Universiteti bashkëkohor, pse i mbyllim sytë ndaj eksperiencës amerikane?

January 12, 2019 10:58

Universiteti bashkëkohor, pse i mbyllim sytë ndaj eksperiencës amerikane?

Prof. Fatos Tarifa

  Amerika! Pse?

Prej mëse një shekulli, Amerika është bërë fuqia më e madhe ekonomike, politike, ushtarake, teknologjike dhe kulturore e globit. Ajo i kontribuon planetit tonë 1/4 e GDP së tij; në të graviton pesha politike e mbarë globit; kapacitetet ushtarake të saj janë më të mëdha sesa ato të të gjithë vendeve të tjerë të marrë së bashku; teknologjia e saj është shumë më e avancuar sesaajo e vendeve më të zhvilluar që vijnë pas saj; kultura amerikane është përhapur në të katër anët e globit dhe influencon këdo. Por, s’duhet harruar, se Amerika ka edhe universitetet më të mirë në botë (dhe shumë të tillë), pa të cilët,ky vend nuk do të qe bërë dot superfuqia e vetme e globit që është sot.

Burimi i fuqisë së Amerikës është truri i saj. Ndryshe nga pushteti i mbretërve Habsburgë të Spanjës, të cilin e mbante në këmbë argjendi i Amerikës Latine, ose ndryshe nga Gjermania e fillimit të shekullit të 20-të dhe e viteve 1930, forca e së cilës mbështetej në makinën ushtarake dhe në industrinë që punonte për të, Amerika ka mbledhur dhe vazhdon të mbledhë shkencëtarët më të mirë nga e gjithë bota. Kjo e bën Amerikën të dominojë në çdo fushë të kreativitetit dhe të veprimtarisë njerëzore (në ekonomi, në politikë, në fushën ushtarake, në shkencë, në teknologji dhe në kulturë), dominim i cili nuk ka të bëjë me qënien në krye të administratës amerikane të këtij apo atij presidenti, por me potencialet e mëdha krijuese, me pasuritë e jashtëzakonshme të këtij vendi, si dhe me shkallën e lirisë që ekziston atje.

Universitetet amerikane kanë, më shumë se në çdo vend tjetër të botës, atë që sociologu i shquar amerikan Robert Merton në vitet 1940 e quante “ethos of science”. Amerika dominon pushtetin e truve të botës, çka do të thotë se ajo, jo vetëm mendon për të ardhmen, por ka edhe çelësin e saj. Dhe nëse klasa e mesme e “fshatit global” në të cilin jetojmë, me rritjen e vazhdueshme të konsumit masiv, që është karakteristikë e shoqërisë moderne, po e dëmton edhe më shumë biosferën e planetit tonë, nuk ka dyshim se do të jenë pikërisht universitetet amerikanë ata që do realizojnë studimet dhe do të shpikin metodat e duhura për ta riparuar këtë dëm kolosal.

Çfarë i bën universitetet amerikane të kenë këtë autoritet dhe prestigj që gëzojnë sot?Ose, çfarë e dallon “modelin amerikan” të universitetit nga modelet e sistemeve të tjerëtë arsimit të lartë në Perëndim?

Në të vërtetë, sistemi i arsimit të lartë në SHBA nuk ka një model të vetëm. Ajo që është unike për këtë vend është mjedisi social, i cili e ka bërë të mundur suksesin e sistemit universitar amerikan. Madhësia dhe pasuria materiale e universiteteve më të mirë amerikanë krijojnë, pa dyshim, avantazhe të dukshme ndaj universiteteve të të gjitha vendeve.Mjafton të përmendim se vetëm Universiteti i Harvardit ka një fond (AUM—assets under management) që llogaritet në mbi 37 miliardë dollarë, shumë kjo më e madhe sesaasetet universiteteve të Oksfordit dhe të Kembrixhit (bashkë me kolegjet e tij) në Britaninë e Madhe, të marra së bashku.Vetëm nga investimet e kësaj pasurie, Universiteti i Harvardit gjeneron të ardhura që më të mëdha sesa GDP-ja e përgjithshme e disa vendeve të vogla, si Armenia apo Maqedonia.Llogaritur për numrin e studentëve, buxheti vjetor i Universitetit të Princtonit, në Nju Xhërsi, ia kalon atij të Havardit.

