Rasti më i keq, mësimi online/ Udhëzimet e detajuara për rikthimin në shkollë. Tre skenarët si do zhvillohet mësimi sipas ecurisë së Covid-19

September 15, 2020 08:41

Rasti më i keq, mësimi online/ Udhëzimet e detajuara për rikthimin në shkollë. Tre skenarët si do zhvillohet mësimi sipas ecurisë së Covid-19

 

Mes frikës nga Covid-19, si dhe entuziazmit për rikthimin në shkollë pas disa muajsh, qindra mijëra nxënës të arsimit parauniversitar në të gjithë vendin kanë nisur ditën e djeshme vitin e ri shkollor 2020-2021.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka përcaktuar tashmë edhe tre skenarët se si do të zhvillohet mësimi për këtë vit shkollor, zbatimi i të cilave do të kushtëzohet nga ecuria e pandemisë.

Nëse situata do të jetë e qëndrueshme, nxënësit do të zhvillojnë mësimin në shkolla, duke respektuar kushtet e distancës dhe të higjienës. Orët mësimore do të zhvillohen të plota në shkollat ku numri i nxënësve është i ulët, si dhe të reduktuara në institucionet ku mësimi do të zhvillohet me disa turne. Sa i takon vlerësimeve bëhet e ditur se në këtë skenar nuk do të ndryshojë metodologjia e mësimit dhe vlerësimit të nxënësve. Çka do të thotë se do të aplikohen të njëjtat skema vlerësimi sikundër ka ndodhur më parë.

Kur autoritetet e shëndetit do të gjykojnë një situatë të rënduar sa i takon shtrimeve në spitale dhe infektimeve në popullatë, do të zbatohet skenari i dytë, ku mësimi në shkollë do të ndërthuret me atë online. Sipas planit të hartuar, klasat do të ndahen në dy grupe dhe do të zhvillojnë mësim të kombinuar sipas ndarjes në grupe, një javë në shkollë dhe një javë online. Edhe në këtë skenar nuk do të ndryshojë metodologjia e zhvillimit të procesit mësimor. Për shkollat me numër të lartë nxënësish mësimi do të zhvillohet me dy turne, duke ndjekur të njëjtën skemë të ndarjes së klasave në grupe. Për secilin turn janë përcaktuar edhe oraret se kur do të zhvillohet mësimi duke vajtur në shkollë, si dhe ai online për secilin grup. Autoritetet e arsimit sqarojnë se për këtë skenar, vlerësimi i nxënësit do të bëhet vetëm gjatë kohës që nxënësi është në klasë, sipas udhëzimeve që janë në fuqi.

Skenari i tretë që ka të bëjë me zhvillimin e mësimit vetëm në distancë, nëpërmjet platformës online do të aplikohet në kushtet e përkeqësimit të situatës së shkaktuar nga Covid-19 në nivel kombëtar. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara format konkrete të zhvillimit të mësimit për secilin skenar.

Kundrejt rrezikut të infektimeve në shkolla, ministrja në largim e Arsimit, Besa Shahini ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme se, se do duhet të mbyllim ndonjë klasë, apo ndonjë shkollë për shkak të infektimeve, do të mbështetemi tek mësimi në distancë në kanalin “RTSH Shkollë”, ku janë  xhiruar të gjitha temat që nxënësit do t’i zhvilloni edhe në shkollë me mësuesit e tyre. Ky kanal ka nisur tashmë transmetimet që nga dita e djeshme edhe për nxënësit që janë të vetizoluar në kushtet e shtëpisë.

Për të reduktuar rastet e infektimeve të reja, çdo ditë në shkollë personi përgjegjës i caktuar nga drejtori, do të duhet të kryejë vlerësimin për çdo nxënës, duke bërë: Matje të temperaturës me termometër digjital, sprucim me alkool 60 për qind ose dezinfektantë të tjerë në duar. Gjithashtu duhet të kontrollojë të gjithë nxënësit që të jenë të pajisur me maskë menjë përdorim, ose me mbrojtëse të fytyrës prej tekstili (maskë), të cilat duhet të lahen në 60 gradë dhe të hekurosen, si me shami prej letre për higjienën e hundëve. Sipas mundësive mund të vendosen vasketa, tapet apo sfungjer me solucion dezinfektues me bazë të klorit aktiv, për dezinfektimin e pjesëve të poshtme të këpucëve, përpara hyrjes në ambientet e brendshme të shkollës.

 

3 SKENARET SI DO TË ZHVILLOHET MËSIMI PËRGJATË VITIT SHKOLLOR 2020-2021

 

SKENARI 1 : Mësimi zhvillohet në mjediset fizike të shkollës, duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, nëse situata e pandemisë është e qëndrueshme.

 

