Universitetit “Justicia” i hiqet licenca, si do bëhet transferimi i studentëve

February 7, 2018 18:10

Universitetit “Justicia” i hiqet licenca, si do bëhet transferimi i studentëve

Mbyllet edhe një tjetër institucion i arsimit të lartë jopublik në kryeqytet. Këshilli i Ministrave ka miratuar sot mbylljen e të gjitha programeve të studimit që ofron Shkolla e Lartë Universitare Jopublike “Justicia”.

Ky institucion duhet që të përgatisë dosjen për çdo student, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që do të shërbejë për transferimin e tyre në një institucion tjetër të arsimit të lartë për vazhdimin e studimeve. Shkolla duhet të vërë këtë dosje në dispozicion të vetë studentit, apo përfaqësuesit ligjor, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda datës 16 shkurt 2018.

Shkolla duhet të kthejë pagesat e kryera nga studentët për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj studentit.

Gjithashtu, “Justicia” duhet që të vërë në  dispozicion të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë çdo informacion të kërkuar dhe të vazhdojë të mbajë kontakte me të deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim.

Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e këtij institucioni jopublik të arsimit të lartë, do të përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë, apo personit juridik privat që i përfaqëson

“Shkolla e lartë universitare jopublike “Justicia”, Tiranë, të arkivojë të gjithë dokumentacionin mësimor, administrativ dhe financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, në përputhje me kuadrin ligjor mbi arkivat brenda datës 28 shkurt 2018”, saktësohet në vendimin e Qeverisë.

Sipas vendimit të qeverisë, shkolla e lartë “Justicia”, nuk duhet të kryejë asnjë lloj veprimi financiar apo lëvizje në llogaritë bankare të institucionit, përveç atyre të përcaktuara.

Personi juridik privat, që përfaqëson institucionin privat të arsimit të lartë, të cilit i hiqet licenca, nuk mund të kryejë asnjë lloj ndryshimi të aksioneve apo të kuotave të shoqërisë, aseteve të luajtshme e të paluajtshme të saj, para shlyerjes së detyrimeve të parashikuara në këtë vendim.

p.k/dita

February 7, 2018 18:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*