Vajza që i shpëtoi shfarosjes naziste

Entela Resuli November 11, 2014 15:46

Vajza që i shpëtoi shfarosjes naziste

Gjyshe Fatmira është një dëshmitare e gjallë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Jo se ka qenë nga ato vajza që mori pushkën e doli malit, por ka qepur rroba e thurur triko për partizanët. Fatmira Sala sot jeton në lagjen “Don Bosko” në Tiranë. Vendi ku kalon pjesën më të madhe të ditës është krevati, bri të cilit ka një dritare që e ndihmon të shohë ndanë rrugës. Ajo ka lindur në 20 qershor të vitit 1929 në Leskovik. Është shumë e kthjellët dhe e saktë në historinë e 70 e kusur viteve më parë, por ka edhe momente kur shpërndahet në kujtime. Duket sikur periudha më e vështirë, por njëkohësisht edhe e bukur e jetës së saj, ishte gjatë luftës. Ka aq shumë për të treguar sa është e vështirë të përzgjedhësh informacionin që gjyshe Fatmira do të na tregojë. Historia e saj fillon në qershor të vitit 1944 kur ajo sëbashku me shoqet e saj ra në duart e gjermanëve ndërkohë që ishin duke qepur rroba për partizanët. Fatmira përfundoi në kampet naziste, por për fatin e saj, kthyer shëndoshë e mirë në Shqipëri. 85- vjeçarja në një intervistë për DITA-n, rrëfen historinë e saj…

 

Zonja Fatmira, jeni në gjendje të flasim për vitet e luftës dhe për ditët e jetuara në të?

Megjithëse kanë kaluar 71 vjet nga viti 1943, mosha ka bërë të sajën, por unë mjaft ngjarje i kujtoj mjaft mirë. Disa kujtime nga periudha e luftës i kam hedhur në dy fletore shënimesh para disa vitesh, shpesh u kthehem dhe i rilexoj duke m’u kujtuar shumë episode dhe ngjarje të asaj kohe.

Ju si u bëtë pjesë e luftës, keni qenë e vogël apo jo?

Së pari doli partizan në fund të vitit 1942 vëllai im i madh Piro. Babai ka marrë pjesë në Çetën e Gorë-Oparit nga marsi i vitit 1943. Vëllai tjetër, Asllani, ka dalë partizan po në mars të vitit 1943. Ai u vra në luftime në Osojë (Opar) më 9 janar të vitit 1944. Duke qenë se në shtëpi nuk kisha me kë të jetoja, sepse nëna më kishte vdekur që në vitin 1936, u vendosa në Osojë ku ishte vendosur intendenca e Brigadës së IV.

U përfshitë në njësitet partizane, dolët malit?

Në vitin 1943 kam qenë në moshën 14 vjeçe. Unë nuk kam qenë inkuadruar në njësitet partizane, por kam punuar fillimisht në intendencën e Osojës, ku qepeshin veshje për partizanët, thureshin triko, çorape dhe doreza, përgatiteshin dhe mbaheshin zahire për dimër, etj. Gjatë Operacionit të Dimrit të vitit 1943 forcat gjermane i dogjën magazinat e Osojës. Magazinat kaluan në Punëmirë në fund të dhjetorit të vitit 1944. Vitin e Ri ne e kaluam në Punëmirë, ku unë punoja në një makinë qepëse veshje për partizanët. Fshati kishte 5 shtëpi, ku ishin strehuar disa dhjetëra ushtarë italianë. Në mars të vitit 1944 u vendosëm në Tudas, një fshat malor në afërsi të Lavdarit të Oparit. Në Tudas ishte vendosur Komanda e Qarkut të Korçës, spitali partizan dhe rrobaqepësia. Në rrobaqepësi kishte 4 makina qepëse, por ato nuk mjaftonin, disa nga vajzat qepnin me gjilpërë.

Si ratë pre e gjermanëve, çfarë ndodhi se ju nuk ishit në kontakt të drejtpërdrejtë me ta?

Më 2 qershor të vitit 1944 forcat gjermane filluan një operacion në shkallë të gjerë drejt zonave ku ndodheshin forcat partizane. Ishte Operacioni i Qershorit. Më 3 qershor u zhvilluan luftime të ashpra në Kolanec, Bickë dhe Gjyras. Një autokolonë gjermane u nis drejt Voskopojës dhe Shipskës. Më 5 qershor ne po përgatiteshim për t’u larguar nga Tudasi. Për mungesë kafshësh po vonohej shpërngulja jonë. Pa pritur gjermanët u ndodhën në portën e shtëpisë ku ndodheshim ne. Befasia e forcave gjermane u shkaktoi partizanëve mjaft humbje. U vranë 4 partizanë dhe një partizane, u kapën të 5 vajzat që punonin në rrobaqepësi.

