Umberto Eko dhe shqiptari i shpikur Milo Temesvari

September 11, 2018 09:52

Umberto Eko dhe shqiptari i shpikur Milo Temesvari

Nga Moikom Zeqo

Emri i një shqiptari që s’ka ekzistuar kurrë, Milo Temesvari, u bë një motiv reference.

Dy personazhe M dhe Z në një kafene të Tiranës tek rruga Komuna e Parisit gjatë një pasdite tetori po diskutonin mbi mendimin e lirë.

Debati qe i vrullshëm, paksa kaotik.

Idetë dhe mendimet përplaseshin, por edhe njësoheshin.

Moikom Zeqo

M: – Është e habitshme dhe befasuese, (natyrisht për ata që kuptojnë) që në një pergamenë me lëkurë majmuni vigan (të ashtuquajtur edhe si Njeriu i Botës, që ende jeton në Himalajë e është motiv kurioziteti sfilitës e i gjithfarë halucinacionesh, si dhe i trukeve filmike të dokumentarëve të falsifikuar të shoqërive dhe akademive natyrore shkencore) të ruajtur në bibliotekën e manastirit më të vjetër të planetit, në Tibet, lexohet një paragraf aktual e rebel për lirinë e krijimit kozmogonik, si liri e mirëfilltë e Perëndisë së paidentifikuar, por të perceptuar gjithkund.

Teksti është i shkruar të paktën dy shekuj para Luftës së Trojës dhe shumë më herët se subjekti ekzistencial i Eposit të Gilgameshit e librat e fenikasve e babilonasve. Kjo lashtësi marramendëse të huton dhe të trishton.

Z: – Debati për mendimin e lirë dhe për lirinë e të shprehurit është i pafund, kontradiktor, plot paradokse llogjike dhe juridike. Ky debat në mjedisin mitik ballkanik dhe sidomos në atë shqiptar ka patur dhe ka karakteristika të veçanta, psikoemocionale, specifike dhe shpesh të kobshme, dmth dhe unikale.

Fjala e paturpshme e “Tersitit, këtij akeu reckaman kundër aristokratit (bazileut) Agamemnon” (shih “Iliada” kënga II, v.271-274) është gjesti i parë i një ardhmërie rebeluese, protesta e parë e paqartë sociale e demokratit të parë të Europës. Goditja e Tersitit për arrogancën e shpagimit i lirisë së mendimit qe tepër i nxituar, po jo i parakohshëm. U demaskua fuqishëm me përkorje dhe me tallje publike të skajshme. Homeri e përshkruan Tersitin të shëmtuar, gungaç dhe çalaman, njësoj si shtypi grotesk i sotëm i partive i përshkruan kundërshtarët inoçentë, që synojnë njëkohësisht, simultanisht postin e Presidentit. Është e vështirë të besohet se ky personazh i karikatizuar në kuvendin ushtarak të mbretërve akeas do të ishte prototipi i Sokratit dhe Krishtit, të cilët guxuan intelektualisht njësoj dhe pësuan njësoj publikisht të njëjtin fat të turpshëm nga turmat e politizuara nga tradita agamemnonase e autoritetit absolut dhe të padiskutueshëm. Padyshim që skulpturat pagane të Sokratit dhe ikonat madhështore bizantine të Krishtit zotërohen nga koncepti i Bukurisë, Urtësisë dhe Profecisë. Po kjo gjë i bën paradoksale estetikat, sepse e Shëmtuara del më paralajmëruese dhe arketip i kategorive të tjera të privilegjuara të quajtura “fisnike”, “të kultivuara”, “artistike”. Sfida estetike e Tersitit çoi në lindjen e surealizmit në shekullin XX-të dhe Salvator Dalia tërë kryengritjen e vet pikturike e imitoi nga karikatura tersitiane.

Kjo është dhe arsyeja supreme që Xhejms Xhojsi e rishkroi subjektin homerik si parodi, duke e shkatërruar pa mëshirë monumentalitetin epik si një mbishtresë të panevojshme, ose si zbukurim të stilit barok të zotërinjve prepotentë të pushtetit dhe të opinioneve njerëzore.

