VARGJE TË ZGJEDHUR

September 30, 2017 10:22

VARGJE TË ZGJEDHUR

1. Fllade vere…

Zbardhin vitet përmbi thinja,
nëpër mjekër-nëpër flokë,
po me jetën dot s’u nginja,
që kur eca përmbi tokë.

Rrodhën vitet si ujëvara,
uji-turbulluar krejt,
si shkëmbit më bënë të çara,
saqë s’eci dot më drejt.

Shumë e shumë në jetë më deshën,
thanë se isha goxha burrë,
shumë të tjerë më përqeshën,
dhe më qëlluan me gurë.

Po unë e kurseva lotin,
të mërzitesh-ç’marrëzi!
Ka kaq shumë që s’duan Zotin,
ç’pyet për mua-për ty?!

Pa panik e pa potere,
do pres fundin-do pres gjyqin,
tonat janë fllade vera,
gjersa Krishti duroi kryqin!

2. Unë dhe rinia ime…

Rinia ime-kur ne ishim dyshe,
në shpirt mërzinë nuk e ndjeva kurrë,
po ti më ike si një dallandyshe,
po ti më ike dhe më le sëmurë.

Po dallandyshet kthehen në pranverë,
kthehen përsëri-nga malli i vjetër,
po ti-e dashur-s’u ktheve asnjëherë,
dhe pse veç teje s’prisja asnjë tjetër…

Rinia ime sa shpejt më braktise,
sa shpejt në zemrën time shove zjarrin,
dhe nuk e di ku shkove-ku bitise,
për mua-krejt përjashta le litarin.

Po unë jam një folezë aq besnike,
që pres e pres-se s’mund të bëj gjë tjetër,
të kthehet përsëri rinia-mike,
sa ende nuk jam bërë një plak i vjetër…

Se ende shumë vite s’kam mbi shpinë,
shpirtin ende ma gëzon pranvera,
ah-një ditë të piqem me rininë,
do t’i prisja gjëmba edhe ferra…

Shkopin tej nga dora do ta flakja,
si pelerinë diejt do t’i vishja,
njëmijë vjet e s’do më vinte plakja,
po të kthehej rini dallandyshja…

Por së paku kam kalem e letër,
dhe shkruaj me shpirt për Perëndinë,
që më mbajti dhe një ditë tjetër,
dhe ma mbushi gjoksin plot me frymë…

A. Duka

September 30, 2017 10:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*