Vandush Vinçani: Vetëvrasja e Nako Spiros, skenari i jugosllavëve e Koçi Xoxes për eliminimin e tij

Kujtim Boriçi May 22, 2013 15:00

Vandush Vinçani: Vetëvrasja e Nako Spiros, skenari i jugosllavëve e Koçi Xoxes për eliminimin e tij

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes. Dëshmia në vazhdim e Fadil Paçramit, Vandush Vinçanit dhe gazetarit Sotir Papuli lidhur me reagimin dhe kënaqësinë e të pandehurve pas vetëvrasjes së Nako Spiros. Përplasjet e para me të dërguarit e Titos.

 

Dëshmia: Koçi Xoxe e Nuri Huta nuk e fshihnin kënaqësinë për vetëvrasjen e Nako Spiros. Ndërsa diplomatët jugosllavë, direkt dhe indirekt linin të kuptonin se ai ishte kundër miqësisë me Jugosllavinë. Dhe këtë fund që përgatiti vetë, e meritonte!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Pas dëshmisë së funksionarit të lartë Fadil Paçrami, seanca e 9 e gjyqit kundër Koçi Xoxes vazhdon me dëshmitë e Vandush Vinçanit dhe gazetarit Sotir Papuli.Vetëvrasja e Nako Spiros, ishte skenar i jugosllavëve e Koçi Xoxes për eliminimin e tij. Koçi Xoxe e Nuri Huta nuk e fshihnin kënaqësinë për vetëvrasjen e Nako Spiros. Ndërsa diplomatët jugosllavë, direkt dhe indirekt linin të kuptonin se ai ishte kundër miqësisë me Jugosllavinë. Dhe këtë fund që përgatiti vetë, e meritonte!” – pohon mes të tjerave në këtë seancë dëshmitari Vinçani…

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Vazhdojmë seancën e nëntë me pyetjen e të pandehurve. Pyetet dëshmitari Fadil Paçrami për të pandehurin Nuri Huta…

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Çfarë ndodhi pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kulturore?

 

Fadil Paçrami(Dëshmitar): -Pas përfundimit të marrëveshjes kulturore me Jugosllavinë, ka ardhur në zyrën time në Ministrinë e Arsimit Mirko Çukoviqi së bashku me Nuri Hutën i cili bënte rolin e përkthyesit. Ai, Nuriu më tha se duhen forcuar marrëdhëniet tona pasi ka pasur disa gabime dhe ato duhet të rregullohen. Ai Mirko, me përkthimin e Nuri Hutës më tha se duhej një njeri për të koordinuar punët duke lënë të kuptoj për nevojën e një këshilltari jugosllav në Ministrinë e Arsimit. Unë i thashë se kemi një këshilltar sovjetik dhe nuk kemi nevojë për një tjetër. Me gjithë këtë, i thashë, do ja parashtroj qeverisë. Pastaj ai më ftoi të shkoj në Jugosllavi, por unë i thashë se do të shkoj në Moskë. Për këtë, kur dolën nga zyra, Nuri Huta më tha se nuk bëre mirë që ja the “copë” se do të shkoje në Moskë e jo në Jugosllavi.

Pastaj, në Komisionin e Agjit-Prop-it, pikërisht kur situata ishte e rëndë dhe jugosllavët donin të shtinin në dorë sektorin e kulturës në vendin tonë, Nuri Huta shtronte nevojën e një këshilltari jugosllav në Ministrinë tonë të Arsimit dhe një këshilltar tjetër jugosllav për në teatër.

Ka qenë rasti një herë që kishte ardhur një kompozitor jugosllav për të ngritur një kor, e kur nuk kishte filluar ende nga puna, i pandehuri Nuri Huta, në mënyrë brutale dhe arrogante i bërtet Zihni Sakos duke i thënë se ti je një njeri i Sejfulla Malëshovës dhe nuk tregon aspak kujdes për këtë shok jugosllav që ka ardhur për të na ndihmuar. Unë e thirra të pandehurin dhe i thashë se përse i bërtet kështu Zihniut. Dhe ky, i pandehuri, më tha se i fola kështu se u nxeha.

 

Kryetari: -Nuri Huta kishte autorizim që të shkonte tek jugosllavët?