Ishit ju, por kush ishin vajzat e tjera që u kapën nga gjermanët?

Vajzat që gjermanët kapën sëbashku me mua kanë qenë edhe Petrina Shaho (Nase), Sofika Lako, Vangjeli Mushi dhe Kristavgji Apostoli. Nga Tudasi na çuan në Vithkuq, Korçë, Follorinë dhe më 14 qershor të vitit 1944 kemi qenë në burgun gjerman, ish kazermat “Pavllo Melas” të Selanikut. Në burg ndodheshin mbi 1 000 robër lufte të kapur nga forcat gjermane në Ballkanin Jugor. Më 23 qershor të vitit 1944 në burg sollën edhe 4 vajza të tjera shqiptare, Fato Berberin nga Gjirokastra, Sofie Notin nga Labova, Liri Çakon nga Përmeti dhe Dhoksi Priftin nga Hotova. Të katërta erdhën të plagosura.

Në Selanik gjermanët vranë Heroinën e Popullit, Fato Berberi, Sofie Notin nga Erindi dhe Dhoksi Priftin nga Hotova e Përmetit. Fato Berberi është pushkatuar më 21 korrik të vitit 1944. Fato nuk kishte mbushur moshën 16 vjeçe kur u pushkatua nga gjermanët. Mbas kësaj ngjarje qytetarët grekë vinin në burg dhe pyesnin rojet “Pu ine i eksi alvanidhes? Thelume na tis andamosume” (ku janë gjashtë shqiptaret, duam t’i takojmë). Ata vinin çdo ditë. Nëse një të burgosur greke vinin për ta takuar një herë në javë, ne shqiptaret, vajzat dhe nënat e Selanikut na kërkonin 5 apo 6 herë në ditë. Ato na binin ushqime dhe veshje. Kur mbërritëm në burgun e Selanikut, ne ishim me rroba të leckosura, ditën që na nisën për në Gjermani ne jo vetëm që ishim veshur për mrekulli, por kishim me vete nga dy valixhe druri me rroba. Në një seksion të burgut ka qenë edhe shefi komunist grek Niko Zahariadhis, sëbashku me partizanë grekë të kapur në luftime me forcat gjermane. Në burgun e Selanikut vajzat shqiptare lidhën miqësi me ato greke si: Anastasia Mazaraki (Tasulla), Eftiqi Princi, Eleni Qiriazi, etj.

Kur u nisët për në Gjermani?

Në fund të gushtit të vitit 1944 ne vajzat shqiptare dhe mjaft vajza e djem grekë të burgut të Selanikut na nisën me trena mallrash drejt Gjermanisë. Kemi kaluar në Bullgari, Jugosllavi, Austri, Çekosllovaki, Poloni dhe së fundi në Ravensburg. Ravensburgu është një qytet 90 km në veri të Berlinit.

Fatmira Sala

Fatmira Sala

Ku qëndruat në Gjermani dhe a kishte shqiptarë të tjerë atje?

Shumica e të burgosurve në Ravensburg ishin të burgosur politikë. Në kampin e Ravensburgut gjetëm Katerina Dilon së bashku me të ëmën Hana Dilon nga Elbasani. Nënë e bijë arritën të kthehen në Shqipëri. Në Ravensburg unë kam pasur numrin 67 193. Në krah të numrit ishte një trekëndësh lecke me ngjyrë të kuqe, ngjyrë që u përkiste të internuarve politikë. Çifutëve ju vendosnin një trekëndësh me ngjyrë të verdhë. Na vendosën në kapanone me krevate druri të vendosur në dy rreshta, ku çdo rresht kishte tre kate. Ushqimin na e sillnin me kazanë të mëdhenj tek dera e kapanonit. Në mëngjes na jepnin bukë thekre me çaj, në darkë patate të gatuara me gjithë lëkurën. Të gjitha gatimet ishin pa kripë dhe me shumë pak yndyrë. Në orën 4 të mëngjesit bëhej apeli i parë. Mbas apelit, të internuarit dërgoheshin për të punuar në bujqësi. Pas tre javësh qëndrimi në Ravensburg unë, Petrina, Liria dhe Kristavgjia u dërguam në kampin e Kepenikut.

Si ishin kushtet në këtë kamp dhe si ushqeheshit aty?

