Vango Mitrojorgji: Provokimi me një femër, gracka dhe prova për shantazh e Koçi Xoxes për Myslym Pezën

Kujtim Boriçi May 19, 2013 13:53

Vango Mitrojorgji: Provokimi me një femër, gracka dhe prova për shantazh e Koçi Xoxes për Myslym Pezën

Ekskluzive / Gjyqi kundër Koçi Xoxes, seanca e nëntë. Dëshmia e të pandehurit Vango Mitrojorgji lidhur me provokimin që iu bë me një femër Myslym Pezës si provë shantazhi e survejim nga Koçi Xoxe.

 

Dëshmia e Nuri Hutës, ish-diplomat dhe funksionar i lartë i Sigurimit, ‘korrieri’ i Xoxes me jugosllavët.

 

 

Nuri Huta(I pandehur): Koçi Xoxe më dërgoi si diplomat në Beograd dhe më porositi të kryeja vetëm porositë që do të më jepte ai. Dërgoja letra të Xoxes e takoja Rankoviçin, Gilasin e funksionarë të tjerë jugosllavë. Mesazhet e tyre ja përcillja Koçi Xoxes në Tiranë!

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Për hapjen e dosjes dhe survejimin e Myslym Pezës, një ndër të besuarit e Enver Hoxhës, Koçi Xoxe ka përdorur një femër. Këtë e pohon në seancën e 9 të gjyqit, ish-oficeri i lartë i Sigurimit Vango Mitrojorgji. Ndërkohë, në dëshminë e tij po në këtë seancë, i pandehuri Nuri Huta, ish-diplomat, dëshmon lidhjet e Koçi Xoxes me drejtuesit më të lartë të Jugosllavisë… “Koçi Xoxe më dërgoi si diplomat në Beograd dhe më porositi të kryeja vetëm porositë që do të më jepte ai. Dërgoja letra të Xoxes e takoja Rankoviçin, Gilasin e funksionarë të tjerë jugosllavë. Mesazhet e tyre ja përcillja Koçi Xoxes në Tiranë!” – pohoi mes të tjerave i pandehuri Nuri Huta…

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Vazhdojmë seancën e 9 të gjyqit me pyetjen e të pandehurve…

 

Prokurori: -I pandehur Vango Mitrojorgji, ti vetë a ke përdorur metodën e provokacionit në hetuesi?

 

Vango Mitrojorgji: -Që të kem përdorur unë vetë metodën e provokacionit, nuk më kujtohet.

 

Prokurori: -A s’të kujtohet ty të kesh bërë ndonjëherë provokacion?

 

Vango Mitrojorgji: -Po, më kujtohet një rast në Konferencën e Dikastereve se Myftar Tarja më kishte thënë se shoku Njazi Islami, në kohën e fashizmit kishte një proces në të cilin kishte denoncuar shokët dhe këtë gjë, unë e ngrita në atë konferencë. Por më vonë e pranova se ishte gabim.

 

Prokurori: -A është survejuar Abedin Shehu dhe kush e ka dhënë urdhërin?

 

Vango Mitrojorgji: -Na ka thënë Koçi Xoxe se Abedin Shehu duhej survejuar se është shovinist. Unë dhashë urdhër që të survejohet.

 

Kryetari(Frederik nosi): -Çfarë di ti për provokacionin që i është bërë Myslym Pezës?

 

Vango Mitrojorgji:- Në vitin 1946, Myslym Pezës i qe dërguar një grua me urdhër të koçi Xoxes, dhe ky ka qenë një provokacion. Unë pranoj se kam zbatuar urdhrat e Koçi Xoxes.

 

Prokurori: -A është një vepër anti-sovjetike raporti që i bëtë ju Koçit kur u kthyet nga Bashkimi Sovjetik?

 

Vango Mitrojorgji: -Po. Raporti që bëmë ne pasi u kthyem nga Bashkimi Sovjetik është një vepër anti-sovjetike. Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, për ngritjen e kurseve, i kam thënë 4 herë të pandehurit Vaskë Koleci, por ai m’i ka refuzuar të gjitha këto propozime.

 

Vaskë Koleci: -Nuk është ashtu siç thotë ky sepse ky asnjë propozim nuk më ka bërë për ngritjen e kurseve.

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Na thuaj i pandehur Vango, çfarë di ti në lidhje me Galip Hatibin?