M: – Lavuazie Laforti, historian i filozofisë në Universitetin e Sorbonës botoi në 1965 librin ambicioz dhe erudit “Filozofia para rënies së Bastijes”, ku në mënyrë jo elokuente, por plot parashtresa e indikacione të vlefshme, bën lidhjen e figurës së Tersitit homerik me Jan Husin, Omar Khajamin, Oliver Kromuellin, Robespierin dhe Zhan Zhak Rusonë, Rablenë dhe Marksin, duke e shmangur jo pa qëllim filozofin problematik bashkëkohor Zhan Pol Sartrin. Këtij libri i bën recensione të mprehta me vërejtje metaforike për stilin, por afirmativë për strukturën konceptuale Adomo, Patocka, Malroja, Derriga dhe Kangerga. Kapitulli që i kushtohej Pjerr Alebardit (1079-1142), filozof parizian brilant, që tërë jetën argumentoi në debat të pamëshirshëm me Bernardin e Klervosë dhe Anselmin e Kenterberit se “arsyeja është para autoritetit, qoftë ky i fundit edhe teologjik” u vlerësua posaçërisht. Abelardi si rrjedhim i tezës kryeneçe të mësipërme shtroi dhe kërkesën anticipuese për drejtësi sociale, duke i kërcënuar njerëzit e fuqishëm shtetëror të kohës së vet me dënime të paimagjinueshme dhe dënime ferri. Ky teprim sfidues e mendjelehtë i kushtoi shumë. Koncili i Saosonit vendosi në 1141 të digjeshin në sheshe qytetesh tërë librat e tij të dëmshëm dhe për shkak të dashurisë së tij të fshehtë me murgeshën Eloiza u rrah nga tri kryepeshkopë dhe u… trodh (kastrua). Letrat e mallëngjyera, pasionante të Alabardit për Eloizën mbas këtij akti katastrofal janë burim sentimentalizmi, plot revoltë intelektuale asketike deri në blasfemi. Është meritë e Lafortit që jep një interpretim origjinal për masakrën fetare të njohur si Nata e shën Bartolomeut, në 1572, duke e cilësuar si inkuizicion masiv të ngjashëm me dukuritë e populizmit militant të shekullit tonë, dhe të pushtetit të pestë televiziv të studiuara, por të pashpjeguara dot deri në fund nga Erih Fromi, Jungu, Kurasava etj.

Z: – Xhefersoni dhe Medisoni, duke besuar në lirinë natyrore të njeriut në mënyrë kauzale shtjelluan konceptin esencial të Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane, që lirinë e pacenueshme të bindjeve e lidh me hedhjen poshtë në perspektivë të të tëra ligjeve të mundshme kundër shtypit të lirë. Xhefersoni formuloi shprehjen tronditëse se “mes një qeverie pa gazeta dhe gazetave pa qeveri do të preferonte variantin e fundit”, si më demokratikun. Për këtë e akuzuan si jakobin francez mes amerikanëve, pretencioz dhe kokëshkretë. Gabimet e gazetarëve, ato më të tmerrshmet Xhefersoni i klasifikoi me një durim shembullor si “monumente të dobësisë njerëzore, anomali të pashmangshme të intelektit”.

M: – Makartizmi, gjuetia e shtrigave, dënimi i bujshëm i Rozenbergëve, gjyqet staliniste të Moskës, Uotergejti etj., qenë sindroma politike, të ngjashme me sëmundjet infektive. Studiuesi i sociologjisë etimologjike profesori Uliam Fajteri i Universitetit të Mançesterit, jo i pa ndikuar nga shkolla bihoveriste si dhe nga stili i lartë i Xhorxh Berklit arriti në përfundimin (në traktatin “Hierarkia e ideve”), se ka një antagonizëm të paralindur të kategorive ideore, kështu mendimi i lirë, është dhe shprehje e lirisë dhe e shtrëngimit, domethënë e së kundërtës, se shtypi i lirë nuk mund të quhet i tillë, nëse nuk do të ekzistonte dhe censura e lirë, ose liria e censurës, një e drejtë natyrore dhe themelore e njeriut.