Kepeniku është një lagje periferike e Berlinit, pranë lumit Spree. Kampi i Kepenikut ishte një kamp pune. Në kamp ndodheshin 400 gra dhe 200 burra. Mua më vunë shenjën dalluese Fx 942. Në kamp zura miqësi me Tatjanën, një vajzë ruse që kishte qenë pilote. Avioni i saj ishte rrëzuar gjatë një misioni ajror mbi Gjermani. Ne punonim në një fabrikë ku prodhoheshin pajisje elektrike për luftën. Fabrika kishte 5 kate ku prodhoheshin e montoheshin çelësa, spina, kabllo elektrike të dimensioneve të ndryshme etj. Gjithçka që prodhohej ishte e destinuar për makineritë e luftës. Ne punonim në tavolina ku secila kishte nga 12 vajza. Tavolinën tonë e kontrollonte një “maestro” gjermane që ishte mjaft njerëzore në krahasim me të tjerat. Në një rast ajo më gjeti një yll të kuq të vizatuar në një letër, dhe më tha “grise pa të parë ndonjë tjetër”. Në fillim të prillit të vitit 1945 në kamp filluan të dëgjoheshin bombardimet e artilerisë së Ushtrisë së Kuqe. Gjermanët nuk na çuan më në fabrikë. Tatjana, pilotja ruse na tha se duke dëgjuar plasjen e predhave, mendonte se Ushtria Ruse nuk është më larg se 30 km nga Berlini. Disa ditë më vonë na grumbulluan para kapanoneve, na dhanë nga 500 gram bukë dhe nga një konservë me mish kali. Këtë ushqim, na thanë se do ta kemi për tri ditë. Na hipëm nëpër anije dhe na zbritën në pjesën perëndimore të Berlinit. Filluam të ecim më këmbë. Nëse ndonjë i internuar nuk mund të ecte, një skuadër gjermane që qëndronte në fund të kolonës e vriste, i hidhte sipër shkarpa të cilat i lagnin me benzinë dhe e digjte.

Më 21 prill mbërritëm në kampin e Oraniensburgut (Sachsenhausen) afro 30 km nga Berlini. Barakat ishin të tejmbushura, kushtet ishin tmerrësisht të këqija. Mbas dy ditësh na nisën më këmbë drejt perëndimit. Më bënin përshtypje fshatarët gjermanë që na hidhnin ndonjë patate të pjekur, apo ndonjë fetë bukë të thekur. Gjatë rrugës na mbërriti Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Çdo të internuari ju dha nga një pako prej 5 kg me ushqime. Pas 16 ditësh rrugë dhe pasi përshkuam 200 km, më 2 maj mbërritëm në qytetin Putlitz. Na vendosën në një kodër ku ndodhej një stallë lopësh me tre porta. Në mëngjesin e 5 majit pamë një flamur të bardhë mbi kullën e sahatit të qytetit. Ushtarët gjermanë ishin larguar, ne ishim të lira.

Cila ishte tortura më e madhe që keni përjetuar?

Po ka disa. Më kujtohet që një mbasdite dimri, disa vajza morën në fabrikë disa mbeturina gome, për të ngrohur ujin për t’u larë. Në kamp mungonte uji i ngrohtë dhe sapuni, gjermanët u jepnin të internuarve sodë në vend të sapunit. Ngjitur me kapanonin e fjetjes ndodhej lavanteria, ku vajzat laheshin dhe lanin dhe rrobat. Një mbasdite unë, dy vajza greke dhe një ruse morëm në fabrikë disa copa gome, ndezëm me to një zjarr të vogël për të ngrohur ujin. Një tym i zi me një erë të rëndë filloi të shpërndahej nga dritaret e lavanterisë. Gjermanët u futën me shpejtësi në lavanteri, na morën të katër vajzat dhe na vendosën në gjunjë pranë telave me gjemba. Ishte janari i vitit 1945, sheshi ishte mbuluar me dëborë, mbas nesh qëndronte një qen i madh, nëse lëvizje sadopak, ai të hidhej në kurriz. Mbas disa orësh qëndrimi në gjunjë, mua më ra të fikët. Të nesërmen që në mëngjes me këmbë të ngrira, u nisa me ndihmën e shoqeve të tjera për në fabrikë.

Si u kthyet në Shqipëri?

