Valë arrestimesh për drogë në gjithë vendin, 5 në pranga

May 4, 2014 08:35

Valë arrestimesh për drogë në gjithë vendin, 5 në pranga

Policia është hedhur e gjitha në aksion në betejë ndaj narkotikëve. Vetëm ditën e djeshme janë kryer 9 arrestime, mes të cilëve 4 efektivë dhe 5 trafikantë të dyshuar, ndërsa 3 janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për një rrjet të gjerë trafiku që ka pasur edhe ndihmën e policisë, por ka edhe raste të veçuara në çështje hetimore. Operacionet janë kryer në Vlorë, Berat dhe Fier. Burime zyrtare thanë se janë ndaluar Edison Latifaj, Emiljano Brahimi, Niko Brahimaj, Agur Malaj. Ndërkohë, është identifikuar dhe personi i arrestuar në qytetin e Beratit, Simir Shosha, 31 vjeç. Të gjithë këta persona akuzohen për trafik droge. Tre prej emrave nuk u bënë të ditur, ndërsa u njoftua se u shpallën në kërkim.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda, zhvilloi operacionin e koduar “Merry Christmas 2”, i shtrirë njëkohësisht në disa qarqe të vendit, në kuadër të të cilit është bërë ekzekutimi i masave të sigurisë “arrest në burg” ndaj 5 personave, për veprën penale trafikim i narkotikëve e kryer në bashkëpunim.

Gjatë operacioneve të zhvilluara u janë sekuestruar në makina, banesa dhe në pronat e tyre, 9 automjete, 3 furgonë, 1 kamion, 5 autovetura, një mjet lundrues gomone, 21 aparate telefoni celular dhe karta SIM, 1 kompjuter lap-top dhe dokumente shit-blerje pronash.

Policia tha se grupi është i përfshirë në 4 raste të identifikuara dhe të goditura të trafikut nga Lazarati në Itali. Më 24 dhjetor 2013, në vendin e quajtur Hidrovor, Vlorë, është sekuestruar sasia prej 916 kg, ku është arrestuar Vehbi Bajrami. Më 13 janar 2014, në vendin e quajtur Levan, Fier, është sekuestruar 110 kg, ku është arrestuar Ermal Daja, po më 13 janar, në kuadër të operacionit “Mëngjesi” në Gjirokastër, janë kapur 35 klandestinë, që do trafikoheshin nga të arrestuarit Artur Gjonaj, Klejdi Qibini dhe Silver Qibini, kurse më 21 janar 2014, në vendin e quajtur Llogara, Vlorë, është sekuestruar 21 kg drogë, ku u ndalua Ismail Ruci.

Në kuadër të këtij procedimi, nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm u bë ndalimi i punonjësit të policisë në drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, Dritan Zagani, 41 vjeç, banues në Shkodër, nën akuzën e kryerjes së veprave penale “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”. Kurse Vasil Latifaj, 39 vjeç, banues në Vlorë, u kap me 2 armë zjarri automatik “Kallashnikov”, krehra arme zjarri automatike, si dhe një sasi fishekësh.

 

 

Të arrestuarit Vlorë:

Edison Latifaj, 32 vjeç

Jorgo Naçi (Emiljano Brahimi), 37 vjeç

Niko Brahimaj, 51 vjeç

Agur Malaj, 40 vjeç

I arrestuar në Berat:

Saimir Shosha, 31 vjeç

 

 

May 4, 2014 08:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*