Ujërat termale, ndër resurset kryesore të Dibrës

October 11, 2018 15:15

Ujërat termale, ndër resurset kryesore të Dibrës

Halil Rama

Ujërat termale, ose “Llixhat” e mirënjohura të Peshkopisë janë padyshim ndër resurset kryesore të Qarkut të Dibrës. Këtë e dëshmon qoftë edhe prania e më shumë se 7000 mijë pacientëve nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e deri nga Bullgaria, që e bëjnë qytetin e Peshkopisë, ndoshta ndër më të populluarit e Ballkanit këtë fillim tetori.

Kjo dyndje drejt qytetit verilindor, të njohur edhe si qyteti i blirëve, vjen jo vetëm nga joshja e peizazhit mahnitës që natyra i ka dhuruar Dibrës, por para së gjithash, nga ajo pasuri e rrallë që gjendet vetëm një km në veriperëndim të tij. Kështu, në luginën e Bellovës rrëzë malit të Korabit, 1 km nga qyteti i Peshkopisë, ndodhen burimet termale. Një mrekulli natyre për efektet kurative, përdorimi i të cilave fillon që para dy shekujve. Ato burojnë nga formacionet e gipseve të malit të Korabit.

Janë dy burime sulfurore me temperaturë 35 – 43,5 gradë C dhe me një prurje prej 14 litra/sek. Ato kanë përmbajtje kaliumi dhe sulfatesh. Efektet e tyre lidhen me sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes: si astma bronkiale, bronshite, reamautizmën, diabetin, sëmundjet e lëkurës dhe probleme gjinekologjike.

Rreth 20 mijë frekuentues për çdo vit dëshmojnë për fuqinë shëruese të këtyre ujërave që janë nga më të rrallat në botë. Dr. Mentor Prifti, i vetmi i specializuar si mjek për këtë Qendër Balneare, që shërben këtu prej 20 vitesh, flet me kompetencë e profesionalizëm për efektin e këtyre ujërave në shërimin e sëmundjeve  reumatizmale kronike, të reumatizmave degjenerative, artrozave e neuriteve periferik kronike.

Por sipas tij këto ujëra ndikojnë edhe në gjendjet pas frakturave traumatike, në plegjit, hemiplegjit e tetraplegjit, hipertensionin arterial esencial pa insufiçencë kardiake, si dhe në disa sëmundje të aparatit tretës, si gastritet, kolitet, infeksionet kronike urinare, urolitjazat, kolelitiazat.

Dhe të mendosh që llixhat e Peshkopisë kanë veti kuruese edhe për disa sëmundje gjinekologjike, si hipoplazit uteri, infeksionet kronike të uterusit, sterilitetin primar e sekondar e disa u të lëkurës, si ekzema  e mykozat e lekurës, padyshim që është më se e justifikueshme kjo dyndje e pacientëve nga të gjitha trevat shqiptare, që nga Gjirokastra, Vlora, Përmeti e Fieri, Kruja, Shkodra, Tropoja, Prizreni, Suhareka, Malisheva Tetova, Gostivari, Shkupi….Kësisoj, në këtë qytezë në prehër të maleve, të njohur si qyteza e shërimit, gjeografia e pacientëve është nga hapësira mbarëshqiptare.

PAK HISTORI…        

Viti 1870 mendohet të jetë zanafilla e përdorimit për efekt kurativ të llixhave të Peshkopisë. Ishin banorë nga komuniteti i krahinës ata që filluan t’i përdorin dhe t’i mirëmbajnë këto burime natyrore. Dibranë të shquar, me dijeni në mjekimet popullore i kanë rekomanduar për përdorim për disa sëmundje.

Kuota absolute e daljes së këtyre ujërave është 750 m/l mbi nivelin e detit. Debiti (prurja) e këtyre ujërave është 14 litra në sek.

