“Valixhja e emigrantit”, simbolika e veprës së piktorit Agim Sulaj

August 15, 2018 15:55

“Valixhja e emigrantit”, simbolika e veprës së piktorit Agim Sulaj

Vaso PATA

Jeta dhe vepra e Agimit është e dyzuar. Ka plot mëdyshje ndonëse Agimi i ka bërë tashmë zgjedhjet e veta. Ai jeton midis atdheut ku ka lindur dhe vendit fqinj ku banon, midis privimeve të së djeshmes dhe lirisë së sotme, midis kasketës që mban (në shumë punë të tij) Agimi i vogël dhe beretës që mban Agimi, burrë i pjekur, midis shakasë dhe seriozitetit, midis arsyes dhe ndjenjës, midis shpresës dhe zhgënjimit, midis pikturës dhe karikaturës. Mendja e tij përballet me realitetin ndërsa shpirti jeton me ëndrrat.

Agimi është një karikaturist i njohur në mbarë botën. Me emërtimet e konkurseve, sidomos ndërkombëtare, dhe me çmimet që ai ka fituar anekënd botës, do të mbusheshin më shumë faqe se sa përfshin ky shkrim. Karikatura nuk duhet parë si kushërirë e varfër e pikturës por si motër e denjë e saj. Mjafton të përmendim në këtë rast “kapriçot” apo “satirat” therrëse të F. Goya-s të cilat janë bërë po aq të njohura sa dhe pikturat realiste të tij.

Në karikaturën e Agimit vërehet lufta e moralit mbi imoralitetin, e së vërtetës me gënjeshtrën, fitorja e sinqeritetit mbi hipokrizinë, e shpirtgjerësisë mbi shpirtngushtësinë, mësymja e së resë mbi të vjetrën, e përparimit mbi prapambetjen. Vepra e Agimit përshkohet nga një humor i këndshëm e i shëndetshëm, ironia e hollë, satira thumbuese, sarkazma therëse.

Karikatura e Agimit flet, këshillon, tërheq vëmendjen e njerëzve por edhe bërtet, këlthet, ulërin për ata që “janë paksa të rëndë nga veshët”. Në karikaturën e Agimit ka dashamirësi të çiltër, ndjenja të thella njerëzore dashuri për çdo gjë të shëndoshë, të natyrshme. Ajo pëlqehet dhe vlerësohet nga të gjithë ata që e njohin. Janë krijuar nga ai që dashuron gjithçka që dashurojmë edhe ne, që urren gjithçka që urrejmë edhe ne, nga ai që beson me gjithë shpirt në triumfin e së mirës mbi të keqen, e së bukurës mbi të shëmtuarën, e së vërtetës mbi gënjeshtrën.

Nuk është e lehtë të ndash Agimin si karikaturist nga ai si piktor. Në shumë nga punët e tij është vështirë të përcaktosh ku mbaron karikatura e ku fillon piktura. Në pikturë Agim Sulaj është po ai i karikaturës. Motivet janë po ato. Dyzimi është po aq i pranishëm edhe në pikturat e tij. Por tonet janë më të buta, ngjyrat më të ëmbla, simbolika më e pasur, trajtimi i natyrës dhe i personazhave është bërë më me delikatesë. Vepra përshkohet nga lirizmi, nostalgjia dhe një trishtim i lehtë madje, edhe kur trajtohet realiteti i ashpër. Në vizatim Agimi është shumë kërkues duke paraqitur veçoritë e objektit deri në imtësi (e kanë cilësuar hiperrealist). Në një “buzëdeti” uji është kaq i kthjellët e i tedukshëm, rëra e fundit të detit aq e qartë e konkrete dhe guralecët aq pranë e të vërtetë sa të grishin të futësh dorën për t’i mbledhur. Apo kur sheh tablonë ku janë paraqitur katër banka shkolle, të vjetra e jashtë pune, të krijohet ndjesia e dëshirës për t’u bërë sërish i vogël e për t’u ulur edhe njëherë në to. Muret e vjetra të shtëpive të rënuara nga koha të ngjallin botën e fëmijërisë. Paraqitja e gjithë këtyre objekteve gati përrallore, me ngjyra gati të shuara, hedhin një tis trishtimi dhe nostalgjie për atë kohë që nuk kthehet më.