 

Vango Mitrojorgji: -Galip Hatibi u arrestua në vitin 1946. E arrestova unë me urdhër të Nestit. E prita kur doli natën vonë, pas orës 12.00 nga Sekretariati i Rinisë. Nesti më tha se ishte agjent. Më vonë, pas Plenumit të XI-të mora vesh se ishte vrarë me vendim të një gjyqi të formuar me urdhër të Koçi Xoxes dhe në këtë gjyq, Vaska kishte caktuar dy shokë. Kjo qe vrasje e paligjshme. Di dhe një vrasje tjetër, kur një oficer i Mbrojtjes i dërguar për operacione kundër të arratisurve, i cili u vra pas shpine dhe familja e tij u lajmërua se u vra nga reaksionarët dhe ju dha dekoratë këtij oficeri.

 

Koçi Xoxe(I pandehur): -Vrasja e Galip Hatibit u bë me pëlqimin dhe me urdhërin e Komandantit(Enver Hoxhës).

 

Prokurori: -Çdo herë që i pandehuri Koçi Xoxe mbërthehet prej fakteve, kërkon me çdo mjet të difamojë shokun Komandant. Por Komandanti(Enver Hoxha)nuk mund të preket prej këtij banditi pa princip, se ai është një figurë që qëndron shumë lart.

 

Kryetari: -Ç’lloj torturash janë përdorur si metodë hetuesie, i pandehuri Vango?

 

Vango Mitrojorgji: -Në hetuesi qe metodë pune tortura. Janë praktikuar lloje të ndryshme torturash si për shembull qëllimi me pëllëmbë, lënia pa bukë për ditë të tëra, lidhur këmbë e duar me hekura të rënda, jeleku, uji i ftohtë, me litar të lagur, kokën në kovë. Këto metoda bisedoheshin dhe janë ngritur edhe në mbledhje dhe torturat kanë ardhur duke u perfeksionuar.

 

Kryetari: -Di ti të jenë bërë internime?

 

Vango Mitrojorgji: -Nga minoriteti di se janë arrestuar shumë dhe këto internime bëheshin me urdhër të Koçi Xoxes.

 

Kryetari: -A e pranon procesin hetimor i pandehuri Vango?

 

Vango Mitrojorgji: -Po, procesin e pranoj…

 

Kryetari(Frederik Nosi): -Vazhdojmë seancën me pyetjen e të pandehurit Nuri Huta. A e ke marrë aktin e akuzës dhe a i pranon akuzat që të ngarkohen?

 

Nuri Huta(I pandehur): -Po, aktin e akuzës e kam marrë. Pranoj fajet që mund të kemë bërë, por të quhem si anëtar i këtij grupi, nuk më duket një cilësim i drejtë.

 

Prokurori: -Ku e ke njohur Koçi Xoxen?

 

Nuri Huta: =Koçin e kam njohur në burg në vitin 1942. E kam njohur si të burgosur.

 

Prokurori: -Ke biseduar pikëpamje politike në lidhje me jugosllavët me të?

 

Nuri Huta: -Nuk kam biseduar gjë, vetëm se aty në burg kishim edhe jugosllavë dhe Komiteti i Partisë kishte organizuar kursin e gjuhës serbo-kroate dhe aty unë mësova gjuhën jugosllave.

 

Prokurori: -Pastaj, kur e takove përsëri Koçi Xoxen?

 

Nuri Huta: -Pas tre ditësh të daljes nga burgu, e pashë në një miting në Çermenikë dhe pastaj u bë Konferenca e Labinotit. Personalisht me të nuk jam takuar, vetëm se e pashë.

 

Prokurori: -Po më vonë, kur e ke takuar pastaj?

 

Nuri Huta: -Pas çlirimit e kam takuar në Berat kur u thirra për të shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm, në seksionin e personelit. Në Berat e pashë Koçi Xoxen, por nuk kam pasur bisedime me të.

 

Prokurori: -Pas Beratit, nuk ke pasur bisedime me Koçi Xoxen?

 

Nuri Huta: -Më vonë në Tiranë më thërret Koçi Xoxe dhe më kërkon misionin që të paraqes kërkesën e njohjes së qeverisë sonë nga Italia, pranë anglo-amerikanëve. Aty më dërgoi tek Alqi Kondi për të marrë kërkesën. Isha vetëm unë që u nisa me këtë kërkesë në Itali.

 

Prokurori: -Në Itali, a u njohe me ndonjë jugosllav?

 

Nuri Huta: -Jo, nuk njoha ndonjë jugosllav në Itali.

