Vangjel Zhapa, shenjtori shqiptar endé i pakurorëzuar

Mihal Gjergji April 12, 2015 13:12 Updated

Vangjel Zhapa, shenjtori shqiptar endé i pakurorëzuar

Ndërsa Rumania organizon përvjetorë themelimesh të teatrove apo universiteteve të financuara nga ky bamirës, komente pa fund në shtypin e shkruar, boton libra dhe promovon monografi kushtuar Vangjel Zhapës; Greqia e rendit ndër burrat më të shquar që kanë kontribuar për këtë komb (sigurisht që s’nguron t’i bashkëngjit edhe kombësinë greke siç bën edhe me personalitete të tjera të shquara shqiptare që kanë kontribuar për këtë vend); Turqia përkujton dhe vlerëson me nderim emrin dhe bamirësitë e tij në fushën e arsimit; në Shqipëri s’zhvillohet asnjë aktivitet kushtuar këtij burri të shquar. Asnjë shkollë s’mban emrin e tij, megjithëse ka hapur apo financuar dhjetëra të tilla, jo më pak se 120 shkolla të ndërtuara e rindërtuara në Gjirokastër, Delvinë, Përmet, Sarandë, Janinë etj. Asnjë rrugë s’mban emrin e nderuar të Zhapës, megjithëse ka ndërtuar shumë të tilla, krahas veprave të kultit. Sa keq!

Vetëm Labovës i dhimbset Vangjeli, si nënës djali. Vetëm labovitët kanë bërë përpjekje për të mësuar sa më shumë rreth jetës dhe veprimtarisë bamirëse të bashkëfshatarit të tyre, jashtë atdheut.  Janë të shumtë ata që kanë shkruar për Vangjel Zhapën: Vangjel Meksi, Qirjako Hila, Thanas Hoda, Thanas Meksi, Ilir Kontini, Agron Alibali, Fedhon Meksi, Filip Boga, Koço Toti, Dhimo Mali, Fejzi Hoxha, Foto Toti etj. Prof. Thanas Meksi dhe shoqata “Odria” që ai drejton, vazhdojn të investojë kohë dhe përkushtim për të dokumentuar të vërteta të panjohura ende. Fisniku Thanas Hoda, laboviti i internuar në fshatrat e Tepelenës gjatë viteve të diktaturës komuniste, mësuesi i apasionuar i historisë, në librin e tij “Rrugët e jetës më shpien në Labovë”, shkruan me një gjuhë shpirtërore dhe me pjekurinë e mendimit që të jep mosha: “Zhapajt vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje pas mohimit të gjatë nga qeveritë komuniste dhe dhunimit satanik të varreve dhe eshtrave të tyre në gjirin e varfëruar të Labovës në vitin 1967”.

Në vitin 1967, në kohën kur u shpall ashpërsisht lufta ndaj fesë, monumenteve të gdhendur në mermer të bardhë e të ardhur ndoshta që nga Rumania të Vangjel e Konstandin Zhapës, u hoqën pjesën fundore, ose më saktë bazamentin ku ishte gdhendur Shën Maria me Jezusin në gji. Ishte njëlloj si t’u hiqje besimin ndaj zotit, megjithëse ishin të vdekur. Mirëpo ky ishte një mësim për labovitët që shikonin me dhimbje e që s’mund të protestonin nga frika e diktaturës.

Goditja e dytë dhe më fatkeqe ishte në vitin 1992. Një labovit, për arsye që ende s’janë zbardhur, i ngarkoi në një makinë dy bustet e Vangjel e Konstandin Zhapës dhe u nis për t’i shpurë në Greqi. Mbase ia kishin kërkuar në këmbim të ndonjë shpërblimi të mirë, mbase… Policia shqiptare, i kapi dhe i ktheu mbrapsht, i shpuri në ambientet e komisariatit Gjirokastër, ku qëndruan disa muaj, pastaj u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë. Vite më vonë, me këmbënguljen e shoqatës kulturore-atdhetare “Odria” dhe me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, u ndërtua një bust i ri për Vangjel Zhapën, sigurisht jo si ai për të cilin folëm më lartë, por një i thjeshtë, sa për ta kujtuar.

