Vaçe Zela, në një kohë dhe vend tjetër

March 20, 2018 11:34

Vaçe Zela, në një kohë dhe vend tjetër

 

Nga Dhimitër Shtëmbari

Isha nxënës i klasës së shtatë në shkollën shtatëvjeçare të Gorresë në rrethin e Lushnjes, ku mësuese të muzikës do të kishim Vaçe Zelën. Qendroi vetëm katër muaj, deri në dhjetor të atij viti, sepse mbas këtij muaj do të largohej përfundimisht për në Tiranë. Kuptohet, ishim fëmijë e magjepseshim mbas zërit të saj kur përpiqej të na mësonte ndonjë këngë popullore.

Për mua Vaçja nuk ishte krejt e panjohur. Dy vjet para se të vinte mësuese në shkollën tonë, atë e kisha pasur udhëheqëse në Kampin e Pionierëve në plazhin e Divjakës.

Do të kalonin kohë e kohë dhe aty nga viti 1989 ish kryeredaktori i gazetës “Shkëndija” të Lushnjes, Andrea Liko më propozonte të përgatisja një shkrim për këngëtaren e madhe, Vaçe Zela. E pranova me shumë dëshirë. E kush nuk do të donte të shkruante për këtë mbretëreshë të këngës!

Që atë mbasdite i telefonova këngëtares së madhe, duke i shtruar kërkesën për një intervistë që do të botohej në gazetën lokale të Lushnjes.

– Shumë ju faleminderit, Dhimitër, por… unë nuk jam mirë me shëndet!

Ndërkohë, dëgjova kollitjen e saj të zgjatur.

– Të shkuara, Vaçe, por unë kam dëshirë që me këtë rast t’ju bëj edhe një vizitë shoqërore…

– Si të mos vish! Të vish, por nuk do ta kem të lehtë t’jua plotësoj kërkesën siç do ta dëshironit, se jam e pafuqishme.

Pasditen e së nesërmes isha në shtëpinë e zonjës së madhe të këngës. Trokita, më hapi derën, u përshëndetëm dhe ajo më shoqëroi në dhomën e pritjes. Pasi më qerasi…

– Ju lutem, do të më lejoni që të qëndroj gjysëm shtrirë, sepse e kam tepër të vështirë të qëndroj e ulur!

Sakaq, kolla, një kollë e fortë, vazhdonte gati sa s’i shkulte mushkëritë.

– Qendroni si t’iu bëhet më mirë, – i drejtohem.

Ndërsa nisëm të bisedonim, u ndjeva keq. Shumë keq. Kisha ardhur për t’i marrë një intervistë, ndërkohë që na fakt po e bezdisja.

Bëmë një bisedë të gjatë, një bisedë ku shprehej mënçuria e një gruaje me shumë talent në të kënduar, por jo më pak edhe në të treguar.

Kthehem në shtëpi dhe i tregoj bashkëshortes sime, se Vaçja ishte e sëmurë, më saktë – shumë e sëmurë. Bashkëbisedimi në telefon i sime shoqe me këngëtaren e madhe nuk qe i lehtë. Shpeshherë ndërpritej për shkak të një kolle të tejzgjatur.

Të nesërmen u vu në dijeni ish Sekretarja e Komitetit Qendror të PPSH, Lenka Çuko, e cila nuk vonoi të komunikonte me Vaçen e, menjeherë mbas saj, edhe me ish Ministrinë e Shëndetësisë, Ajli Alushanin. Ky i fundit u tregua tepër i interesuar: këngëtares iu bën të gjitha vizitat dhe analizat e nevojshme mjeksore, ndërkohë iu përgatitën edhe dokumentet. Dhe, brënda një kohe të shkurtër, artistja e madhe u dërgua jashtë shtetit për kurim.

Nisur për t’u bërë ikonë e skenës

Në një nga blloqet e mia prej gazetari gjej të shkruar këto shënime:

Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Lushnjës, Rrapi Gjermeni tregon: Ndodhesha në kooperativën bujqësore të Këmishtaj. Prita një delegacion bullgar, që udhëhiqej nga ish Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Bullgare, Teodor Zhivkov. Delegacionin e shoqëronte vet Enver Hoxha.

Në mbyllje të vizitës grupi artistik i Shtëpisë së Kulturës së Lushnjës dha një program artistik. Mes të tjerëve këndoi edhe Vaçja. Interpretoi edhe këngë italiane, sidomos spanjolle, por edhe një këngë bullgare. Mysafiri i lartë bullgar mbeti i shtangur. U gjend përpara një këngëtareje të jashtëzakonshme.

