Udhëzimi me datat kur do zhvillohen 5 provimet e Maturës 2018

February 28, 2018 15:58

Udhëzimi me datat kur do zhvillohen 5 provimet e Maturës 2018

Pranvera Kola-DITA 

Provimet e Maturës Shtetërore 2018 do të nisin në datën 4 qershor. Maturantët do të zhvillojnë në këtë datë provimin e parë të detyruar në lëndën e gjuhës së huaj. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), ka zbardhur tashmë udhëzimin me datat se kur do të zhvillohen provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje për garën e këtij viti.

Katër ditë pas provimit të gjuhës së huaj, maturantët do t’i nënshtrohen testimit të dytë që do të zhvillohet përkatësisht në datën 8 qershor në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Më tej në udhëzim saktësohet se provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 13 qershor.

Prova e fundit që do të kalojnë maturantët janë dy provimet me zgjedhje, të cilat do të zhvillohen në datën 20 qershor. Pak më herët, dikasteri i Arsimit ka miratuar edhe rregulloren se si do të administrohen dhe zhvillohen pesë provimet e maturës së këtij viti.

“Drejtoria e Programeve të Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore duhet që brenda muajit mars të përcaktojnë llojin e testeve për secilin provim të Maturës (të detyruar dhe me zgjedhje)”, saktësohet në udhëzimin e MASR.

Duke u ndalur tek testi i detyruar i gjuhës së huaj, në udhëzim specifikohet se teza e provimit “gjuhë dhe letërsi greke” për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke do të përgatitet nga Drejtoria Rajonale e Arsimit të Gjirokastrës.

Teza e provimit të “gjuhë dhe letërsi italiane” për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane do të përgatitet nga Ministria e Arsimit të Republikës së Italisë dhe provimi do të zhvillohet në datën 24 maj 2018 në secilën shkollë përkatëse.

Po sipas udhëzimit, bëhet e ditur se teza e provimit “Gjuhë frënge” (DELF B2 scoilare) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze do të përgatitet nga Ambasada Franceze dhe provimi do të zhvillohet në datën 24 maj në secilën prej këtyre shkollave.

Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se tërheqja e testeve të maturës do të bëhet sipas një grafiku të përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Do të jenë përfaqësuesit e Postës Shqiptare ata që do të tërheqin materialet e provimit një ditë para se të nisë provimi për secilën lëndë të detyruar dhe me zgjedhje. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar strukturën se si do të jenë provimet me zgjedhje dhe ato të detyruara.

 

Datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2018 janë:

  • Testi i gjuhës së huaj (D3) do të zhvillohet me 4 qershor.
  • Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë (D1) do të zhvillohet me 8 qershor.
  • Testi i matematikës (D2) do të zhvillohet në datën 13 qershor.
  • Testet e dy provimeve me zgjedhje do të zhvillohen më 20 qershor.

 

Struktura e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje

  • Provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2018 do të fillojnë në orën 10:00.
  • Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
  • Provimet me zgjedhje do të zgjasin 3 orë.
  • Testet e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të arsimit.
  • Testi për secilin nga 3 lëndët që jepen si provime të detyruara do të ketë në përmbajtje 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen secila me nga një pikë, ndërsa 12 pyetjet e tjera do të jenë me shtjellim, të cilat vlerësohen në total me 37 pikë. Për të marrë vlerësimin maksimal nga provimet e detyruara, maturantët duhet të sigurojnë 50 pikët finale të testit.
  • Teza e provimit “gjuhë dhe letërsi greke”, për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke do të përgatitet nga Drejtoria Rajonale e Arsimit të Gjirokastrës.
  • Teza e provimit “gjuhë dhe letërsi italiane” për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane do të përgatitet nga Ministria e Arsimit të Republikës së Italisë, provimi do të zhvillohet në datën 24 maj 2018 në secilën shkollë përkatëse.
  • Teza e provimit “Gjuhë frënge”, (DELF B2 scoilare) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze do të përgatitet nga Ambasada Franceze dhe provimi do të zhvillohet në datën 24 maj në secilën prej shkollave përkatëse.
  • Testet e dy lëndëve me zgjedhje do të kenë në përmbajtje 20 pyetje, 10 prej të cilave do jenë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen me nga një pikë secila, ndërsa 10 pyetjet e tjera do jenë me shtjellim dhe vlerësohen me 30 pikë në total. Për të marrë vlerësimin maksimal në secilin provim me zgjedhje, maturantët duhet të sigurojnë në total 40 pikë.
  • Maturantët që do të japin vetëm një lëndë si provim me zgjedhje, pasi tjetrën e kanë kaluar gjatë sezoneve të shkuara do ta fillojnë provimin në orën 11:30 dhe do ta përfundojnë atë në orën 13:00.
  • Në rregulloren e miratuar nga Ministria e Arsimit,Sportit dhe Rinisë bëhet e ditur se për të qenë kalues në këto provime, çdo maturant duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi i secilës lëndë.

p.k.dita 

February 28, 2018 15:58
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*