Urdhëro taksat, urdhëro dhe gjobat…por më jep siguri!

January 20, 2014 01:57

Urdhëro taksat, urdhëro dhe gjobat…por më jep siguri!

Nuk është nevoja ta thotë Saimir Tahiri, sepse merret mend: krimi që ka lulëzuar e po lulëzon, është produkt 23 – vjeçar, e buron nga qindra arsye. Dhe për ta vënë Rendin në shina, duhet të merresh një nga një me të njëqind arsyet, nëse janë kaq. Po ashtu, në kushtet shqiptare, për njëqind arsye, nuk të dalin jo në njëqind ditë, por as njëmijë. Ndërsa Berisha, i cili u shkarkua dje gojësh siç di ai, nuk se është thjesht një i paaftë për të bërë shtet, një mediokër që ka lënë gjurmë mediokriteti ku ka vënë dorë, pa llogaritur gjenerimin e së keqes në të tjera segmente protagonizmi, por më rëndë akoma, është dhe i padrejtë, një gjenerues padrejtësie deri në mizori. Akuzoi dje kundërshtarin politik se po sulmon opozitën me tritol e granata. Opozitës së djeshme, i është vrarë një deputet, por nuk ka thënë se i është vrarë nga mazhoranca për të luftuar opozitën; i është kërkuar që thjesht të gjejë vrasësit, gjë që fare mirë e me plot të drejtë duhet ta bëjë dhe Berisha në pozitat e tanishme. I është vrarë po ashtu një kryetar komune dhe as në këtë rast, nuk ngriti akuza politike, por kërkoi të gjendet vrasësi. Ndërsa të vrarët e 21 janarit, janë qartësisht jo thjesht vrasje, por një krim makabër i një pushtet kundër opzitës, që nuk ka Prokuror të Përgjithshëm që mund ta vërë në dyshim, përveç Llallës, që pakkush dyshon nëse është apo jo i pavarur…nga Berisha. Ministri i Rendit Saimir Tahiri, si dhe vetë Rama, duhet ta kuptojë se nuk çalon gomari nga veshët, d.m.th, se nuk është parkimi e gjurrulldia rrugore flama më e madhe e këtij vendi, por siguria e njerëzve. Po mbërrijmë në një kohë, ku çdokush mund të nisë të mendojë për një roje familjare turni i tretë, për të ruajtur shtëpinë e automjetin, por do ishte një lloj punësimi tragjik. Berisha dhe komunikimi i tij egërshan, do ishin një motiv i fortë për t`i zbuluar e mbërthyer për zverku autorët e tritolvënies, të çdo kohe qofshin, (meqë ra fjala, a ka ndonjë statistikë se sa tritolvënësa janë zbuluar deri më sot, e që vuajnë dënim më burg?), pasi kjo lloj kohë, është e artë për të; është një kohë për të cilën ai ka dhënë gjithçka që të jetë e tillë, sepse ai e di, se që të ekzistojë si faktor, shoqëria rreth e rrotull tij duhet të jenë e degraduar, e rrënuar, e cfilitur, e mërdhirë, e mbarruar; Berisha nuk ka vend në një shoqëri normale e të paqtë, me njerëz dinjitozë, të dashur me jetën e njëri – tjetrin. Po! Duhet të ketë një hakmarrje ndaj Berishës, dhe ajo është përpjekja me çdo çmim për t`i zbuluar autorët e tritolvënieve në seri gjatë javëve të fundit. Por duhet të ketë dhe një motiv tjetër më të fortë se Berisha, që janë ata njerëz, të cilët thonë: urdhëro taksat, urdhëro dhe gjobat, ama më jep siguri!

 

January 20, 2014 01:57
Komento

2 Komente

  1. ARGITA January 21, 23:23

    TAHIRI DUHET URGJENT TE BEJ AKSION MBAREKOMBETARE PER KAPJEN E KRIMINELAVE QE JANE NE KERKIM ,MOS HARONI JANE 800 KRIMINELE NGA NJE KRIM TE BEJNE ESHTE KATASTROFE ,KALUAN 4 MUAJ NUK ESHTE KAPUR ASNJE KRIMINEL NE KERKIM ,DHE NJE QE U KAP E KAPI POLICIA E VERONES ,KRIMINELI NE KERKIM FLUTUROJ I QETE NGA RINASI ,ATEHERE NE PAGOJME TAKSA DHE GJOBA DHE NUK KEMI SIGURI ,TE GJITHE NE DUHET TE NGREJME ZERIN ,PO DHE MEDJAT DUHEN TE JENE ME TE ASHPRA NDAJ FENOMENIT 800 PETRITA NE KERKIM QE LEVIZIN LIRSHEM NE TIRANE

    Reply to this comment
  2. pellazg 100% January 22, 11:43

    Një këshillë pë ministrin Tahiri.
    Organizo një polici kriminale me njerëz profesionistë, të mbledhin informacion, forco rolin e policit patrullë, rrit rolin e sallave operative në thithjen e informacionit nga qytetarët dhe për ndërhyrje operative të shpejta, mbështeti me mjete dhe lëre qarkullimin rrugor ose kaloja në varësi të Bashkisë.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*