Unë përcjell Tmerrin, por Masakrën e keni bërë Ju!

April 26, 2017 18:42

Unë përcjell Tmerrin, por Masakrën e keni bërë Ju!

E hënë, 26 prill 1937. Ditë tregu në Guernikë. Një qytet i vogël, në veri të Spanjës, me vetëm disa mijëra banorë. Qyteti i shenjtë i baskëve.

Rreth orës 17:30 të pasdites do të niste masakra. Katër skuadrilje gjermane të Legjionit Kondor, skuadrilje eksperimentuese dhe bombardues ajrorë italianë, do të nisin bombardimin e qytetit. Objektivi, testimi i armëve të reja. Kauza, në mbështetje të Gjeneralit Franko. Qëllimi, terrorizimi i popullatës civile. Sulmi rrufe zgjati rreth tre orë. Mitralim pareshtur mbi civilët, dhjetëra tonë bombash shpërthyese dhe zjarrvënëse u hodhën mbi qytet. Gjithçka po shndërrohej në gërmadhë. Në mbrëmje, rreth orës 20:00, Guernika do të gjente paqen. Një paqe, që ka aftësi ta ofrojë vetëm vdekja dhe përballja me tmerrin. Thuajse tërë qyteti ishte nën flakët e bombardimit. Bilanc i rëndë. Rreth 1500 të vrarë dhe qindra të plagosur. Në një qytet, prej vetëm disa mijëra banorë!

Guernika, do të futej në histori si momenti i parë, kur aviacioni modern ushtarak do të kryente masakrën më të madhe ndaj popullatës së pambrojtur civile. Aty ku, shtypja ndaj forcave anti- frankiste me kontributin e nazistëve dhe ndihmën e fashistëve, do të njihte një prej akteve më të rënda të terrorit.

Vetëm pak kohë më vonë, piktori spanjoll me famë ndërkombëtare, Pablo Pikaso do të realizonte kryeveprën botërore mbi tragjedinë e Guernikës. Një pikturë monokromatike. Në nuancat bardhë e zi. Në kontrast të plotë, mes makabritetit të kasapëve dhe pafajësisë së viktimave.

Në sfond dy gra. Duke ulëritur nga dhimbja. Njëra prej tyre, mban një fëmijë në krah. I vdekur! Gruaja tjetër, po bie nga një godinë e bombarduar dhe e pushtuar nga zjarri. Ulërima dhe të qara. Përreth një kryqi. Në kërkim të shpjegimit, mbi të pakuptueshmen! Dy kafshë të tmerruara, simbol i masakrës së pamëshirshme edhe mbi tufat e pafajshmeve të bagëtive. Një dem, me sytë shprehës të një njeriu! Simbol i karakterit të fortë dhe mbrojtës mashkullor, që mbron trupin e gruas me fëmijën e vdekur në dorë. Një mëz i vogël, i plagosur, simbolikë e Spanjës së copëtuar. Një luftëtar i plagosur në tokë….. Një shpatë e thyer….Një sërë imazhesh alegorike, që të përcjellin kompleksitetin dhe thellësinë e vuajtjes të shkaktuar nga kjo tragjedi. Simbole, që përkujtojnë një të shkuar, që nuk duhet harruar, por dhe një aktualitet, që shfaqet i përjetësuar….Një transformim i një ngjarje lokale, në ikonë universale të terrorit !

Përgjatë pushtimit, Pikaso do të priste në atelienë e tij, disa oficerë gjermanë të tërhequr nga fama e tij. Njëri prej tyre, të cilit ai i jep më vonë edhe një riprodhim fotografik të veprës së tij, e pyet:

“Ju e keni bërë këtë?!”
Dhe Pikaso i përgjigjet:
“Jo, këtë e keni bërë Ju!”

Demokracia kundër Fashizmit

Lufta civile e Spanjës, nuk është një ngjarje e izoluar, edhe pse rrënjët e saj janë thellësisht lokale dhe të lidhura me konflikte afatgjata, që trazojnë shoqërinë spanjolle që prej shekullit të XIX. Veçantia e saj, qëndron tek fakti se ajo nuk është konsideruar asnjëherë vetëm si një çështje e spanjollëve, por si një ngjarje evropiane në kuptimin më të gjerë të mundshëm të saj.