– Nga Tirana e keni sjellë këtu?! – pyet në gjuhën e vetë personaliteti bullgar.

– Jo, – i përgjigjet Enveri. – Është nga qyteti këtu pranë.

Pak më pas i drejtohet Rrapi Gjermenit:

– Qenka vërtet e talentuar. Nga e kemi këtë vajzë?

– Është vajzë nga Lushnja, – e sqaron Rrapi. – Ka konkurruar edhe në Liceun Artistik, por.. nuk ka fituar!

– Ashtu?! Atëherë dëgjo këtu: të shkosh nesër te ministri i Arsimit, t’i japësh porosinë time që kjo vajzë të futet menjëherë në rrugën e artit. Të gjejë mundësitë për t’i dhënë shkollën dhe për t’i krijuar të gjitha kushtet, që kjo të vazhdojë rrugën e talentit të saj.

Dhe ashtu u veprua. Vaçja u dërgua në Tiranë, ndoqi shkollën e mesme të përgjithshme “Qemal Stafa”’, u vu nën kujdesin e ministrisë së Mbrojtjes dhe personalisht të ish Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Petrit Dumes. Tashmë ajo do të ishte këngëtare në Estradën e Ushtarit.

Një kujtim nga shkrimtarja e mirënjohur, Rozi Theohari

“…Në Gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës, ku ishim nxënëse, nuk do ta harroj ditën e parë të provave të korit. Aty e njoha Vaçen, para se ta njihja në klasë. Ajo hyri në sallë me të ecurin e saj të lehtë, e thjeshtë dhe gazmore. Ndërkaq ne ishim lodhur e ngjirur së përsërituri këngën, ndërsa dirigjentit i rridhnin djersët faqeve. Ai e thërriste Vaçen para korit vetëm kur ishte i bindur se kënga ishte përvetësuar mirë dhe ne këndonim të gjithë në një kohë e të përqendruar. Këngët zakonisht ishin zgjedhur të gjitha nga repertorët e republikave sovjetike dhe ne, po ashtu, duhej t’i këndonim dhe interpretonim duke imituar koret e famshme ruse.

Kishin mbetur vetëm dy javë nga dita e koncertit të madh. Si për dreq, atë javë ra një grip i rëndë në Tiranë, që përfshiu të madh e të vogël. Vaçja u sëmur si gjithë të tjerët, saqë nuk mund të nxirrte një tingull nga gryka. Preokupim i madh i dirigjentit, i nxënësve e mësuesve të gjimnazit, deri te prindërit tanë. Gjyshja ime, që thurte me shtiza një palë çorape të leshta, më tha: “Bija e nënës, shpjerja Vaçes t’i mbathë t’i rrinë këmbët ngrohtë. Ajo fle në konvikt, s’e ka familjen të kujdeset për të.”

Por për Vaçen kujdeseshin të gjithë. Mësuesit e këshilluan të rrinte brenda e të mos vinte në shkollë. Mësimet e mbetura ia shpjegonin shoqet, të cilat nuk harronin ta mbështillnin me shall e mbulesë, sa ia merrnin frymën. Çdo mëngjes, kur vinin konviktoret në shkollë, i pyesnim me shqetësim, “A i erdhi zëri Vaçes?” Së fundi, ato na sollën lajmin e gëzuar: “Vaçja është në formë!”

Do të jepej koncerti.

Ora tetë e një mbrëmjeje të ngrohtë prilli. Salla e madhe e Teatrit gumëzhinte nga zërat dhe të qeshurat e të ftuarve dhe tingujt e provave të orkestrantëve. Ne rrinim të ngrirë prapa perdes së kuqe, të kadifenjtë. Në shkallëzat e skenës qëndronim gatitu, njëri pas tjetrit katër rreshta koristësh, dy të parat me vajza, dy të fundit me djem. Të veshur bardheblu e të ndarë në tri zëra.

Unë isha në zërin e parë, në rreshtin e parë, nga ku e dëgjoja më pranë zëëmblën Vaçe. Ishte vendosur që kori i gjimnazit tonë të hapte mbrëmjen artistike. Sigurisht, merita ishte e zërit të Vaçes. Ne të tjerët ishim përfituesit, por edhe përgjegjësit, për të mos e turpëruar këngëtaren dhe shoqen tonë.