Dr.Gynter Gyt, shef i policisë politike në Berlin gjatë Rajhut të Tretë ka botuar një libër memorialistik të sinqertë, ku me këmbëngulje kërkon të vendosej klinikisht një raport i ndryshëm funksionimi biologjik midis trurit dhe organeve seksuale. Ai kishte vërejtur se zhvillimi i trurit te njeriu bashkëkohor ishte më i madh, më efikas, se sa te organet seksuale, ç’ka çon pashmangshmërisht në triumfin e racionalitetit mbi instinktet, kur duhet të ishte ndryshe, për të përjetuar totalitarizmin subkoshient e burokratik të shtetit. Gyti seriozisht propozonte ndërhyrje kirurgjikale, ose hormonale, në trurin e njerëzve që në lindje, për të shmangur anomalinë, siç e quante ai, të parësisë diabolike të “materies së hirtë”.

Z: – Nëse në shekullin XVI Paracelsi mendoi të krijonte njeriun artificial – Homonculusin, në fund të shekullit XX inxhinierët gjenetistë guxuan, atë që nuk guxohej kurrë më parë, krijimin e komanduar të “Ajnshtajnëve artificialë”, sipas formulave parapregatitëse të ngjizjeve seksuale në laborator, të krijesave me parametra të koduar saktësisht dhe në mirëkuptim me shtetin. Vetëkuptohet se kështu realizohej harmonia e ëndërruar e shtypit, mënjanoheshin ekseset, sensacionet e panevojshme, streset dhe krimet informativë, që bëjnë kërdinë sot.

Për komunizmin totalitar lindor dhe për atë më absurdin – ballkanikun shtypi i lirë qe një katrahurë, që kërcënonte doktrinën, mjekrën sibilike e të idolizuar të Karl Marksit dhe heronjtë paranoikë kombëtarë komunisto-niçeanë.

M: – Për hir të së vërtetës duhet vënë në reliev fakti se semilogu dyshimtar italian, i cili ka fobi ndaj TV-së i shumëkritikuari dhe i admiruari Umberto Eko, në esenë e tij heretike “Tregtarët e Apokalipsit” e ka parashikuar trishtueshëm këtë dukuri, sepse pikërisht këtë esse ai ja kushton shqiptarit Milo Temesvari, i larguar dhunshëm nga atdheu në 1947 mbas akuzës për deviacionizëm të majtë Miloja tepër inteligjent, mbasi ndenji ca kohë si lektor i gjuhëve të rralla kaukaziane dhe baske në Universitetin Rutgers në SHBA përfundoi si asistent në bibliotekën kabalistike të Buenos Ajresit, ku u njoh edhe më Jorse Luis Borgesin, që e infektoi me silogjizmat e teologut mesjetar Thoma Akuini, i quajtur ndryshe dhe Aristoteli me tonsurë i kishës katolike. Në shkrimet dhe librat e tij kontradiktorë shqiptari Milo Temesvari e quajti të pa vërtetuar ontologjikisht kategorinë e lirisë, duke shtuar se liria e mendimit dhe për më tepër shtypi i lirë është kundër simetrisë dhe kristalogjisë moderne. Këto materiale u futën ilegalisht në Shqipëri ndërmjet një ish ambasadori të shtetit komunist dhe sot republikan i djathtë dhe u bënë objekt reflektimi nga dijetarët e punësuar në SHIK dhe juristët me kurse pesëmujore të parlamentit, të cilët pozitivizmin juridik e kanë vënë në dyshim si dhe të tjera teori të pavërtetuara.

Botimi i pashpjegueshëm i esesë së Ekos “Tregtarët e Apokalipsit” në gazetën “Zëri i Rinisë”, para disa numrash (në nëntor 1993) ka hapur perspektivën e zbulimit të një komploti të ri të serbëve ndaj çështjes kombëtare shqiptare.

Z: – Nuk e kam lexuar esenë e Ekos.

M: – Nuk ka rëndësi. Mund edhe të mos e lexosh kurrë. Rëndësi ka trilli dhe arsyetimi.

