Ura me Turqinë nuk mund të digjet!

April 18, 2017 15:22

Ura me Turqinë nuk mund të digjet!

Do të ishte nëntori i vitit 2002, kur një parti islamiste e themeluar vetëm një vit më parë, do të vinte në pushtet në Turqi. Fitorja e AKP-së, do të shikohej nga ushtarakët si një kërcënim për Republikën laike të Kemal Ataturkut. Themeluesi i saj, ish kryebashkiak i Stambollit, që më pas do të merrte karrigen e kryeministrit, kishte fituar duke gjetur mbështetjen tek klasat popullore, të karakterizuara nga gjurmë të forta fetare dhe skeptikë ndaj frymës laike Qemaliste.

Me vënien në krye të ekzekutivit, Erdogan pati fillimisht një qasje pozitive në arenën e brendshme kombëtare, duke nisur konsolidimin e institucioneve demokratike. Ndërmori veprime, që shfaqnin një hapje në drejtim të kurdëve dhe autorizoi gjuhët minoritare në media. Arriti edhe të imponohej me sukses, kundër mendimit të ushtrisë, për të bërë të mundur zgjedhjen e Presidentit nga populli.

Ndërsa në fushën e jashtme, politika e tij fillimisht u karakterizua nga një ekuilibër konsolidues me Greqinë dhe Armeninë. Edhe me Bashkimin Evropian po tregohej bashkëpunues, duke arritur të hiqte dënimin me vdekje, një prej kushteve të avancimit të mëtejshëm drejt anëtarësimit evropian, por me rezerva, siç do të ishte shfaqja e një politike hermetike ndaj çështjes së Qipros.

Në tërësi ka qenë një filozofi e karakterizuar kryesisht nga ambiguiteti, pra duke e lënë procesin e anëtarësimit të vazhdonte rrugën e tij, për të mos rënë ndesh me aspiratat e shprehura të ushtrisë dhe të botës së biznesit në Stamboll, dhe sigurisht edhe të qytetarëve turq, por njëkohësisht duke mos kontribuar për përshpejtimin e avancimit të Turqisë në BE. Dhe bëhet fjalë për një periudhë kur shpresa e qytetarëve turq për t’u bërë pjesë e Evropës, ishte tepër e lartë.

Duke menduar se po ashtu si Greqia, Spanja dhe Portugalia edhe ata do të bëheshin një ditë pjesë e Evropës. Një situatë, që njeh përmbysje gjatë qeverisjes së Erdogan, jo vetëm për shkak të politikave qeveritare, por edhe për shkak të bllokadave nga vende të ndryshme anëtare ndaj kandidaturës turke, si edhe përballë një situate ekonomike të përkeqësuar të vendeve të jugut të Evropës, përballë ekonomisë në lulëzim që po njihte Turqia.

Njëkohësisht me qeverisjen e Erdogan, filloi dhe një përmirësim i gjendjes ekonomike, ku vendi shënoi thuajse dyfishim të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe të të ardhurave për banor që prej vitit 2002. Por, shënjestrimi ndaj pushtetit të ushtrisë do të njihte rritje. Rreth 200 arrestime, brenda dy vitesh, deri në goditjen madhe të 22 shkurtit të vitit 2010. Ditën kur drejtësia turke do të arrestonte rreth 50 oficerë të rangut të lartë, duke shënuar edhe kulmin e përplasjeve mes këndvështrimit laik të ushtrisë dhe vizionit islamist të qeverisë.

Në këtë mënyrë Erdogan filloi t’i kishte duart e lira për ndjekjen e një diplomacie sipas dëshirave dhe vizionit personal, përafrim me Iranin, thyerje me Izraelin, dhe largim gradual nga Evropa. Po në të njëjtin moment, kryeministri turk kishte nisur ekzaltimin e së “kaluarës të lavdishme” të Kombit turk duke i ftuar hapur bashkëpatriotët, që jetonin në vendet perëndimore, t’i qëndronin besnikë rrënjëve të tyre, nën filozofinë e propaganduar gjerësisht se, “Asimilimi është një krim kundër njerëzimit”. (Një propagandë sistematike, që ndoshta mund të gjejë shpjegim në votën pro-reformës, që dhanë qytetarët turq në pjesën Perëndimore të Evropës)