Sidoqoftë, superioriteti i sistemit universitar amerikan, sidomos i universiteteve më të mirë të këtij vendi, është i lidhur, në radhë të parë, me sistemin e drejtimit si të universiteteve privatë, ashtu dhe të universiteteve publikë, sistem i cili kombinon autonominë relative prej qeverisë, nga njëra anë, me administrimin e centralizuar, nga ana tjetër. Mjedisi amerikan karakterizohet, gjithashtu, nga një ethos konkurrues, si dhe nga një shkallë filantropie dhe pagesa shkollimi shumë më të larta se në çdo vend tjetër

Struktura dhe modelet e sistemit të arsimit të lartë

Debati bashkëkohor mbi arsimin e lartë është përqendruar dhe vazhdon të fokusohet në atë se si mund të replikohen, ose të adaptohen, disa nga parakushtet e suksesit amerikan në vende të tjerë. Diskutimet kryesore janë bërë dhe bëhen rreth dy çështjeve themelore, siç janë: (a) struktura e sistemit të arsimit të lartë dhe (b) financimi dhe administrimi i këtij sistemi. Këto çështje, në mënyrë të përmbledhur, i analizojmë më poshtë:

Sa herë që institucionet politikëbërëse dhe vendimmarrëse diskutojnë të përmirësojnë apo të reformojnë sistemin e arsimit të lartë në një vend të caktuar, përfshirë edhe Shqipërinë vitet e fundit, ato përpiqen të konsultojnë dhe të përshtasin njërin (apo më shumë se një) prej katër modeleve strukturore kryesore. Këto modele janë:

Modeli amerikan

Modeli amerikan është, pa dyshim, “standardi i artë”, të cilin përpiqen ta imitojnë, ose ta përshtasin, sipas kushteve dhe nevojave të tyre, pjesa më e madhe e vendeve të botës.Në Shtetet e Bashkuara ka mbi 2,500 universitete dhe kolegje; shumë prej tyre janë private, shumë të tjerë mbështeten nga shteti, një pjesë kanë mbështetje private dhe shtetërore.Më shumë se gjysma e universiteteve të këtij vendi janë krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.Shumë universitete amerikanë kanë programe akademike dhe profesionale pasuniversitare (graduate programs), të tjerë ofrojnë vetëm diploma universitare.Disa universitete janë të orientuar në arsimimin liberal në shkenca dhe arte, duke e vënë theksin kryesisht në mësimdhënie dhe më pak në veprimtari kërkimore; të tjerë i kushtojnë prioritet kërkimit dhe “trajnimit” në krahasim me mësimdhënien dhe janë të orientuar nga shkencat natyrore dhe biznesi.

Pavarësisht këtyre dallimeve, struktura e pothuajse të gjithë universiteteve dhe kolegjeve amerikanë është e ngjashme, në kuptimin që të ardhurat e tyre vijnë nga pagesat e shkollimit, kontributet dhe donacionet dhe, për institucionet shtetërore, nga buxheti për arsimin. Struktura dhe mënyra e drejtimit të universiteteve është e centralizuar: në krye të saj janë Presidenti i Universitetit dhe një bord i vogël të besuarish (board of trustees). Përveç kërkimeve që kryhen nga institutet kërkimore kombëtare, nga industria private, nga institucionet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe nga organizatat think tank të profilizuara në shkencat sociale të aplikuara, veprimtaria më e madhe kërkimore në SHBA realizohet në 50 universitetet më të mirë kërkimore të këtij vendi (në ata që quhen research universities). Pjesa më e madhe e buxhetit për R&D (Research & Development―kërkim dhe zhvillim) në universitetet amerikanë financohet nga korporatat dhe industritë e mëdha.Gjatë 30 viteve të fundit, financimi i kërkimeve shkencore në universitetet amerikanë nga ana e kompanive industriale është rritur mbi 500 përqind.Shpenzimet e universiteteve kryesore amerikanë për kërkime shkencore arrijnë çdo vit një vlerë mbi 40 miliardë USD.

Një tipar dallues i sistemit amerikan është se fokusi dhe aktivitetet arsimore e ato kërkimore në universitetet e këtij vendi kanë qenë dhe janë të lidhurinstitucionalishtmes tyre që nga koha kur Presidenti Abraham Linkoln themeloi Akademinë Kombëtare të Shkencave më 1863, por, më shumë akoma, që nga koha e “Projektit Manhattan”, në vitet 1942-1946. Një lidhje e tillë institucionalisht organike mes mësimit dhe kërkimit ka mundësuar, më shumë se në çdo vend tjetër të botës, që idetë, stafet akademike dhe resurset njerëzore e financiare të qarkullojnë midis universiteteve dhe sektorëve të tjerë të shoqërisë. Si shembuj mund të përmendim bashkëpunimin Harvard/MIT (Massachusetts Institute of Technology); Bell Labs, DARPA (Defense Advanced Research Projects Agency) dhe RAND Corporation, etj. Në Shtetet e Bashkuara, kjo lidhje mes arsimit dhe kërkimit merret si e mirëqenë, gjë që nuk është e vërtetë për shjmë vende të tjerë

