Varfëria ndjek të varfërit, emigrantët ndjekin varfërinë

Kosta Barjaba -INTERVISTE May 7, 2015 22:40

Varfëria ndjek të varfërit, emigrantët ndjekin varfërinë

Dukuria e ikjes masive të shqiptarëve drejt vendeve Perëndimore në analizën dhe fokusin e Akademikut Kosta Barjaba. Si u shfaq ky fenomen në fillim të viteve 1990 dhe etapat që ka kaluar deri tek eksodi i tanishëm. Ikjet permanente dhe arsyet e vërteta të emigrimit dhe pse Prof. Barjaba nuk e pranon termin “azilant ekonomik”. Cilat zona të vendit janë më të prekura dhe pse Gjermania është destinacioni kryesor i azilkërkuesve. Politikat qeverisëse të këtyre 25 viteve dhe asimetria midis nevojave reale të emigrantëve shqiptarë dhe investimeve qeverisëse për ta.

 

– Profesor, Shqipëria po përjeton një përshkallëzim të fluksit migrator drejt Perëndimit, kryesisht drejt Gjermanisë. Për këtë dukuri ka një vëmendje të madhe publike, politike dhe mediatike. A është kjo që po ndodh një rrufe në qiell të kthjellët?

– Meqë m’u drejtuat me metaforë, po ju përgjigjem me metaforë. “Qielli” i Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë i kthjellët gjatë këtyre 25 viteve të fundit. Ka qenë gjithmonë me re dhe bubullima. Me këtë dua të them që ne, shqiptarët, gjatë këtyre 25 vjetëve kemi qenë emigruesit më të mëdhenj të rajonit dhe të gjithë Europës. Ne kemi vazhduar të ikim në mënyrë permanente dhe ciklike nga Shqipëria.

Nëse flasim për cikle, gjatë këtyre viteve kemi shënuar tre të tilla: dimri-pranvera e vitit 1990-1991, kur ndodhi emigrimi masiv drejt Italisë dhe Greqisë; gushti i vitit 1991, kur ndodhi emigrimi masiv drejt Italisë, i cili u pasua nga episode tragjike dhe të turpshme të stadiumit të Barit; pranvera e vitit 1997, kur ndodhi emigrimi masiv drejt Italisë. Këto tri cikle u prodhuan nga veprimi i kombinuar i faktorëve shtytës ekonomikë dhe politikë. Në dy ciklet e para ne emigruam për t’i shpëtuar regjimit totalitar që po rrëzohej. Në ciklin e tretë i ikëm kaosit dhe pragut të luftës civile që pushtoi vendin.

 

Kosta Barjaba

Kosta Barjaba

– Ju përmendët edhe një ikje permanente?

– Po. Midis dhe pas këtyre tre cikleve, kemi ikur në mënyrë të heshtur drejt Greqisë, Italisë dhe vendeve të tjera. Gjatë periudhës prill 2001-tetor 2011 u larguan rreth 482 mijë persona. Fluksi mesatar i emigrimit tonë gjatë kësaj periudhe ka qenë rreth 47 mijë persona në vit. Pra, edhe pse në mënyrë të heshtur dhe në kohë relativisht të qeta, fluksi mesatar vjetor gjatë një dekade tentoi të arrinte fluksin e pas rënies së firmave piramidale në vitin 1997. Midis këtij emigrimi të heshtur dhe permanent, kemi pasur një tentativë për të prodhuar një cikël të ri, i cili shoqëroi emigrimin e refugjatëve kosovarë në vitin 1999, gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Hapja e dyerve nga mjaft vende europiane për refugjatët kosovarë, shkaktoi një përshkallëzim dhe intensifikim të taktikave tona për të emigruar me identitet kosovar.

Fluksi ka vazhduar edhe gjate viteve te fundit. Gjatë vitit 2014 u larguan rreth 46 mijë persona. Prej tyre, kërkuan azil në vendet e BE-së rreth 17 mijë persona. Ndërkohë, burimet zyrtare gjermane konfirmojnë se gjatë periudhës janar-mars 2015 në këtë vend kërkuan azil rreth 6,500 shqiptarë. Burime mediatike dhe jozyrtare bëjnë fjalë për rreth 13 mijë shqiptarë azil-kërkues gjatë katër muajve të parë të vitit 2015. Megjithatë, duhet të pranojmë se flukset aktuale janë më të mëdha dhe më të shpeshta. Prandaj edhe kanë prodhuar vëmendje më të madhe publike, politike dhe mediatike.