Me ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e frymës së protestave, sheshi Taksim i Stambollit i vitit 2013 do të krijonte përshtypjen e një force opozitare në rritje, që mund të frenonte politikat qeveritare. Por, vetëm pak kohë më pas, më 10 gusht 2014, kreu i vendit do të zgjidhej në krye të Presidencës. Një votë, që vlerësohej se shfaqte mbështetjen ndaj përmirësimit të jetës ekonomike, spikatjen diplomatike të Turqisë në skenën euro-mesdhetare, në konfliktet në Lindjen e Mesme, duke mos nënvlerësuar edhe rolin e saj në NATO.

Moment, ku fillojnë dhe kristalizohen ambiciet drejt rritjes dhe zgjerimit të mëtejshëm të pushtetit politik mbi një Turqi tashmë të rigjeneruar. 15 korriku i vitit 2016, do të njihte një grusht shteti të çuditshëm, por që u shoqërua me pasoja të rënda duke bërë të mundur një shtypje brutale kundër kundërshtarëve realë, apo edhe atyre imagjinarë, në ushtri, në administratë, në magjistraturë dhe në media. Në vijim të së cilës, gjen organizimin edhe referendumi i 16 prillit, që përforcon në mënyrë të konsiderueshme pushtetet e Presidentit të vendit.

Reforma

Janë 18 nene, që parashikojnë transformimin e Turqisë në një sistem të fortë Presidencial, ku posti i Kryeministrit fshihet dhe këtë rol e merr përsipër Presidenti.

Ky President-Kryeministër, gëzon kompetenca të zgjeruara. Ai ka fuqinë të emërojë dhe të shkarkojë ministrat dhe zëvendëspresidentët, duke i hequr parlamentit rolin kushtetues në këtë drejtim. Por, pushteti i tij nuk kufizohet vetëm tek roli i Presidentit-Kryeministër, pasi ai ka të drejtë edhe të jetë Kryetari i Partisë. Kjo e fundit, në emër “të përfaqësimit të unitetit të kombit”.

Pasi ka siguruar të jetë njëkohësisht President-Kryeministër dhe Kryetar Partie, atëherë mekanizmi

përqendrohet tek kryerja e zgjedhjeve presidenciale dhe atyre legjislative, në të njëjtën ditë. Në këtë mënyrë, shanset vlerësohet të jenë tepër të larta, që një parti e vetme të dominojë si ekzekutivin, po ashtu edhe legjislativin.

Sipas reformës, Presidenti nuk mund të zgjidhet më shumë se dy mandate. Ai gëzon të drejtën për të shpërbërë Parlamentin me vullnetin e tij dhe të kërkojë kryerjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Këtë të drejtë, e gëzon edhe vetë Parlamenti, pra gëzon një kompetencë “vetë-shpërbërje”, ku me një votim prej 3/5 të deputetëve ai mund të kërkojë kryerjen e zgjedhjeve të parakohshme legjislative dhe presidenciale. Por, në rast se Presidenti është në prag të fundit të mandatit të tij të dytë, në momentin kur parlamenti vetë-shpërbëhet, atëherë Presidenti mund të rikandidojë sërish. Këtu fshihet edhe kleçka. Nëse fiton, atëherë ai do të jetë në funksion edhe në një mandat të tretë. Një parlament i dominuar nga partia e presidentit, mund të përdorë këtë dispozitë, për të zgjeruar më tej mandatin e tij.

Kompetencat shtrihen edhe më tej. Presidenti gëzon dhe të drejtën për t’i vënë veton ligjeve. Por, aty ku Kushtetuta aktuale i lejon parlamentit t’i “rezistojë” duke miratuar për herë të dytë të njëjtin tekst me shumicë të thjeshtë, reforma rrit pragun duke e çuar këtë shumicë, në “shumicë absolute” të numrit të deputetëve, për miratimin e teksteve ligjore. Në këtë mënyrë, bllokohet dhe pushteti i opozitës që buron nga parlamenti, që humb gjithashtu fuqinë, për të bllokuar apo rrëzuar një ministër, apo edhe vetë qeverinë, nëpërmjet një mocioni mosbesimi.

