“Van Damme shqiptar”, nga ringu në filmat aksion

November 5, 2012 10:26

“Van Damme shqiptar”, nga ringu në filmat aksion

 Agron Pajaziti ndjek gjurmët e idhullit të tij, tashmë duke u bërë protagonist kinemaje në Zvicër

 

Karateisti kosovar Agron Pajaziti i dha fund karrierës në sport, për t’iu kushtuar karrierës së filmave. 29-vjeçari nga Gjilani thirret me nofkën “Van Damme shqiptar”, sipas idhullit të tij, të cilin edhe e ka imituar në ndeshje. I intervistuar nga siti shqiptar në Zvicër, albinfo.ch, Pajaziti ka rrëfyer se në çdo ndeshje ai ka pasur gjithmonë në zemër Kosovën dhe kombin e tij. Kur është ngjitur për herë të parë në ring, në kampionatin zviceran më 1999, në Lozanë Pajaziti u skualifikua për shkak se goditi me grusht kundërshtarin serb, duke i thyer hundën. Duke folur për karrierën prej dhjetëra ndeshjesh profesioniste, prej të cilave shumicën i ka përfunduar me fitore e disa me humbje dhe me barazim, Pajaziti tha se ishte një lëndim serioz i kraharorit që e detyroi t’i jepte fund karatesë në vitin 2006. Karriera e luftëtarit nga Gjilani është vërtet e pazakontë.

 

Brenda pak vitesh ai e ka mbushur gjoksin me dhjetëra medalje të arta, të argjendta e të bronzta. Karateja ishte një dëshirë që i kishte lindur që i vogël nga filmat aksion të aktorit të njohur Jean-Claude Van Damme. Aktori ishte jo vetëm idhull filmi për Agronin, por edhe një shtysë e fortë për t’u marrë me këtë sport. “Prej vegjëlisë e kam pasur pasion karatenë dhe sportet luftarake. Jam frymëzuar nga filmat. Gjithmonë kam imituar stilin e yllit të filmit aksion, Van Damme”, thotë Agroni për albinfo.ch.

 

Pas filmit, karatenë e kishte përjetuar në realitet pasi kishte emigruar në Zvicër. Në shkurt të 1998, ai fillon kursin zyrtar të karatesë si 14-vjeçar në shkollën e karatesë në Ryti të Zvicrës, ku kishte emigruar me familjen. Falë filmave të Van Damme-it, brenda një viti Agroni ndërroi katër rripa të karatesë, për të arritur kulmin më 2004 me rripin e zi të federatës zvicerane. Në të njëjtën shkollë të karatesë në Ryti, ai aktualisht po ushtron profesionin e trajnerit, bashkë me mësuesen e parë të karatesë, Eveline Knupp. “Qëllimi është që të rinjtë të jenë të angazhuar me sport dhe të largohen nga rruga. Në të njëjtën kohë do të evitohet edhe dhuna midis të rinjve, sepse gjithë atë energji negative do ta harxhojnë duke ushtruar karatenë”, thotë Pajaziti, tashmë trajner.

 

Por, çfarë thotë mësuesja e parë e Agronit, kampione evropiane në karate, Eveline Knupp?

 

“Ishte 14-vjeç kur ka nisur për herë të parë stërvitjet në karate. Ka qenë shumë i motivuar, i përpiktë, korrekt dhe tepër i edukuar. Qëllimi i tij ka qenë gjithmonë të fitojë sa më shumë trofe dhe medalje. Pika e tij e dobët ka qenë nervozizmi”, përshkruan personalitetin e Agronit mësuesja e tij e parë e karatesë. “Me kalimin e kohës, Agroni e kuptoi që fitimi i medaljeve nuk është suksesi i vetëm në këtë sport. Agroni pastaj ka filluar ta braktisë sportin dojo, dhe ka filluar të mësojë dhe të kuptojë artin e karatesë dojo. Prej atij momenti, në të gjitha taktikat dhe lëvizjet e tij, ka filluar t’i flasë zemra. Sot ai jeton me artin e karatesë”.

 

Agroni tashmë është shndërruar në idhull për të rinjtë në Zvicër, të cilët ushtrojnë sportin e karatesë. “Të rinjtë e shikojnë kokëlartë dhe duan ta imitojnë. Jam shumë e gëzuar që e kam shoqëruar Agronin gjatë gjithë kësaj rruge të suksesshme”, shprehet Knupp. Që e kishte kuptuar vërtet artin e sporteve luftarake, Agroni e konfirmoi me pjesëmarrjen në “Budo Galla” më 2010 në Bazel. Karateisti kosovar ishte përzgjedhur në një konkurs të shpallur të aktorit të njohur zviceran, Guido Weslere, për të qenë pjesë e spektaklit “Budo Galla”. “Garë nuk bëhet vetëm në ring, por industria e filmit në këtë zhanër ka marrë hov njësoj në vendet aziatike”, tha Agroni. Në këtë spektakël Agroni kishte realizuar një ëndërr, jo vetëm që të takonte idhullin e tij, aktorin e njohur të filmave aksion, Jean-Claude Van Damme, por edhe të kuptonte se sa është i rëndësishëm arti i sporteve luftarake.

 

“Ishte ndjesi e mirë kur më tha se e dinte ku është Shqipëria”, kujton Agroni. Më tej ai thotë se Van Damme e inkurajoi që të punonte më shumë për të qenë i suksesshëm në film. “Vazhdo kështu, perspektivën e ke përpara, ec, por me këmbë në tokë”, ishte këshilla e aktorit të njohur belg. Agroni aty kishte prekur botën e filmit, duke takuar artistë dhe regjisorë. “Budo Gala” në Zvicër, skenë ku janë ngjitur edhe yje nga Hollivudi, ia ka hapur dyert e filmit karateistit nga Kosova. “Risiko KO” është projekti filmik i regjisorit zviceran Samuel Ebveter, ku personazh kryesor është kosovari Agron Pajaziti. Filmi është xhiruar në Itali Holandë dhe Australi. Agroni në të njëjtën kohë po vijon shkollimin për të mësuar teknikat e filmit në Tracking Academy në Will të St. Agllenit. Agroni ka luajtur në disa role edhe në filma të shkurtër festivalesh me produksione të ndryshme zvicerane.

 

 

November 5, 2012 10:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*