Po nuk kishte përfunduar ende, mbasi u liruam ne vajzat shqiptare nuk u ndamë nga ato greke, ishim 64 vajza. Në periferi të Putlizit morëm 18 pajtone me 36 kuaj dhe u nisëm drejt Berlinit. Ne nuk dinim t’i trajtonim kuajt dhe i lamë ata pa ushqyer. Një pjesë e tyre ngordhën gjatë rrugës. Mbërritëm në Furstenvalde, qytet rreth 30 km. Në lindje të Berlinit. Në qytet na vendosën në vila të boshatisura.

Më 2 shtator u nisëm për në Shqipëri. Udhëtuam me tren nga Gjermania nëpër Poloni, Çeki, Hungari, Rumani, Bullgari dhe së fundi në Manastir. Më 19 shtator të vitit 1945 mbërritëm në Ohër, ku kontaktuam me Shtabin e Divizionit të VI-të.

Kur u kthyet dhe si u pritët në Shqipëri?

Si fillim u vendosëm në shtëpinë e gjyshes të Petrina Shahos (Nases). Rojet kufitare nuk na lejonin të kalonim kufirin, pasi nuk kishim dokumente identifikuese. Më 28 shtator të vitit 1945 majori Ferit Radovicka na lëshoi lejet përkatëse. Shtabi i Br. VI-të kishte njoftuar Shtabin e Përgjithshëm në Tiranë mbi kthimin e 4 vajzave të internuara në kampet e përqendrimit në Gjermani. Urdhri i shtabit të Përgjithshëm ishte që të katër vajzat të niseshin menjëherë në Tiranë ku do t’u rezervohej një pritje e veçantë. Ne nuk pranuam të shkonim në Tiranë. Më 30 tetor mbërritëm në Korçë. Përpara bankës së Shtetit në Korçë kishin dalë për të na pritur mijëra njerëz. Prindërit dhe qytetarët korçarë na pritën me lot në sy.

 ***

Për Enver Hoxhën

“Ishte udhëheqësi që e nxori Shqipërinë nga një varfëri ekstreme në një varfëri dinjitoze”

Pas luftës, jeta e Fatmirës nuk ka qenë fortë e lehtë. Ajo ka patur uljet dhe ngritjet e saj, po ashtu edhe përplasjet me Partinë që dikur e priti në radhët e saj. Ka filluar të punojë që fëmijë dhe ka dalë në pension në vitin 1981. Luftën Antifashiste e quan të drejtë, ndërsa për udhëheqësin e saj Enver Hoxha, thotë se zhvilloi arsimin, kulturën, shëndetësinë, industrinë, bujqësinë… por bëri gabim që futi luftën e klasave.

Zonja Fatmira, çfarë ndodhi me ju gjatë viteve të komunizmit…?

Menjëherë pas kthimit në Korçë u aktivizova në organizatën e rinisë dhe të gruas në lagjen 5 të qytetit të Korçës. Shkonim nëpër fshatra duke dhënë ndihmën tonë në punët bujqësore, në punimet për ndërtimin e fushës së aviacionit afër Drenovës, në luftën kundër karkalecit. Në gusht të vitit 1946 u pranova kandidate e PKSh. Nga 28 qershori deri më 2 shtator të vitit 1947 kam qenë intendente brigade në hekurudhën Durrës-Peqin. Në tetor të vitit 1947 përfundova një kurs kontabiliteti ku përgatiteshin nëpunëse banke. Fillova punë në Durrës si punonjëse e vlerës pranë PTT. U pranova anëtare partie në vitin 1948. Në vitin 1951 u përjashtova nga partia për moszbatim të urdhrit të organizatës bazë të NSHH në Durrës, për të shkuar për një periudhë të pacaktuar në rrethin e Kukësit. Sekretar partie i ndërmarrjes ishte Petro Tako, ai së bashku me punonjësit e Degës së Brendshme në Durrës, shkonte me xhip natën në fshatrat e Durrësit dhe të Shijakut. Ai së bashku me punonjësit e degës ka arrestuar dhe vrarë mjaft fshatarë nga këto zona. Propozimin e përjashtimit tim nga partia e ka firmosur edhe Nimet Ymeri. Pas disa muajsh edhe këta persona të “zellshëm” të partisë u dënuan me përjashtim nga partia.

Nga Durrësi u shpërngula në kombinatin e tekstileve në Tiranë, ku fillova punë në shtator të vitit 1954. Kam punuar në fabrikën e filaturës për 27 vjet me tre turne deri sa dola në pension në qershor të vitit 1981.

Çfarë mendimi keni ju për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare?

Lufta Nacionalçlirimtare ka qenë një luftë e drejtë, për vetë faktin se ajo u bë pjesë e aleancës fituese, në të u bashkua shumica e rinisë shqiptare. Lufta ka pasur edhe elementë të një lufte civile, e cila u kthye në një luftë të egër klasash mbas vitit 1944.

Po për Enver Hoxhën?

Enver Hoxha ka qenë figura udhëheqëse e PKSH, e Luftës dhe e drejtimit të vendit për afro 41 vjet. Vendi pati zhvillime në arsim, kulturë, shëndetësi, industri, bujqësi etj. por nëse do të ishim orientuar nga perëndimi, sot do të kishim një Shqipëri tjetër. Në Shqipëri ai zhvilloi për fat të keq luftën e klasave nga e cila e pësuan qindra mijëra shqiptarë. Mbaj mend komentet e RAI-it ditën që vdiq Enver Hoxha, spikeri tha: “Ishte udhëheqësi që e nxori Shqipërinë nga një varfëri ekstreme në një varfëri dinjitoze”.

Entela Resuli November 11, 2014 15:46
Komento

6 Komente

  1. "Horri i Bulevardit" November 11, 17:45

    E nderuar qofsh nene Fatmira, ke thene nje te vertete dhe u desh qe ta thuash ti, qe edhe une te jem i besueshem, per figuren e Enver Hoxhes.
    Enveri zhvilloi arsimin, industrine dhe shume gjera qe shqiptarit i mungonin, por zhvilloi luften e klasave, qe ishte nje gabim fatal i tij.
    Respekt per vuajtjet tuaja nene Fatmira, 14 vjece, i dole zot Shqiperise, sot 14 vjecaret, jane ku therret qameti.

    Reply to this comment
  2. Cimi November 11, 21:08

    Kjo eshte tezja ime. Une krenohem me te, pavaresisht se si demokrat, nuk ndaj te njejtat mendime me te. Eshte nga te rrallet qe ju shpetoi kampeve te cfarosjes ne gjermani dhe austri, dhe qe sot eshte gjalle. Falenderoj gazetaren qe e ka intervistuar kete thesar te gjalle. Ju bej thirrje, shtetit, organizmave te tjera qe funksionojne ne Shqiperi, gazetave dhe gazetareve, te varur dhe te pa varur te zene rradhe per te marre dhe e evidentuar kujtimet e zonjes Fatmira Sala, sa e kemi midis nesh. Mos e humbni, eshte vertet nje thesar. I uroj jete te gjate.

    Reply to this comment
  3. dritan November 12, 04:26

    Pershendetje nena Fatmira,qe jeta nuk te paska rezervuar nje jete aq me fat sic ke edhe emrin. Te pershendes dhe te uroj jete te gjate o nene e mire.

    Reply to this comment
  4. Mark uk November 12, 09:05

    70 vite tu nigju prrallat e tyre.Vertet clirun vendin po okupuan vendin per 50 vite.Don kohe te pastrohet era e keqe e ktyre clirimtarve qe i bene njemijenje te zeza kti populli qe vuajti 5 shekuj nga turqit.Dhe ma e keqja po u shohim perseri.Sepse u kan mbetur vllezerit ktu.

    Reply to this comment
  5. fl shehu November 13, 15:19

    prsh dhe jete te gjate mikeshes tone nene fatmires , per ate qe ajo ka dhene e kontribuar rrespekt se ka qene fam e madhe me persona te humbur ne lufte , , , por kisha pas deshire ketij personit mark uk ti thosha mos fol kaq kollaj ,pasi nuk ke pas per fat te jetosh kohen kur jetoj zonja . dhe do kisha shume deshire te dija nga jeta jote 14 vj ta krahasoje me jeten e saj 14 ,, gjithsesi jeta i provon njerezine ne shume menyra , te pakten rrespekt kur degjojme se kane ngelur shume pak nga ajo kohe ajo nuk u intervistua per rregjim por per jeten e saj me plot rrisqe ,

    Reply to this comment
  6. Anna December 22, 11:36

    Zj.Fatmira duket shume e zgjuar dhe e kthjellet dhe mbi te gjitha realiste. Me shume se kushdo e ka ndjere ajo vete luften e klasave, gjithe jeten punetore me tre turne! Ne nje kohe kur gra injorante dhe pa asnje kontribut drejtonin me dhune e zjarr kete vend te varfer.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

SONDAZH

NËSE NË TIRANË KANDIDATI PS + RILINDJE, ERION VELIAJ DO TË KISHTE PËRBALLË SI KANDIDAT TË PD, LULZIM BASHËN, PËR KË DO TË VOTONIT:

Shiko rezultatin