 

Fadil Paçrami: -Nga ne nuk kishte autorizim i pandehuri Nuri Huta që të shkonte tek jugosllavët. Ne e dinim se ai shkonte dhe mendonim se kjo ishte një miqësi e thjeshtë. Ky ka propozuar që të kemi marrëdhënie direkt me Komisionin e Agjit-Prop-it jugosllav. Në Komisionin e Agjit-Prop-it vinte dhe i deleguari i Ushtrisë, Pëllumb Dishnica dhe kur ky shtronte çështje të ushtrisë, i pandehuri Nuri Huta thoshte se shih se sa mirë shkojnë punët në ushtri. Në Komision, Nuri Huta mbështetej nga Niko Opari.

 

Kol Dhimitri(Avokat, mbrojtës i të pandehurit Nuri Huta): -Kërkoj të pyetet dëshmitari nëse atëherë dyshohej që politika jugosllave të ishte një politikë armiqësore ndaj Bashkimit Sovjetik?

 

Fadil Paçrami: -Atëherë, natyrisht nuk mund të dyshohej për një politikë jugosllave që të ishte armiqësore me Bashkimin Sovjetik. Fakt është se ky nuk mund të quhet i ekzaltuar se ky i dinte të gjithë gjërat e rëndësishme e të gjitha krizat që kalonte Partia dhe vendi ynë.

 

Kol Dhimitri(Avokat, mbrojtës i të pandehurit Nuri Huta): -Në atë situatë të atëhershme, a ishte e mundshme ndonjë rrymë anti-jugosllave, lejohej një gjë e tillë?

 

Fadil Paçrami: -Atëherë nuk lejohej një gjë e këtillë.

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Vija ishte në bazë të aleancës dhe konsiderohej e drejtë dhe e sinqertë, por aleancat nuk ishin për shitjen e Shqipërisë. Aleanca duhet të ishte e sinqertë dhe e drejtë. Por fakt është që ajo u shtrembërua dhe degjeneroi. Dhe këto gjëra i pandehuri i ka ditur dhe ka punuar në këtë rrugë të shtrembër. Dhe këtu del roli i agjentëve, sepse nuk është e shkëputur vajtja e të pandehurit Nuri Huta në Beograd, dërgimi në Shkollën e Partisë, bisedimi me personalitetet jugosllave e të tjera. Ky qe në korrent të të gjithave, anciponte çdo eveniment me rëndësi dhe hidhte parulla para Partisë dhe popullit.

 

Avokati Kol Dhimitri: -Kërkoj të pyetet dëshmitari. Për shkak të pozitës që kishte i pandehuri, a ishte e  nevojshme që të kishte kontakt me jugosllavët?

 

Fadil Paçrami: -Nuk ka pasur gjëra speciale Nuriu që të takonte jugosllavët. Po ta pranojmë ashtu, ai duhet të kishte një politikë të jashtme më vete. Kurse vijën dhe politikën duhej ta merrte në Komision dhe jo tek jugosllavët, siç bënte duke i marrë më përpara gjërat atje dhe mandej i shtronte në Komision.

 

Avokati Kol Dhimitri: -A ka qenë Sekretar i Shoqërisë për Lidhje Kulturale me Jugosllavinë i pandehuri Nuri Huta dhe për këtë shkak, të kësaj cilësie, kishte kontakte me jugosllavët?

 

Fadil Paçrami: -Ky qe Sekretar i Shoqërisë, por në realitet qe vetëm nominal në këtë detyrë sepse gjithë punën e kryente Vasil Llazari dhe Nuriu më ka thënë se e gjeta rastin ta rras brenda atë se ka abuzuar një shumë prej 600 lekësh. Dhe në fakt, Vasil Llazari u arrestua nga Vango Mitrojorgji. Dhe më duket se ndodhet ende në burg me pretekstin se kishte abuzuar me shumën prej 600 lekësh por qëllimi ishte gjetiu, se e konsideronte pengesë.

 

Kryetari(Frederik Nosi): -I pandehur Nuri Huta, ç’keni për t’i thënë kësaj dëshmie?

 

Nuri Huta: -Ka disa të vërteta në deponimet e dëshmitarit, por shumica janë të ekzagjeruara. Për shembull, artikulli që u shkrua për çështjen e bursave është dhënë urdhri nga Niko Opari dhe është shkruar nga Androkli.

 

Kryetari:- Dëshmitari Vandush Vinçani, ç’keni për të deponuar?