Modeli kontinental

I krijuar së pari në Europën kontinentale, ky model dallon shumë nga i pari. Pothuajse të gjithë universitetet e ndërtuar sipas këtij modeli janë publikë dhe financohen nga buxheti i shtetit (kombëtar, federal, ose provincial).Shumica e këtyre universiteteve drejtohen nga një Rektor.Senati i një universiteti të tillë, i përbërë nga anëtarë të stafit akademik, ka një peshë më të madhe në drejtimin e universitetitsesa senatet e universiteteve amerikane.Në vendet që aplikojnë këtë model, është qeveria ajo që përcakton buxhetin për çdo universitet dhe fare pak përpjekje bëhen për të gjeneruar fonde apo donacione bamirëse për sektorin e arsimit.

Për shkak të parimeve të shtetit të mirëqenies, në këta vende studentëve u kërkohet qëtë paguajnë fare pak apo aspak për studimet e tyre të larta, çka do të thotë se mundësitë për të financuar sistemin e arsimit të lartë përmes të ardhurave nga regjistrimet e studentëve janë tepër minimale. Përveç kësaj, në shumë universitete europianë theksi vihet jo në konkurrencën, por në egalitarizmin dhe në trajtimin e barabartë, gjë që ka çuar në politika të pranimeve falas të një numri shumë të madh studentësh në një institucion të vetëm (më shumë se 100,000 studentë në Universitetin La Sapienza të Romës; rreth 95,000 studentë në Universitetin e Vienës) si edhe në një rënie të ndjeshme të kushteve dhe të standardeve të mësimdhënies.

Në vendet e Europës kontinentale kërkimi i kualifikuar shkencor realizohet kryesisht jashtë universiteteve, në qendra dhe institute kërkimore kombëtare si, për shembull, Centre National de la Recherche Scientifique (CNRS) në Francë, apo Instituti Max Planck në Gjermani, të cilët edhe pse, në më të shumtën e rasteve, “ushqehen” nga sistemi universitar, nuk i japin këtij të fundit thuajse asgjë në shkëmbim. Edhe pse vitet e fundit kanë filluar të krijohen universitete private, ata janë, përgjithësisht, të vegjël dhe të marxhinalizuar në sistemin e arsimit të lartë.

 

Modeli francez

Ky model mund të thuhet se është i ngjashëm me modelin kontinental. Sidoqoftë, në Francë, krahas me sistemin e universiteteve publikë, shteti ka krijuar, qysh nga shekulli i 18-të, një sistem paralel të “shkollave të mëdha” (grandes écoles), në të cilat tradicionalisht është formuar elita ekonomike dhe politike franceze.Kjo elitë duket se është, në parim, meritokratike dhe pranimi në këto shkolla bëhet në bazë të konkurrimit. Megjithatë, aksesi në këto shkolla nuk është i njëjtë për të gjithë (çka do të thotë se ky sistem nuk është i hapur për këdo) dhe elita frranceze, në tërësi, vazhdon të riprodhojë vetveten.Grandes écoles financohen përgjithësisht nga shteti. Cilësia e tyre më e lartë, krahas lehtësive që krijon për to CNRS dhe disa institucione të tjerë kërkimorë të klasit të parë, kanë bërë që elita shkencore dhe intelektuale franceze të ruajë prestigjin e saj edhe në kushtet e një rënieje të ndjeshme të sistemit të universiteteve publikë në këtë vend.

 

Modeli britanik

Ky model dallon si nga modeli amerikan, ashtu edhe nga ai europian, pasi universitetet angleze nuk janë ekzaktësisht as institucione shtetërorë, as privatë. Ata janë institucione publikë, që mbështeten dhe subvencionohen nga qeveria, por nuk financohen krejtësisht prej saj.Financimi i tyre bëhet nga British Exchequer, një agjenci e veçantë qeveritare (e krijuar qysh në shekullin e 12-të nga Mbreti Henri I), përmes një procesi, i cili ruan një barrierë mes universiteteve dhe qeverisë, duke u dhënë universiteteve britanikë më shumë autonomi nga ajo që gëzojnë universitetet publikë në Europë.