Pak histori për lexuesit kureshtar

05_bigVangjel Zhapa ka lindur më 23 gusht të vitit 1800 në fshatin Labovë e Madhe, në rrethin e Gjirokastrës. Biografët që kanë shkruar për Vangjelin, theksojnë se ky i fundit është larguar nga Labova në moshën 13 vjeçare dhe ka shkuar në Janinë. Atje është përkrahur nga bashkëfshatari i tij Vangjel Meksi, i cili ushtronte profesionin e mjekut popullor në Vilajetin e Janinës. Për një periudhë gati pesë vjeçare, bashkëpunoi me Vangjel Meksin dhe mësoi prej tij mjeshtërinë e përdorimit të bimëve kurative që rriteshin në malet shqiptare. Jo më pak se dy vite, Vangjeli shërbeu si ushtar në garnizonin e Ali Pashë Tepelenës, ndërsa më vonë u shkëput (1820) dhe u bashkua me kryengritësit suliotë në revolucionin grek kundra Turqisë, duke luftuar në krahë të Marko e Kosta Boçarit, Zervës, Vejkut, Panarjasë, Gurras etj, për çlirimin e Sulit, Mesollongjit, Vasilikas, Termopile, Aito, Gravia, Spllanxa, etj. Trupi i tij mban shumë gjurmë lufte dhe është plagosur më shumë se 5 herë.

Ai është nderuar me medaljen e argjendtë:” Për kontribut në luftën për pavarësi të Greqisë”. Kjo konfirmohet edhe nga ministri i Jashtëm i Greqisë L.Deligeorges në një shkresë që mban datën 31.12.1890. Në shënjë hakmarrjeje, turqit i arrestuan nënën, Sotirën dhe i morën gjithë pasurinë që zotëronte në fshat. Revista greke “Epirotiqi Eteria” botimi i vitit 1996 në Athinë, e pasqyron shqetësimin e Vangjelit për këtë ngjarje: “…e nderuara mëma ime plakë me urdhër të vezirit turk, Qytahi, më 1825 u rrëmbye nga shtëpia dhe u soll e lidhur me pranga në Janinë, ku e izoluan për dy vjet në burgun e nëndheshëm të ishullit të liqenit të Janinës…gjërat e shtëpisë sime u bënë plaçka për të dërguarit e vezirit Kalobej Kastrino…Nëna ime e di që i kam jetën borxh atdheut dhe gjallë ta pjekin ajo nuk do të ankohet”. Kjo është shkëputur nga letra e protestës, që Vangjel Zhapa në vitin 1845 i drejton Konsullatës greke në Bukuresht, duke u ankuar kështu për vlerësimin e pamjaftueshëm të bërë nga pushtetarët grekë të asaj kohe.

Shteti shqiptar do të mungonte edhe për 87 vite të tjera, prandaj nënshkrimet e Vangjelit saktësonin: nga Labova e Epirit. Pas 18 vitesh largimi nga vendlindja e tij, Labova,Vangjeli kthehet përsëri për të takuar njerëzit e gjakut dhe për t’u çmallur me natyrën e bukur të Odries, që e shoqëronte ngado. Duhet të merrte bekimin e nënës para se të largohej në rrugën e fatit. Për pak kohë qëndroi në disa territore të Greqisë, mirëpo nuk gjeti ngrohtësinë që priste. Megjithëse ishte oficer i graduar dhe i dekoruar, luftëtar i shquar për jo më pak se 10 vite ( 1820-1830), e braktisi qëndrimin e mëtejshëm në radhët e armatave greke, për shkak të pakënaqësive ndaj drejtuesve të tyre. Zgjodhi Rumaninë si vendqëndrim të tij, atdheun e “adaptuar” siç e quante edhe vetë. Mendonte të merrej me bujqësinë, për të cilën kishte jo vetëm njohje, por edhe një praktikë të bollshme.