Si terreni, ku u përlesh Demokracia me Fashizmin.

Dhe në këtë përleshje me Fashizmin, shtetet demokratike bënë një hap mbrapa!

Nënshkruan marrëveshjen e mos-ndërhyrjes. Franca e Leon Blumit, edhe pse pozitive ndaj kërkesës për ndihmë të republikanëve spanjollë frenohet nga kundërshtimi i forcave të brendshme opozitare, si edhe nga reagimi kundërshtues britanik, që nuk preferonte sa një përballje me forcat totalitare, por as ndihmën ndaj “komunistëve spanjollë në shpërthim”. Nënshkrimi i marrëveshjes së mos-ndërhyrjes, u firmos thuajse nga të gjithë vendet evropiane.

Dhe do të ishte kjo tradhti e hapur e demokracive, që do të shkaktonte një zgjim të ndërgjegjjes tek intelektualët dhe njerëzit e penës, që do të angazhoheshin plotësisht për të shndërruar këtë pasivitet në kontribut dhe veprime konkrete. Jo rastësisht, kjo shkundje e botës intelektuale do të krijonte një etje të pakontrollueshme për vepra letrare, duke e shndërruar Luftën e Spanjës, ende pa u mbyllur konflikti, në një temë romantike në literaturën kryesore perëndimore.

Vëmendja ndërkombëtare mbi situatën në Spanjë, nuk do të mungonte dhe do të binte në një kontrast të plotë, me zmbrapsjen e shteteve demokratike evropiane që nënshkruan marrëveshjen e mos ndërhyrjes. Reagimi dhe madhësia e solidaritetit në krah të mbrojtësve të Republikës do të ishin mbresëlënëse. Rreth 35 mijë vullnetarë nga Brigadat ndërkombëtare në më shumë se 50 vende, si edhe një angazhim i lartë i një sërë intelektualësh me zë, në favor të Republikës spanjolle, kryesisht në lëmin e propagandës. Që në fillesat e para të përplasjes të korrikut 1936, të huajt angazhohen me armë në duar, për të mbrojtur republikën spanjolle, shumë shpejt e shndërruar për simpatizantët e saj, në simbolin e luftës së Demokracisë kundër Fashizmit në nivel evropian. Më shumë se gjysma e tyre do të ishin komunistë, por do të kishte edhe socialistë, si edhe anarkistë. Brigadat Ndërkombëtare kanë hyrë në një luftë romantike dhe idealiste, ndoshta lufta e fundit e shekullit të XX-të.

Edhe vullnetarët në krahun e Frankos jo vetëm do të ishin të shumtë, por do ta tejkalonin numrin e kampit tjetër (19 mijë gjermanë, 73 mijë italianë, 10 mijë portugezë të dërguar nga Salazari si edhe rreth 700 irlandezë të komanduar nga lideri i fashistëve irlandezë Eoin O’Duffy. )

Por, teksa Republika dukej se e kishte fituar betejën e opinionit publik ndërkombëtar, mbështetja e fuqive fashiste, përballë pasivitetit të demokracive, vlerësohet të ishte vendimtare në rënien e republikës spanjolle.

Spanjollët kanë hyrë në histori si evropianët e parë, që morën armët kundër fashizmit. Dhe Spanja u gjend në hartën evropiane të antifashizmit të paktën që prej vitit 1934. Atëherë kur një grevë e përgjithshme e mbështetur nga krahu radikal i Partisë Socialiste dhe anarkistëve u organizua në Asturia, si një kryengritje e armatosur. Kryengritje, që u shtyp me dhunë nga ushtria, nga trupat e komanduara të gjeneralit Franko dhe shtypja brutale shkaktoi një valë të gjerë solidariteti antifashist, që i parapriu asaj që u vë në jetë pas grushtit të shtetit të korrikut 1936. Dhe që nga tetori i vitit 1934, Spanja konsiderohet nga lëvizja antifashiste ndërkombëtare, si fusha e parë e betejës kundër ngjitjes dhe fuqizimit të fashizmit.

Por, ato vlerësohen edhe si evropianët e fundit që do t’i linin armët kundër tij, atëherë kur guerilët çlirimtarë do të binin nën plumbat e Gardës Civile, në fillim të viteve ’60.

Im.Ta.

DITA

April 26, 2017 18:42