Universiteti Politeknik, ja si ndahen kuotat për fituesit e rinj në “Bachelor” dhe “Master”

July 4, 2018 19:18

Universiteti Politeknik, ja si ndahen kuotat për fituesit e rinj në “Bachelor” dhe “Master”

 

Pranvera Kola-DITA 

Krahas kritereve se si do të përzgjidhen fituesit e rinj, drejtuesit e Universitetit Politeknik të Tiranës  kanë miratuar edhe kuotat e pranimit për të gjitha degët e të 7 fakulteteve që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë.

Ndër programet më të kërkuara veçanërisht nga maturantët rezultojnë të jenë: Inxhinieria Informatike, Inxhinieria Elektronike, Arkitektura, Inxhinieria e Ndërtimit, Inxhinieria e Telekomunikacionit, etj.

Përgjatë vitit të ri akademik 2018-2019 në programet e nivelit “bachelor” të këtij universiteti do të pranohen rreth 1736 fitues të rinj, 1415 prej të cilëve do të shpallen në radhët e maturantëve që garojnë brenda vendit, ndërsa pjesa e mbetur e kuotave shpërndahen për studimet në programet e dyta, për transferimet, kuota për jetimët dhe studentët e tjerë me aftësi të kufizuara, kuota për të huajt, si dhe për kandidatët nga trojet.

Ndarjen e plotë të kuotave për secilin program “Bachelor”, si dhe “Master profesional”, “Master shkencor”, e gjeni të detajuar në tabelat bashkangjitur shkrimit.

Kuotat tek Inxhinieria e Ndërtimit

Duke u ndalur veçanërisht në kuotat e miratuara për fituesit e rinj në ciklin e studimeve “bachelor”, për këtë vit garohet për 465 kuota në total, prej të cilave 355 do të jenë kuota pranimi për maturantët që kanë mbaruar studimet e shkollës së mesme në vendin tonë, si dhe kandidatët e viteve të shkuara që rikthehen në garë për vijimin e studimeve të larta në këtë institucion.

Ndërsa kuotat e tjera ndahen për pranimet në programet e dyta të studimit, kuotat e transferimeve, kuota për të huajt, kuotat për kandidatët e trojeve, kuotat për jetimët, kuotat për studentët e tjerë me aftësi të kufizuara, si dhe për romët e egjiptianët.

Në ciklin e parë do të garohet për katër programe studimi, përkatësisht në: Inxhinieri Ndërtimi, Hidroteknikë, Inxhinieri Mjedisi, si dhe Gjeodezi.

Në vijim do të gjeni ndarjen e plotë të kuotave për secilën kategori studentësh, si për studimet e nivelit të parë, ashtu edhe për ato të nivelit të dytë “Master”.

Kuotat tek Teknologjia e Informacionit

Studimet e nivelit të parë në këtë fakultet do të ofrohen në tre degë studimi, përkatësisht në: Inxhinieri Elektronike, Inxhinieri Telekomunikacioni, si dhe Inxhinieri Informatike.

Për studimet “bachelor” në total janë miratuar 450 kuota pranimi, nga të cilat 360 do jenë në dispozicion të maturantëve që janë në garë, ndërsa kuotat e mbetura do jenë për kategoritë e tjera të studimeve që i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.

Gjithashtu në vijim do të gjeni të plota edhe kuotat e miratuara për pranimet e reja në programet “Master profesional”, “Master shkencor”.

Kuotat tek Inxhinieria Mekanike

Në këtë fakultet maturantët mund të garojnë për katër programe studimi, siç janë: Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Materiale, Inxhinieri Tekstili dhe Mode, si dhe Inxhinieri Ekonomike.

Në total për këto degë janë aprovuar 458 kuota pranimi, 355 prej të cilave janë për maturantët që garojnë për herë të parë gjatë këtij viti, ndërsa pjesa tjetër e detajuar sipas kategorive të përmendura më lart.

Në vijim gjeni të plotë ndarjen e kuotave për fituesit e rinj që do të pranohen në programet e të dy cikleve të studimit.

Kuotat tek Gjeologji-Miniera

Për garën e këtij viti, maturantët mund të garojnë në katër degë të këtij fakulteti, përkatësisht në degët: Inxhinieri Shkenca Toke, Inxhinieri Gjeoinformatike, Inxhinieri Gjeoburimesh, si dhe Inxhinieri Gjeomjedis.

Për studimet e ciklit të parë janë miratuar 360 kuota pranimi, prej të cilave 300 janë në dispozicion të maturantëve, dhe pjesa tjetër për kategoritë e tjera të përcaktuara, ndarjen e të cilave e gjeni të plotë në vijim të shkrimit për të dyja ciklet e studimeve.

Kuotat tek Arkitektura

Arkitektura rezulton të jetë një ndër degët e preferuara të maturantëve, por vetëm një numër i vogël i tyre do mund të fitojë të drejtën për vijimin e studimeve në këtë degë. Për këtë program janë miratuar rreth 35 kuota studimi për ciklin “bachelor”.

Në vijim do të gjeni të plotë ndarjen e këtyre kuotave, si dhe atyre të aprovuara për ciklin “Master” për të gjitha degët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

Kuotat tek Inxhinieria Elektrike

Në këtë fakultet maturantët do të garojnë për tre programe studimi, siç janë: Inxhinieri Elektrike-Automatizm i Industrisë, Inxhinieri Mekatronike, si dhe Inxhinieri Elektrike-Energjetike.

Në total për këto tre degë janë aprovuar 243 kuota studimi, prej të cilave 210 do jenë për maturantët, ndërsa kuotat e mbetura për kategoritë e tjera të studimeve, të cilat i gjeni të plota në vijim të shkrimit, së bashku me kuotat e miratuara për programet e nivelit master që do të ofrohen në këtë fakultet përgjatë vitit të ri akademik 2018-2019.

Kuotat tek Inxhinieria Matematike dhe Fizike

Në ciklin e parë të studime për këtë fakultet maturantët do të garojë për dy programe studimi, siç janë Inxhinieria matematike, si dhe Inxhinieria fizike.

Për të dy programet e studimit janë aprovuar në total 190 kuota studimi, 160 nga të cilat do të jenë për maturantët brenda vendit, ndërsa pjesa e mbetur për kategoritë e tjera të studimeve.

Në vijim gjeni të plotë ndarjen e kuotave të reja për studimet e nivelit të parë, si dhe ato të ciklit të dytë që do të pranohen në këtë fakultet.

 

p.k/dita

July 4, 2018 19:18
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*