Pavarësisht nga kjo, sistemi universitar në Britani, ka problemet e veta.Gjatë dekadave të fundit, sidomos duke filluar nga qeveria e Kryeministres Margaret Thatcher, të gjitha qeveritë britanike i kanë shkurtuar buxhetet për universitetet e vendit dhe kanë bërë ndryshime masive në sistemin tradicional britanik të arsimit të lartë, i cili, për një kohë shumë të gjatë kishte funksionuar shumë mirë, veçanërisht për elitën e atij vendi. Një politikë esencialisht populiste e ndjekur nga konservatorët anglezë në vitet 1980 çoi në konvertimin e një numri të madh shkollash politeknike nëuniversitete, gjë që, përveçse rriti numrin e studentëve me diploma universitare, çoi pashmangësisht, nga njëra anë në rënien e standardeve e të prestigjit të universiteteve britanikë në përgjithësi dhe, nga ana tjetër, në thellimin e hendekut mes universiteteve kërkimorë anglezë më të mirë dhe një grupi universitetesh të klasit të dytë, pothuaj njëlloj siç ka ndodhur në Francë.

Financimi dhe administrimi i sistemit universitar

 Mënyra se si financohen universitetet luan një rol shumë të rëndësishëm në masën e pagesës që ata kërkojnë për pranimet e studentëve.Meqënëse në pjesën më të madhe të vendeve arsimi i lartë financohet nga shteti, masivizimi i universiteteve është shoqëruar, përgjithësisht, me rritjen e buxheteve për sistemin e arsimit të lartë.Sidoqoftë, në periudha ekonomikisht të vështira, veçanërisht në periudha krizash, ministritë e financave përgjithësisht hezitojnë t’i kalojnë sektorit të arsimit një pjesë të buxhetit të alokuar për sektorët e tjerë. Një ndër arsyet është edhe fakti se problemet dhe sfidat e krijuara nga përkeqësimi i sistemit të arsimit universitar nuk kanë për politikëbërësit dhe për institucionet vendimmarrëse atë rëndësi që kanë, fjala vjen, rënia apo falimentimi i një industrie të dhënë.

Natyrisht, përjashtimet nuk mungojnë.Në vitin 2003, qeveria britanike vendosi që të rriste shpenzimet për kërkime shkencore për tre vitet pasardhëse në masën 30%, në mënyrë që të rikuperonte një pjesë të shkurtimeve të bëra në dekadat e mëparshme.Po kështu, qeveritë e Singaporit dhe të Taivanit kanë dhënë prej vitesh shembullin më të mirë duke bërë investime masive në sistemin e arsimit të lartë dhe në studime të avancuara.

Qeveritë e disa vendeve të tjerë kanë investuar në mënyrë selektive në ata sektorë që ato i gjykojnë strategjikë.Të tilla janë fondet e konsiderueshme që qeveria zvicerane investon prej kohësh për Institutin Federal Zviceran të Teknologjisë në Zyrih (Swiss Federal Institute of Technology Zurich), një ndër institutet kërkimorë më prestigjioze në botë, i cili mund të konsiderohet si ekuivalenti zviceran i Massachusetts Institute of Technology.

Po kështu, investime serioze janë ato të qeverisë indiane në të pesëmbëdhjetë filialet e Institutit Indian të Teknologjisë (Indian Institute of Technology), të cilët janë vlerësuar nga parlamenti indian si Institute të Rëndësisë Kombëtare.

Nga ana e saj, Europa ka vite që përpiqet të dekurajojë largimin e ekonomistëve të saj drejt Amerikës, ndërsa qeveria kineze po investon mjaft për të ngritur një sistem universitetesh të klasit të parë, me të cilët të konkurrojë në tregun global të dijes dhe të ekonomisë.

Financimi i universiteteve është i lidhur ngushtë me çështjet e drejtimit administrativ të tyre dhe të lirisë akademike.Ajo që e karakterizon debatin e sotëm mbi këtë temë është ideja se profesorati dhe stafi pedagogjik dhe kërkimor, të cilët me të drejtë konsiderohen si baza (ose shpirti) i universitetit, duhet të kenë liri të plotë dhe fjalën e fundit në çështjet akademike. Liria akademike, siç formulohet ajo në Deklaratën e Limës mbi Lirinë Akademike dhe Autonominë e Institucioneve të Arsimit të Lartë, të vitit 1988, është një parim i shenjtë, i cili synon të mbrojë lirinë e trupit pedagogjik për të menduar dhe për t’u shprehur brenda institucionit të tyre, si edhe për të qenë të imunizuar nga presionet brenda dhe jashtë sistemit që synojnë të shtypin pikëpamjet disidente. “Liria akademike”, theksohet në këtë deklaratë, “është një parakusht thelbësor për ato funksione edukuese, kërkimore, administrative dhe të shërbimit, të cilat i janë besuar universiteteve dhe institucioneve të tjerë të arsimit të lartë.Të gjithë anëtarët e komunitetit akademik kanë të drejtën të përmbushin funksionet e tyre pa asnjë lloj diskriminimi, pa frikë prej ndërhyrjeve apo represioneve nga shteti apo ndonjë burim tjetër”.