Historia me vajzën e mbretit të Rumanisë, e vërtetë dhe jo legjendë

Fillimisht ushtroi profesionin e mjekut popullor të cilin e njihte shumë mirë dhe e kishte ushtruar me sukses mes banorëve të Janinës dhe me luftëtarët e plagosur në luftë. Bënte vizita pa shpërblim duke fituar emër në një kohë të shkurtër. Ora e fatit trokiti. Mbreti i Rumanisë, Maruzi, kishte vajzën të paralizuar nga gangrena. E kishin vizituar mjekë nga më të mirët dhe i kishin sugjeruar prerjen e këmbës. E vizitoi edhe Vangjel Zhapa, i cili i premtoi mbretit se do ta shërojë.

Falë mjeshtërisë së tij në njohjen e vlerave kurative të bimëve mjekësore, brenda 5 muajve, vajzën e mbretit e ngriti në këmbë. Mbreti i fali Vangjelit një sipërfaqe të madhe toke brenda së cilës ishte edhe një mulli bloje me ujë. Mirëpo fati s’ishte vetëm ky, ai rridhte si një lumë që do të shtohej nga prurje të reja. Një shoqëri anglo-persiane, naftëkërkuese, mbasi kishte vërtetuar se në këtë tokë kishte rezerva të mëdha nafte, i kërkoi pronarit të ri bashkëpunimin. Aksioneri shqiptar filloi të pasurohej në mënyrë të rrufeshme, duke blerë toka të tjera, prona të ndryshme dhe duke investuar lekët e fituara.

Mbas dy vitesh qëndrimi në Rumani, ftoi edhe kushëririn e parë të tij, Konstandinin 20 vjeçar. Pronat e tyre shtohen në Broshten, Jalomicë, Bereaska, Pisika etj, duke arritur në 66 çifliqe (1860). Për secilin prej tyre fitonin rreth 1500 napolona flori në vit, duke u bërë kështu një nga pronarët më të mëdhenj të tokës në Rumani. Në vitet 1935-1938 Vangjeli ka ndjekur studimet në Paris. Për idetë dhe eksperiencën në fushën e agrokulturës, gjithashtu për dijet që zotëronte, iu akordua titulli i lartë “Këshilltar i oborrit të mbretit të Rumanisë”. Në vitin 1856, i drejton mbretit të Greqisë një propozim me synimin e mëposhtëm: afron të gjitha shpenzimet financiare për rilindjen e Olimpizmit moderrn në djepin e vjetër të origjinës, në Greqi. Jep si dhuratë 400 aksione që posedon në shoqërinë e lundrimit në Rumani, gjithashtu edhe 3000 napolona flori. I detyruar përballë kësaj dhurate kaq të madhe, mbreti Othon, në gusht 1856 publikon dekretin mbretëror ku mishërohet edhe konkretizimi i nismës së bamirësit labovit.

Finalizimi i këtyre përpjekjeve u kurorëzua me sukses në nëntor të vitit 1859, vit në të cilin u realizua çelja e parë e manifestimeve olimpike. Me vendim të qeverisë greke (30.11.1869) jepet një truall në qendër të Athinës ( sipas kërkesës së Vangjelit) për ndërtimin e një kompleksi modern, i cili u quajt Pallati “Zappion” ose siç emërtohet ndryshe nga vendasit-një stoli floriri në mes të kryeqytetit. Në të majtë të hyrjes së këtij pallati, shteti grek ndërtoi një statujë madhështore përjetësimi të Vangjel Zhapës.

Para disa ditësh filantropi Vangjel Zhapa nga Labova e Zhapës, Gjirokastër, u nderua nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Si atdhetar dhe bamirës i shquar shqiptar i Shqipërisë, Greqisë, Rumanisë dhe Turqisë”.

Veprat e Zhapës, jashtë vendit…

Në Rumani ka financuar ndërtimin e Akademisë , Universitetin dhe Teatrin e Bukureshtit, në Broshteni Kishën e Shën Vangjelizmoit dhe disa rrjete të rëndësishëm hekurudhorë, ndihma konkrete për spitalet e këtij vendi etj;

Në Turqi ndërtoi godina publike për bamirësi, në Stamboll, Edrene, Kerkelleri, Firkides, shkollë në truallin e Sulltan Bajazitit etj;

Në Greqi, ndërtoi Stadiumi Olimpik, duke ringjallur Lojërat Olimpike, pallatin “Zhapion”, rrugë, jetimoren e Amelias (Peloponez) që i jepeshin 100 napolona flori çdo vit, ka financuar ndërtimin e shkollave të shumta (në Kostandinopojë e Adrianopojë). Studiuesi i njohur grek Aleksandër Farmaqi, ka shkruar: “Asnjë copë e tokës greke nuk lindi kaq bamirës sa Epiri”.

Vangjeli besoi që pasurinë ta linte në duart e shtetit grek, për arsye se në Shqipëri s’kishte shtet, s’kishte siguri, dhe shuma kaq të mëdha s’mund të administroheshin ndryshe. Sigurisht që të gjitha këto janë mendimet tona dhe jo fakte të dokumentuara të Vangjelit.

 

…Në Shqipëri

Në Shqipëri hapi shumë shkolla sipas modelit të shtetit grek të asaj kohe në Lekël, Dhrovjan, Karajan, Kakoz, Nivan, Përmet, Delvinë, Filat, Qeparo etj. Për këto shkolla paguante nga 1200 franga ari në vit (pagesa mësuesish e tjera), ndërkohë që paguan botimin e dy abetareve të Naum Veqilharxhit në Bukuresht, gazetën “Pellazgu” që botohej në Lamia të Greqisë(1859-1861) e shumë kontribute të tjera. Shumë familje të varfra të Labovës( mbi 50) kanë përfituar ndihma konkrete financiare nga Vangjeli për një periudhë të gjatë kohore, rreth 250 napolona flori ndihmë vjetore; nga 160 mësues labovitë, rreth 90% e tyre u shkolluan me financimet e Vangjelit; ngjitur me fshatin Tërbuq (Tre bujq) bleu një sipërfaqe të madhe toke nga ish pronarët dhe u fali banorëve të fshatit, ndërkohë që në Labovë ndërtoi manastirin dhe kisha të reja, në Hormovë financoi ndërtimin e Xhamisë, pra kontributet e tij janë të shumta dhe një pjesë e mirë e tyre të padokumentuara ende.

 

Askush s’kujtohet për këtë “pasunik të mirë”

Shumë studiues, të detyruar e kanë lënë të papërfunduar plotësimin e figurës madhore për të cilin flasim. Kjo ka arsyet e veta. Më kryesorja është gjuha. Materialet për Vangjel Zhapën janë të shkruara në gjuhët rumune, greke dhe turke, pra duhen përkthyer. E dyta është faktori ekonomik. Asnjë punë s’mund të bëhet pa mjete financiare, të cilat mundësojnë lëvizjen, studimin dhe publikimin e rezultateve. Për Vangjel Zhapën, i cili ka financuar qindra milionë dollarë në fushën e kulturës, askush s’kujtohet të investojë për t’i pasqyruar këto veprime bamirësie, duke mundësuar kështu edhe formësimin e portretit të plotë të këtij shqiptari, i cili mishëron dukshëm vlerat e mëdha shpirtërore që bartin edhe bashkëkombësit e tij më të mirë. Në epikën historike, bashkatdhetarët e tij shqiptarë, kontributin e Vangjel dhe Konstandin Zhapës e kanë përjetësuar në vargjet e këngës: “Kostandini në Vllahi/Mbushi Labovën flori/Bëri qish’ edhe skoli/Në Tërbuq bëri mulli/Në Hormov’ bëri xhami…”

 

