Vargje për këngë

Arben Duka June 29, 2016 09:37

Vargje për këngë

E kam zili erën

Erën e mëngjezit,
sa e kam zili,
se të përkëdhel,
në gushë e në gji.

Ajo e mbështjell,
të gjithë trupin tënd,
futet ku të dojë,
ndaj më lë pa mënd!

Jam xheloz për erën,
në pafundësi,
se ajo-moj zemër,
bën ç’të dojë me ty.

Ndaj kam ëndërruar,
të fryj porsi erë,
me buzët e tua,
të loz ndonjëherë.

Të fryj porsi erë,
aromë e puhi,
të të puth në faqe,
të të puth në sy.

Puhizë e aromë,
asnjëherë furtunë,
që ti mos kuptosh,
se po të puth unë!

 

Sytë e dashurisë

U këput një yll,
që nga lart dhe ra,
u këput një yll,
dhe më nuk u pa!

U këput një yll,
mes përmes u nda,
u këput një yll,
e më nuk u pa.

Vetëm unë e dija,
pse u nda ashtu,
ranë gjysmat e yllit,
në dy sytë e tu.

Ti në gjithë Botën,
shkrepje-vetëtije,
nga një yll i vetëm,
se ç’u bënë dy yje!

Ma jep njerin mua,
të bëhem si ty! T
i thua-s’i dua,
t’i fal që të dy!

Po t’i fal vërtet,
dhuratë dashurie,
se jam ylle vetë,
dhe pa ata yje!

M’i fale të dy,
ata yje blu,
prapë mbetën të njëjtë,
të dy sytë e tu.

Misterin e dritës,
vetëm ti e dije,
në mesin e ditës,
shkrepën katër yje!

Shkrepën katër yje,
plot me kaltërsi,
dy në sytë e tu,
dy në sytë e mi!

Dhe në fund të Botës,
të dalloj unë ty,
dhe ti si pasqyrë,
i ke sytë e mi.

Flasin edhe flasin,
sytë e dashurisë,
veç ata ja dinë,
gjuhën Perëndisë!

Arben Duka June 29, 2016 09:37
Komento

2 Komente

  1. tom June 29, 12:46

    Te shkelqyera!
    Bravo,Duke!

    Reply to this comment
  2. Eri June 29, 23:02

    Z.Arben Ju falenderojme me zemer per keto vargje te ngrohta , te cilat na kujtojne se sa bukur mund t’i kendohet dashurise…te cilen sot e ka mbuluar vulgariteti. Ndonese jam 38 akoma kam ne mendje jo per nostalgji ate kohe kur un isha reth13..14 vjec dhe lexoja tekstet e kengeve tuaja ne gazete dhe gati..gati ne i perpinim…i mbaj mend dhe nuk mundem t’i harroj…sinqerisht akoma Ju duam..FALEMINDERIT DHE JETE TE GJATE PO ME KETE PASION QE TA KEMI KAQ ZILI!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*