 

Vandush Vinçani(Dëshmitar): -Në një rast, kur unë isha me Foto Stamon e me Adem Radën dhe ishim të dëshpëruar për vrasjen e Nako Spiros, sa dikush prej nesh edhe qante dhe e dinim se ai ishte vrarë aksidentalisht, erdhi në këtë kohë qe i pandehuri Nuri Huta. Pamë që atij nuk i bënte asnjë përshtypje dhe tregohej si i çuditur, pyeste se si ishte kjo vrasje aksidentale!!! Pastaj tregoi se në një mbledhje që kishin pasur me jugosllavët, kishte parë një lëvizje dhe nga ana tjetër kërkonte prej nesh të mësonte se si u bë vrasja, si ishte koburja… Domethënë, në një mënyrë që të ngjallte dyshim se nuk ishte një vrasje aksidentale. Të nesërmen Nuriu më tha përsëri se kishte shumë versione në lidhje me vrasjen e Nako Spiros. Thoshte se disa thonë ndryshe, e të tjerë thonë ndryshe. Pastaj, para se të bëhej varrimi i shokut Nako Spiro, i pandehuri Nuri Huta ka ardhur në Komision dhe më ka thënë se është mbledhur Qarkori i Tiranës dhe ka  vendosur që pjesëmarrja e nëpunësve në varrim të mos jetë e detyrueshme. Nuriu tha se edhe atë e kishin caktuar për të bërë roje tek kufoma dhe kishte vajtur jo se kishte dashur, por se e kishin urdhëruar. Gjatë kohës që zhvillohej ceremonia e varrimit, Nuriu ka ardhur në Komision dhe na ka thënë se në qoftë se ai ka vrarë veten, ka bërë një gjë që tregohet shumë i poshtër sepse po të ishte burrë e komunist duhej t’i jepte llogari Partisë dhe popullit. Nga kjo them se kur të gjithë ne dinim se Nako është vrarë aksidentalisht, i pandehuri Nuri Huta e dinte që më parë se kishte vrarë veten dhe dinte të gjitha gjërat që u shtruan mandej në Plenumin e 8-të. Dhe për të gjitha këto, ai informohej nga Legata Jugosllave.

Pastaj kur Koçi Xoxe ka mbajtur fjalimin në Shkollën e Partisë, Nuri Huta na ka thënë se këtë radhë mungon vetëm shpallja e emrave dhe bënte përpjekje të dinte se kush ishin ata njerëz që ishin kundër jugosllavëve. Gjatë Plenumit të 8, Nuriu përpiqej të dinte se cili ka qenë ai që ka hequr parullën Bashkim-Vëllazërim. Dyshonte se këtë parullë e kishte zhdukur Mumtaz Shehu në hekurudhë.

Për sa i përket planit 5-vjeçar si autarkik, shoku Misto Treska ka thënë se Nuriu kishte hedhur parullën se ky plan ishte autarkik, ashtu siç thoshte klika e Titos. Këto fakte tregojnë se i pandehuri Nuri Huta nuk ishte entuziast për aleancën e drejtë në vijën e Partisë, por ishte kryekëput në shërbim të jugosllavëve dhe jashtë rrugës së Partisë.

 

Kryetari: -I pandehur Nuri Huta, çfarë ke për ato që thotë dëshmitari?

 

Nuri Huta(I pandehur): -E vërteta është se kam biseduar me Nakon për Konventën por nuk i kam thënë ashtu dëshmitarit, siç deponoi ai para gjyqit. Ajo që tha për fjalimin në Shkollën e Partisë është e vërtetë, por jo me ndonjë qëllim. Edhe për varrimin e Nakos kam thënë një gjë që ishte e qartë për të gjithë.

 

Prokurori: -Çfarë të ka thënë Çukoviqi për Mehmet Shehun?

 

Nuri Huta: -Çukoviqi ka atakuar artikullin e Mehmet Shehut pse nuk përmendej fare aleanca me Jugosllavinë. Tjetër gjë nuk më ka thënë.