  • Për shkollat me një turn, me numër të vogël nxënësish dhe që plotësojnë protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale për higjienën dhe për distancimin fizik, saktësohet se do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor. Në këtë rast ora mësimore do jetë 45 minuta. Institucionet që mund ta zbatojnë këtë variant, janë kryesisht institucione të arsimit fillor dhe të arsimit të mesëm të ulët në zona rurale, ku numri i nxënësve për klasë është jo më shumë se 20 nxënës dhe ku mund të plotësohet ruajtja e distancimit fizik dhe e rregullave të higjienës. Në rast të kundërt klasa do të ndahet me grupe. Mësimi në këto shkolla do të zhvillohet normalisht (me orë mësimi 45 minuta dhe klasa të pandara në grupe) dhe nuk ka vështirësi në infrastrukturë apo vështirësi të lëvizjes së mësuesve.
  • Shkollat me një turn me numër të madh nxënësish, të cilat në mënyrën normale të funksionimit të tyre nuk plotësojnë protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale për ruajtjen e higjienës dhe të distancimit fizik ndërtojnë një grafik për hyrjen dhe për daljen e nxënësve që të shmanget grumbullimi i tyre, pa prekur orën e fillimit dhe të mbarimit të shkollës, teksa çdo klasë ndahet në dy grupe. Grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-11.15, ndërsa grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 11.45-15.00. Ora e mësimit do të jetë 30 minuta. Mësimi do të zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme. Koha mësimore që i shtohet çdo mësuesi, është shtesë me afërsi 7 orë mësimi në javë, të cilat do të paguhen si orë suplementare. Institucionet që zbatojnë këtë variant, janë kryesisht shkolla të arsimit të mesëm të ulët dhe shkolla të arsimit të mesëm të lartë në qytete, duke përfshirë edhe pjesën më të madhe të gjimnazeve dhe të shkollave jopublike, ku numri i nxënësve për klasë është mbi 20 nxënës. Në ato raste kur numri i nxënësve për klasë është më pak se 20 nxënës, por nuk mund të ruhet distancimi fizik për shkak të madhësisë së klasës, klasa do të ndahet me grupe.
  • Situata në shkollat me dy turne dhe me numër të madh nxënësish. Në këto shkolla mësimi do të zhvillohet me 4 nënturne, pra me dy nënturne brenda një turni. Për turnin e parë ndahet çdo klasë në dy grupe. Grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-10.45 dhe i dyti nga ora 11.00-13.45. Për turnin e dytë, grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 14.00-16.45, si dhe grupi i dytë nga ora 17.00-19.45. Ora e mësimit në këto shkolla do të jetë 25 minuta. Mësimi do të zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme. Koha mësimore që i shtohet çdo mësuesi është afërsisht 2-3 orë mësimi në javë, të cilat mund të paguhen si orë suplementare

 

SKENARI 2 \ Mësimi zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë), duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, në rast se do të ketë situatë të rënduar të pandemisë.

  • Shkollat me një turn dhe me numër të vogël nxënësish, të cilat plotësojnë protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale për higjienën dhe për distancimin fizik, në varësi të numrit të nxënësve mund të zhvillojnë normalisht procesin mësimor ose të kombinohen klasat, si përshembull në javën tek zhvillojnë mësim në shkollë klasat 1-3-5-7-9, ndërkohë që klasat 2-4-6-8 zhvillojnë mësimin online. Ndërsa në javën çift këmbehen. Kombinimet i bën vetë shkolla duke u bazuar në kushtet specifike që ajo ka.
  • Variantet për shkollat me një turn dhe me numër të madh nxënësish. Këto shkolla do të ndajnë çdo klasë në dy grupe.  Në javën tek, grupi i parë do të zhvillojë mësimin nga ora 8.00-11.15 (në mjediset fizike të shkollës), teksa grupi e dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 12.30-15.45 (online). Në javën çift, grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-11.15 (në mjediset fizike të shkollës), teksa grupi i parë do të zhvillojë mësimin online nga ora 12.30-15.45 (online). Ora e mësimit do të jetë 30 minuta. Mësimi do të zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme. Koha mësimore që i shtohet çdo mësuesi është afërsisht 7 orë mësimi në javë, të cilat mund të paguhen si orë suplementare ose orët mësimore shtesë mund të realizohen me mësues shtesë.
  • Variantet për shkollat me dy turne dhe me numër të madh nxënësish. Rastet, kur në mjediset fizike zhvillon mësim një shkollë. Këto shkolla ndajnë çdo klasë në dy grupe dhe zhvillojnë mësimin me 4 nënturne. Turni i parë: Java tek, grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-10.45 (mjedisi fizik në shkollë), dhe grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 11.00-13.45 (online).  Java çift, grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-10.45 (mjedisi fizik në shkollë) dhe grupi i parë  do të zhvillojë mësim nga ora 11.00-13.45 (online).
  • Turni i dytë: Java tek,grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 14.00-16.45 (mjedisi fizik në shkollë) dhe grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 17.00-19.45 (online). Në këtë rast mësimi online mund të zhvillohet edhe paradite. Ndërsa për javën çift, grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 14.00-16.45 (mjedisi fizik në shkollë),teksa grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 17.00-19.45 (online). Në këtë rast mësimi online mund të zhvillohet edhe paradite. Në këtë rast nëse mësuesit që japin mësim në të dyja turnet, nuk janë të njëjtët atëherë oraret e nënturneve të dyta mund të afrohen.

 

SKENARI 3 \Mësimi zhvillohet vetëm në distancë, online me platformë të dedikuar akademi.al, në rast se situata e COVID-19 përkeqësohet shumë në nivel kombëtar, në nivel lokal ose në nivel shkolle

  • Në këtë skenar shkolla do të hartojë orarin e shkollës për mësimin në distancë, online me platformë të dedikuar akademi.al. Për të lehtësuar punën e mësuesit, në komunikimin online, klasat me numër të madh nxënësish mund të ndahen me grupe ose mund të realizohet mësimi me të gjithë klasën nëse platforma online e krijon këtë mundësi.
  • Ora e mësimit do të jetë 25 minuta. Mësimi zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme. Për këtë skenar, udhëzimet për organizimin, udhëzimet metodologjike dhe udhëzimet për vlerësimin e nxënësit i gjeni në kapitujt përkatës në këtë udhëzues. Ora e mësimit do të jetë 25 minuta. Mësimi do të zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme.

 

September 15, 2020 08:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim