VARGJE LIRIKE: “UNË VDES NË PUTHJEN TËNDE!”

A. Duka May 8, 2016 13:00 Updated

VARGJE LIRIKE: “UNË VDES NË PUTHJEN TËNDE!”

1. Vdes në puthjen tënde

Unë vdes në puthjen tënde,
po puthjes nuk i druhem,
se jam një flakëz hëne,
venitem-por nuk shuhem.

2. Mos më pyet!

Mos më pyet: “Pse,
pse rri i mërzitur,
dhe kaq i vetmuar,
si qiri i fikur?!”

S’më mban dot-o zemër,
se jam për të ikur,
ka ardhur një engjëll,
për të më kositur.

Një qefin të zi,
më ka porositur!

3. Pas “Lamtumirës”

Dikur kur shkrova: “Lamtumirë!”,
pyeta veten: “Pse u ngute?”,
se përveç vdekjes s’ka në botë,
asgjë më tepër absolute.

Gjithmonë me vete kam menduar,
ajo që shkoi-iku-u prish,
por edhe çasti i kaluar,
plot me shkëlqim kthehet sërish.

Se jeta s’paska vetëm renga,
nuk është veç helm e pelin,
se vjen një ditë e shuhet brenga,
papritur syri merr shkëlqim.

Kaluan nuk e di sa vite,
dhe zjarri i parë m’u ndez sërish,
në qiellin tim ti m’u përndrite,
si një dhuratë perëndish.

Me dhimbje shtymë shumë mote,
as unë-as ti nuk kishim vdekur,
në zemrën time ndjenja jote,
ç’më kish mbetur e paprekur.

Nga gjumi letargjik u zgjova,
sa kisha fjetur-nuk e di,
të falem-Zot-që e takova,
sërish të parën dashuri.

4. Gjendet e vërteta

Këndova nga zemra,
në një shkretëtirë,
dhe fjala-dhe kënga,
m’u bënë xhevahirë.

Këndova gjithë jeta,
këputa zinxhirë,
gjendet e vërteta,
dhe në shkretëtirë.

5. Mbi një zjarr të tretur

Kur shuhet një zjarr,
mbetet një dorë hi,
kur shuhet një zjarr,
dhe një dashuri.

Mbi një zjarr të tretur,
mos u lodh më kot,
se hiri i mbetur,
zjarr nuk bëhet dot.

6. Pa titull

Shpirti i Njeriut u tha,
s’harrin dot as kafshërinë,
ujku-ujkun nuk e ha,
njeriu e vret njerinë!

 

A. Duka May 8, 2016 13:00 Updated
Komento

4 Komente

  1. myrteza May 8, 13:38

    edhe pse me ke hequr nga faqja jote une vazhdoj te te lexoj i dashur poet sigurisht jo te gjitha i lexoj vetem ato qe botohen ne gazete

    Reply to this comment
  2. ONKEZMI May 8, 23:34

    Si duket,ti ke lindur per vargje per dashurine,por gjate ritjes,ke prefeksionuar dhe vargjet ne politike…Te pershendes nga “Udhekryqet e Botes”,ku edhe te ndjek cdo dite.Urime…

    Reply to this comment
  3. Andi May 9, 06:16

    Une jam nje shok i vellait tend
    Qe shlodhem mbi vargjet e tua
    Pa poet Zoti kurr mos na lent
    Por ti je njeshi per mua

    Reply to this comment
  4. rapsodi popullor May 9, 12:52

    Aferim Duke hallalli, per vargje dashurie na kish marre malli..
    Po na habit kete here, gjithmone ke shkruar Parti-Enver..
    Vargjet e dashurise sot, jane vertet te bukura fort..
    Duket i ke kopjuar, nga nje rrufjan politik i zgjuar..
    Me qetesi e dashuri, vargje te Likes ne LSI.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*