Z: – Duket se e ka sajuar personazhin shqiptar. Nuk di a ka takuar ndonjëherë Ekoja ndonjë shqiptar.

M: – Pse mendon kështu?

Z: – Nuk e di. Mbase.

M: – Eko njihet ende pak në Shqipëri.

Z: – Romani i tij “Emri i trandafilit” i dha atij famë të jashtëzakonshme. Në të gërshetohet lloji letrar i thriller-it, erudicioni kulturor, ankthi i enigmave, shpërthimi i skemave, problematika e vetë humanizmit, dijes dhe artit. Romani tjetër “Lavjerrësi i Fukosë” shpërtheu një skandal të papritur, u sulmua nga “Obsevatore romana” e Vatikanit se mohonte provat ontologjike të ekzistencës së Zotit, qe një sintezë e komploteve kozmike të të gjitha kohërave ndaj njeriut si simbol i njerëzimit, tregon frikërat obsesive, kancerët shpirtërorë, manipulimet politike, mitet e remë të masmedias, tjetërsimin si një status universal i kohës, i kontradiktës së pazgjidhshme midis ekzistencës dhe esencës. Ky problem i fundit (mbi të cilin humbi tërë jetën duke u marrë Zhan Pol Sartri) nga Ekoja dimensionohet nga faktorët politikë, ekonomikë si dhe të autokracisë së hierarkisë së vlerave monetare, institucionale mbi vlerat morale dhe kulturore.

Eko ka studiuar thellë teorinë e informacionit sëbashku me kibernetikën, aplikimet e tyre në funksion të fushës së semiotikës. Ai ka vënë në spikamë se estetika e informacionit është shumë më e shumëllojtë se sa vetë universi i informacionit, fenomenet estetike mund të klasifikohen dhe të sistematizohen, por duke patur parasysh “anulimin ideologjik të ideologjisë”. Në traktatet “Vepra e hapur”, “Poetika e Xhojsit”, “Definicioni i artit” etj. Eko gjen te semiotika një shkencë “pilot” për shkencat e tjera sipas konceptit strukturalist të përgjithshëm. Dy vëllimet që i kushtohen estetikës në veprën e shën Thoma Akuinit e paraqesin Ekon si specialist të historisë së kulturës dhe sintezave eruditive. Të rrallë janë personalitetet si Ekoja që janë admiruar dhe janë sharë skajërisht. Natyrisht regjizori Skorceze për filmin “Tentacionet e Krishtit” dhe Salman Ruzhdiu për romanin “Vargjet satanike” janë njësoj të shënuar me simbolin e kobshëm të blasfemisë në fundin e mijëvjeçarit të dytë. Këta emra ndjellin kureshtje, urrejtje, përbuzje dhe njëkohësisht nderim dhe vlerësime të afërta me apoteozat.

M: – Më 13 gusht 1993 në “Lë Mond” Umberto Ekoja sëbashku me një grup shkrimtarësh, dijetarësh dhe intelektualësh nga më të mëdhenjtë dhe të shkëlqyerit e kohës sonë nënshkruan një “Apel të vigjilencës” kundër depërtimit të ideve të djathta ekstremiste në kulturë dhe në art. Thelbi i apelit publik të përbotshëm ishte dallimi i së djathtës në politikë si vetëkuptim i spektrit politik, por e djathta në kulturë dhe në art do të kufizonte humanizmin si koncept më superior dhe do të krijonte kushte konceptuale për totalitarizmin dhe autoritarizmin e elitave politike, duke pjellë segregacionin, racizmin, ksenofobinë, nacionalizmin ekstrem, pra do ta atentatonte shpirtin e lirë të popujve dhe institucionalizimin e barazisë si koncept i vetë Europës së Bashkuar. Umberto Ekoja në një numër intervistash dhe esesh të mrekullueshme dhe lakonike bën shpjegimin dhe argumentimin e veprimit të vetëdijes së kësaj sfide intelektuale të pashembullt. Në një nga këto esse Ekoja analizon mitin e supermenit apo të supermenëve duke i quajtur “ah, këta supermenët tanë prej dy groshësh”. Kinematografia e sotme, mrekullitë e dizenjos, hapësira e masmedias janë të zotëruara mankthshëm nga prototipi i supermenit. Për Ekon ky prototip lind në vitet ’30. Është sa ide niçeane aq dhe një zbulim i tregut të imazheve, një krijesë hollivudiane dhe një formulë e bujshme dhe tronditëse e reklamave.

