Vajza që mori taksi për në “askund”

April 30, 2018 18:17

Vajza që mori taksi për në “askund”

 

Në 1995, një adoleshente shkoi në një kodër me pamje të bukur, pastaj u zhduk. Pse kanë mbetur kaq shumë pyetje pa përgjigje për çështjen e Ruth Uillson?

Nga Martin Bright

Dy vjet më parë, rastisa të takoj një ish-oficer policie, tashmë në pension, i cili më pyeti nëse e mbaja akoma mend çështjen e Ruth Uillsonit, 16-vjeçares që u zhduk në nëntor të 1995-ës. I thash se sigurisht që më kujtohej dhe se historia e saj kishte qenë më e pazakonta që kisha mbuluar ndonjëherë si gazetar.

Ruth kishte dalë nga shtëpia, si zakonisht, në një mëngjes të tmerrshëm dimri, por në vend që të shkonte në shkollë, kishte marrë një taksi për në majën e kodrës së errët por të bukur, Box Hill, aty ku dhe u zhduk nga faqja e dheut. Kjo vajzë e mirë, nga një familje e mirë, u harrua për të mos u parë më kurrë.

Unë shkrova për të rreth 15 vjet më parë dhe që atëherë, ky mister i pashpjegueshëm më përndjek.

Në vitin 2002, dola në përfundimin se rrethanat e çështjes së Ruthit, ishin tepër të çuditshme për t’u vënë në qendër të fokusit mediatik. U bënë disa përpjekje për të përfshirë familjen e saj në këtë mesele, me qëllim që të tërhiqej më shumë vëmendje, por ata nuk ishin të prirur për publicitet. Përgjatë viteve janë bërë disa herë thirrje për të zbuluar misterin, por edhe në vendngjarje duket se historia është zbehur.

Dhe do të vazhdonte të mbetej në errësirë, po të mos ishte për Liam McAuley, policin pensionist nga Irlanda e veriut, të cilit i kishte rënë në dorë gazeta  vendase, në 1995. “Askush nuk mundet thjesht të  zhduket,” më tha ai. “Mendoj se diçka e tmerrshme i ka ndodhur asaj, dikush e di se ku është ajo.”

McAuley bëri një kërkesë në policinë vendase për të mbledhur informacione rreth ngjarjes, por ata i thanë se çështja e Ruthit ishte akoma e hapur dhe ai s’mund të kishte dokumentet që kërkonte.

Ai u shkroi prindërve të Ruthit, Ian dhe Karen, të cilët jetojnë akoma në një fshat aty pranë, por nuk mori përgjigje. Në nervozizëm e sipër ai më kontaktoi mua, si gazetari i fundit që shkroi gjerësisht për atë.

Rrethanat e zhdukjes së Ruth Uillsonit më kishin lënë gjithmonë të shqetësuar. Përse kjo vajzë e re, studioze, që shkonte në kishë, që luante organo, që këndonte në kor, kishte vendosur aq papritur t’i jepte vetes një jetë tjetër?

Para disa vitesh, unë zbulova diçka për familjen Uillson, që me sa duket ata kishin vendosur ta mbanin të fshehtë atë periudhë. Karen Uillson, që më ishte prezantuar si e ëma e Ruthit dhe e motrës së saj, Xhenit, ishte në fakt njerka e tyre. Mamaja e tyre biologjike, Nesta, kishte vdekur në rrethana tragjike kur Ruth ishte e vogël ndërsa Xheni akoma një foshnje. Pse nuk më ishte treguar për këtë më parë? A ishte kjo një familje e lumtur në fund të fundit? Dhe a kishte lidhje vdekja e të ëmës me arratisjen e Ruthit?

Meqë familja e Ruthit refuzoi të fliste, ne vendosëm të kontaktonim shokët e saj. Ne dinim vetëm që ato kohë ajo ishte ndarë nga i dashuri, Uilli. Ky i fundit, i cili nuk dëshiron që të identifikohet, më shpjegoi se Ruthi ishte një adoleshente mjaft e shqetësuar. Ishte a palumtur në shtëpi. Nga ai morëm vesh se mamaja e saj kishte vdekur. Sipas historisë që dinte Uilli, ajo kishte rënë nga shkallët dhe  kishte thyer qafën.

Duke ndjekur një thirrje që ishte bërë nga gazeta lokale, miq të tjerë të saj na kontaktuan. Roxy Birch, një shoqe shkolle e saj,  më tha: “Me sa di unë, ajo nuk mund ta ngiste makinën dhe nuk kishte as pasaportë.  Ku dhe si mund të fshihet dikush për 22 vjet?” Një tjetër shok shkolle thotë: “Unë besoj se ajo kishte planifikuar të bënte diçka. Nuk e di nëse ka qenë një plan i përkohshëm apo i përhershëm. Madje më pëlqen të besoj se dikush është në dijeni të vendndodhjes së saj. ”

Çertifikata e vdekjes së Nesta Uillson tregon se historia e incidentit me shkallët, është një mashtrim. E vërteta e hidhur është se ajo kreu vetëvrasje. Ajo e vari veten pak para krishtlindjeve të 1982, në kohën  kur Ruthi ishte 4 vjeç dhe e motra disa muajshe.

Pak pasi isha vënë në dijeni të këtij informacioni të tmerrshëm, më kontaktoi një tjetër shoqe e Ruthit. Katerina Majer ishte rritur afër Ruthit dhe kishte frekuentuar të njëjtat vende me të. Katerina zbuloi për ne se Ruthi e kishte marrë vesh për vetëvrasjen e së ëmës pak para se të arratisej. Ajo ishte shumë e shqetësuar,” thotë Katerina. “Nuk mund ta dije asnjëherë se çfarë kishte në mendje dhe ishte gjithmonë në përpjekje për të gjetur vetveten.”

Kryeinspektori, Xhon Savell, thotë se ekzistojnë 5  hipoteza të mundshme mbi të vërtetën:”Një aksident tragjik, rrëmbim, vetëvrasje, vrasje ose arratisje për një jetë të re.”

Ka akoma shumë pyetje pa përgjigje. Përse Ruth i dërgoi njerkës një tufë me lule dy ditë pas zhdukjes së saj? Ku është familja e të ëmës së saj dhe pse ata nuk janë interesuar asnjëherë për çështjen? Dhe pse, nëse është arratisur, nuk ka kontaktuar anjëherë me familjen dhe shokët?

Dikush e di se çfarë i ka ndodhur Ruthit. Dhe sekretet kanë tendecën të dalin dikur në shesh, herët apo vonë.

The Guardian-Bota.al

l.h/ dita

April 30, 2018 18:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*