Nga ARBEN DUKA (1957-2021)
1-Puthja
Ngrihej mal Cezari,
mbi gjithë gjeneralët,
po kur puthte miken,
s’ish më me të gjallët!
Eh-ç’mundim i gjori,
gjeneral’ i ndritur,
vdiste aq i lumtur,
ngjallej i mërzitur!
2-Ylli im Polar
Kur ma kap shpirtin mërzia,
të kërkoj veç Ty,
vetëm Ti brengat e mia,
m’i heq me magji.
Dhe kur ndihem i trishtuar,
vij e ty të marr,
je në Botën e trazuar,
Ylli im Polar.
Ylli im që s’ke të shuar,
rrugën ma ndriço,
shpirt i lodhur-i lënduar,
një dritëz e do.
Që nga dita që të dua,
nuk ndjej më vetmi,
s’e kuptoj se ç’je për mua,
Zot-apo njeri?!
3-Magji e pafund
Në krevat të butë,
lakuriq të gjeta,
pleksur këmbët tona,
si katër gërsheta.
Duart si në ethe,
dridhen nëpër gjinj,
buza herë thith buzën,
herë puth sytë e zinj.
Në krevat të butë,
pa pirë-por të dehur,
thellë-në mes të këmbëve,
pret një çark i ngrehur.