Ujku dhe çakalli që bën kërdinë!

Nga Bahri Myftari August 13, 2014 14:06

Ujku dhe çakalli që bën kërdinë!

Shumëkush prej nesh që vjen nga koha e këndimit të fillores të viteve pesëdhjetë, gjashtëdhjetë e këndej, duhet ta mbajë mend tregimin e shkurtër, vjelë nga folklori, të Selmanit të varfër, që bënte atë shakanë me zarar: Ndihmë, ndihmë, ujku-ujku! Mirëpo, kur ujku iu shfaq me të vërtetë, askush nuk e besoi dhe qyqari, e pagoi paq humorin-gënjeshtrën.

Shefi i opozitës dhe gjithë ansambli i tij, jam i sigurt se nuk kanë as respekt, as diturinë e nevojshme për folklorin dhe prodhimet e tij, pasi janë të rrethuar me “modernen” – pop, hip-hop, kështu që nuk kanë mësuar gjë! Po nga librat! Për të cilat, krekosen dhe shqyhen nëpër mbarë ekranet e kësaj bote, ku mund të kenë shfletuar, qoftë dhe shkaraz se, në betejën e politikës, nëse ke thënë në pesë akuza, një, vetëm një të pavërtetë, të shkuan të gjitha për le..

E nisim me folklorin. Opozita ka gjetur “ujkun” Arben Ndokën, ish-drejtorin e thjeshtë të saj, sot deputet, që po e veshin me aq lavdi, saqë atij të ziut, nuk është çudi ndonjë ditë t’i mbushet mendja si të jetë Emiliano Zapata që, me një majë gishti do të mblidhte Lezhën, Mirditën dhe tërë Veri-Lindjen – mos o Zot edhe Shkodrën! Kur, në të vërtetë, edhe njëherë kur deshi të bënte një vepër të “guximshme”, ia bënë qimen tra. Ndërkaq opozita që e ka kapur ujkun nuk do ta lëshojë nga zinxhiri, derisa me në fund, i erdhi radha edhe Mimës, i cili, ndonëse i ka rrëmbyer ekraneve dhjetëra e dhjetëra orë, është ende larg prej të atit, aktorit të madh, Prokopit të famshëm qoftë edhe ndaj dy minutave të daljes së tij, te “Orët e Kremlinit”. Me siguri lista e “SHQUP-it” për punë të ujkut do të vazhdojë, atëherë, meqë jemi në kohën e folklorit, le ta kthejmë për një çast pasqyrën përmbys derisa të na kthejë qeverinë dhe Kryeministrin në “çakall”. Për rreth dy muaj alias “çakalli” nuk ia ka ngenë të merret me “ujkun” e tyre. Sapo mbaroi me sukses të lavdëruar reforma territoriale, një gangrenë e pashpjegueshme Pashallëqesh, a thua perëndia na pati katandisur në Afrikë, a në shkretëtirën e Gobit! Rreth katërqind copa e copëza mbi trup të Atdheut! Domosdo, cili, kush nuk e ka parë, nuk e ka ndjerë dhe nuk e miraton ilaçin ndaj kësaj dhimbje tragjike, nuk ka qenë asnjë ditë Sokrat… por veç, derr i kënaqur… Ndërkaq, hungërima për ujkun, andej mbretëron…

Qeveria dhe Kryeministri po bën “kërdinë” më të lavdërueshme, të paktën që nga Lidhja e Prizrenit. Koha po thërriste me nxitim Kristoforidhin, Todrin, Shuteriqin, Manastirin, Normalen, Frashërin, Fishtën, Mjedën. Të gjitha mendjet e zemrat e djegura e të zhuritura për shqipen, për gjuhën “ma të ambël se kanga e bylbylit”, por që kurrë nuk do t’u kishte shkuar ndër mend se “fajkojtë” e diturisë, do të vinin nga rreshtat e njerëzve të hurit e të litarit, nga njerëzit pa fytyrë, që do ta jepnin diplomën e shkollës me një ngarkesë dru zjarri, me një thes çimento a gëlqere apo nën një kurvëri sallonesh! Shtatori vjen shpejt… Urojmë që “Kërdira” të tilla të jenë më të shpeshta. Dashtë Zoti edhe hungërimat në këtë fermë të kenë reshtur dhe “delet e perëndisë” të ndjekin rrugën e mbarë!

 

Nga Bahri Myftari August 13, 2014 14:06
Komento

3 Komente

  1. Al August 13, 15:44

    Bukur ! Te uroj shendet Profesor dhe gezohem qe ta ridegjova zene .

    Reply to this comment
  2. gashi August 14, 12:18

    Bahri! Keta lloj shkrimesh u duhen njerezve te gerryejne pluhurin, i cili vende-vende eshte shnderruar ne balte, qe per tete vjet (ne mos edhe me shume) ka hedhur mbi ne ujku (pa thonjza) i pangopur i ketij vendi.

    Reply to this comment
  3. Orfeu August 15, 10:22

    Nje shkrim me menyren e vargjeve te Nostradamusit, ne stilin e deklaratave te Fylles apo te gjuhes se Ezopit. Fole or Bahri e bjeri drejt e leri perrallat me ujq e me cakej. Si beje atehere kur ishe kryetar shtabi elektoral i kandidatit te PD ne zgjedhjet e 2005, Fahri Balliut.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*