Z: – Para ca kohësh vdiq i harruar Xho Susteri, baba shpirtëror i krijimit të supermenit në imazh. Në fillim supermeni quhej Njeriu-Ciklon, pastaj ka emrin e veçantë Mandraku. Në dizenjot e para supermeni jepet i vrazhdë, një lloj majmuni i njerëzuar, ose njeri i majmunizuar, padyshim me forcë të hatashme.

Sot supermeni është një personazh i një skeme triumfuese dhe megjithatë idiote, po përherë skemë e kiç kulturës, ose subkulturës masive. Është bërë një figurë mitike dhe proverbiale si Piter Pani. Po kurrsesi identik me të, më shpesh si një deformim proporcional.

Mbinjeriu i figuruar në fantazi afron idenë e plotfuqishmërisë. Ky është kurthi i tij i thjeshtë, po edhe banal. Ai arrin të shmangë rënien e një asteroidi mbi planetin tonë të dobët dhe aspak inteligjent, eksperimenton kthimin e karbonit në diamant, i rrëmben një krijesë të qytetërimit dinak jashtëtokësor Statujën e Lirisë që e kishte vjedhur për ta çuar si trofe lufte dhe fitoreje në një planet të panjohur me shënimin e një simboli kibernetik të pashpjegueshëm.

M: – Duke mos ditur ta administrojnë plotfuqishmërinë e supermenit regjisorët dhe skenaristët e shtyjnë praktikisht të udhëtojë përpara dhe mbrapa në kohë, të rindërtojë ndryshe ngjarjet historike që kanë ndodhur, të përjetojë mrekullisht një “happy end” (“mbarim të lumtur”) të përhershëm, fitimtar pa asnjë dyshim e alternativë tjetër të kundërt. Supermeni paraqitet herë si Batman, ose si Parsifali vagnerian me një kostum kozmonauti, fluturon dhe është në dijeni të kodeve të fshehta të kompjuterëve të luftës së yjeve. Supermeni e shpëton njerëzimin nga Lufta e Tretë Botërore e apokalipsi atomik në sekondën e fundit. Në Amerikë supermeni është hero Rambo, i djersitur dhe xixëllues, midis depresionit dhe delirit të pamposhtmërisë.

Është kjo arsyeja që bota në krizë, sipas Ekos ka nevojë dëshpërimisht për një Mbinjeri, ndonëse e dimë se në botë fluturon kush rrëzohet nga dritarja më tragjikisht se sa Dedali i vjetër. I zgjedhim heronjtë vetëm kur kanë vdekur, shenjtorë të gjorë, të dobët, sipas një ikonografie të përcaktuar nga magjitë e dyshimta të ekraneve.

Z: – Jemi të rrethuar nga Pseudo-Mandrakët dhe presim që ata me një gjest ta arrestojnë të keqen, t’i prangojnë demonët, mostrat, duke i kthyer revolet në banane. Po edhe iluzionistët më të mëdhenj e dinë se Mandraku supermen posedon fuqirat e trukut, kurse kundërshtarët e tij kriminelë nuk kanë në duar babane po revolverë të vërtetë dhe të sofistikuar. Kështu publiku i mitizuar me iluzione nuk ka mundësi të ndëshkojë të keqen dhe ndëshkon vetveten. Fatkeq është ai vend që ka nevojë për supermen, për kulte heronjsh.

M: – Ironia e Umberto Ekos për racën artificiale të supermenëve është ajo e një matematikani të pashpirt. Një recensent njujorkas në gazetën spanjolle “El Pais” e kritikonte ashpër dhe me indinjatë të sinqertë e njëkohësisht të padobishme. Një organizatë nacionaliste baskësh përkundrazi në programin e saj ambicioz dhe të thjeshtë përdori si parafjalë një citat të Ekos për supermenët prej dy groshësh, duke theksuar se vetë Don Kishoti është një konfirmim i hershëm i Servantesit për të vërtetat e vonuara që thotë Umbertoja erudit.

Pothuaj të tërë fondacionet për fantazinë e fëmijëve të botës kanë protestuar për paturpësinë ekzakte të pamfletit dyshimtar të Ekos dhe aktorët në asistencë të Hollivudit që ëndërrojnë për role në filmat e ardhshëm i kanë dërguar një peticion të rreptë protestues ndaj Ekos vetë zonjës Katerinë Lalymjer.

Z: – Në mjedisin shqiptar shkrimet e Umberto Ekos mund të keqkuptohen, pra dhe të komprometohen keqas. Madje kundër tij do të përdornin dhe faktin e rëndë të besimit naiv dhe të sinqertë të Migjenit te figura e Mbinjeriut, për të cilin bëri edhe një ditiramb niçean, që për gati për 50 vjet i vuri në telash dhe kontradikta të fshehta kritikët zyrtarë të realizmit socialist, të cilët sot janë disidentët më të tërbuar dhe projektuesit e pazëvendësueshëm të demokracisë shqiptare, që po ndriçon tërë demokracinë europiane në impaktin e Perëndimit me Lindjen. Është e vërtetë që Njëshi i shtetit është gjithçka. Kjo është absolutisht e besueshme. Megjithatë në shtypin mrekullisht të lirë shqiptar metaforat për një Gjeto Basho Muji të Ri të një Eposi të Ri Bjeshkëtar, apo për një Gjergj Uashington ballkaniko-shqiptar nuk kanë munguar. Kjo edhe për faktin se modestia është gjithmonë e pabesueshme, naive, keqkuptuese, djerrakotase etj.

M: – Shqiptarët kanë nevojë për supermenë në raport me nevojën patriarkale për mite. Përtej kësaj të vërtete të dhimbshme dhe të ashpër shqiptarët kanë nevojë të ngutshme dhe jetike të jenë në të vërtetë qytetarë dhe çmitizues të vetvetes dhe të të tjerëve. Në këtë kuptim Umberto Ekoja do të bëhej një shqiptar i mirë po aq sa është dhe një italian apo europian, apo edhe njeri i mirë. Të saktësosh kuptimet, konotacionet e fjalëve, frazave, është një punë përbindësisht e vështirë. Të fitosh vetëdijen e njeriut do të thotë të mos kesh më iluzione për karikaturizime të lavdishme dhe epokale të pseudonjeriut.

Z: – Rikthehemi tek emri i Milo Temisvarit. Ai mund të ishte i treti midis nesh, dëgjuesi i dialogut tonë. Por mund të ishte dhe secili nga ne të dy. Pa qenë fizikisht, vetëm shpirtërisht. Një atú e bisedës debatuese.

M: – E kuptueshme. Ke të drejtë.

Z: – Po ka edhe alternativa të tjera përfytyrimi. Milo Temesvari mund të ishte (të jetë) edhe gjerman, serb, neozelandez, bask, kurd dhe sidomos siçilian.

M: – Ose edhe një nga disidentët kinezë që shpëtuan nga masakra në sheshin Tian Men.

Z: – Mundet!

M: – Çdo gjë në një farë mënyre mundet. Çdo gjë.

***

Pastaj M dhe Z qëndruan të heshtur dhe të sfilitur.

Paguan kafet dhe u ngritën e ikën. Në kafene dallohej qartë tryeza dhe dy karriget bosh. Të tjerë do të ulen në këto karrige do të flasin por nuk do të debatojnë. S’do të dinë asgjë as për shqiptarin Milo Temisvarin. Por as edhe për vetë M-në dhe Z-në.

Post scriptum

Tekstin e mësipërm e kam shkruar dhe botuar në një të përditshme të kryeqytetit në 1 shkurt 1994. Ndihet qartë në tekstin tim ndikimi i dialogut të Platonit, por ndoshta edhe i Deni Didero-së, diçka që është e njëjta gjë.

