Brexit mund të krijojë lëkundje sizmike edhe në anët tona

June 28, 2016 11:10

Brexit mund të krijojë lëkundje sizmike edhe në anët tona

Nga Çapajev Gjokutaj

 

Rrjete sociale dhe shumica e mediave tona e shohin Brexit në rrafsh global: ç’ndikim do ketë mbi Britaninë, EU-në, perëndimin, botën.

Ka qasje krejt tjetër në ligjërimin publik grek. Një nga fokuset mediatike atje është: Si do ta ndikojë turizmin dobësimi i paundit? Është e kuptueshme: turizmi mbetet industria kryesore e fqinjit jugor, që pret 2 milionë britanikë çdo vit. Këto ditë operatorët turistikë grekë po përballen me një aritmetikë të dhimbshme: Një pjesë e prenotimeve për këtë verë janë bërë para zhvleftësimit të paundit. Greqia ka shumë lidhje të tjera me paundin, ndaj sizmika e tij ndikon dukshëm në drejtpeshimin financiar.

Ndryshe ndodh në vendin e shqipeve. Ekonominë tonë, thuajse të margjinalizuar dhe gati 40 përqind informale, s’ka tërmet global që e trondit.

Pavarësisht optikave të sipërfaqes, divorci Britani – BE mund të na prekë thellë. Në rrafsh politik po se po, por edhe në rrafsh ekonomik.

Pyetja e parë që të vjen ndër mend është: si do të ndikojë te emigrantët tanë në Britani? Vërtetë që shifrat zyrtare thonë që nuk janë më shumë se njëzet mijë, por mediat e vendeve të zhvilluara bëjnë lajm edhe kur rrezikohet jeta e një grupi fare të vogël prej qytetarëve të tyre.

Nëse do pasonte një proces domino ikjesh nga BE, Greqia do të ishte ndër të parët. Kjo do të trazonte keqas fatin e gati një milionë emigrantëve shqiptarë, remitancat që dërgojnë, por edhe bilancet tona tregtare.

Gazetari Aleksandrou Markos më shkruan se “30 për qind e emigrantëve shqiptarë në Greqi punojnë në sektorin e turizmit dhe të tjerët janë të lidhur indirekt me të. Por shumë pak media interesohen për ekonominë greke dhe zhvillimet në përgjithësi në Greqi, kur s’lenë pa pasqyruar qoftë edhe ndonjë shpërthim në Afganistan. Harrojnë se përveç të tjerash shteti grek me këto para do shlyejë një pjesë të mirë ndaj subjekteve private, mijëra prej të cilave janë të shqiptarëve ose punojnë në to. Ky zinxhir është tepër jetik dhe nuk përligjet pasqyrimi i zbehtë nga mediat e Tiranës”.

Por veç ekonomisë, dobësimi i BE-së, zbehja e perspektivës së integrimit do të trazonte sidomos politikën. Do të zhbëhej një nga trysnitë kryesore për reforma dhe ristrukturime. Klasa jonë politike do të zhytej më thellë në konfliktualitet e korrupsion në çastin që do humbiste kushtëzimin e integrimit dhe do të vetë zot e vetë shkop.

Sovraniteti do bëhej mjet sublimimesh për të forcuar pushtete vetiake. Diçka e ngjashme me atë që po bëjnë këto ditë politikanët që flasin për mënjanimin e të huajve nga reforma në drejtësi.

Do merrnin zemër e do dilnin në sheshin e betejave politike, grupime që sot artikulohen zbehtë si fanatikë islamikë, neo-otomanistë, nacionalistë që i hakërrehen “kurvës së motit” etj. etj.

Dobësimi i trendit integrues do të rriste ndikimin rus në Ballkan. Jo vetëm në popullsitë sllave, por edhe në Greqi, të fejuarën e Perëndimit dhe dashnoren e lindjes.

Në vend të diskutojmë për këto dhe të tjera, shqetësohemi për globin. Si ai fshatari i Dritëroit që qante hallin: “Të shkretët arabë, ç’heqin në vapë!”

June 28, 2016 11:10
Komento

3 Komente

  1. A.GRAMSH June 28, 15:39

    Kujt ja drejton kete shkrim pas 25 vjetesh,apo flet me vehte!?
    -‘Politiken’ 25 vjet e perfaqesojne kalamaj axhamij qe tere jeten nuk u ka thene njeri puna e mbare nga Pollot e Bashat ,patozet e berishat tek LIKE FLORIRI Ramushat e Blushat! Kjo ndodh edhe per ekonomine e tere sektoret jetike te nje populli tashme drejt shperberjes qe 25 vjet eshte trajtuar si GOMARI duke i tundur para hundes KARROTEN E BREGUT ‘INTEGRIM’ DHE NATON E PANDI BYTHKES PE KORÇE!Ne gjyqin e Hages!

    Reply to this comment
  2. vasili June 28, 18:56

    Ndjej pulsin e shqetesuar te qytetarit te vertete shqiptar tek z.Gjokutaj.
    Por eshte nje ze ne shkretetiren e pa fund te mendimit te mbrapesht,qe prodhon nje tru i denatyruar.

    Reply to this comment
  3. Kola June 29, 05:19

    Shkrim me te dobet s’kam lexuar kurre. Mire do ishte qe termeti te kishte rene e ta kishte rrafshuar kete vend qe po qelb gjithe boten, por rrufete s’bien ne hale. Termet s’shkakton reforma e drejtesise e cila po mbahet peng nga ca horra e jo me te kete Brexit, me te cilin s’kemi absolutisht asnje lidhje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*