 

– Tani flitet për azilantë ekonomikë. Si ndodhi ky transformim i llojit të emigrantëve?

– Dëshiroj të sqaroj se termi “azilantë ekonomikë” që përdoret në ligjërimin publik të ditëve të fundit është një term i stisur. Si rregull, njerëzit që emigrojnë janë ose emigrantë ekonomikë që emigrojnë në kërkim të punës, ose refugjatë që ikin për shkak të krizave politike, etnike apo fetare, ose azil-kërkues, pra refugjatë që kërkojnë mbrojtje prej shtetit ku shkojnë. Termat “azilantë” dhe “ekonomikë” nuk mund të rrinë bashkë. Termi “azilant ekonomik” është një kauzë për të mjegulluar qëllimin e vërtetë të ikjes. Ikjes ekonomike, vetë të ikurit, media, por edhe ne që po bashkëbisedojmë, i veshim një përmbajtje tjetër. Të ikurit e bëjnë këtë për të krijuar sa më shumë mbështetje në vendet ku shkojnë.

 

– Cilat janë, sipas jush, arsyet që i shtyjnë emigrantët të kërkojnë, siç shprehen ata, azil ekonomik?

– Njëzetë e pesë vjet më parë faktorët kryesorë të emigrimit ishin politiko-ekonomikë. Njëzetë e pesë vjet më vonë janë thjesht ekonomikë. Njëzetë e pesë vjet më parë ne iknim edhe për shkak se jeta në Shqipëri ishte e vështirë, për shumicën e ikësve e padurueshme, por edhe për shkak të fushës magnetike që u krijua midis Shqipërisë dhe Europës dhe forcës tërheqëse të magnetit Europë. Njëzetë e pesë vjet më vonë magneti Europë nuk e ka më fuqinë e dikurshme, prandaj ne ikim për shkak të vështirësive dhe varfërisë së këtushme. Jo aq për shkak të shkëlqimit të atjeshëm.

 

– Domethënë ju mendoni se ka një lidhje të drejtpërdrejt midis varfërisë dhe ikjeve nga Shqipëria?

– Pa asnjë dyshim. Në përgjithësi, matja e varfërisë tregon për një rritje të saj gjatë periudhës 2008-2012. Se në ç’nivel është tani, kjo duhet matur. Lidhja midis varfërisë dhe ikjes nuk është e vështirë për t’u zbuluar. Pas vitit 2008 po ndodhin disa zhvendosje në enklavat e varfërisë. Për shembull, rajoni bregdetar gjatë periudhës 2008-2012 u shndërrua në rajonin më të varfër të vendit. Në këtë rajon ishin në varfëri rreth 20.7 përqind e popullsisë, ndërsa në zonat malore rreth 16.3 përqind. Vija bregdetare e vendit ka mbetur një vijë me potenciale, por pa produkte zhvillimi. Prandaj nuk duhet të çuditemi kur nga Fieri dhe Vlora ikin njerëzit pa u menduar gjatë. Gjatë viteve të fundit varfëria po zhvendoset drejt zonave urbane. Prandaj nuk duhet të çuditemi kur, si fshatarët, ashtu edhe qytetarët shesin plaçkat dhe ikin. Një shumicë fshatarësh janë vendosur në qytete dhe aty mungojnë burimet dhe mundësitë për punë dhe jetesë. Urbanizimi është kaotik dhe pa u paraprirë, madje edhe pa u ndjekur, nga programe ekonomike dhe sistemimi. Fshatarët e ardhur në qytete nuk mund të kthehen nga kanë ardhur, prandaj i mbajnë sytë nga Gjermania. Emigrimi i brendshëm, në vend që të ulte varfërinë e banorëve të zonave rurale, vetëm sa e zhvendosi atë bashkë me të ikurit. Prandaj duket sikur varfëria ndjek të varfërit atje ku shkojnë. Dhe migrimi ndjek varfërinë. Ndryshimet në hartën e varfërisë, sjellin ndryshime në hartën e flukseve migratore. Nuk është rastësi që grupet më të mëdha të azil-kërkuesve nisen nga rajonet e Vlorës, Fierit, si edhe nga Kukësi dhe Tropoja. Këto dy të fundit kanë qenë dhe mbeten zona të varfëra. Ndërsa dy të parët kanë shtrirje të gjerë në zonën bregdetare dhe varfëria në këtë zonë, siç përmenda, prej vitit 2008 është rritur.

 

– A ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis qeverisjes dhe flukseve migratore të fundit?

– Emigrimi është pasojë e varfërisë dhe varfëria është pasojë e qeverisjes. Por qeverisja nuk është as një, as dy mandate. Qeverisja është modeli ekonomik dhe vizioni qeverisës. Për shembull, Shqipëria ka pasur disa zona industriale, në të cilat ishte përqendruar industria nxjerrëse dhe përpunuese e pasurive natyrore. Përdorimi barbar i tyre thelloi varfërinë dhe prodhoi flukse të mëdha nga këto zona. Ky barbarizëm nuk ka marrë ende fund. Përditë ndodhin episode që dëshmojnë grabitjen e burimeve natyrore, kushtet skllavëruese të punëtorëve, shkatërrimin e mjedisit. Shqiptarët janë këtu ku janë, jo për faj të tyre, por për faj të qeverisësve që kanë zgjedhur gjatë tranzicionit. Gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur një asimetri midis nevojave reale të emigrantëve shqiptarë dhe investimeve qeverisëse për ta. Agjendat qeverisëse nuk u janë përgjigjur agjendave të emigrantëve.

 

– Pse po bëhet pikërisht Gjermania destinacioni kryesor i azil-kërkuesve?

Edhe kjo e ka një shpjegim. Gjermania ka ekonominë më të madhe të Europës dhe është bërë motori i kontinentit. Në sytë e shqiptarëve, por jo vetëm të tyre, ajo po bëhet lidere e Europës. Pra, vetë Europa po gjermanizohet. Disa këtë fakt e interpretojnë negativisht. Për ne, shqiptarët, për shkak të marrëdhënieve të mira që kemi me këtë vend, gjermanizimi i Europës është një gjë e mirë. Ndërkohë, vetë Gjermania po kryen një proces merkelizimi. Produkt i këtij procesi është edhe fakti se ajo po bëhet një vend model dhe pionier i politikave bashkëkohore të migrimit, sidomos për mundësitë që ofron për punësimin e emigrantëve. Pra, Gjermania është aktualisht magneti europian me fuqinë më të madhe tërheqëse. Gjermanizimi i Europës po bën që emigrantët dhe azil-kërkuesit të injorojnë kërkesën e Sistemit Europian të Azilit dhe Marrëveshjes Dublin II, që i detyron të kërkojnë azil në vendin më të parë ku shkelin. Ku të ndalojnë shqiptarët? Në Itali? Në Greqi? Të dyja vendet fqinje janë në krizë. Në vendet e tjera të BE-së? Atje dyert janë të mbyllura. Pra, përballë që Europe kështjellë që po mbyll portat për emigrantët, Gjermania i hap ato, duke synuar të krijojë një model imigrimi të ngjashëm me atë amerikan, kanadez dhe australian. Dhe instinkti i atyre që emigrojnë po e ndjen këtë ndryshim.

 

– Gjatë gjithë kësaj bisede ju nuk po thoni “ikin”, por “ikim”. Si ta kuptojmë këtë?

– Për të ikurit apo ikësit e tanishëm nga Shqipëria nuk duhet të mendojmë si për “ata”, por si për “ne”. Nëse ne nuk kemi arritur një menaxhim efikas të migracionit, kjo ka ndodhur sepse për emigrantët kemi menduar se janë dikush tjetër dhe jo prindërit, vëllezërit, motrat apo fëmijët tanë. Prandaj azil-kërkuesit jemi të gjithë ne!

Bisedoi Erion Habilaj

Kosta Barjaba -INTERVISTE May 7, 2015 22:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*