Vakanca në Gjykatën Kushtetuese/ Të hënën nis procedura, kandidatët pa Vetting

February 10, 2018 15:58

Vakanca në Gjykatën Kushtetuese/ Të hënën nis procedura, kandidatët pa Vetting

Vonesat në zbatimin e reformës në drejtësi kanë bërë që Gjykata Kushtetuese të ndodhet në një vështirësi të pazakontë duke pasur vetëm 6 anëtarë, nga 9 që duhet të ketë normalisht. Për këtë çështje, janë angazhuar tashmë dy institucione.

Zyrtarisht Presidenti i Republikës ka shpallur dy vakanca. Një vakancë për një mandat të pjesshëm të lënë në mes nga Besnik Imeraj, i cili kishte konsumuar vetëm 4 vjet nga mandati i tij. Pasuesi i Imerajt do të qëndrojë në detyrë vetëm 5 vitet e ngelura të mandatit.

Presidenti ka shpallur edhe një vakancë të dytë, kjo për një mandat të plotë 9 vjeçar që do të zëvendësojë mandatin e përfunduar të Sokol Berberit.

Burime brenda Kuvendit të Shqipërisë bëjnë me dije për Report TV se ditën e hënë, edhe ky institucion do të shpallë vakancën e fundit për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Pasi të mblidhen kandidatët, dosjet e tyre do t’i përcillen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Është pikërisht KED ajo që vlerëson përmbushjen e kritereve nga kandidatët dhe i rendit ata nga më cilësori tek më i dobëti.

Nëse Kuvendi nuk do të arrijë që brenda 30 ditëve të zgjedhë anëtarin e gjykatës me 84 vota, atëherë i rendituri i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zgjidhet automatikisht.

Sa u takon kritereve, Kushtetuta njeh detyrimin që kandidati të ketë arsim të lartë në juridik dhe 15 vjet eksperiencë punë, si: gjyqtar, prokuror, avokat, profesor të drejtës apo nëpunës i nivelit të lartë të administratës, i pa përfshirë në parti politike apo poste politike 10 vitet e fundit.

Ka interpretime të ndryshme nëse anëtari i gjykatës më të lartë në vend, duhet apo jo të ketë kaluar vettingun paraprakisht. Në kushtet kur duhet tejkaluar ky ngërç në këtë institucion, burime pranë Partisë Socialiste thonë se do të mbështesin kandidatët edhe pa vetting, pasi, në momentin që do të zgjidhen anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, kandidatët do t’i nënshtrohen automatikisht vettingut.

o.j/dita

February 10, 2018 15:58
Komento

1 Koment

  1. vetingu February 10, 20:01

    SIGURISHT QE PA VETING!!! KUSH DO TUA BEJE VETINGUN?!!! ATO PLEHRAT KOMISINERE TE VETINGUT QE I ZGJODHEN TE DYJA PALET DHE TANI BEJNE KOT SIKUR ZIHEN!!!! SA TE FILLOJE EDHE DASHNORJA E ENKELEJD ALIBEAJT SI KRYEINSPEKTORE E LARTE E DREJTESISE!! (mars.xhaf.)

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*