Në sallë ra përnjëherë qetësia. Sapo kishin ardhur personalitetet e larta të vendit, delegacionet e ftuara sovjetike dhe përfaqësitë e ambasadave në Tiranë. Zemra sa s’po na dilte nga kraharori, mbushur me emocione të forta. Përpara nesh, në qendër të gjysmërrethit të skenës qëndronte Vaçja, veshur me një bluzë të bardhë e fund të zi, me trupin e hollë si llastar, me një buzëqeshje të lehtë nderur mbi fytyrë. Ishte e qetë dhe herë pas here kthente kokën nga ne të na jepte zemër. Kur u hap perdja, një kor duartrokitjesh sikur na solli në vete e morëm frymë lirisht. Vaçja bëri dy hapa para, bashkoi duart prapa dhe ia përkuli pak kokën publikut. Përsëri duartrokitje dhe më pas mbizotëroi një heshtje e thellë.

Orkestra filloi melodinë e refrenit të këngës ukrainase “Lumi i Dnieprit.” Dirigjenti na i rrotulloi sytë përnjëmend, pastaj me lëvizjen e dorës së majtë i dha shenjë Vaçes të fillonte. Një zë i butë, fluid, me intonacione të gjata, duke u ngritur lart notë pas note, një gjerësi frymëmarrjeje. Mua më ka mbetur e fiksuar si një mrekulli, një marramenth, një hon dallgësh, që ta rrëmbente shpirtin e ta përplaste lehtë në brigjet e lumit.

Ky ishte zëri i Vaçes atë mbrëmje dhe fjalët e këngës së saj: “Ja si buçet ky Dnjepr’ i gjerë,/ Dafinën era e përkul/ Dhe dallgët i çon si mal i lartë,/ I hedh përpjetë e prapë i ul.”

Dy vargjet e fundit, refrenin, e përsërisnim ne, kori, duke lëkundur lehtë trupin tonë, të katër rreshtat e bluzave të bardha, në drejtime të kundërta, për të dhënë imazhin e dallgëve…”

Fluturim drejt qiellit të këngës

Në fillim Vaçja u emërua në Estradën e Ushtarit, më pas në Estradën e Shtetit dhe, më në fund, në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore.

Ndërkohë, mbretëresha e këngës së lehtë ka qenë pjesëmarrëse në njëzetë festivale kombëtare të Radio – Televizionit Shqiptar dhe në qindra anketa muzikore. Në dymbëdhjetë prej këtyre ka merituar çmimin e parë.

Artiste në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, Vaçe Zela do të interpretonte në mënyrë të shkëlqyer këngë popullore, këngë të lehta, kantata dhe balada. Ndërkohë, do të kontribuonte për kolonat zanore të disa filmave shqiptarë.

E rritur dhe e edukuar në një familje vërtet atdhetare, e lidhur fort me fatet e Shqipërisë, Vaçe Zela do t’i interpretonte me shpirt këngët me temë nga historia. Le të kujtojmë këtu këngët “Dalëngadalë po vjen behari”, Baladë për Dëshmorët e Pojskës”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Ku po shkon, o partizan!”, “Nusja e lirisë”, “Nëno, moj, do të pres gërshetin”, si dhe këngët kushtuar Heronjve të Popullit Fato Berberi, Asim Zeneli, Selam Salaria, Misto Mame e plot e plot të tjera.

Këngëtarja e madhe e Myzeqesë dhe e tërë Shqipërisë do të interpretonte me mjeshtëri këngët lirike, sidomos ato kushtuar dashurisë. Sapo dilnin nga salla e festivalit, të rinjtë e të rejat bënin përpjekje të interpretonin këngën e Vaçes nisur nga mbresat që u kishin mbetur në shpirt.

Brezi i Vaçes, por edhe më të rinjtë nuk mund të mos kujtojnë meloditë e këngëve të tilla, si “Fëmija e parë”, “Dashuria”, “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E lumtur të dua”, “Gjithë bota je ti”, “Je simpatik”, “Jeho”, “Kur jam pranë teje”, “ Nuk është lodër dashuria” dhe plot e plot të tjera.

Që në hapat e saja të para si këngëtare, me kitarën e vetë Vaçja do të interpretonte edhe këngë të huaja. Janë të shumtë ata që i kujtojnë edhe sot këngët e interpretuara prej saj, si “Esperanca”, Firence stanotte sei bella”, “Granada”, Malagenja”, “O violina cigana”, “Sei stato il primo amore”, “Suona, suona, mia kitara” etj.

Në shfaqjet e dhëna jashtë shtetit nga ana e Ansamblit të Këngëve e të Valleve Popullore, Vaçe Zela ka spikatur në mënyrë të veçantë para spektatorëve të huaj. Jo më kot në Paris e kanë pas quajtur një Edith Piaf shqiptare, ndërsa në Itali e kanë pas quajtur një Mina shqiptare.