Janë tre burime afër njëri-tjetrit me të njëjtën përbërje dhe temperaturë që janë bashkuar dhe temperatura në ujëmbledhës është 42 °C. Mineralizimi i tij është rreth 4.2 mg/ litër. Uji është i ngopur me gazin sulfhidrik  dhe ka ngjyrë të kaltër me erën karakteristike të vezës së prishur.

Gjeologjikisht ujërat ndodhen në depozitimet gëlqerore- ranore- argjirore me moshë paleozoike. Mendohet që uji është i tipit të çarjeve karstike dhe lidhet me kontaktin tektonik midis gipseve dhe depozitimeve të sipërpërmendura.

Përdorimi i tyre për efekt kurativ mendohet të ketë filluar që në shekullin XVI-të dhe në fillim të këtij shekulli janë ndërtuar dy banjo kolektive me shkallë guri.

Rreth vitit 1928, në kohën e Mbretit  Zog I,  u ndërtua i pari hauz me mbulesë dhe fillon të përdoret me pagesë nga bashkia e qytetit. Burimi i ujit termal është ruajtur me fanatizëm nga shkatërrimi.

Në vitin 1952, rreth 150 metra larg burimeve të ujërave termale u ndërtuar një hotel njëkatësh me 40 shtretër dhe pranë tij 20 vaska për larje individuale.

Në vitin 1953 fillon shfrytëzimi shkencor dhe ndërtohet i pari ambient për larje me vaska dhe hoteli pranë tyre për të shtruar.

Në vitin 1974, në lagjen Dobrovë të qytetit u ndërtua një hotel me 120 shtretër dhe anekset e tij ndihmëse. Pas shtatë vitesh, më 1981, pranë vendburimit të këtyre ujërave u ndërtua Kompleksi Balnear me 44 vaska për larje individuale, një pishinë me përmasa 10 x 8 m, kabineti i baltës me 6 ambiente, përfshi dhe një vaskë riaftësimi, kabineti gjinekologjik, kabineti i fizioterapisë+ fototerapisë, gjimnastikës terapeutike e masozhoterapisë me palestër.

Në vitin 2000 hoteli në Dobrovë privatizohet, por pranë kësaj qendre balneare rriten kapacitetet në 100 shtretër.

Që prej themelimit ndërmarrja ka qenë  në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Në vitin 1994 ajo kalon me veprimtari ekonomike në vete (vetëfinancim) por me kapital shtetëror dhe si e tillë vazhdon të funksionojë që prej 23 vitesh.

Investimi i munguar për llixhat e Peshkopisë

 Ndonëse Llixhat e Peshkopisë janë ndër më të frekuentuarat e rajonit, për personelin dhe sidomos për mijëra pacientët është evidente mungesa e investimeve për t’i shndërruar ato në një qendër balneare të standardeve europiane.

Projektin “Rikonstruksioni i godinave të Qendrës Balneare (Llixha), shembja dhe ndërtimi i llixhave të vjetra, sistemimi i sheshit dhe rrethimit, asfaltimi i segmentit të rrugës gjatë rrethimit të Llixhave”, ka mbetur prej vitesh në letër…

Ky projekt, zbatimi i të cilit merr parasysh të gjitha masat e nevojshme për rikonstruksionin e godinave ekzistuese që janë shumë të rrënuara nga ana e finiturës, duke u konsideruar pothuajse jashtë funksionit të tyre, u prezantua dhe gjeti mbështetje, edhe nga kryebashkiaku i Dibrës, Muharrem Rama, në takimin që kryeministri Rama  pati para një viti me kryetarët e të gjitha bashkive, si dhe para disa muajsh kur Qeveria zhvilloi mbledhjen e radhës në qytetin e Peshkopisë.

