Vangjush Mio, piktor i madh shqiptar i traditës figurative

August 20, 2018 16:22

Vangjush Mio, piktor i madh shqiptar i traditës figurative

Moikom  Zeqo

Peizazhi i fundit,- dicka testamentale

Peizazhi i fundit  Vangjush  Mios (3 mars 1891-30 dhjetor  1957 )  është një pamje (pejsazh ) nga qyteti i lashtë i Beratit e i kështjellës së tij historike.

Berati i 1001 Dritareve !

Peizazhi mbeti i pambaruar.

Vangjush Mio vdiq siç i takonte: me penela në duar.

Në ngjyrat e paravdekjes, është epilogu i biografisë së tij artistike.

Peizazhi ndonëse i pambaruar s’ka nevojë për nënshkrim.

I lumtur është ai piktor që e arrin këtë.

Autorësia e pikturave është rezultat i tërë jetës së piktorit.

Kjo autorësi është stili, perceptimi vizual, bota mioane e pikturës, “pasaporta” e tij e fuqishme, artistike.

Vite  më parë ai mbylli sytë, në qytetlindjen e tij, në Korçë, që e deshi aq tepër.

Por jeta e tij në shumë pikëpamje vazhdon pa e përfillur cakun e vdekjes.

Atë e ndjen në ngjyrat e përjetshme të tablove, bile edhe në atë të mbramen.

Mio ( është identifikuar tërësisht me krijimet e tij.)

“Zërat” e relikeve-bicikleta, syzet, politra paharruar dhe violines

 Në shtëpinë e piktorit në Korçë (me portë e me dy shtylla vertikale të gdhendura guri e ornamente të hekurta të kangjellave).

Ruhet akoma biçikleta e vjetër e Mios.

(Biçikleta e peizazhit, “kali” im i punës, siç e quante me shaka, “ehu sa shumë kam udhetuar me të!”).

Ruhet gjithashtu edhe pipa e drunjtë e duhanit (“babait i pëlqente të pinte duhan mbas punës, tregon vajza e tij, e të vështronte për një kohë të gjatë ato që kish bërë”) .

Ruhen syzet dhe politra e ngjyrave.

Këto objekte intime na ndihmojnë e na vënë në lëvizje imagjinatën tonë.

Tregon ( e bija ). se piktorit shpesh qelqet e syzeve i bëheshin me pikëza ngjyre.

E ai shprehej se prandaj e shihte botën me spektra.

Me kaledeiskope dhe  grigja ylberash.

Kështu është ai e shihte botën përmes këtyre ngjyrave.

Me iridat e  syve  fiksuar mrekullisht ne telajot e tij- gati magjike.

Objektet s’kanë zë po ato mund t’i “deshifrojmë”.

Në këtë koleksion të dhembshur e të paharruar s’duhet të lëmë pa përmendur edhe diçka tjetër: një violinë.

Mio e adhuronte muzikën.

Ai ca kohë merrej edhe me violinën.

Njerëzit e familjes mbajnë mend meloditë korçare të cilat i shoqëronte me zë.

Objektet memoriale të Mios në heshtjen e tyre ruajnë kështu mjaft zëra që na e prezantojnë njeriun e artistin.

Po prap ato s’mund të luajnë atë rol që luan vetë piktura e tij.

Kjo është arsyeja që politrën e ngjyrave ne e shikojmë me emocione të posaçme.

Shënime të vetë Mios

Atelieja muzeale e Vangjush Mios është fare pranë shtëpisë së tij, në një banesë tipike popullore të restauruar para ca kohësh.

Në këto atelie janë ekspozuar një pjesë e madhe e pikturave.

Këtu ruhen edhe librat e piktorit.

Bien menjëherë në sy se Mio i ka konsideruar librat si instrumente pune.

Ai i ka shfletuar e ka lënë edhe shënime të shkruara imët po me kujdes me laps.

Mbledhja e tërë këtyre shënimeve përbën një material të çmuar.

Në to duket botëkuptimi i tij, qëndrimet ideoemocionale, vlerësimet mbi pikturën e botën.

Kur i pëlqente ndonjë pikturë Mio shënonte pranë emrit të autorit fjalët “mirë”, “mirkë”, “kolorist”, “ngjyra të paqme”, “admirabel” etj.

Mios i pëlqenin mjeshtrat e vjetër të mëdhenj, por mban edhe qëndrim kritik ndaj tyre.

Ja ç’thotë për pikturën e Ticianit “Hyrja e Maries në tempull: “kompozicion i madh, punuar si për afreska, gjithë fantazi, shumë natyrhollë e pak naiv”.