Është interesante ajo që ka pas treguar aktori Astrit Çerma: “…Ndonëse brenda një sistemi të mbyllur, zëri i Vaçe Zelës i kishte kaluar kufijtë. Një natë, i madhi i asaj kohe në RAI, Mike Bongiorno, në një nga programet që drejtonte, “Pyetje për të gjitha”, bëri tri pyetje, që, çuditërisht, kishin lidhje me Shqipërinë. Pyetja e tretë kishte të bënte me këngëtaren e madhe të asaj kohe, Caterina Caselli dhe me këngën hit të saj, “Xhovane, xhovane”.. “Cila nga këngëtaret në botë do ta këndonte këngën “Xhovane” më bukur se Caterina Caselli…?” Përgjigjet ishin rreth një niveli këngëtarësh që trondisnin skenat e botës, por Mike Bongiorno vazhdimisht i hodhi poshtë deri sa shpërtheu: “Këngëtarja që do ta këndonte më bukur këtë këngë është shqiptarja Vaçe Zela!”

Janë shprehur për Vaçe Zelën:

Dritëro Agolli, shkrimtar: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje, se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”.

Nexhmije Pagarusha, këngëtare: “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut, se sa te Vaçe Zela”.

Tish Daija, kompozitor: “Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t’i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera”….

Avni Mula, kompozitor e këngëtar: “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte”…

Limos Dizdari, kompozitor: ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme ishin shumë të kultivuara”…

Nora Çashku, pedagoge e pianos: “Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë”…

Ferdinant Deda, dirigjent: ”Ishte fat për ne njerëzit e artit të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik”….

Gjokë Beci, poet: “Nëse ka përkthim togfjalëshi “KRENARI KOMBËTARE SHQIPTARE”, ai padyshim do të ishte VAÇE ZELA.

Liljana Çavolli, këngëtare kosovare: “Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, madje mund të them edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete”…

Violeta Librazhdi, mësuese, shoqe fëmijërie, autore e librit biografik “E papërsëritshmja Vaçe Zela”: “Kënga e Vaçe Zelës çante muret e Teatrit të Operas dhe Baletit, kaptonte rrufeshëm fusha, bregore e male dhe futej në çdo shtëpi shqiptari brenda e jashtë kufirit”.

Edhe ambasada amerikane në Tiranë dëshmoi respektin e saj të veçantë për këtë këngëtare të madhe. “Shqipëria humbi një nga këngëtaret e saj më të mëdha. Vaçe Zela ishte një artiste e madhe dhe kushdo që e ka dëgjuar atë të këndojë, mund të dëshmojë për bukurinë e zërit dhe talentin e saj të pafund. Me këngët që interpretoi, ajo u kthye në një legjendë të muzikës shqiptare jo vetëm për brezin e saj, po për të gjithë shqiptarët e çdo moshe”…

Si rrallëherë, me rastin e ndarjes nga jeta të Vaçe Zelës Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje.

Kryeministri i vendit, Edi Rama do të shprehej: “Në një kohë e vend tjetër, Vaçja do të ishte yll i ndezur në qiellin e botës, iku duke lënë përjetë ndezur yllin e vet në qiellin e Shqipërisë”.

March 20, 2018 11:34
Komento

9 Komente

  1. perkthyesi March 20, 13:28

    Shkrim serioz, qe kengetarja e madhe e meriton plotesisht!

    Reply to this comment
  2. Fatmiri March 20, 14:07

    Ne kujtim te Vace Zeles:
    Nga keneta doli nji “sirene “,
    jo ajo qe joshi vetem Odisene ;
    Vacja joshi Myzeqene
    dhe me vone te gjithe Atdhene!ir
    Fatmir Xhamallati

    Reply to this comment
  3. Gjon Bruçi March 20, 14:28

    I nderuar Dhimitër Shhtëmbari, një shkrim i merituar per nje artiste te madhe. Por thënia me e fundit, ajo e Kryeministrit aktual, Rama, jo vetëm që nuk është reale, por ul dhe vlerat e shkrimit në fjalë. Vaçe Zela nuk ishte as në kohën e gabuar, e as në vendin e gabuar. Në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar janë Rama dhe Ramushët e politikës së sotme shqiptare.

    Reply to this comment
  4. "papa don't preach" March 20, 14:28

    Ja nje shembull i rralle, kur: njeriu i mire shkruan mire per njeriun e mire.

    Reply to this comment
  5. vjola March 20, 15:42

    Nuk ka te dyte si Legjenda e kenges Vace Zela . edhe sot kur e degjoj dua te le gjithcka per ta degjuar me vemendje , te ben ta respektosh kete ze .

    Reply to this comment
  6. Adih March 20, 16:59

    Do ju tregoj nje moment ,qe eshte per te qeshur ,me te madhen e te pa haruaren VACE .Ishte pragu i vitit te ri ,tek rruga nga pallati i kultures ,per te shkuar tek rruga e barikatave ,ne ate kohe ishte nje dyqan fruta zarzaveatesh .Ishte redhe e madhe . Vacja idhet dhe me thote : dua te ble ca portokalle,por paska rradhe te madhe . .Shitesi e njohu Vacen dhe i tha vetem fjalen Zonje cfare deshironi (pa emer ) ,ajo uli koken dhe me ze te vogel i tha ,desha dy kg portokalle . Ja pregatiti dhe ne momentin e dhenies se lekeve vacja e falenderoi ,duke i thene faleminderit me nje buzeqeshje te embel .U degjua nje ze gruaje duke gerthitur ,Pak se more pa ralle edhe zgerdhiesh ,dhe e paske gojen me te madhe se te VACE ZELES ,Plasi gazi nga te gjithe ,nuk i njihte e shkreta fukareshke , besoj se ska patur televizor ne shtepi , ashtu si shume e shume shqiptare te tjere ne ate kohe te diktatures famekeqe ..
    E them me kopetence : ,”Shqiperise mund ti linde nje Vace tjeter ,por mbas 100 vitesh apo edhe 100 vitesh ,e kesaj kohe nuk i duhet ,Vacja ishte kaliber bote .

    Reply to this comment
  7. MH March 20, 17:38

    Tregimi asht ekstra i bukur.Nuk mund te ndalosh se qeshuri per mire,kuptohet.
    ska patur televizor ne shtepi, ashtu si shume e shume shqiptare te tjere ne ate kohe te diktatures famekeqe ..
    Urrejtyjen mbaje per vete.
    Televozori nuk asht kulmi i mireqenies.Do te ishte mire qe te percaktonim ma sakt pergjigjen ndaj pjekurise tande per ate kohe famekeqe.Te shenonit vitin e ngjarjes.

    Reply to this comment
  8. MH March 20, 17:40

    Tregimi asht ekstra i bukur.Nuk mund te ndalosh se qeshuri per mire,kuptohet.
    ska patur televizor ne shtepi, ashtu si shume e shume shqiptare te tjere ne ate kohe te diktatures famekeqe ..
    Urrejtjen mbaje per vete.
    Televozori nuk asht kulmi i mireqenies.megjitheate grueja ia kishte iden e madhesise se gojes.Te len te kuptosh qe edhe duhet ta kishte pa gojen.Ajko mundet ta njihte ne skene po jo ne ambiente te lire jasht skene.Do te ishte mire qe te percaktonim ma sakt pergjigjen ndaj pjekurise tande per ate kohe famekeqe.Te shenonit vitin e ngjarjes.

    Reply to this comment
  9. demo March 20, 20:04

    Vargu i pare i strofes se pare nuk perben titullin e kenges.Kenga qe fillon me vargun:Firenze stanotte sei bella,titullohet:Firenze sogna,ndersa suona,suona mia chitara,do ta kesh per:Chitarra Romana.Kenget e huaja nuk ishin ne natyren e Vaces.Ajo qe Vacja e ka dhe te tjeret nuk e kane,eshte ZERI QE I BUCET NGA GJOKSI.A kishte nevoje per shkolle professionale Vacja?Duhet thene se ai ze gjoksi,pa hile,i paster i plote, i fuqishem,nuk ka shoq ne bote.Vacja kete e ndjente,prandaj ja bori n`to pedagoges se kantos.TALENTI I LINDUR ESHTE SHKOLLE.Caterina Caselli mund te kishte nje ze te kendshem per profilin e ngushte te kengeve qe i pershtaten,por nuk kishte diapazonin e Vaces .Jetoi ne kohen e duhur.Kendoi cfare deshi,zgjodhi cfare deshi,Ishte e perkedhelura e te gjitheve dhe shume mire qe ishte,sepse nje ze i tille duhej te llastohej.Fati i madh qe jetoi ne kohen e kompozitoreve me te shkolluar,me profesioniste qe pati ky vend historikisht.Cesk Zadeja,Prenk Jakova,Pjeter Dungu,Kostandin Trako,Tish Daija,Pjeter Gaci,Baki Kongoli,Simon Gjoni,Agim Prodani,,Hajk Zaharjan,Alfons Ballici,Alexander Lalo nuk i vijne me ketij populli

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim