Vaçja ende këndon

February 9, 2018 10:10

Vaçja ende këndon

Sapo kishte kënduar në Orën Gazmore të qytetit, Vaçja erdhi në shtëpinë tonë. Ne kishim hyrje-dalje me Zelët. Që në moshën dymbëdhjetë vjeçe, Vaçja ishte bërë e njohur në gjithë qytetin e Lushnjës. Xhaxhesha kërkoi që ajo të  këndonte një këngë.

Vaçja që e kishte  këngën të  gatshme, si gjinkalla, filloi të këndonte, pa pritur që  t’i thoshin për së dyti. Bukur, bukur, tha  xhaxhesha, po jo si në radio (altoparlant),  jo si në skenë. Atje duket  tjetër, këtu tjetër. Eh, dhe ti moj  Shahe, i  thonë nëna, po kjo atje e ka vendin dhe jo këtu në mes të tymit, afër vatrës, ku piqen  bukët. Çdo gjë në vendin e vet.

Ndërkaq Vaçja  e vogël çau dritaret e shtëpisë së bukës me zërin e saj të madh dhe kënga u përzie me erën e bukës së djersitur që avullonte në qoshe të hambarit dhe që ne fëmijët  s’mund  ta hanim pa u ftohur  gjersa  avulli  i bukës të arrinte në arën më të largët.

Zia e bukës ishte në vitin  më të zi dhe buka duhej kursyer duke u ngrënë e ftohtë, sepse e ftohtë hahej më pak. Vaçja  që sapo kishte hequr biberonin  nga  goja, na ngopte shpirtin  me këngën  e saj të ngrohtë  avulluese  që  ne e përpinim  ashtu të  avullt.

Ora Gazmore jepej një herë në javë, çdo ditë  të diel  me  altoparlant. Të gjithë njerëzit grumbulloheshin  rreth shtyllës së drunjtë, në majë  të së cilës  ishte  vendosur  altoparlanti. Këndonte  treshja  e këngëtarëve  pionierë.

Vaçe Zela, Flora  Mebelli  dhe Ajete Nepravishta (Brahimi), por njerëzit veçonin Vaçen  mes treshes  duke thënë: po këndon  Vaçja  dhe nxitonin  drejt sheshit  me  kalldrëm të qytetit  për të dëgjuar  Vaçen  dhe e  dëgjonin  gojëhapur  duke u grumbulluar  rreth  shtyllës  me altoparlant. Si ftesë kishin zërin e Vaçes, këngën e saj. Ishte  një treshe këngëtaresh të vogla, pioniere. Kulmi  i këtij  trekëndëshi  këngëtaresh ishte Vaçja që shumë shpejt  do të bëhej  kulmi i këngës së lehtë  shqiptare  të të gjitha  kohërave.

Flora  Mebelli ishte më e bukura, më e veshura nga të tria  këngëtaret e vogla. Ajetja ishte  më e  bukur dhe më e veshur  se Vaçja, por të  gjithë, i madh e i vogël  sytë dhe veshët  i kishin ngulur vetëm  te Vaçe Zela, te zëri  i saj, te kënga e saj si Hirushe, si mis e vogël, si zanë e vogël mali.  Kjo treshe  këngëtarësh ishte një zë që vinte nga  Evropa, për  ne. Kjo  në vitet pesëdhjetë, ishte një  pranverë  me fllad  evropian  që përcillte blerim, lulëzim  për shpirtrat tanë dhe sythi, lulja  e kësaj pranvere ishte Vaçja që po shpërthente  në ngjyra  dhe fëshfërima  melodish.

Ajo  mori njerëzish rreth shtyllës  së drunjtë, rreth  shtyllash  me altoparlant, ka  mbetur  kaq e gjallë, kaq e  bukur  në përfytyrimin  tim sa s’e  ka zbehur  asnjë  ekran  televiziv  gjer sot.  Dhe kur  dikush  në vitet  nëntëdhjetë  e dy tha  për Vaçen, të mos e ngrinim në qiell duke caktuar dhënien e  çmimit vjetor  kombëtar «Vaçe Zela», për muzikën  sepse ajo,  tha ai,  i ka kënduar  komandantit, diktatorit, ata që  e dëgjuan, s’e mbajtën  dot veten; mbylle  mor buqen, i thonë, se zëri  i Vaçes  është më i madh se gjithë  komandantët  dhe diktatorët  e kësaj bote. Në ndërgjegjen  e popullit  ka mbetur  kënga vaçjane, zëri vaçjan dhe jo vdekësirat  që i flak  tej  si bëzhdila  uragani i  zërit të  Vaçes.

Ajo shtyllë  me altoparlant mes kalldrëmit të qytetit  meritonte të ruhej  në muze  si obelisku i Vaçes. Por ne jemi  ende pa  kulturën e  nevojshme  të ruajtjes  së relikave. Sepse aty  pranë asaj  shtylle  mbiu  fidani  i blertë i Vaçe Zelës,  fidan  që u bë  lisi  më i lartë  në pyllin  shushuritës  e gjëmues  të këngës  shqiptare.

Pas debutimit  në orën  gazmore që e organizonte  popullori, elitari,  pasionanti,  aktori,  piktori impresionant,  Ilia Shyti, Vaçja  vazhdoi  të këndonte e s’e pushoi  më këngën. Kudo që ndodhej  asaj s’i rrihej pa kënduar dhe këndonte  me shpirt. Njerëzit  e donin këngën e Vaçes  dhe ajo s’ua kurseu atë, por e jepte me shpirtin  e gjeneshës  adoleshente. Kujtdo që do t’i binte rasti  të njihej  me Vaçen do të kërkonte që ajo të këndonte të paktën një këngë ose  një pjesë të  këngës  me të cilën  ajo kishte pasur sukses. Dhe Vaçja s’kursehej ta përshëndeste të sapo njohurin me një këngë të re ose me një këngë për të cilën ajo kishte dobësi.

Qëlloi që erdhi në shtëpinë e pionierit Sekretari i Parë  i Komitetit të partisë  Petraq Magjistari, babai i Rudina Magjistarit. Ai na përshëndeti të gjithëve ne fëmijëve  që ndiqnim rrethet  dhe kurset në Shtëpinë e Pionerit. Udhëheqësja e pionierëve e  prezantoi  sekretarin  me këngëtaren  e vogël Vaçe Zelën, me të vetmin fëmijë  të njohur midis gjithë nesh që s’ishim veçse korniza e gjallë  e saj.

Kjo është Vaçe Zela, shoku Sekretari i parë, i tha udhëheqësja e pionierëve, sekretarit.

Ti qenke Vaçja? tha sekretari i habitur.

Po, unë jam! Ta këndoj  këngën  O Azerbajxhan?  e pyeti Vaçja, e gëzuar nga që  ai e njihte.

Pa ta dëgjojmë  një herë ! i tha sekretari…

Dhe Vaçja  shpërtheu….

Oborri i shtëpisë së pionierit, në çast u shndërrua në sallë konceri. Vaçja  krijonte kudo salla  koncerte  të befta që në fillimin e karrierës së saj.

Në  vitin 1956, e takoj  Vaçen  para  bibliotekës  së qytetit. Në këtë  kohë Vaçja  i kishte  kaluar kufijtë  e Lushnjës. E njihte e gjithë Shqipëria. Diskutohej  shumë për të, bëheshin  shumë thashetheme  e cirkonin me baltë. Por cirkat e baltës  nuk zinin  në trupin e bukur  të pastër, të kulluar  të këngëtares, sepse Vaçja dhe kënga ishin një dhe s’ka baltë që e cirkos  këngën  që pastron  shpirtrat dhe vetëpastrohet  si uji i gurrës.

Të keqen motra, më thotë, Vaçja, futu pak  në sallën  e bibliotekës  mbi tavolinën, te dritarja e fundit kam  lënë revistën  italiane. Noi  donne  e cila  në brendësi  të saj, ka faqet e modës. Unë po vij  te dritarja, më  tha  dhe ti  ma jep  revistën. Më fal që po të mundoj !

Kur e mori  revistën  u gëzua shumë. I pëlqente  moda. Vishej  me copa të lira, por  i priste  dhe i  qepte bukur, krijonte  modele të reja. Vishej  me shijen e top modeles  më të mirë. Por kjo ishte e parakohshme  për qytetin tonë, madje  edhe për  Shqipërinë  e atëhershme  që sapo  kishte dalë  nga zija e bukës. Vaçja  me revistën  në sqetull  unë me  një fletore  vizatimi në  dorë, bisedonim në trotuar  larg bibliotekës. Vaçja kishte veshur  një fund  të kuq basmeje. Një gisht poshtë  fundit të kuq, dukej  një rrip i bardhë. Kalojnë pranë nesh  dy gra. Njëra  i thotë  shoqes, qyqja  shiko, dy pëllëmbë e ka nxjerrë këmishën  dy pëllëmbë  poshtë fundit. Është  zhypon  mos të plaçin  sytë, nuk është këmishë, iu shkreh Vaçja  me indinjatë, gruas injorante dhe cinike.

Mirë ia bëre, i thashë Vaçes duke i dhënë të drejtë.

Vaçe  Zela  s’ia  përtonte  askujt që i binte më qafë  sikur  dhe mbret të ishte.

Pas lirimit  nga ushtria  fillova  studimet  në Liceun  Artistik  për pikturë.

Në lice ishte edhe Vaçja, e cila studionte për kanto. Pashë se s’ishte e qetë. E axhituar shpirtërisht.

E di si po qarkullon një fjalë e dalë nga goja e pedagoges sime Marie Krajës, sikur ajo më paskësh thënë që, «Ti Vaçe çdo gjë mund të bëhesh, po vetëm këngëtare nuk bëhesh».

Po ti këngëtare je, i thashë unë që kisha një adhurim hyjnor për zërin e Vaçes. Janë në vete këto, apo flasin kuturu?!

E po ik dhe mbushu mendjen pa, më thotë Vaçja dhe kërciti gishtat e dorës me nervozizëm.

Vaçja u largua nga Liceu. Largimi i saj ishte gati një protestë memece ndaj kësaj thashethemnaje që s’po shuhej. Vaçja ishte një artiste që rebelonte.

Më vonë në Lice u fol, se nuk ishte e vërtetë ajo që qarkullonte sikur gjoja se Vaçes çdo gjë mund të bëhej, por këngëtare nuk bëhesh kurrë. Kjo thënie ishte gjysmë e vërtetë. Pedagoget e kantos kishin thënë se Vaçja nuk mund të bëhej këngëtare opere, sepse këngëtare e muzikës së lehtë ajo ishte dhe këtë pedagoget s’e mohonin, por e pohonin jo vetëm me zë të lartë, por edhe me kompetencë. Ato s’mund të injoronin veten.

Me këtë thënie u spekulua shumë. Por e vërteta është se Vaçja u largua nga dega e kantos në formë proteste, pa bujë. Për ikjen e saj u fol shumë pro e kundër. Kundër flisnin cmirëzinjtë, mediokrit. Pjesa e talentuar e profesorëve dhe e nxënësve ishin pro Vaçes.

Pas kësaj Vaçe Zela vari kitarën në qafë dhe vazhdoi të këndojë lirisht, pa semaphore e vija të bardha. Këndonte këngë spanjolle, italiane. Muzika jonë e lehtë ende nuk ishte e nivelit që është sot.

Në pushimet e verës e takoj Vaçen në Lushnjë. E pyes se si ndihej në shtëpinë e kulturës.

Mizerje, më thotë.

Pse mizerje?

Po ja… Patëm një koncert në sallën e kinemasë së qytetit. Merrte pjesë sekretari i Parë me suitën e tij. Këndova me gjithë shpirt. Dhashë maksimumin. Pas shfaqjes më thërret sekretari i Parë. Po prisja të më thoshte fjalë të mira. E di ç’më tha: Mirë moj Vaçe, mirë. Bukur këndove, po pse përdridheshe si çingi…

Ç’t’i thosha Buzos. T’ia përmblidhja të merrja veten më qafë?

Të shkretët ne ia ktheu Vaçja thellësisht e trishtuar …

Më vonë takohem befas në Vlorë me Vaçen. S’e mbaj mend pse gjendesha në Vlorë,kurse Vaçja kishte ardhur për koncert me ansamblin e ushtrisë. Viti s’më kujtohet.

Të keqen motra, thotë Vaçja. Shko pak në shtëpinë time. Lajmëroji ata të shtëpisë sime se këta shokët e ansamblit duan të më bëjnë një vizitë. Ti e di si jemi ne të shkretët në shtëpi. Së paku ato pak lecka të rregullohen pak.

Vaçja ishte tepër krenare. Megjithëse nuk pyeste, prapë dëshironte që miqtë ta gjenin në rregull. Ata e nderonin dhe ajo donte t’i nderonte dyfish kolegët.

Të talentuarit janë mirënjohës dhe etikë të mëdhenj. Vaçja edhe pse e thjeshtë, prapë në thellësi të s’ja, flinte dhe zgjohej shpirti aristokrat. Sidoqë të ishin njerëzit që njihte, ajo i takonte me shumë përzemërsi pa asnjë përpjekje për shmangie edhe kur ata ishin me qeleshe ose opinga. Një herë u sëmur një kushëri i saj. U shtrua në spitalin e Tiranës. Vaçja e vizitonte gati çdo ditë. Mjekët shtuan përkujdesjen. Ata e prisnin me padurim ardhjen e këngëtares magjike. Sapo hynte në korridorin e spitalit artistja e madhe, të sëmurët thoshin se po vinte sorkadhja.  Kishte ecje të lehtë prej sorkadheje prandaj të sëmurët e quanin ashtu.

Nuk mbaj mend nëse Vaçja këndoi me zë të ulët ndonjë këngë spanjolle apo italiane të sëmurëve. Mbase edhe u ka kënduar por unë s’e mora vesh. Po ku i rrihej Vaçes pa këngë?

Një ditë Vaçja po më tregonte për suksesin e saj në sallën e estradës së Tiranës. Më tregonte se si e ndërprisnin me ovacione në mes të këngës. Ishin duartrokitje frenetike. Thirrje të stuhishme: Bravo, bravo, braaaaavo! E irrituar pse duartrokitej Vaçja që këndonte këngë të huaja, këngëtarja popullore Fiqirete Rexha i thotë: – Epo s’jemi në Italie këtu … Epo edhe në Turqie nuk jemi, de – i thotë Vaçja koleges.

Ishin vite disi liberale. Bashkimi Sovjetik po bënte kthesa të mëdha të çuditshme. Ndeshej liberalja me konservatoren. Në një dhomë të shtëpisë së Vaçes, në vitin 1963, banonte një ish e burgosur politike që dinte shumë mirë italisht. Unë shkoja tek ajo për të mësuar italisht me të. Një ditë takon Vaçen afër derës së ish të burgosurës së bashku me gjyshen që e donte jashtëzakonisht shumë. Aq shumë e donte saqë gjyshja përkëdhelej si fëmi. Vaçja sapo ishte kthyer nga një koncert në Rumani. E pyes se si kishte shkuar koncerti e ç’kishin thënë rumunët. Isha së bashku me Luçie Milotin, më thotë. Pas mbarimit të koncertit na çuan në një bar-lulishte. E di ç’i thanë rumunët ambasadorit tonë në Rumani?

Çfarë? Nëse Luçie Miloti është bilbili i këngës shqipe, Vaçja është surpriza shqiptare.

Vaçja jetonte vërtet në Tiranë, por Lushnjën e vizitonte për çdo rast të gëzimi apo hidhërimi. Ajo kishte njerëzit e saj në Lushnjë dhe kur vinte, shkonte e bënte vizita në shtëpitë e tyre. Një herë më qëlloi ta gjej Vaçen te mamaja e piktorit Luan Boriçi të cilën ajo e kishte vajzë xhaxhai. Piktorri Luan Boriçi po bënte një kompozim për Luftën dhe na ftoi të shikonim kompozimin e tij të cilin do ta dorëzonte në ekspozitën kombëtare. Shkuam për ta parë kompozimin, së bashku me shkrimtarin Halil Jaçellari dhe poetin e shkrimtarin Fatbardh Rustemi.

Aty gjetëm Vaçen të ftuar për drekë nga kushërira e saj, Zenepe Boriçi.  U gëzuam që po takoheshim me Vaçen me idhullin tonë. Bëmë shumë biseda për artin, por ajo që më ka mbetur në mend është habia që shprehu Vaçja, kur mori vesh se Kadareja kishte ardhur në Lushnjë, i ftuar nga poeti dhe shkrimtari  Fatbardh Rustemi i cili hynte e dilte më shpesh në shtëpinë e Kadaresë nga ne dy të tjerët. Ishte koha kur shtëpia botuese «Naim Frashëri» i kishte dhënë Kadaresë për reçencë, romanin e H. Jaçellarit: «Nesër është e diel».

Por habinë më të madhe,Vaçja e shprehu, kur mësoi se Kadareja, jo vetëm kishte ardhur në Lusnjë bashkë me Helenën, por edhe kishte fjetur një natë në shtëpinë e shkrimtarit, Fatbardh Rustemi. Kurse kur Halil Jaçellari i tha Vaçes se Kadareja kishte shkruar një ese për librin tim të parë poetik «Sot», tha: kjo është mrekullia vetë, gjeniu i letërsisë shqipe, ka shkruar për një lushnjar, sepse sheh ecje tek ai, sheh që ai është  hapgjatë në rrugën e vështirë të artit që, siç thotë vetë Kadareja, «në të ka dhe ujqër dhe ditë dhe natë», Vetëm me gjestin e Lushnjës, tha Vaçja, Kadareja i paska larë të gjitha gjynahet që ia veshin padrejtësisht, gjoaja sikur ai, nuk çan kokën për asnjë krijues në botë, përveç vetes së vet,

Vaçja i gëzohej çdo talenti të ri, kudo që ai të çelte, veçanërisht u gëzohej talenteve që çelnin e lulëzonin në Lushnjë. Ajo i gëzohej dhe fliste me fjalë sipërane për këngëtaren Elida Korreshi  (Gjermeni) dhe këto fjalë i thoshte kur Elida hidhte hapat e para të karrierës si këngëtare.

Një herë tjetër, kur Vaçja, mësoi se djali im Helidoni u nderua me Çmim të parë, për punime në akuarele në ekspozitën ndërkombëtare në Oslo të Norvegjisë, erdhi në studion e djalit që të shihte akuarelet, për të cilat kishte dëgjuar fjalë të mira. Pasi i pa me kujdes punimet tha me përkëdheli, natyrisht: «Po si mor Helidon, nuk ke vënë dy – tre karrige për t’u ulur të tjerët që të vinë në studio. Ja, unë jam plak, nuk qëndroj dot në këmbë»

Ju plak? Ç’thua kështu, Vaçe!. Plaket mbretëresha e këngës? Qeshëm… Ndërkaq djali hoqi nga muri akuarelet të cilat Vaçja i kishte pëlqyer dhe ia dhuroi nënës së saj Vajës, të paketuara. Ato akuarele janë ende në shtëpinë e saj në Tiranë.

***

Të mëdhenjtë janë të sinqertë dhe s’druhen se mos i marrin si mburravecë. Unë u gëzova shumë që rumunët e kishin quajtur Vaçen surpriza shqiptare. E urova. Më thotë gjithë entuziazëm:

Do të përgatis një recital që …

Ashtu?

Po!

Ç’është ky cital moj bijë, e pyet gjyshja.

Jo cital, moj gjyshe. Recital, – i thotë Vaçja gjyshes duke qeshur e duke e përkëdhelur sikur të ishte gjyshja mbesa, dhe jo Vaçja.

Recitali moj gjyshe është …

Hë? Si është, thuaja gjyshes…

Është …, e di si? Që, pasi të kem kënduar, mua të më nxjerrin me tezgë nga skena …

E pse?

Aq shumë do të këndoj, sa do të bëhem telef….

Po qe kështu, lëre lanetin …

Po Vaçja s’e la këngën.

***

Biseda ime e fundit në telefon me Vaçe Zelën, ka qenë kur ajo mori vesh për operacionin tim në zemër dhe më merr në telefon nga Zvicra. Më një zë disi të shuar, më uroi të shkuara dhe shërim të shpejtë. I them faleminderit Vaçes, po me një zë disi të vakët dhe unë, nga emocioni e mallëngjimi. A më more në telefon ti Vaçe, a u interesove ti, për mua, le të vdes tani…! «Ç’më thua, unë të telefonova të të uroja shërim të shpejtë, shëndet e jetë të gjatë, e jo që ti të vdesësh…!», më qortoi Perëndesha jonë.

***

Kur mësova shuarjen e Vaçes, vetvetiu perifrazova dhe unë me vete, qortimin që i bën Montago Romeos, birit të vdekur: « O bir pa edukatë! / Ç’është kjo sjellje / Të  hysh në varr më parë se yt atë?»

Faslli Haliti

 

 

 

February 9, 2018 10:10
Komento

12 Komente

  1. Adih February 9, 16:52

    E kam njohur e punuar per dekada me Vacen . Per mua dy jane kengetaret me te medhenj deri me sot ne muziken e lehte Vacja e Tonin Tershana . Por fati i keq i tyre ishte ,linden ne nje vend te gabuar dhe ne nje kohe te gabuar .Kengetare si keta ,mund te dalin neser ,por mund te dalin edhe mbas qindra e mijera vjetesh . .
    Dua te shtoj ,kur u shtrua ne spital te Wienes Vacja,per tu kuruar nga semundja profesionale qe kish kordat e zerit ,,ne fillim Austriaket, sidomos te semuret e shikonin Vacen si nje gjynafqare , qe vinte nga nje vend komunist i lindjes ,dhe kur mjeku Austriak i tha Vaces tani mund te provosh te kendosh ,dhe ajo kendoi kenge spanjolle ,ku me pas te semuret dhe punonjesit e spitelit ne wiene e shikonin me nje sy tjeter tamam si nje perendeshe hyjnore .

    Reply to this comment
    • alo lushnja February 9, 19:31

      zoti Adih !
      Pa dashje ke zbuluar se kometuesi “demo” eshte i njejte me “adih” dhe nuk dihet sa here del neper blogje interneti me pseudonime te tjera.Me ben pershtypje nje urrejtje dhe poshtrim tej njerzores kur flet per sistemin e kaluar.Nqs se Vacja kurre nuk foli keq per sistemin dhe Enverin ne vecanti….atehere kesaj i thone
      I zoti e jep tellalli Adih & demo nuk e shet

      Reply to this comment
      • Besniku February 9, 19:47

        Ke sh te drejte “alo ushnja”.
        Origjina dhe kasollja ku u rrit e paarritshme Vaçe Zela, thone “ujku” ,kurse adih thote “ gjurmet.
        Vete Vaçja ka pohuar nje realitet, qe po mos ishte ai pushtet, nuk dihet se çfare do te behej, kurse adih i qan hallin. E perse, se eshte yll per gjithe shqiptaret?!
        Se kur kishte nevoje e dergonin jashte per tu kuruar, ate dhe vajzen e saj ,pa futur doren ne xhep??!!
        E more nihiliste………

        Reply to this comment
    • mirel February 10, 01:30

      uau, Vacja ndriti ne ate sistem, dhe i ndrin shpirti atje ku eshte per kenaqesine qe jeta i fali qe rrojti ne ate sistem.
      Ku ka tani ate lloj sadisfaksioni moral dhe shpirteror si ne ate kohe.
      Iku kur ai sistem nderroi dhe nuk u kthye me.
      Vacja ishte lavdia e asaj kohe.

      Reply to this comment
  2. demo February 9, 20:31

    Alo Ushnja,nuk jam une ere Kovi. Me ke ngaterruar. Mua me ka pas pelqyer shume zeri i qete .i kthjellet,i urte i kengetares Ajete Nepravishta ne kengen “Me dergoi babai me shqerra”(origjinali).Nuk e di nese e ruan radio Tirana ende ne arkivin e saj te na e transmetoje.

    Reply to this comment
    • alo lushnja... February 9, 21:41

      o demo alias Adih & company

      edhe nje nje njeri e intelekt mesatar e kupton qe ti me kete pergjigje vertetove se je i njejti person dhe te betohem nuk eshte turp te shkruash me 1—2…3 nickname..

      persa i perket kengeve te para 90 me ka pelqyre kenga
      “qingji Demo i vogel pse mendueshem..”..be be baaa……

      nje variant beje nick-un

      “ademoih” sa bukur..e ke thene ai “besniku” me poshte jeni bere si Robert Ndrenika qe edhe pse eshte ne art legjendar foli pardje si gjynahqar se sa ishte deputet rrinte gatitu para Sales kur e dogji ate vend

      Reply to this comment
  3. Adih February 10, 01:18

    Alo LUSHJA dhe BESNIKU @…….Keni nivel te ulet dhe mbi te gjitha diktatura komuniste e ka bere punen e saj me ju ,ju ka infektuar, ju ka qelbur fare ,ju ka shndruar ne cmirezi ,por me keqeardhje sju ndihmoj dot .Une nuk jam Demo , ky eshte inati i kuq i juaj. Dhe skam interes llogjikisht te shkruaj me dy emra .Per tju ndihmuar ta gjeni , jam apo nuk jam demo , hikni e pyesni zyshen e fillores suaj , se ju ndihmon per stilin e te shkruajturit dhe e mesoni dhe me siguri do ju sqaroje, eshte njeri tjeter .
    PS: Aq shpejt harruat ,o inatci komunistesh ,se ne 91 i madhi ,Tonin Tershana ka punuar ne ndertim ne Greqi nga punet me te renda, vetem per buken e gojes ,se mbijeteses minimale .Dhe ne moshe te vjeter.Tmerr e tragjeti se bashku . ..Personalisht me erdhi shum keq ,per te madhin Tonin Tershana ,, kur nje dite para se te vdiste , i dha shteti nje apartament ,per te futur koken ,ku ishte pa istalime elektrike dhe hidraulike . Me vjen keq per te madhin Tonin ,duhet ta leme te prehet i qete,atje ku ka rene dhe nuk dua te komentoj me per kete teme .Prandaj mos u merzisni e kerceni pa llogjike , qe ju shaje me te drejte indirekt komunizmin tuaj te dashur . Ju uroj me gjithe shpirt ,e mbafshi me shendet ,jete e mot e brez pas brezi ??!!!!

    Reply to this comment
    • Besniku February 10, 16:28

      Seicili ka mendimin e tij Adih. Mos kerce kur tjetri shprehet ndryshe. Per sa me siper, jam dakort plotesisht me ty per te madhin Tershana.
      Por ti re vete brenda me kete shembull te dhimbshem.
      Pas 90-tes Tonini, ne moshe madhore paska punuar ne Greqi per buken e gojes.
      Kurse ne ate sistemin qe ti urren ( qe per hir te se vertetes kishte disa aspekte te tilla), Tonini u zbulua , u edukua dhe u nderua si kengetar i shquar.
      Ne ate sistem nuk behet fjale qe te punonte Pune te rendomta per buken e gojes, por do gezonte pensionin, do te vazhdo te kendonte ne koncerte dhe do kerkonin dhe ne shkolla , tek te rinjte e pionieret, per te treguar se talenti arrihet vetem me Pune e perpjekje, e jo si sot.
      Populli ka nje shprehje sh te mençur : – rri shtrember, por fol drejt.

      Reply to this comment
  4. Grupi ushtarakeve 1955-58-Lushnje. February 10, 02:47

    Dhe do te kendoje ne Perjetesi ! Nje Vace Zela ka shqiperia. I perjetshem kujtimi saj.
    Grupi ushtarakeve te Vainit 1956-58-Lushnje.

    Reply to this comment
  5. alo lushnja.. February 10, 16:19

    I pa nderuar Adih /demo / ylli /info analitike qofsh I njejti person apo te ndryshem nuk ka rendesi
    .
    Rendesi ka qe jeni terroriste mediatike psikopatisht te semure per ti shplare trurin atij kombi te tradhetuar nga te kater anet dhe akoma doni ta friksoni me “gogolin komunist”
    .
    Kam qene ne ato lloj shqiptaresh qe nuk e kam rruajtur trapin per sistemin e enverhoxhes socjalist /komunist-stalinist e pordhi kali..
    .
    Por nje gje e them me siguri se periudha pas 1992 do mbetet pjesa me e erret dhe me perverse ne historine shqiperise qe nuk eshte vendi ta argumentoj.
    .
    Ti Adih je monster se e di qe Tonin iku nga Shqiperia ne tetor 1997 sepse junta kriminale e Berishes jo vetem e hoqi nga puna me reformat por e genjeu Sali Perbindeshi
    SE PARATE E FIRMAVE
    JANE ME TE PASTRAT NE BOTE

    …dhe ja futi jo vetem Toninit POR NJE POPULLI TE TERE QE E PAGOI ME 4000 TE VRARE..
    ..
    Pra Tonini iku ne Greqi jo ne 1991 si thua ti ne menyre kriminale ……..por ne 1997 pasi ra shteti shqiptar dhe Tonini per faj te tij shiti Shtepine qe I dha Enveri te Salimathefuckeri.
    .

    ADIHalabaku !
    Ndiqe vete cfare ka thene Tonini I cili se bashku me Vacen..kurre nuk e shau ate system/regjim se ishin njerez fisnike jo si kadarenjte qe vrane heronjte e tyre qe

    SHQIPONJAT I KTHYEN NE SORRA SI PUNA JUAJ

    Tonin Tershana: Askush nuk u denua per shkak se kendoi ne Festivalin e 11-te
    .
    Moderatorja: Y/S ..Koha jone
    .
    U be nje kohe e gjate qe i keni munguar skenes shqiptare, mund te na thoni se ku keni qene gjithe keto vite?

    Tonini
    …..
    Do doja t’u falenderoja per interesimin tuaj
    ne radhe te pare.
    Une prej 15 vitesh kam jetuar ne emigracion.
    Nga tetori vitit 1997 deri ne janar te viti 2012 kam qene ne Greqi. Shkaqet qe une me familjen time vendosem qe te largoheshim, ishin sepse kaluam nje periudhe shume te veshtire tranzicioni. Pasi e shita shtepine dhe futa leket me fajde te “Vefa” dhe ‘Xhaferri”..ect

    NDIQE DHE HYMNIN E SALI MONSTRES
    TUAJ NE 1997:

    “O milet sa shume te dua
    Futini parate tek mua
    Une mendoj per gjith’dynjane
    Do ndihmoj dhe fukarane”

    https://www.youtube.com/watch?v=ZVMdYLVhH4M

    Reply to this comment
  6. Flutura February 10, 22:34

    Ah more Lipe Shtogu, kishe plotesisht te drejte kur thoshe:
    HE – DONI ME PER BELULIN.
    Me shume flet per Belulin se sa per VACEN o Belul.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*