 

Sotir Papuli(Dëshmitar. Vjeç 26, banues në Tiranë, gazetar): -Me Nuri Hutën kam bashkëpunuar se ky ishte në seksionin e brendshëm dhe të jashtëm të shtypit. Me këtë kam pasur edhe si një farë marrëdhënie miqësie. Nuriu nuk është hapur mirë pas vrasjes së shokut Nako dhe më ka thënë për një artikull të shokut Mehmet Shehu që kishte shkruar me rastin e 10 korrikut. Më tha se nuk del roli i aleancës me Jugosllavinë…

Kam dëgjuar në këtë gjyq se i pandehuri Nuri Huta ka thënë se nuk njihet me agjentin jugosllav Safet Filipoviç. Ky me Safetin ka qenë njohur mirë dhe bile, në mbrëmjen e gazetarëve, më 1 janar 1947 e kishte ftuar këtë si shok. Ky me Safetin shkonte në banjë dhe me makinën e Safetit ka dërguar një herë të shoqen në Pogradec. Dhe këtë e di se kam qenë dhe unë në atë makinë…

Në këtë gjyq doli dhe puna e gazetës ‘Hosteni’. Unë isha përgjegjës i kësaj gazete. Në kohën që gjykohej grupi i sabotatorëve të Maliqit, i pandehuri Nuri më tha se duhet të bëjmë një skicë për të goditur Ministrin e Botores. Për këtë qëllim thërritëm Bumçin, ai që bën skicat dhe në bazë të direktivave që i dha Nuriu, ai përgatiti skicën që u botua në ‘Hosteni’. Përgatiti dhe një skicë tjetër që nga zyrat e Ministrit të Botores të shihej Maliqi dhe pranë një penxhereje, karikatura e shokut Abedin Shehu. Tani unë realizoj se çfarë lidhje ka pasur kjo punë që po del sot në këtë gjyq.

 

Koçi Xoxe: -Kur është bërë gjyqi i sabotatorëve të Maliqit, unë kam qenë në Beograd ku kam qëndruar një muaj. Kështu që, nga këto, nuk di gjë fare.

 

Sotir Papuli: -Më kujtohet dhe një rast tjetër në një mbrëmje që bëhej në Lidhjen Kulturore me Jugosllavinë. Në këtë mbrëmje po hidhnin valle Koçi Xoxe me Pandi Kriston dhe i pandehuri Nuri Huta më ka thënë “shihi këta, këta janë punëtorë të fortë”, duke më lënë të kuptoj se këta ishin ata persona që kishin fuqi. Gjithashtu i pandehur Nuri Huta më ka thënë se me shokun Nako e kishte pasur mirë më parë, por kur u kthye nga Greqia, kishte ndryshuar opinionin për të. Kur Nuriu ishte në Komisionin e Shtypit, kryetar i Komisionit në Komitetin Central ishte shoku Manush Myftiu. Dhe ndërsa letrat e V.K.P.(b) kishin ardhur dhe shoku Manush ishte disi i trishtuar, i pandehuri Nuri vazhdimisht më pyeste se përse nuk botonim nga Jugosllavia, përse nuk botonim një lajm nga ‘Borba’. Dhe më 25 maj të vitit 1948 më ka thënë pse nuk është botuar gjë në faqe të dukshme për Titon, por është shënuar pak në faqen e fundit. Më tha se kjo gazetë ka për të mbetur historike.

 

Kryetari: -I pandehur Huta, çfarë ke për t’i thënë këtij dëshmitari?

 

Nuri Huta: -Po, me dëshmitarin kam biseduar. Por në deponimet e tij ka gjëra që janë të trilluara. Nuk është e vërtetë që unë të kem njohur Safet Filipoviçin. Por ky e konfondon (e ngatërron) këtë me atasheun ushtarak jugosllav…

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshminë e të pandehurit Nuri Huta: Çfarë më tha Koçi Xoxe pas debatit që bëra me Fadil Paçramin në dhjetor të vitit 1946 dhe mendimi i Xoxes për lidhjet midis Enver Hoxhës e Nako Spiros.

-Dëshmia e Koçi Xoxes: Arrestimi i pjesëtarëve të ‘Grupit të deputetëve’ u bë me urdhrin tim, por kisha marrë mendimin e Enver Hoxhës.

-Dëshmia e Nesti Kerenxhit: Ekzekutuam 18 vetë pa gjyq në Peshkopi me urdhër të Koçi Xoxes. Reagimi i të pandehurit Koçi Xoxe.

Kujtim Boriçi May 22, 2013 15:00
Komento

1 Koment

  1. Gramoz May 22, 18:52

    DAVA QENESH

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*