Në vendin ku emigroi, pavarësisht vështirësive të fillimit, Agimi pa se kushtet e jetesës ishin shumë më të mira se në atdheun e tij. U deshën disa vjet që të mund të përshtatej me vendin dhe njerëzit e rinj dhe atëherë vuri re se njerëzit ishin po ata, me të mirat dhe të metat e tyre, me gëzime e shqetësime. Edhe aty kishte të varfër e të pasur. Edhe aty shoqëria përballej me probleme jo të vogla. Edhe aty kishte padrejtësi, burokraci, korrupsion, hipokrizi. I lodhur herë herë nga vështirësitë por më shumë i pakënaqur nga ato, disi i zhgënjyer por më shumë i zemëruar nga veset njerëzore e dukuritë negative shoqërore por asnjëherë i dorëzuar, Agimi do t’i kthehet fëmijërisë, nga e cila kujtimet janë gjithnjë të freskëta e të bukura. Përmes mjeteve shprehëse nga më të larmishmet vepra e tij e shpall të vërtetën me zë të hidhur, të lartë e të ashpër (sidomos në karikaturë), e herë e pëshpërit me një ton të ëmbël, të ulët e të butë (sidomos në pikturë kur hedh në telajo kujtimet e fëmijërisë).

Fëmijëria e Agimit ashtu si dhe ajo e shumë bashkëmoshatarëve të tij ka qenë e vështirë por kujtimet e saj e qetësojnë. Dhe fillon t’i hedhë në telajo këto kujtime, përmes pikturës por dhe karikaturës, jo pa njëfarë nostalgjie. Fryt i këtyre kujtimeve janë tablotë: “I primi pensieri”, “Laidi”, “In equilibro”, “Il libro delle favole”, “Pezzo di prosciutto”, “La spina” etj.

Tema e emigracionit zë një vend jo të vogël në karikaturën e Agim Sulës. Ai e ka provuar jetën e emigrantit. Emigranti është i varfër, i kequshqyer, i pastrehë. Mungesave dhe kufizmeve të shumta ndaj këtyre njerëzve u shtohet dhe mungesa e vendlindjes. Emigranti trajtohet si njeri pa atdhe, pa dinjitet, pa personalitet, si njeri i egër.

Seria “Valixhja e emigrantit” përbëhet prej shumë karikaturash, variacione të së njëjtës temë, njëra më e bukur se tjetra. Në njërin nga variantet valixhja është shtëpia e tij, është gjithçka që zotëron ai. Në një variant të dytë, valixhja e hapur, që mban në dorë emigranti, ka brenda saj avionin (ëndrra e çdo emigranti), për t’u larguar nga mëmëdheu një orë e më parë. Valixhja që mban në dorë emigranti, në një variant të tretë është e shqyer nga poshtë. Asaj i mungon fundi. Emigranti nuk ka asgjë për të marrë me vete me përjashtim të ëndrrave të cilat në shumicën e rasteve mbeten të parealizuara.

“Valixhen e emigrantit” Agimi e ka shndërruar së fundmi në një skulpturë. Ëndrra e tij është që ajo të vendoset në shëtitoren buzë detit për të kujtuar të gjithë emigrantët që u nisën nga ky breg për të realizuar ëndrrën e tyre, për ata që ja arritën por më shumë për ata që nuk mundën.

 

 

 

 

August 15, 2018 15:55
Komento

2 Komente

  1. ZZ August 16, 09:09

    AGIMI SI PIKTOR KA BERE SHUME PER AGIMIN POR AGIMI SI NJERI SKA LENE ASGJE PER QYTETIN KU LINDI ….????????????????!!

    Reply to this comment
  2. usa August 16, 09:22

    Me vjen shume mire qe zoti Agim me kujton vazhdimisht per punet e jashtezakonshem te tij. Eshte cuditerisht nje piktore I vecante, nje mjeshter I jashtezakonshem per problemet me intime te njerzve sidomos pas vitit 1991. Te gjitha punimet e tij jane perla, njera me interesante se ato qe vine me pas. Faleminderit Zoti Agim per punen tuaj te jashtezakonshem. Per mendimin tim je I ralle per problemet qe I cfaq nepermjet pikturave tuaja mahnitese> Te fala nga Xhorxhi Baho.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*