Megjithatë, universitetet nuk ekzistojnë në një vakum dhe fondet që sigurohen nga individë apo organizata jashtë tij legjitimojnë ndikimin e tyre në mënyrën e organizimit dhe të drejtimit të universiteteve.Pavarësisht kualifikimeve dhe aftësive, prestigjit akademik e shoqëror dhe lirisë akademike që kanë anëtarët e komuniteti akademik të universiteteve, ata nuk mund të bëjnë pa administrim.Po kështu, universitetet nuk janë vetëm qendra të arsimit, të dijes dhe të shkencës, por edhe entitete ekonomikë dhe, si të tillë, kanë nevojë të menaxhohen mirë që të kenë sukses dhe të zhvillohen.

 Dy fjalëpër arsimit të lartë në Shqipëri (jashtë kontekstit të protestave studentore)

Gjithmonë ka pasur, ka dhe do të ketë tension dhe konflikte midis komunitetit akademik, nga njëra anë, dhe administratorëve të universiteteve apo autoriteteve qeveritare, nga ana tjetër, përsa i përket gjetjes së një raporti sa më optimal mes synimeve të përhershme të stafeve akademike për sovranitet akademik apo autonomi dhe kërkesave për efektivitet dhe ndryshim, të cilat një pjesë e komunitetit akademik i kontestojnë, ose nuk i mirëpresin.Kjo po ngjet edhe në Shqipëri gjatë këtyre 5-6 viteve të fundit.

Autonomia (dhe jo vetëm financiare) e universiteteve shqiptarë është një kërkesë shumë e drejtë dhe që duhet mbrojtur dhe realizuar në praktikë. Por akoma më e rëndësishme se kjo autonomi është cilësia e programeve, e kurrikulave dhe e procesit të mësimdhënies në universitetet tona, pa përmendur domosdoshmërinë që universitetet shqiptarë të shndërrohen në qendra të vërteta të kërkimit shkencor. Eksperienca e universiteteve amerikanë dhe ajo e disa vendeve të tjerë, për aq sa ato janë të dobishme për kushtet dhe mundësitë e vendit tonë, mund të studiohen e të mbahen parasysh më mirë nga qeveria shqiptare dhe nga vetëuniversitetet tona, për t’i transformuar (jo thjesht reformuar) rrënjësisht sistemine arsimit të lartë, politikat që inkurajojnë studime universitare të standardeve bashkëkohore dhe kërkimin më të kualifikuar shkencor.

January 12, 2019 10:58
Komento

15 Komente

  1. tori January 12, 13:14

    Profesor pergjithesisht jam me ju por duhet te shtoj se krahas rritjes cilesore te programeve cilesore,nje randesi e vecante ka seleksionimi I pranimit studentave,si rrjedhim kerkesa per rritjen e notes mesatare duhet te jete mbi 9 ne te gjitha shkencat ingjinjerike e rrjedhimisht edhe ne mjekesi.Kjo se paku ne vendin ku jetoj,ku cilesia e universiteteve eshte ne graden siprore e me e larte shume se shume vende te zhvilluara Europiane.Paraprovimi (testet e pranimit) e mesatarja shume e larte e kandidatit jane konditat baze te pranimit tyre.per shkencat sociale kerkesat jane me te ulta.Ndersa nuk jam dakord me mendimin tuaj kthimin e universiteteve ne qendra mirfillta shkencore.Kjo nuk ka mundesi te ndodhe se ne te gjithe boten kompanit investojn per kerkimet shkencore qe sigurojne mbeshtetjen teknollogjiko-shkencore per ekzistencen e kompanis perball konkurenteve,ndersa per studimet shkencore netto realizohen ne institutet shkencore shteterore.Edhe neqoftese ndodh qe universitetet te kthehen ne qendra kerkimesh shkencore cilesia e ketyre kerkimeve do te jete jashtezakonisht e dobet e si e tille nuk ja vlen te investosh.Profesor I nderuar:sot qe te marresh dije duhet te paguash dhe cilesia e dijes matet me sasin e parave qe paguan per marrjen e dijes.Prandaj nje nder problemet kryesore e cilesis se universiteteve eshte investimi I paket I studentave e I shtetit per te marre dije shkencore bashkohore e jo te ulet investimet e studentave per merrje dijesh.Kjo edhe mundesi rreale edhe e rritjes cilesore te studenteve.Profesor,kapitalizmi eshte shume I eger ,ju nuk e njihni aq sa duhet.Ai te hap prespektiva per perparim ne jete ne te gjitha mendyrat,por ne asnje mendyre nuk eshte filantrop.Kto qe te shruajta professor eshte nga eksperienca ime 30 vjecare ne shtet super te industrializuar

    Reply to this comment
  2. intelektuali January 12, 13:49

    AMAN ME KETO KRAHASIME DALLKAUKESH!

    Te perpiqesh te krahasosh Shqypnine enveriste pa kurfare GDP apo prodhim kombetar me TVSH te larte, qe mund te tregetohet ne Bote me emblemen “Made in Albania” me superfuqine e Botes, ne prodhim dhe teknollogji sic eshte SHBA dhe te huazosh nga kjo superfuqi sistemin arsimor, kjo eshte me te vertete nje megalomani tipike per kalemxhinj enveriste sic eshte edhe Fatos Tarifa, cuni i Sevos qe jane shkaktaret kryesore te mjerimit arsimor te shqyptareve. Ne Universtitetin “The University of California, Berkeley” kompanite prestigjoze amerikane vijne te kerkojne specialiste qe ne vitin e 2-te nga studentet, por pagesat atje fillojne nga 40 mije dollaro USD ne vit,

    KUSH I KERKON STUDENTET SHQYPTARE SOT?

    sepse:

    Ne kushtet aktuale ata me te squtit kane shans te gjejne nje vend ne administraten e Rilindjes, te tjeret perfundojne kamariera, ose marrin valixhet dhe shkojne te pastrojne halet ne Perendim me dipllome te shkolles se larte ne xhep.

    KUJT I PLAS PER KERKIMIN SHKENCOR TE UNIVERSITETEVE SHQYPTARE KUR PRODHIMI YNE KOMBETAR ESHTE NE VEND NUMERO QE NGA KOHA E QEPES E ENVERIT?

    Ja edhe Edi Rama e ka kuptuar me pare se ty o Fatos Tarifa kete te vertete dhe mbylli Akademine Megallomane te Shekncave dhe deklaroi se ministrat e tij nuk kishin nevoje per diplloma dhe shkolle se ata jane politikane.

    atehere:

    KUJT I HYN NE PUNE NJE DACIBAO KAQ E GJATE PA KUPTIM?

    sepse:

    Edhe ne SHBA flitet qe dallkauku Bush Junjori e kishte blere dipllomen e tij prestigjoze me para ne Universitetin prestigjoz privat “Yale University”, por qe nuk e kerkoi asnje kompani ne pune dersa u zgjodh si President i SHBA dhe qe per pak sa nuk falimentoi ekonomine e SHBA nga injoranca ne drejtimin e shtetit me te fuqishem ne Bote.

    prandaj:

    O Fatos Tarifa, ish ambasador ne SHBA, Universitetet private ne kete vend te demokracise maksimale jane me pak te besueshme se Universitete publike dhe se ne SHBA me dipllome te huaj nuk ke asnje shans qe te gjes pune.

    KY ESHTE KYCI I SUKSESIT TE SISTEMIT ARSIMOR AMERIKAN!

    Reply to this comment
    • tori January 12, 23:58

      intelektual I nderuar,ne te gjithe universitetet prestigjioze ne bote studentet shume te mire jane nen vezhgimin e kompanive prestigjoze te cilet jan te gateshme te ndihmojne apo te kontraktoj per pune kto student

      Reply to this comment
  3. Gimi January 12, 14:37

    Perse nuk edukon veten me pare ky i ashtuquajtur prof Tarifa perpara se te edukoje lexuesit?

    Amerika ka nje nga sistemet arsimor me te deshtuar ne Bote, dhe Amerikanet kane nam per injorancen e tyre. Mund te gjesh plot video ne youtube ku Amerikanet nuk jane ne gjendje te gjejne as Ameriken ne harte.

    Avantazhi i Amerikes i detyrohet luftes se 2-te Boterore, kur shume vende Europiane, Rusia dhe Japonia u shkaterruan, ndersa Amerika jo vetem qe ishte jashte fushe-betejes, por mbas luftes shume shkencetare dhe inxhinieri nga keto vende te shkaterruara nga lufta emigruan ne Amerike duke marre me vete edhe punimet e tyre.
    Edhe sot, gjysma e shkencetareve Amerikane jane lindur dhe edukuar ne ndonje vend tjeter dhe kane shkuar ne Amerike si eksperte.

    Amerika e importon trurin nga vende te tjera, nuk e kultivon vete, dhe ne s’mund ta huazojme dot kete model.

