Unaza e Jugut lidh edhe HEC-et që do ndërtohen mbi Vjosë!

January 29, 2016 10:40

Unaza e Jugut lidh edhe HEC-et që do ndërtohen mbi Vjosë!

Ka përfunduar projekti i ndërtimit të Unazës së Jugut. Nuk bëhet fjalë për rrugë, por për rrjetin energjetik 110 kV. Projekti është financuar nga një kredi e qeverise gjermane, nëpërmjet Bankes KfW me vlerë 49 milion Euro.

I pranishëm në ceremoni, kryeministri Edi Rama deklaroi se investimet bëhen pikërisht falë reformës në energji dhe vendosjes së rendit ligjor në këtë sektor.

Shumë shpejt do të bëjmë të mundur finalizimin e një ëndrre për të lidhur përfundimisht rrugën e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Interkonjeksioni i famshëm i shumëpropaganduar si objektiv i partive, qeverisë, shoqërive tona po bëhet realitet.

Po bëhet realitet, ashtu si lidhja e rrugës energjetike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, çka do të thotë integrim i plotë i Shqipërisë në rrjetin evropian të energjisë. Bëhet e mundur që reforma që vazhdon për të liberalizuar tregun e energjisë dhe ambicia jonë për rajonalizimin e prodhimit dhe administrimit të energjisë të kthehen në mirëqenie për shqiptarët”, tha kryeministri Rama.

Ndërkaq, Ministri Gjiknuri u shpreh se pas përfundimit të “Unazës së Jugut”, do mund të kalohet me ndërtimin e dy nënstacioneve të fuqishme në Orikum dhe Himarë.

“Investime këto që do të bëjnë të mundur që bregu Jonian të marrë energjinë e merituar. Janë mbi 20 milion Euro të tjera të planifikuara për 2 vitet e ardhshme nga fondet e Operatorit të Shpërndarjes si dhe nga mbështetja që kemi marrë nga Kooperacioni Italian. Investime për të elektrifikuar përfundimisht me cilësinë dhe me standardet që kërkohet gjithë bregdetin jonian, duke eliminuar të gjitha ato probleme që vazhdimisht pushuesit kanë hasur me vite në këtë zonë”, theksoi ministri.

Loti i parë përfshinte:

Zgjerimin e N/stacionit 400/110 kV Zemblak me një transformator të dytë 400/110 kV, me fuqi 150 MVA dhe plotësimin e skemës primare të Nënstacionit. Vlera e kontraktuar e këtij loti ishte 4.6 milion Euro dhe u implementuar nga kompania kroate Konçar.
Loti i dytë përfshinte:
– Ndërtimin e linjës 110 kV Ersekë – Përmet, 56 km e gjatë
– Ndërtimin e linjës 110 kV Babicë – Sarandë, 104 km e gjatë
– Ndërtimin e qarkut të dytë të linjës 110 kV Zëmblak – Korçë, 13 km
– Rehabilitimin e linjave 110 Memaliaj – Këlcyrë – Përmet dhe Korçë – Ersekë, 105 km.
– Zgjerimet respektive të impianteve 110 kV në N/st Babicë, Sarandë, Korçë, dhe punime rehabilituese në N/st Përmet dhe Memaliaj.

Projekti ka një shtrirje mjaft të gjerë duke përfshirë pjesën perëndimore dhe atë lindore të jugut të Shqipërisë.

Kjo linjë mundëson ndërtimin e nënstacioneve 110/35/20 kV Orikum dhe Himarë, që të shoqëruar dhe me zhvillimin e rrjetit 20 kV nga Operatori i Shpërndarjes, do të përmirësojnë në mënyrë rrënjësore cilësinë e shërbimit të energjisë elektrike në një zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit.

Kalimi i linjës 110 kV në luginën e Vjosës do të krijojë mundësinë e lidhjes në rrjetin transmetues të një pjese të hidrocentraleve që do të ndërtohen në degët dhe rrjedhjen e sipërme të këtij lumi.

Fuqizimi i rrjetit 110 kV në zonën jugore, ka krijuar kushtet teknike për operim në paralel të linjës së interkonjeksionit 154 kV Bistricë – Myrtos, që deri më sot ka funksionuar vetëm në formë ishulli.
Projekti do të vazhdojë me ndërtimin e dy n/st 110 kV në zonën e bregut të detit Jon: Orikum dhe Himarë, që janë në fazë tenderimi. /Dita/

January 29, 2016 10:40
Komento

1 Koment

  1. tomorri January 29, 12:33

    Por une degjoj shume njerez te pa fytyre qe thone se kjo qeveri nuk po ben asgje.Une dua ti pyes kjo veper e planizuare ne jug dhe e realizuare si quhet more funderrina plus shume3 e shume te tjera.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*