Mios i ka tërhequr vëmendjen skulptori i madh Roden.

Për kryeveprën e tij “Qytetarët e Kalese” Mio ka shënuar: „Janë të gjallë lëvizje admirabel.

 Format të bëra mirë.

 Një skicë e ekzagjeruar, por nuk humbet, karakterin e trupit, e jo vetëm ekspresia e tyre po edhe gjendja psikologjike.

Na e jep jetën, gjallërinë në çdo pjesë të trupit të rrëfen…”

Për një pikturë të Xhovani Belinit shënon: “Rafaelske! Madona është kaq e mirë, kaq e mirë e ka bukur e ka pikturuar sa nuk mund ta përshkruaj!“

Mio ka lënë shënime për piktorë francezë, spanjollë, amerikanë, holandezë, polak, rusë, rumunë etj., një pjesë e madhe e të cilëve janë të dekadave të para të shekullit e të viteve kur Mio ka qenë i ri.

Ka shumë rëndësi të theksohet se Mio mban qëndrim krejt të pa pranueshëm ndaj rrymave moderniste e avaanguardiste, që ishin kaq, të përhapura në vitet ’30.

Ai përdor për to fjalën: “ligsht!”

Në një album të disa piktorëve rumunë ka shkruar: “S’kanë gjëkafshë të re, janë të lodhur, aspak s’u intereson arti”.

Për një piktor italian shkruan: “Në dekadencë dhe nis rrugën e modernizimit. Delikatesa mungon megjithëse është nxënës i Luigji Nanos”.

Për piktorin  Andre Deren e për krijimet e tij shënon fjalën “Porkerira”!

Për pikturën e një tjetri modernist shkruan “Nuk ka detaje për së afërmi, është e ndotur për së largu” etj.

Në librat e bibliotekës së Mios gjen lule fushe të thara mes fletëve, ka vizatime të bëra prej tij si p.sh. projekti i studios së piktorit, silueta njerëzish në kafene, gondola-vizatime- në sfond të urave të moçme etj.

Shumë shënime i përkasin periudhës, kur Mio ka qenë student në Itali.

Sidomos ne Venedik.

Në një fotografi ku ai ka dalë në Romë në moshë të re ka shkruar këto mendime nga pas:

“Në do të arrish i famshëm sakrifiko shumë që të arrish.

 Sot sakrifikoj në shumë gjëra që më janë niçesare (të nevojshme) për trupin tim.

Më mirë në jetë të gëzoj shpirtin me do punë të mirë se sa trupin me një palë rrobe të reja.

Unë që bëj ekonomi në hamje, të mos bëj në veshje se s’më gjen ndonjë dam?

Interesi i artit nuk lipset neglizhuar aspak

Romë 4.7.1923”

Këto shënime janë si një ekstrakt i vërtetë ditari.

Dhe shprehin gjendjen e vështirë po edhe vullnetin e madh dhe kredon e paepur te piktorit të ri.

Studiuesit që do merren me shënimet e Mios do zbulojnë më shumë fakte të tjera.

P.sh. Mihal Toskanini, Tenori i Parë i Operës së Bukureshtit, që është me origjinë shqiptare i jep me autograf Mios në 1927 me 8 fotografi të tij , ku ka dalë në role të ndryshme etj.

Origjinaliteti i pavdekshem i Vangjush Mios

 Vangjush Mio është një piktor novator.

Ai solli diçka të re dhe të rëndësishme në pikturën tonë.

Ai plotësoi një boshllëk (hiatus shekullor ) të së kaluarës.

Dihet se zhvillimi harmonik i gjithë llojeve e zhanreve të pikturës flet për gjallërinë e pjekurinë e saj.

Në pikturën e traditës kemi emra të mëdhenj të nivelit botëror si Onufri, David Selenicasi.

Po tek këto piktorë e tek të mëvonshmit mungon zhanri i peizazhit.

Tek Onufri është influenca e arti të Rilindjes Evropiane dhe ai ve bar e tufë pemësh në sfond të shkëmbinjve.

Po ai nuk arrin dot deri tek peizazhi autonom si zhanër artistik i veçantë.

Edhe  Davidi  Selenica i Vlores avancon.

Por  edhe ai s’arrin ende tek peizazhi autonom, ekspresiv.

Mio-prici i pejsazhit shqiptarit

Pikërisht ky është boshllëku të cilin e plotësoi si mjeshtër i madh Vangjush Mio  si nje korife me  piktorët e tjerë shqiptarë bashkëkohës të tij .

Zef Kolombin Mio e njihte thellë edhe portretin (portretet që ka bërë dëshmojnë për këtë.)

Po kryesisht ai do të mbetet këngëtari i fuqishëm e fin i peizazhit amtar, i stinëve të bukura të tokës shqiptare.

Këtu qëndron edhe noviteti artistik i Mios (natyrisht i kuptuar gjërë).

Ketu jane Letrat -Kredenciale te Vangjush Mios .

Detyra që i vuri vetes ai nuk ishte e lehtë.

Po ai çau me guxim ,nuk i imitoi vulgarisht të huajt , madje as piktorin e madh rumun Grigoreskun, qe e njihte shume mire dhe intimisht.

Ai donte të krijonte pikturë tipike, por edhe universale, shqiptare, me karakter popullor, të kultivuar e të një niveli tejet  të lartë.

Ndonëse pa bujë e pompozitet.

Ka një lidhje të fuqishme midis pikturës së tij e shpirtit të popullit, midis ngjyrave të peizazheve e ngjyrave të kostumeve popullore.

Piktura e tij nuk është thjesht si një “grafikë” me ngjyra siç është shprehur një mendim.

Po ajo është plot nuanca, lëvizje të brendshme.

Plot ajër e dritë!

Plot vizion dhe origjinalitet!

Është shprehur edhe mendimi se Mio punon në mënyrë  impresioniste.

Mio eshte biri i impresionizmit . europian dhe ballkanik dhe shqiptar.

Ky është një mendim thellësisht real, por aspak formal.

Impresionistët dihet e përdorin ngjyrën si qëllim ndjesor, plot fuqi krijuese.

Epoka tyre cuditi Artin e shekullit XX!

Po ngjyrat shpesh. në vetvete e bënin të “pavarura” e pikturat e tyre shpesh i ngjajnë pamjeve, me  rend simbolikm me narativa lineare.

Veprata e tyre nganjëhere nuk janë në fokus,- duke kaluar kështu një subjektivizëm rikonstruktues.

Po aspak në shkëputje nga bota reale.

Tek Mio s’kemi , në asnjë vepër të tij, diçka formalizuese, as struktura , apo arketipe  imituese.

Por nje ndjeshmeri fine, te jashtezakoneshme.

Pra, jo nje dublim fotografik , pa lidhje me artin vizionar, si të tillë.

Ai është thellësisht, po edhe me shpirt, pa vulgarizmin e diletantave me talent te rendomte.

Si talent i lindur , i madh, i paperserithsem, i kultivuar dhe institutocional per artet figurative shqiptare , realist ,nuk e primitivizon pikturën.

Por e trajton me seriozitet.

Dhe e interpreton  artin pikturik  me ndjenjë fantazie. por edhe  e  larg çdo deformimi.

Ndjenja shumedimensionale e Vangjush Mios është një ndjenjë  e pafundme, e infiniteshme Shqipërie.

Një ndjenjë e qartë dhe e përjetshme.

Ai zbulon bukuritë e Atdheut na e shton dashurinë për të.

Me këto pikëpamje ai të kujton Naimin e vargjet e tij.

Po dhe Lasgush Poradecin , me te cilin e lidh nje binjakeri konceptuale poetike, metaforike, si dhe kronologjike.

Vangjush Mio shfaqet  si piktori me i spikatur poetik i i arteve  figurative.

Pra Liriku  i Pashembullt i Piktures Shqiptare,

***

Veprat e Mios janë në  Thesarin  e Pamort dhe te pa  pashlyer te Artit Shqiptar ne shekuj.

(Studimi im i botuar ne “Nendori “, 1978- 40 vjet me pare )

August 20, 2018 16:22
Komento

5 Komente

  1. Arben August 20, 18:09

    Ore, piktori flet me mire me piktura, jo me shkrime.

    Reply to this comment
  2. PANO HALLKO August 20, 21:12

    MOIKOMI YNË KA QENË I MADH ME KOHË. PRANDAJ EDHE ËSHTË I MADH…

    Reply to this comment
    • Arben August 21, 13:31

      Ore, keto qe shkruan, me kujtojne letrat e skifter kellicit

      Per skifter.kellicin, nje prezantues I jashtezakonshem I

      ndeshjeve te futbollit.

      Kuptohet qe edhe ai perdorte pseudonime.

      Reply to this comment
  3. Guri i Kamjes August 21, 12:59

    Ka zera sot, madje edhe nga piktore, madje edhe nga punonjes te galerise qe thone per Mion se nuk ka vlera. Kur eshte keshtu pse i vodhen dhjetra piktura te tij dhe askush nuk eshte kapur?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*