    Reply to this comment
    • Kuq e Zi January 12, 17:42

      Sakte! Duket qarte qe Tarifa shikon vetem xhepin e tij. Ne Harvard vene vetem klasa e pasur. Tarifa nuk do te theksoje se Universitetet Publike jane po aq te mira dhe kane peshe ne nxjerrjen e kuadrove te pergatitur.
      Dhe qe arriti Amerika ketu, Tarife bajga ndoshta nuk e di qe arsimi dhe kolegji ne Amerike ka qene falas. Cdo gje u rendua pas Reganit dhe Nixon. ata ngriten sistemin e pagesave dhe ne Universitetet publike
      Nese Tarifa mund ti referohet dy figurave te se majtes ne Amerike, Elisabet Warren dhe Berni Sanders,. te dy deshmojne qe brezi I tyre jane rritur dhe edukuar ne kolegjet publike falas, dhe mjaftonte nje prind te punonte dhe te mbante familjen.
      Tani dhe Amerika ka rene dhe pagesat e studenteve me borxhe dhe kredi po e rendojne dhe me teper te ardhmen e studenteve qe I hyjne jetes me nje barre dhjetera mijera dollareshe borxh.
      Keto Universitetet Private qe thote ky nuk I paguajne te gjithe. NJe vajze ne Kaliforni u be porn star ne menyre qe te paguante studimet ne Yale. Kete kerkon Tarifa? Qe studentet shqiptare te mos kene mundesi te zgjedhin midis publikut dhe privatit por te detyrohen te paguajne dhe Universitetin shteteror si privation?
      Atehere le te coje vajzat edhe gruan e tij te prostituojne para se te mendoje te veri ne pergjegjesi per te paguar mijera vajza te reja qe nuk kane mundesine ti sigurojne leket e shkolles.
      Keto jane sugjerime teper fatale per nje popull te varfer si ky I joni, ku vete punonjesit nuk marrin aq rroga sa kushton shkolla. Eshte sistem grabitjeje qe ka si synim prostituimin moral te shoqerise. Te mesohen me ndergjegjen e te shfrytezuarit, te paguajne ne cdo hallke te shtetit ku nuk kane pse paguajne sepse vete populli e mban shtetin me taksat e tij
      As Tarifa, dhe as Rama nuk I vene leket nga xhepi I tyre per te financuar Universitetin shteteror.
      Cdo gje paguhet nga njerezit, Prandaj te thuash qe shkolla eshte falas eshte concept I gabuar. Populli vete e paguan shkollen, jo Ramuti.
      Dhe te pyesesh popullin qe a kerkon garanci per femijet e tij qe te edukohen pa u detyruar te denigrohen per te paguar, jam I bindur qe do thote PO
      Sa per sistemin amerikan, aq ka deshtuar sa vete amerikanet po japin statistika si studentet dalin te fundit ne konkurset nderkombetare ne matematike dhe shkenca.

      Reply to this comment
  4. A. Cela January 12, 16:22

    Pershendetje Profesor

    E lexova me shumë interes artikullin tuaj dhe jam dakort me preokupimin që mbart ai. Përsa i përket modelit francez ka tre tendenca. Së pari, shkollat e larta po diversifikojnë financimin e tyre duke rritur kostot e regjistrimit në mënyrë që të pozicionohen më mirë përballë konkurrencës në Francë dhe jashtë saj. Së dyti, universitetet publike franceze janë të orientuara drejt autonomisë dhe perzgjedhjes së studentëve, tendence qe has nje rezistence jo të vogël por që po realizohet. Se treti po operohet nje regrupim te universiteteve dhe instituteve te kerkimit rretn poleve universitare dhe shkencore. Megjithate duhet të theksoj se asnjë maturant francez qe shpreh deshiren nuk mbetet pa u futur në universitet, por jo domosdoshmërisht në degën që korrespondon me zgjedhjen e parë. Kam mendimin qe roli i promovimit social qe operon universiteti duhet te gjeje me shume hapesire ne debatet rreth reformes se universiteteve e cila perben aktualitetin e kolegeve dhe studenteve ne Tirane dhe me gjere…

    Gjithe te mirat,

    A.Cela, Paris

    Reply to this comment
  5. mirel January 12, 17:42

    Pyetja qe kam une per Tarifen:
    Pastaj cfare e mundon Tarifen sikur Shqiperia te pakten te arrije modelin Evropian?

    Cfare ka Shqiperia me shume nga Evropa, qe nuk mjafton per ta cuar me para se Evropa, por I paska koha qe tja kaloje dhe te arrije Ameriken?
    Teknologjine, apo shkallen e shkences qe po I prin Evropes, dhe do kapi Ameriken?

    Reply to this comment
  6. mirel January 12, 18:35

    Per ta qartesuar komentin e mesiperm: Sipas Tarifes, Shqiperia e paska kaluar Evropen ne teknologji dhe shkence, dhe tani I duhet te kape Ameriken. Me keto lloj brockullash u vjedhin leket studenteve dhe popullit qe enderon te edukoje femijet e tij, per te mbushur xhepat e ketyre ideatoreve te PPPve te Ramutit

    Reply to this comment
  7. Buda January 12, 21:55

    Bravo Fatos Tarifa! Universitetet ne SHBA jane model per te gjithe shtetet e botes, jo vetem per Shqiperine ku realisht jetojne rreth 2 milion banore!

