillohet plotësisht dhe po transformohet në një shtet modern. Nuk duhet të ndale këtë periudhe ndryshimesh, besoj se po ecën në rrugë të drejtë.

– A mendoni se është e duhura qasje që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?

Sinqerisht, mendoj se shteti shqiptar ka një ndjeshmëri të madhe ndaj diasporës, kjo përforcuar nga fakti se vetë diaspora, emigrantet mbrojnë lidhjet e gjakut dhe mbajnë të fortë lidhjen me mëmëdheun. Në këtë drejtim, qeveria e vendit amë në bashkëpunim me shtetin kosovar kanë ngritur një ministri të përbashkët dhe mendoj që është maksimumi i vëmendjes që mund t’i jepet diasporës. Duke qenë se operoj në sektorin e arsimit dhe prej vitesh jam në kontakt me brezat e rinj, problematika më e madhe që ve re është humbja e të folurit së gjuhës shqipe, elementi kryesor që ne na diferencon nga popujt e tjerë dhe na identifikon si pjesë e popullit shqiptar.

Humbja e gjuhës nënkupton dhe humbjen e trashëgimisë shkencore dhe kulturore, rrjedhimisht kjo do të sillte pasoja të pandreqshme dhe rrezikojmë të zhdukemi si komunitet. Dhe për t’ju përgjigjur pyetjes, se çfarë do t’i kërkoja qeverisë shqiptare, do të thoja:

Do t’i kërkoja të njëjtat gjëra që i kërkoj dhe qeverisë italiane, futjen e gjuhës amë si lëndë kurrikulare në shkollat me minoranza etnike dhe gjuhësore

– Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane , ndryshimi mbetet konstantja e kohës. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Planet e mia për të ardhmen janë të vazhdoj të zhvilloj dhe të pasuroj me ide origjinale dhe inovative, iniciativat me të cilat kam punuar në gjithë këto vite. Qëllimi është të promovoj jo vetëm komunitetin tim, por të gjitha komunitete e tjera arbëreshe, në mënyrë që të gjitha komunitetet të kenë përfitime kulturore, sociale dhe ekonomike, sigurisht duke i dhënë vëmendje dhe turizmit.

Do vazhdoj të studioj dhe të hulumtoj mbi historinë dhe kulturën e popullit tonë, që ta transmetoj në mënyrën më të mirë të mundshme tek komuniteti, duke ruajtur gjuhën, këngët, vallet, kostumet dhe traditat. Për sa i përket provave materiale, të gjithë komunave arbëreshe ju kam lëne si kusht për pjesëmarrje në “Festivalin Kulturor e Folkloristik” ose në “Natën Arbëreshe”, realizimin e muraleve me motive shqiptare dhe montazheve të shkurtra , për t’i pasur si dëshmi. Kur kthehej kokën pas shikoj një punë shumë të madhe që ka kapërcyer dhe kompetencat qe i përkisnin administratave që të kanë ndjekur njëra tjetrën, por fatkeqësisht u ka munguar vizioni për të ruajtur dhe vënë në pah vlerat e komunitetit arbëresh./The Albanian

 

July 2, 2019 12:47
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*