Shqiptari që vuri në sherr katër shtete

Pasuria e jashtëzakonshme e Vangjel Zhapës, u bë shkak për tensionimin e marrëdhënieve Greko – Rumune, deri në ndërprerjen e tyre në vitet 1892-1896. Sipas testamentit “Zhapa”, pasuria e Vangjelit do të njihte si trashëgimtarë “shtetin e mbretërisë greke me disa kushte të përcaktuara e që të mos bëhen ndryshime”. Ekzistojnë dokumente në të cilat pasqyrohen letra të shtetit helen drejtuar Presidentit të Gjykatës së Shkallës Parë të Ilfovit në Rumani, e nënshkruar nga i ngarkuari me punë i Mbretërisë Greke A.Tombazis; letër tjetër e shtetit helen drejtuar Tribunalit të Jalomicës, e nënshkruar nga Kryeprokurorët: B.Gamesku dhe M.Kornea; nota të shumta proteste të ngarkuara me tensione, midis përfaqësive diplomatike të dy vendeve respektive, etj. Në këto kushte, shteti grek u detyrua të kërkojë ndihmën e fuqive të mëdha. Parimet e nënshkruara e të legalizuara në konferenca ndërkombëtare, u bënë të detyrueshme për zbatim.

 

Testamenti “Zhappa”

Në moshën 60 vjeçare, më 30 nëntor 1860, Vangjel Zhapa, në Broshten të Rumanisë harton dhe nënshkruan një testament të rëndësishëm, i cili vazhdon të quhet “Testamenti Zhappa”.  Për kureshtjen e lexuesit të interesuar, shumë shkurt po pasqyroj vetëm ato që në gjykimin tim mund të quhen kryesore:

– T’i jap njëherë e përgjithmonë dhe t’u ndahet në pjesë të barabarta shuma prej 30.000 leiva gjithë farefisit tim me të drejtë trashëgimie, 1000 verdhushka Komisionit të shkollave në Bukuresht, 1500 verdhushka komisionit të Olimpeve të Athinës, 1700 verdhushka Epitropisë së Labovës etj.

– Është i detyruar (trashëgimtari – M.Gj) të ndërtojë Stabilimentin e Olimpiadave së bashku me pasurinë e tij…Të ndërtojë dhe të zografisë kishën e manastirit të Tërbuqit…

– Mbas vdekjes së Kostandinit…komisioni i trashëgimisë së Athinës, detyrohet përgjithmonë për t’i dorëzuar këto dhurata (trashëgimi), atyre ku janë përcaktuar përgjithmonë…

– Ditën e dytë të shkurtit, të mblidhen në Labovë, ku është edhe vendi i shenjtë i takimit me zotin…përfaqësuesit e Epitropisë, me të marrë 1700 verdhushkat nga komisioni i trashëgimtarëve në Athinë, ti ndajë ato…

– Gjithë farefisi tim pa përjashtim, nga fisi në fis, kanë të drejtë të mbikëqyrin ekzekutimin e dispozitave të testamentit…

– Çdo ndryshim ose shtesë në këtë testament, do të bëhet vetëm me dorën dhe firmën time…

– Mbas vdekjes time, varrimi të bëhet në kishën e ndërtuar prej meje në Broshteni ( Shën Vangjelizmoi-M.Gj) para altarit të shenjtë…varri im të ndërtohet me gurë, përmbi varr të vendoset mbishkrimi: “ Këtu qetësohet mëkatari dhe robi i zotit…mbas katër viteve të nxirren nga varri eshtrat e mia dhe të rivarrosen përsëri: koka përpara stabilimentit të Olimpeve në Athinë, ndërsa eshtrat e mia në oborrin e shkollës në Labovë…

Testamenti “Zhapa” pas vitit 1940 s’është zbatuar, për rrjedhojë edhe përfituesit ligjorë të paracaktuar që para 155 viteve, të paktën shqiptarët, mbeten të tillë vetëm në letër.

 

Regjimi komunist dhe qëndrimi ndaj Vangjel Zhapës

Ekziston një urdhër i Enver Hoxhës i vitit 1955, për Kryeministrin Mehmet Shehu: të përdoren të gjithë mekanizmat shtetërorë dhe pasuria e Vangjel Zhapës të vijë në Shqipëri. Bëhej fjalë për një sasi prej 800 milionë dollarësh që administrohej nga Patriakana e Stambollit, pronar legjitim i së cilës ishte gjirokastriti nga Labova e madhe, Vangjel Zhapa. Shteti shqiptar nëpërmjet shoqërive komisionere filloi procedurat e nevojshme, të cilat asnjëherë s’patën suksesin e pretenduar.

