Censura ndaj DITA, reagon edhe UGSH: Shenja paralajmëruese

November 30, 2019 23:50

Censura ndaj DITA, reagon edhe UGSH: Shenja paralajmëruese

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka publikuar një deklaratë këtë të shtunë.

Duke evidentuar rastin e bllokimit të editorialit të gazetës Dita me titull PSE shkruar nga kryeredaktori Adrian Thano, UGSH flet për “shenja paralajmëruese për censurë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme”.

Më poshtë, pjesë nga deklarata e UGSH:

 

Deklaratë e UGSH-së për disa shenja paralajmëruese për censurë në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme
Kujdesi shtetëror për etikën mund të jetë alibi censure
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në gjithë anëtarësinë e vet po përjeton me pikëllim gjendjen e popullatës së prekur në masë katastrofike nga breshëri i tërmeteve të ndodhura gjatë kësaj jave mbi një pjesë të territorit të vendit tonë. Si të gjitha organizatat dhe gazetarët e vendit edhe ne jemi bërë pjesë e misionit në shërbim e solidaritet me banorët e prekur si dhe për ndërgjegjësimin e opinionit public kombëtar e atij ndërkombëtar për të dëshmuar mbashtetje e ndihmë për mijëra banorët e dëmtuar dhe qindar familjet e viktimave. Në këtë pikëllim njerëzor, përfshihet edhe organizata jonë me ngushëllime për gjithë familjet që pësuan humbje të jetës së të afërmve dhe pjestarëve të tyre.
Gjatë këtyre ditëve të pazakonta, përballë një katastrofe me përmasa të pangjara më parë, gjithë anëtarësia e gazetarëve të UGSH, është e përfshirë në raportime dhe ndihmë publike, duke qenë së pari qytetarë aktivë dhe profesionistë të kujdesshëm. Jemi të ndërgjegjshëm se gjatë shumë rasteve të raportimit intensiv, për shkak të skenave dhe zhvillimeve tronditëse, ndonjë reporter ka anashkaluar kujdesin etik të raportimit të imazheve dhe sinkroneve që bien ndesh me porositë e kodeve të etikës dhe parimet deontologjike. Në jo pak raste Zyra jonë e shtypit ka komunikuar me kolegë dhe zyra të marrëdhënieve me publikun dhe kemi pasur reagime mirëkuptuese profesionistësh.
Në kësi reagimesh është përfshirë ngutshëm edhe Qeveria përmes kryeministrit Edi Rama, i cili përmes një postimi në llogarinë personale të Twitter më datën 28.11.2019 paralajmëronte për herë të fundit:”…portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtëzakonshme, do jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik!”
UGSH ndan publikisht shqetësim për rastet e publikimeve që shkaktojnë panik dhe lëndime mbi popullatën dhe audiencat, apo që cënojnë në mënyrë flagrante parimet për mbrojtjen e fëmijëve dhe shëndetin mendor të publikut. Eshtë një shqetësim që prej kohësh shprehet në formën e një debate të brendshëm mes gazetarëve dhe në tubimet profesionale të tyre. Në këtë kuadër organizata jonë kërkon rritjen e kujdesit dhe të përgjegjësisë nga gjithë gazetarët dhe sidomos prej editorëve të të gjithë medias së vendit, përfshi në mënyrë të vecantë mediat e reja.
Në këtë aspekt ne kërkojmë që është pikërisht momenti që komuniteti ynë profesional të mos humbasë kohë e të krijojë luajalisht mekanizmat e munguara ekzekutivë në mbrojtje të parimeve dhe normave etike e deontologjike. Në kushtet e këtij vakumi, këtë nismë duket se tenton ta marrë qeveria dhe institucione të tjera politike, deri edhe Parlamenti.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë mbron pikëpamjen e vet se në cdo rast kujdesi shtetëror për etikën mund të përdoret si alibi censure dhe ndikimi negative mbi lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e gazetarëve. Në këtë kontekst ne marrim seriozisht edhe shqetësimin e editorit të gazetaës së përditshme “Dita” të publikuar në datën 29.11.2019 me titull: “Qeveria bllokon shpërndarjen në fb të editorialit në Dita”.
Njëkohësisht ne u drejtohemi gjithë kolegëve dhe mediave tona të të gjitha llojeve se në raste të tilla katastrofash natyrore, përgjegjësia për interesin publiK dhe sidomos për shëndetin mendor të popullatës është detyrim për seicilin, sikundër edhe disa shërbesa që kanalizohen përmes institucioneve për llogari të emergjencës duhen kryer pa ngurim dhe pa dallim politik.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon nga autoritetet e qeverisë të dëshmojnë maturi dhe respekt ndaj mediave dhe qëndrimeve kritike të tyre, si dhe të inkurajojnë shumë më tepër nismat vetërregulluese të gazetarëve e jo të besojnë apo t’ia delegojnë këtë besim vetëm enteve rregullatore të cilat janë të paragjykuara apo shpesh edhe të refuzuara për shkak të historisë së përdorimit politik në kohët e shkuara. Në kohë dhe raste gjendjesh të jashtëzakonshme, besimi tek profesionistët është ndihma më e madhe për do pushtet dhe mes të gjitha pushteteve.
UNIONI I GAZETARËVE SHQIPTARË
November 30, 2019 23:50