Projekti që arrin deri një miliardë lekë (ku të ardhurat vjetore nga rreth 20 mijë frekuentuesit arrijnë deri 2 milardë), në të vërtetë është investimi i munguar prej dy dekadash. E kanë premtuar atë qeveritarë të majtë e të djathtë, kryeministra e ministra, dhjetëra deputetë dibranë dhe kryebashkiakët e Peshkopisë të çerekshekullit të fundit, por vetëm tani duket se po merr drejtimin e duhur.

Kjo për faktin se llixhat, ndër resurset kryesore të Dibrës, konsiderohen si “minierë ari”, nga ku ripërtërihen qindra mijëra jetë njerëzish. Ky projekt, që prej vitesh “fle” në zyrat e Bashkisë Dibër, por dhe të Ministrisë së Shëndetësisë e të Kryeministrisë, si dhe të disa donatorëve prestigjiozë, konsiston në faktin se në këto godina duhet të futet në funksion pishina me ujë termal, si dhe organizimi i ndarjeve të hapësirave të tyre për ambientet e administratës, të hotelerisë dhe shërbimeve për trajtime mjekësore e zgjerim të hapësirave për larje në vaska.

Dr. Mentori që shërben këtu me pasion, devotshmëri e përkushtim prej dy dekadash nuk nguron të flasë për investimin e munguar dhe premtimet “boshe” të autoriteteve lokale e qendrore.

Ai shprehet gjithashtu për domosdoshmërinë e rikonstruksionit total të ambienteve të larjes, për “pedonalen” e premtuar nga qeveritarët, si dhe për trajnimin e personelit infermieror, që gjithsesi sipas tij është i papërfillshëm, po të mendosh se vetëm 6 infermierë dhe një masazhator shërbejnë për afro 20 mijë pacientë.

Fluksi i madh i turistëve ka sjellë zhvillimin e hotelerisë   

Llixhat e Peshkopisë me ujin më cilësor në Ballkan, vizitohen nga 20 mijë pacientë çdo vit. Kjo ka çuar në një bum të ndërtimit të hotelerive. Dr. Mentor Prifti që e ka ndjekur nga afër këtë zhvillim progresiv gjatë këtyre dy dekadave të fundit, tregon fluksin e madh të turistëve që ka sjellë zhvillimin e hotelerisë. “Pacientët që frekuentojnë llixhat e Peshkopisë dhe shtrohen tani nuk janë me planifikim si dikur. Kjo për shkak të rritjes të kapaciteteve të hotelerive, por ne u  rekomandojmë dhe është mirë që para nisjes të konsultohen me mjekët e vetë në zonat nga vijnë për sëmundjen që do kurohen“,-shprehet dr. Mentori. Ai bën të ditur se kapacitetet e larjeve ditore shkojnë deri në 800 pacientë. Por puna është sezonale, kjo për shkak të klimës së zonës ku shtrihen llixhat. Kapacitetet e shtretërve përbëhen nga kapaciteti i hotelit të ndërmarrjes prej 100 shtretër dhe kapacitetet e hotelerive private deri në 800 shtretër. (Gjatë 10 viteve të fundit janë ndërtuar 15 hotele të reja). Ditë qëndrimi mesatar zgjat 10 -14 ditë në vit dhe përsëritet për 3-5 vjet rresht. Nëse kapaciteti vjetor i të shtruarve arrin 10-12 mijë persona në vit, për ambulatorët kjo shifër arrin në 60-70 mijë ditë larje.

Dr.Mentor Prifti dhe infermierja Dallëndyshe Koçi gjatë përgatitjes së njërës prej vaskave ku u shërbehet pacientëve

 

