Vargje për këngë

August 11, 2018 12:55

Vargje për këngë

Ëndërr…

Ëndërr-o moj-ëndërr,

gjumin se ç’ma prishe,

m’i përplase krahët,s

i një dallandyshe.

 

Si një dallandyshe,

drejt në zemrën time,

o-bo-bo ç’u tretën,

ato ëndërrime.

 

Tani që u zgjova,

s’heq aspak me zëmër,

e ndjej veten time,

më mirë se në ëndërr.

 

Nektari i jetës,

më rrjedh nëpër deje,

ëndrra më e bukur,

nuk vlen para teje.

 

Nuk vlejnë sa ti,

as lulet e njoma,

se ti je e gjitha,

fllade dhe aroma.

 

O-po ç’më verbove,

me dritë rrufeje,

s’ka më ëndërrime,

kush jeton pranë teje.

 

Ëndërr-o moj-ëndërr,

o shkumë sapuni,

tani qé më zgjove,

nuk më zë më gjumi.

 

Kush jeton pranë teje,

s’i di kurrë përgjigjet,

o do rrojë gjithë jetën,

o në çast do digjet.

 

Nuk i di përgjigjet,

ç’do t’i ndodhi vallë,

po unë të paktën,

jam akoma gjallë!

 

Ishte syri yt…

Buza seç m’u tha,

nga vapa po vuaj,

m’u në buzën tënde,

etjen do ta shuaj.

 

Do ta shuaj etjen,

xhan-moj mikja ime,

se nga buza jote,

rrjedhin dy burime.

 

Rrjedhin dy burime,

si ato të malit,

që shërojnë buzët,

dhe zemrën e djalit.

 

Në lumë e në det,

bandilli ç’u mbyt,

jo-jo s’ishte lumë,

ishte syri yt.

 

Ishte syri yt,

i thellë sa deti,

bandilli u mbyt,

po nuk tha:”Ç’më gjeti!.”

 

Shokë-more-shokë,

mos më thoni gjë,

tani që u mbyta,

s’dua të dal më!.

 

Zemra nuk më mbeti,

fryma nuk m’u zu,

lum ai që mbytet,

në dy sytë e tu!

A. Duka

August 11, 2018 12:55
Komento

2 Komente

  1. Arben August 11, 19:02

    Do blere ne librari vellimi me poezi.

    Reply to this comment
  2. Mark .U.K August 12, 08:42

    Hera e pare si po me pelqen,se nuk ke shkrue per Pd.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*