 

Prokurori: -Pas kthimit nga Italia, me çfarë pune u more?

 

Nuri Huta: -Pas kthimit nga Italia, prapë vazhdova të punoj në sektorin e personelit në Shtabin e Përgjithshëm. Lidhje personale me Koçi Xoxen nuk kam pasur sepse për çështje pune, unë i referoja Misto Treskës. Më vonë, po në vitin 1945, më thërret Koçi Xoxe në zyrë dhe më tha se do të shkoja si nën-shef i Misionit tonë Ushtarak në Beograd, pasi dija pak edhe gjuhën jugosllave. Kam qenë vetëm me Koçi Xoxen në zyrat e Komitetit Central. Dhe me këtë rast, Koço më tha se do të isha edhe ndërlidhës i dy Komiteteve Centrale. Më porositi prerë se atje do të bëja si të më thoshte vetëm ai. Më tha njëkohësisht se do të punoja edhe pranë gazetës ‘Borba’ për të fituar eksperiencë dhe se kur të kthehesha do të punoja në shtyp, siç duket, pranë organit central. Më tha se do të shkoja edhe në Moskë për të çuar kërkesën e  njohjes së qeverisë. Por pasi në këtë kohë kishte ardhur ambasada e Bashkimit Sovjetik në Beograd, unë kërkesën ja dorëzova kësaj ambasade në Beograd.

 

Prokurori: -Çfarë porosish të dha Koçi Xoxe kur të tha se do të jesh edhe ndërlidhës i dy Komiteteve Centrale?

 

Nuri Huta: -Gjë konkrete nuk më tha. Më tha se do të isha ndërlidhës mes dy Komiteteve… Pastaj më ka thirrur në prezencën e Kiço Ngjelës dhe më tha të merrja dhe përkthimin italisht të rezolucionit të Plenumit të II-të të Beratit për t’ia dorëzuar Rankoviçit duke më porositur se po ta shihte ky të arsyeshme, ta dërgonte edhe në Moskë. Më dha gjithashtu edhe një letër të mbyllur në zarf që t’ia dërgoja Rankoviçit.

 

Prokurori: -Çfarë të tha tjetër se do të bëje ti në Beograd dhe kur i bisedoi këto me ty, a ishin dhe shokët e tjetër të Misionit?

 

Nuri Huta: -Koçi më tha se atje në Beograd do të fitoja eksperiencë pranë gazetës ‘Borba’. Nga shokët e misionit Dhori Panariti ishte…

 

Prokurori: -Me cilin të tha se do të kishe ndërlidhje në Beograd?

 

Nuri Huta: -Nuk më tha konkretisht se me cilin do të ndërlidhesha. Por më tha se do të bëja, do të jepja e do të merrja, atë që do të më thoshte ai, pra Koçi Xoxe. Për rezolucionin e Plenumit të Beratit më tha se Rankoviçi po ta shihte të arsyeshme, mund ta shpinte edhe në Moskë.

 

Prokurori: -Kur u ktheve nga Beogradi, çfarë funksioni pate këtu?

 

Nuri Huta: -Kur u ktheva nga Beogradi shërbeva si ndihmës në Komisionin e Axhit-Prop-it pranë Komitetit Central dhe më vonë u caktova me përgjegjësinë e politikës së jashtme të shtypit.

 

Prokurori: -Kur shkove herën e parë në Beograd, a e takove Gilasin?

 

Nuri Huta: -E takova Gilasin kur shkova për herën e parë në Beograd  të cilit i dhashë edhe një letër që më kishte dhënë Koçi për të. Ai më pyeti rreth biografisë sime dhe gjëra të tjera të vogla. Në këtë bisedë, Gilasi më tha se kosovarët nuk janë autoktonë në Kosovë, por kanë ardhur nga Malësitë e Veriut gjatë dyndjeve serbe. Herën e dytë, në një bisedë që kam pasur me të, më ka thënë se kosovarët janë autoktonë.

 

Prokurori: -Po ku e kishte hallin Gilasi që bisedoi për Kosovën dhe kosovarët?

 

Nuri Huta: -Halli i tij ishte që kosovarët të mos njiheshin si autoktonë në Kosovë. Ai më pyeti se si e shtron Partia Komuniste Shqiptare çështjen e Kosovës.

 

Prokurori: -Si u takove ti pastaj me Rankoviçin?