Por dialogu i M dhe Z i ka disa trille.

M dhe Z janë njerëz realë, por unë i kam abstraguar duke i paraqitur vetëm me germën nistore të emrave të tyre.

Janë dy miqtë e mi pensionistë që i takoj rrallë por me përzemërsi të veçantë.

Dialogun e tyre s’e kam regjistruar me magnetofon, i kam besuar më tepër kujtesës time të brishtë.

Umberto Eko

E vetmja gjë gati blasfemuese qe një shtesë nga ana ime në dialog: të emrit të Milo Temisvarit. Atë në fakt s’e dinin këtë personazh të shpikur nga Ekoja në një esse realisht të vërtetë.

Ekoja vetëm e përmend kalimthi, gati me keqardhje. Thjesht si element ornamenti për esenë e tij. Unë, nuk e di ç’më shtyu, e sajova jetën dhe bëmat e Milo Temisvarit. Me sa duket brenda meje po ftillëzohej një tregim me subjekt thriller-i, që doja të shkruaja, por që në fakt e skicova si sinops kalimtar. Por kjo gjë është gati e paturpshme nga ana ime dhe Eko po të lexonte ç’kisha sajuar për Milo Temisvarin do të qeshte, por edhe do të më përbuzte. Por Eko s’di shqip për fatin e tij të mirë.

Çudirat s’kanë fund. Para ca ditësh një shkrimtar i ri shkodran G.K. botoi një intervistë për një roman të tij që e kishte quajtur «Shitësit e Apokalipsit » Shitësit ? A s’kisha botuar pikërisht unë para tre vjetësh librin « Shitësit e Kaosit » ? U mrola nga kjo pirateri diletante letrare. Akoma më tej G.K. shtjellonte në intervistë se personazhi i romanit të tij qe një shqiptar i quajtur pikërisht Milo Temisvari. E habitshme dhe groteske. Nëse unë botova diçka për Milo Temisvarin në 1994, 18 vjet më vonë i pafajshmi G.K. e beson jetën dhe bëmat e këtij personazhi sipas meje dhe e përshkruan si zbulimin e tij. Por ky groteskëzim s’është aspak për të çmendur. Erazmi i Roterdamit do ta aprovonte po të merrte vesh.

Por për fatin e tij të mirë as Erazmi i Roterdamit nuk e ka ditur gjuhën noprane shqipe.

Kinse ka vdekur para 5 shekujsh. (Tiranë, 5 maj 2012)

September 11, 2018 09:52
Komento

3 Komente

  1. e verteta September 12, 04:15

    Asnje koment.
    Valle askush nuk e ka lexuar kete shkrim apo….??? Nuk dua te besoj qe ne Shqiperi nuk ka me koka, por vetem njerez mesatare . Kjo do te ishte vertet fatkeqesi per ne. Je i vetmi yll i shtypit/ medias, Z. Moikom! Apo i vetem trim ne luften e sotme per ta mbajtur gazetarine ne nivelin e duhur?!

    Reply to this comment
    • Pragmatik Kinez, kusheri i Mao Ce Dun-it September 13, 13:26

      Or ti palluqe, po don me i bo qejfin ketij retardit psikopat. Keto qe shkruan ky i semuri mendor vertet botohen neper gazeta, por nuk jane gazetari. Jane perçartjet e nje lunatiku gjysem te dehur nga narcisizmi i shfrenuar i nje truri qe thjesht vetpelqeheht ngaqe ka lezuar nja dy libra me shume dhe nuk i rrihet pa ua bertitur edhe te tjereve. Nejse, ti lexoje, mos kupto gje, jo se ti je budalla, por se aty nuk ka gje per te kuptuar dhe vazhdo jeto me filozofin Mikom Gjiza,

      Reply to this comment
  2. Eri from Vlora September 12, 22:16

    Impresionohem dhe jam pa fjale shpesh here nga shkrimet e z.Moikom te gazeta juaj..Nuk e besoj dot qe akoma ne keto vite ku po dominon injoraca ,ekzistojn shkrimtar ,filozof te tille me kaq shume kapacitet, kultur,njohuri.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*