    Reply to this comment
  8. Donika January 12, 23:14

    Informacion dhe permbajtje shume te vlefshme.
    Faleminderit, Profesor!

    Reply to this comment
    • **** January 13, 15:47

      O Donika, po vere mbiemrin ta marri vesh profesori kush po e falenderon, dhe ne ta dime te pakten perse. apo ja ke bere komplimentet ne facebook?
      Zorraxhinjte injorante jane me te ndyre se politikanet.

      Reply to this comment
  9. Kris 1 January 13, 11:57

    Nuk i dija keto qe thote Tarifa.Kam 20 vjet ne SHBA dhe kam diplomuar ne universitetet amerikane 5 nga familja:nje basheleor,nje master ,Mje doktor(sot prof i asociur) dhe Dy PhD..
    Di te thm se shqiptaret e diplomuar para viteve 90 ne USHT kane care ne tregun amerikan te punes..
    Qekr lind femija duhet te kusesh per kolegj.Pra nuk eshte falas.Po nuk gjete pune do te paguash gjithe jeten megjithate tregu i madh ofron pune ne 50 shtetet e amerikes dhe jashte saj.
    Sistemi arsimor dhe menyra e financimit ndryshon nga shteti ne shtet.
    Drejtuesit e bordeve arsimore dhe universiteteve zgjidhen me vote si pushteti lokal dhe nuk emrohen nga qeveria
    Shtetet financojne universitetin publik por jo kolegjet dhe univ private.Keto te fundit mbahen me punen e vet dhe nga donatoret e shumte.Vecanerisht ish studente qe kane bee pare nekrye te bizneseve.Studentet e privateve angazhohen ne pune shkencore gjate veres ne universitet shteterore
    Shteti nuk financon privatet.D he ne amerike ka raste Kristali por bllokohen sa zbulohen.Nuk ndodh si ne Tirane qe nje pedagog te jete i shume punesuar dhe per fryme popullsie shqiperia ja kalon amerikes.Ka vetem universitete dhe asnje kolegj.
    Pa pretenduar se i di te gjitha keto jane nje pjese e konstatimeve te mia.
    Ne amerike bejne hajr shkencetaret sepse sigurojne teknollogji dhe mbeshtetje financiare per kerkimin si nga bizneset dhe nga shteti

    Reply to this comment
  10. mirel January 13, 20:09

    Krahasim midis Evropes dhe Amerikes, me te dhena te marra nga statistikat Amerikane, jo Evropiane:
    “The U.S. government uses what might be called an absolute poverty line—one directly linked to the cost of a basic diet. European governments, by contrast, use a relative poverty line, one set at 60 percent of the median income level. What does this difference in defining “poverty” mean? In the United States, poverty is defined as a condition in which people may not have enough to get by. How everyone else is doing does not figure in to the poverty rate. In Europe, where there is greater concern for the degree of economic inequality, poverty is seen as a relative condition that prevents people from being able to fully participate in social life because they have much less income than everyone else. If the United States were to use the European standard, the poverty line for a family of four would be about $50,000 and our poverty rate would be more than twice as high at about 35 percent.”
    Tarifa le te shikoje se krahasimet qe ben me Ameriken dhe Evropen nuk jane per me mire, por per me keq

    Reply to this comment
  11. ALBAN DEGA January 13, 21:55

    VETING I NGUTSHEM NE ARESIMIN
    SHQIPTAR !

    UNIVERSITETET PRÍVATE ME PERJASHTIM TE 5 PREJ TYRE QE KANE KRIJUAR REPUTACIÓN TE KENAQSHEM DUHEN MBYLLUR NJE ORE E ME PARE !
    Pjesa tjeter jane kthyer ne fabrika per pasaporta per asgjekundi dhe parash te pista korrupsioni e shitore diplomash dhe titujsh shkencore pa asnje shkence ne to duke u kthyer ne vrases te Aresimit te larte shqiptar !
    Po ashtu duhet ulur ngutesisht numri i studenteve me masatare nen noten 7 duke filluar nga viti i ri shkollor 2019-2020 !
    Veting i ngutshem ne Aresimin shqiptar!
    Sic eshte Aresimi sot do te jete Shqiperia neser !

    Reply to this comment
  12. Mahmuti January 13, 23:14

    O Tarifa, po mire mo mire, po pse jua shite universitetin e New York Tirana turqve? Apo jane me te mire ata edhe se amerikanet?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*