 

Nuri Huta: -Pas takimit me Gilasin, unë i thashë këtij se kam një letër nga Koçi Xoxe për Rankoviçin, ose për Komitetin Central, nuk di se si i thashë. Gilasi më dha një oficer i cili më dërgoi në Komitetin Central ku u takova me Rankoviçin. Atij i dhashë letrën që më kishte dhënë Koçi Xoxe, si dhe rezolucionin e Plenumit të Beratit të përkthyer. Rankoviçit i thashë se kam për të shkuar edhe në Moskë, prandaj kërkova që të ndërmjetësonte. Ai më tha se do kujdesej, por më vonë nuk më dha asnjë përgjigje.

 

Prokurori: -Kujt ja dhe kërkesën për njohjen e qeverisë dhe a the gjë në legatën sovjetike?

 

Nuri Huta: -Kërkesën për njohjen e Qeverisë sonë ja dhashë ambasadës sovjetike në Beograd, por nuk fola gjë atje.

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e ish-diplomatit Nuri Huta(I pandehur): Letra personale që më dha Koçi Xoxe për Rankoviçin, çfarë shkruhej në të dhe biseda ime me Ministrin e Brendshëm jugosllav.

-Misioni i vizitës së delegacionit të grave shqiptare, kryesuar nga  Nexhmije Hoxha e Liri Gega në Beograd dhe direktivat e jugosllavëve për Shkollën e Partisë në Shqipëri.

-Dëshmia të pandehurit Huta: Interesimi i drejtuesve jugosllavë Rankoviç, Gilas dhe gjeneralit Trziç për provokacionet në kufirin shqiptaro-grek dhe porositë për Koçi Xoxen.

Kujtim Boriçi May 19, 2013 13:53
Komento

5 Komente

  1. Luan Shmilli-Itali May 19, 14:53

    Pra,jo kot Hrushovi ne librin e tij,”Krucev”italisht botimi,thote se Koci Xoxe ishte agjent jugosllav ne krye të PPSH ,thote dhe te tjera,se edhe Enver Hoxha ishte agjent i kinezeve,ndaj u shkeput nga BRSS,duke sjellë ne Shqiperi Kinen,sot gjigand i dyte botror i shvillimit.Ai aludon per Ramiz Aline,si agjent dhe një dyzine me veriore e kosovare rreth tij,ku tani shkelqen pasardhesi i tij Berisha,dhenderr dhe me probabilitet të lartë agjent(e ka deklaruar deputeti Spartak Braho).Ka nje te dhene interesante,megjithse Krushovi nuk thote kush e morì drejtimin e agjentures serbe ne Tirane,ai thote hapur se Ramiz Alinë nuk e pranoi ne mbledhjen e traktatit te Vershaves,ku u mor vendimi i ngritjes së Murit gjerman….Kjo ka nje arsye pertej asaj qe thote Alia ne kujtimet e tij se”U zume se Krushovi nuk me donte mua,por Enverin i cili nuk shkoi me ne Moske,pas asaj mbledhje qe u quajt historike,ku dhe Hrushovi pranon se per here te pare ne kampin socialist u be pluraluzmi gjer me ikje nga salla te delegacionit shqiptar!Pra,mendohet se Alia morì drejtimin qe e kish Koci Xoxe dhe dihet kete drejtim Alia ja delegoi Berishes qe gjithshka e fokusoi ne pengese per lirine e Kosoves!…

    Reply to this comment
  2. Mali May 19, 17:07

    Luani kur citon ben mire ti vere ne thonjza fjalet e autoreve dhe jo sic i kujtohen.Propoganda ne Shqiperi ka spekulluar deri ne neveri me fjalet agjent e poliagjent.Gjate 45 vjeteve Enveri zhduku disa komitete qendrore me kuadro nga me te shquarat duke i akuzuar si agjente apo poliagjente.Per asnjerin nuk doli asnje prove,as per Koci Xoxen.Te kesh simpati per nje shtet apo per nje parti nuk don te thote se je agjent i tyre. Kejo eshte nje teme e gjere qe nuk mund te trajtohet me reagime telegrafike prandaje e mbyll me Kaqe.!

    Reply to this comment
  3. shqiptar May 19, 21:57

    Per mendimin tim ,Luani ka te drejte ,nders ti Mali ja fut kot.

    Reply to this comment
  4. lani May 19, 22:52

    Qelbesia ishin te gjithe qe moren pjese ne ate sistem.

    Reply to this comment
  5. Vasil May 20, 17:37

    Pse nuk u thirr komandanti te deshmonte per Galip Hatibin, apo ai ishte permbi ligjin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*