Pjesa më e madhe e frekuentuesve janë pensionistë, por ka edhe të sëmurë kronikë të moshave e profesioneve të ndryshme. Haxhi Hodobashi nga Durrësi, Preng Frroku nga Lezha, Thëllëza Gjindi nga Kurjani i Roskovecit, Sadik Haliti nga Podujeva, Ing.Vasil Dhanili nga Fieri, Gjelina e Frrok Gjikola nga Lezha, Lumie e Ramadan Hasanaj nga Prizreni, Kadire e Rafet Islami nga Tetova, që frekuentojnë këto llixha prej 10-20 vitesh, flasin me admirim e respekt të veçantë për Dr. Mentorin, si edhe për infermieren shembullore Dallëndyshe Koçi (Kaja) e sanitaren Pasunie Haka.. Ndërkohë, duke folur për mrekullitë kurative të llixhave të Peshkopisë, mjeku me përvojë M. Prifti, i miqësuar me pacientë nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Maqedonia sqaron se përveç hidroterapise (mjekimit me banjë 10-15 minuta qëndrim në ujë  termomineral në ditë), këtu përdoren dhe metoda të tjera bashkëkohore si: Fangoterapia (terapia me baltë); Elektroterapia (fototerapia, diatermia); Masazhi terapeutik, gjimnastika riaftësuese e kurative si dhe irrigacionet (klizmat dhe mikroklizmat). Po kështu trajtimet kanë veti të veçanta rehabilituese, për të aksidentuarit me fraktura e trauma të ndryshme.

Për të gjitha këto shërbime, korridoret e Qendrës Balnare mbushen përgjatë 24 orëve nga mijëra pacientët, që kontrollohen nga personeli shëndetësor, për të shmangur rastet e asfiksisë. Është ndoshta e pabesueshme, por këtu gjen pacientë që mund të kenë ardhur për të 50-tin vit rresht.

VETITË MJEKUESE TË UJIT TË LLIXHAVE

(Sipas Dr. Mentor  Prifti – Mjek i Qendrës Balneare)

  1. Me banjo në ujin termomineral për 10-15 minuta për këto sëmundje: Reumatizmat kronike, reumatizmat degjenerative, artralgjitë, radikualgjitë, neuritet kronike, spondiliti dhe spondilartrozat, neuralgjitë, tendinitet, bursitet, gjendjet pas aksidenteve traumatike të reponuara, disa sëmundje gjinekologjike si steriliteti primar dhe sekondar, hipoplazit e uterusit, adneksitet kronike, endometritet kronike, disa semundje të lekurës si ekzema kronike, psoriaza, sëmundjet mikotike të lëkurës, kolelitiazat,urolitjazat.
  2. Me pirje të ujit termomineral: Gastritet hiperacide e hipoacide, ulçerat kronike të stomakut dhe duedenitet, konstipacionet kronike, kolitet kronike, cistopielitet e mikrourolitiazat.
  3. Me gargara e shpëlarje me ujë termomineral: Laringitet kronike,tonsilitet e disa sëmundje gjinekologjike.
  4. Ditë qëndrimi mesatar zgjat 10-14 ditë në vit dhe përsëritet për 3-5 vjet rresht.
  5. Për këto veti kurative natyrale për kushtet e hotelerive që afrohen, kjo llixhë frekuentohet jo vetëm nga klientë brenda vendit, por dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
  6. Përveçhidroterapisë (mjekimit me banjë 10-15 minuta qëndrim në ujë termomineral në ditë)  përdoren dhe metoda tjera bashkëkohore si:

-Fangoterapia (terapia me baltë);

-Elektroterapia (fototerapia, diatermia);

-Masazhi terapeutik;

-Gjimnastika riaftësuese e kurative;

-Irrigacionet (klizmat dhe mikroklizmat).

Nga të dhënat fiziko- kimike mineralizimi i këtyre ujrave është si më poshtë:

-katione  amonium 0.15   mil. eQ

-natrium +kalium 17.82    mil. eQ

-kalcium                67.14       #

-hidrosulfid (H S)   0.62       #

– sulfate      SO 4     55.51    #

-chloride       Cl         23.5   #

– hidrokarbonat      20.62     #

– acid silicilik          0. 75 mili  mol

– pH                          6.8

– mbetja e thatë     4 . 2 Mg / l

 

October 11, 2018 15:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*