35428215Ministria e Jashtme aktivizoi avokatin Arqiviadh Lamani për të verifikuar trungun familjar dhe lidhjet e afërta e shumë të afërta të Vangjelit. Këtë gjë, bashkë me pemën gjenealogjike të familjes Zhapa ia besuan për ta ndërtuar trashëgimtarit të fisit të Vangjelit, Jani Malos. Ndërkohë, ambasadori i Shqipërisë në Turqi Lik Seiti, vazhdonte interesimin në zbatim të detyrave të Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm. Shteti shqiptar aktivizoi kundrejt pagesave të larta ( 20% të shumës) edhe një avokat turk të quajtur Aqif Akçu.

Shumë pikëpyetje ngrihen mbi dështimin e këtyre përpjekjeve. Komisionerët tanë flisnin në emër të shtetit dhe s’përfaqësonin trashëgimtarët legjitimë të kësaj pasurie. Shqipëria ishte vend komunist dhe s’mund t’i besohej pasuria private e askujt, aq më tepër shuma kaq të mëdha, për arsyet e njohura se ky regjim e shtetëzonte pronën private, pra e tjetërsonte në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare, dhe pronarët legjitimë s’do ta gëzonin kurrë atë. Kjo e vërtetë u provua nga qindra e mijëra familje shqiptare që ende vazhdojnë përpjekje të dëshpëruara për të marrë pronat e gjyshërve dhe baballarëve të tyre, të grabitura e sekuestruara nga diktatura 50-vjeçare dhe më pas.

Edhe qeveria greke ishte interesuar që të mos binte në dorë të shtetit shqiptar kjo pasuri kaq e madhe. Qeveria greke kishte lënë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë (fatkeqësisht një gjëndje e tillë vazhdon edhe sot, me gjithë ndryshimet e shumta gjeopolitike !). Mardhëniet thuajse ishin të ngrira. Veç asaj, edhe në Greqi kishte pasuri shumë herë më të madhe të Vangjel Zhapës, të cilat ata asnjëherë s’do pranonin t’i tjetërsonin. Rumania ku Vangjel Zhapa kishte lënë miliarda dollarë, ishte nën regjimin komunist, i cili s’njihte pasuri të individit, prandaj edhe shteti shqiptar s’bëri asnjë përpjekje për ta kërkuar atë. Nën presionin e diplomatëve të shtetit të tij dhe nga kërcënimet e punonjësve të diplomacisë greke, të veshur me petkun e emisarëve të tregtisë, avokati turk Aqif Akçu u largua në mënyrë graduale derisa humbi çdo lidhje me përfaqësuesit tanë.

Shteti turk u la përfaqësuesve tanë një afat 10 vjeçar ( 1955-1965) për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm ligjor në përputhje me ligjet ndërkombëtare, ndërkohë, në vitin 1960, pasurinë e madhe të Vangjel Zhapës ia kaloi përsëri në përdorim Patriaknës ( të cilës ja kishte marrë në vitin 1940), për aq kohë sa t’i dilnin trashëgimtarët e vërtetë të saj. Arkivat e Athinës, Bukureshtit dhe Stambollit, mbajnë brenda një informacion të bollshëm e interesant për Vangjel Zhapën, por, ende të panjohur për studiuesit shqiptarë. Autorë të tjerë, të mirinformuar për problemin Zhapa, pretendojnë se me interesat e miliardave të tij e të administruara nga Greqia, kjo e fundit ka ndërtuar dhe vazhdon të ndërtojë me dhjetra kisha në trojet shqiptare brenda kufirit tonë shtetëror.