Ky President-Kryeministër, ka të drejtë të emërojë dhe të shkarkojë i vetëm funksionarët e lartë. Edhe pse reforma nuk saktëson, listën e pozicioneve zyrtare në fjalë, ajo shprehet se presidenti “përcakton politikat e sigurisë kombëtare dhe merr masat e nevojshme.” Ai ka pushtetin të propozojë ligjin për buxhetin, nxjerrjen e dekreteve, me përjashtim të subjekteve, që i përkasin fushës së ligjit. Në rast të një konflikti mes një dekreti dhe një ligji, ky i fundit ka përparësi dominuese. Dekretet presidenciale, nuk mund t’i përkasin fushës së të drejtave themelore dhe politike, përveçse në raste të gjendjes së jashtëzakonshme, ku Presidenti mund të dekretojë i vetëm, në një fushë më të gjerë situatash nga ç’përcakton Kushtetuta aktuale (vlen të theksohet se që prej 21 korrikut 2016 Turqia vazhdon të jetë në gjendje të jashtëzakonshme)

Sigurisht që Presidenti mban edhe përgjegjësi penale, por procedura është komplekse ! Kjo, pasi propozimi ndryshe nga ç’parashikon kushtetuta aktuale se kryhet me 1/3 dhe në fazën e dytë me 3/4, tashmë me reformën e re duhet të vijë nga shumica absolute e deputetëve dhe më pas 3/5 e deputetëve duhet të autorizojnë hapjen e një hetimi përmes një komisioni dhe më pas 2/3 e deputetëve duhet të autorizojnë dërgimin e presidentit përpara Gjykatës Kushtetuese. Reforma parashikon edhe përforcim të kontrollit të ekzekutivit mbi gjyqësorin. Këshilli i gjykatësve dhe i prokurorëve, që emëron gjyqtarët, kalon nga 22 në 13 anëtarë.

Marrëdhënia me BE

Reagimi nga BE, pas fitores së referendumit, ka qenë i kujdesshëm, në terma diplomatikë duke shfaqur jo vetëm vëmendje ndaj situatës në Turqi, por edhe duke nënkuptuar rëndësinë e një marrëdhënie pragmatizmi, që duhet të vazhdojë të ruhet me të. Dhe për më tepër, diplomatët evropianë të nivelit të parë e kanë në stilin e tyre, që kurrë nuk nevrikosen. Në përgjithësi, ata thjesht mbajnë shënim.

Anëtarësimi në BE dhe kërcënimet, që vijnë nga zëra dytësorë të politikës së BE-së, për ngrirje të procesit të zgjerimit, nuk e trembin më politikën zyrtare të Erdogan, pasi ato bien ndesh me kursin politik të tij. Por, ato nuk frikësojnë më as qytetarët e Turqisë, që tashmë kanë prej vitesh, një besim shumë të ulët, se vendi i tyre mund të bëhet ndonjë ditë pjesë e BE-së. Procesi i negociatave ka ngrirë disa herë, dhe vende kryesore të BE-së, ia kanë shprehur haptazi Turqisë, se ata do  të preferonin më tepër një marrëdhënie të privilegjuar me të, se sa një anëtarësim të saj në BE. Por, pavarësisht faktit se Turqia po orientohet drejt një kursi autoritarizmi në rritje, marrëdhënia diplomatike me BE, do të vazhdojë të mbajë të njëjtin ritëm, me ulje tensionesh dhe kthim në normalitet, bazuar në “doktrinën e përfitimeve reciproke”, siç edhe zv. Kryeministri i Turqisë do të deklaronte publikisht ditën e hënë.

Në fund të fundit, askush nuk ka interes t’i përplasë derën në fytyrë, palës tjetër, pasi dëmi do të ishte i pallogaritshëm nga të dy krahët. Dhe kjo ndodh sa herë raporti mes forcave është i ekuilibruar, ku asnjë palë nuk pranon propozimet e palës tjetër. Kjo është shpeshherë edhe diplomacia, atëherë kur arrihen të mbahen të paprekura problemet, sa më gjatë të jetë e mundur, në pritje të momentit ideal për të vepruar, pa përjashtuar këtu edhe pritjen idealiste të natyrës utopike, se ndoshta një ditë, ato do të kenë fuqinë të vetë-zgjidhen.

DITA

April 18, 2017 15:22