Nuk dihet nëse aktualisht shteti shqiptar ka tentuar për të kthyer në Shqipëri pasurinë përrallore të shtetasit të tij, dhe nëse po, a mund të shpresojë Labova e Madhe se mund të shikojë ndonjëherë ditë të bardha nga biri i saj, të cilin e ka mbajtur brenda gjirit deri në moshën 13 vjeçare, apo të kënaqet vetëm me shkëlqimin e emrit të tij, i cili s’ka për t’u shuar kurrë…

Testameti “Zhapa”, që prej viti 1940 vazhdon të jetë i “ngurtësuar” nga shteti helen, ndërkohë, trashëgimtarët ligjorë, së paku shqiptarët, vazhdojnë të jenë si të tillë vetëm në shkresat e hartuara nga bashkatdhetari i tyre para 150 vitesh.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mihal Gjergji April 12, 2015 13:12 Updated
Komento

5 Komente

  1. demo April 12, 19:35

    Vangjel Zhapa lindi ne Labove te madhe te Shqiperise(Gjirokaster) si shqiptar,u pasurua ne Rumani,por i sherbeu Greqise .Artikull shkruesi permend shifren e 1200 florinjve ne vit per pagat e mesuesve te shkollave qe hapi ne vendlindje.Hapi shkolla,por cfare shkollash hapi Vangjel Zhapa??Hapi shkolla greke.Ai ishte nje financues per greqizimin e Shqiperise,ashtu si Patrikana greke dhe shejtan Kozmai.Duhet ta kujtoje Greqia,jo,Shqiperia !
    Shqiptaret e greqizuar e quajne detyrim te Shqiperise kujtimin e Vangjel Zhapes,pse hapi shkolla greke.Pikerisht ne vitet e rilindjes Kombetare,kur Kristoforidhi shkruante abetare ne gjuhen shqipe.Te afermit e Vangjel Zhapes e luftuan mesuesin patriot nga Lunxheria Koto Hoxhi,qe hapi shkolla shqipe ne ato fshatra ku Vangjel zhapa financonte shkollat dhe kishat greke.Kisha greke ndrehyri tek te afermit dhe e vrau Koto Hoxhin.
    Nuk mund ta shderrojne Vangjel Zhapen nga emisar grek ne patriot shqiptar.Nuk mund te shnderrojne historine 150 vjet te vdekjes se ketij greku me gjak shqiptar si te gjithe greket.Ishte nje pule,qe vezen e beri ne furrikun e grekeve,Pasurine e vuri ne Rumani dhe ja la Greqise.Le ta nderoje Greqia.

    Reply to this comment
    • "Horri i Bulevardit" April 13, 07:07

      Po edhe ky artikullshkruesi Mihal Gjergji, ka menduar me vehte, se ta provoj njehere, se meqe ka ardhur koha te shpallen heronj ish tradhetaret, pse mos te bejm edhe zhepen hero te abetares.
      As se kam degjuar por nisem nga komenti jot.

      Reply to this comment
      • rerewwq April 13, 19:40

        Me mire lereni bosh gazeten se sa botoni shkrime mihalesh jorgosh & teveqel zhabes! Ky eshte nje gjakprishur, si shume e shume shqiptare te tjere! Pasurine ia duam, por shkollat e tij greke nuk na jane dashur e nuk na duhen!

        Reply to this comment
    • Laboviti October 24, 00:27

      Vangjel Zhapa me pasurine dhe fuqine qe kishte mund te shiste dhe te blente shtete te tera dhe skish nevoje te behej sherbetor i askujt per qellime te tjera. Ne kete shkrim autori shkruan me saktesi historine dhe vepren e Vangjel Zhapes ndersa ju mbroni ”idealet e partise”

      Reply to this comment
  2. caku April 13, 03:06

    Shqiperise i duhej vetem pasuria e Zhapes,e jo fama e tij.

    Reply to this comment
  3. demo April 13, 09:56

    @Horri i bulevardit
    Komenti im eshte i vertete,sepse mbeshtetet ne injorimin nga akademia e shkencave e Aleks.Budes per miljarderin Vangjel Zhapa nga Labova,qe i sherbeu me pasurine e tij Greqizimit.Sikur te ishte patriot shqiptar,sikur nje shkolle te vetme shqipe te kishte financuar,do te ishte permendur ne textet shkollore,sikunder patrioti Koto Hoxhi..Alex Buda,Kristo Frasheri etj.e kane njohur shume mire veprimtarine e Vangjel Zhapes,(financoi lojrat e para olimpike ne Athine,universitetin e pare grek,shkolla dhe kisha greke ne Shqiperi betj.)

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*